` . Pragu moral i pikëpyetjeve për krimet në Kosovë - TV SHENJA

Pragu moral i pikëpyetjeve për krimet në Kosovë

Si është e mundur që ish-ministri i Millosheviqit, sot presidenti serb, Vuçiq, ulet si partner me homologun e Kosovës, duke debatuar për territore, ndërkohë që qindra krime të militarëve serbë janë të pazbardhura e ku rreth dy mijë persona rezultojnë ende të zhdukur?

Shkruan: Agim BAÇI, Tiranë

Në majin e vitit 2019-të, 79 deputetë të Kuvendit të Kosovës e votuan “Rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë”. Një hap i tillë pritej t’i hapte udhë procedurave për krijimin e një tribunali për krimet serbe në Kosovë. “Gjatë luftës së Kosovës forcat e Serbisë dhe Malit të Zi, por më shumë të Serbisë, dëbuan mbi një milion shqiptarë, vranë mbi 12 mijë persona, civilë të pambrojtur nga të gjitha etnitë, por shumica shqiptarë. U vranë mbi 1300 fëmijë, u dhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra dhe u bënë mbi 100 masakra”, thuhej në tekstin e rezolutës. Madje, rezoluta kërkonte që të shpalleshin nongrata ata persona që mohonin krimet serbe. Në atë kohë, ish-kryeministri Haradinaj shkarkoi dy zyrtarë serbë në qeverinë e Kosovës që ishin shprehur se “krime të tilla, për të cilat akuzohen serbët, mund të mos kishin ndodhur kurrë”. Por, vetëm pak kohë më pas, Haradinaj u akuzua sërish nga Tribunali i Hagës dhe dha dorëheqjen nga posti i tij, duke sjellë edhe zgjedhjet e reja në vend.

Në këto 21 vite të pasluftës Serbia nuk ka hequr dorë kurrë nga mohimi i krimeve, madje edhe masakrave të bëra publike. Kështu, nga serbët ka pasur përpjekje për të mohuar edhe Masakrën e Reçakut dhe masakra të tjera. Ish-ambasadori i OSBE-së në kohën e masakrës së Reçakut, William Walker (i cili qe i pari që bëri publike pamjet e asaj tragjedie), tha se dukej sikur dëgjonte Millosheviqin kur dëgjoi akuzat e presindetit Vuçiq se ai e kishte sajuar atë masakër. Sipas liderit aktual serb, ish-ministër i Millosheviqit, ajo masakër nuk kish ndodhur. “Unë nuk jam sot këtu për ta dëshmuar se Reçaku ka ndodhur. Bota e kupton që Reçaku ka ndodhur. Kur njerëzit më pyesin se pse Vuçiqi thotë se Reçaku nuk ka ndodhur, unë them se po i dëgjoj fjalët e Millosheviqit edhe njëherë. Reçaku ka ndodhur dhe bota ka dëgjuar për këtë masakër”, tha Walker në Prishtinë në janar të këtij viti.

Ndërkohë, pak ditë përpara se të ndodhte votimi për rezolutën në Kuvendin e Kosovës, në përkujtim të 20-vjetorit të Masakrës së Mejës, ku u vranë mbi 300 civilë shqiptarë të pafajshëm, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, tha se “mohimi i ngjarjeve të tilla rihap plagët të gjallëve dhe e kthen rajonin prapa”. Sipas tij, mohimi i këtyre ngjarjeve e kthen rajonin prapa në përpjekjet për të ndërtuar shtete demokratike në paqe me njëri-tjetrin. “Pranimi i krimeve kundër njerëzimit, të kryera këtu dhe në pjesë të tjera të këtij vendi është jetik, për të siguruar që ato të mos përsëriten kurrë më”, tha Kosnett-i në at ëpërkujtim. Por, gjithsesi, në vend të Tribunalit për Krimet Serbe në Kosovë, u aktivizua Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë me seli në Hagë. Haradinaj, Limaj, fillimisht, dhe Presidenti Thaçi, vetëm disa ditë përpara takimit në Uashington, përbëjnë vetëm majën e ajsbergut të këtyre reagimeve, duke trazuar jo pak ndryshimet politike në Kosovë.

A ka dëshirë Beogradi për zbardhje?

Ivana Zaniq, drejtoreshë e OJQ-së Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, e cila merret me krimet e luftës, tha në një intervistë për BIRN (botuar nga reporter.al më 11 gusht 2020), me redaktoren e RTK-së, Serbeze Haxhiaj, dhe me korrespondenten e Balkan Transitional Justice, Milica Stojanoviq, se arkivat më të rëndësishme nga periudha 1998-1999 janë ato të Ushtrisë Jugosllave dhe Ministrisë së Brendshme Serbe, por që palës serbe i mungon vullneti për t’i zbardhur. Shkrimi solli në vëmendje rastin kur Fondi për të Drejtën Humanitare publikoi në vitin 2015 një dosje në lidhje me një varr masiv, i cili u zbulua në Rudnica në jugperëndim të Serbisë, në afërsi të kufirit me Kosovën. Në atë varr u gjetën eshtra të civilëve etnikë shqiptarë të vrarë nga forcat serbe në prill dhe maj 1999 në fshatrat kosovarë Rëzallë, Çikatovë e Vjetër, Zabel i Ulët dhe Gllanasellë. Sipas dokumentit, këto fshatra në atë kohë ishin në zonën e kontrolluar nga Brigada e 37-të e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, e komanduar nga Ljubisha Dikoviq, i cili në kohën kur u publikua dosja ishte bërë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe. Por, kërkesa e Fondit nuk mori një përgjigje dhe vështirë se do të marrë edhe për një kohë të gjatë. Zaniqi i tha Birn-it se ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Bratislav Gasiq, e deklaroi gjithë arkivin e Brigadës së 37-të një sekret shtetëror për 30 vitet e ardhshme.

Pas këtyre reagimeve duket se serbët do të pengojnë çdo rrugë për të zbardhur për mbi 13 mijë persona të vrarë në luftën e fundit në Kosovë dhe për rreth dy mijë të zhdukur. Edhe vetë drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë e pohojnë se sa e vështirë është që t’i sjellësh para drejtësisë autorët e krimeve pas 20 viteve. Por, beteja duhet të vijojë, sepse njerëzve si Zenun Xhemajli nga Rrjacaj e Gjakovës, që humbi katër djem e nuk ua gjeti eshtrat, është vështirë t’i thuhet derisa të vdesë së nuk ka zbardhje të krimeve. Dhe, njerëz si Zenuni, që duket se e kanë larguar vdekjen me dorë deri kur të zbardhen krimet ndaj njerëzve të tyre, ka në mbarë Kosovën.

Ku u gabua?

Mund të ketë dhjetëra përgjigje, shumica e të cilave mund të jenë të drejta, por ka një pyetje që vlen të bëhet nga të gjithë: Si është e mundur që ish-ministri i Millosheviqit, sot presidenti serb, Vuçiq, ulet si partner me homologun e Kosovës, duke debatuar për territore, ndërkohë që qindra krime të militarëve serbë janë të pazbardhura e ku rreth dy mijë persona rezultojnë ende të zhdukur? Një ndryshim i statusit të përfaqësuesve serbë në takim me liderët e Kosovës, pa pasur në tryezën e diskutimeve zbardhjen e krimeve, duket thuajse si një ëndërr e pamundur, pasi ka shumë gjasa të rezultojë gjithnjë e gënjeshtërt.

Shkrimtari Ismail Kadare u kërkoi liderëve të Kosovës, por edhe njerëzve të artit e të shkencës, menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, që të evidentoheshin krimet serbe dhe t’u bëheshin të ditur botës mbarë, përmes botimeve, ekspozitave, e madje edhe përmes kinemasë. Por, duket se politika në Kosovë u fut në rrjedhën e përditshmërisë, duke harruar se 20-vjeçarët e sotëm, që kanë lindur pas qershorit 1999-të, janë një brez që duhet të jenë gjithnjë nën dijeninë e së shkuarës, për ta mbajtur të gjallë dhe të fortë ndjenjën e zbardhjes së të shkuarës. Ndërkaq, hapja e ekspozitave me krimet serbe duhej të kishte qenë një projekt i pandalshëm në të gjithë këto vite. Në fakt, ajo që ka ndodhur është shumë pak. Ekspozitat, dokumentet dhe filmat nuk arritën dot të ishin zemra e gjithë diplomacisë kosovare, që askush të mos guxonte t’i shihte serbët si palë e barabartë në takim me të zgjedhurit e Kosovës.

 Pragu Moral që s’u kapërcye

Uashingtoni pret sërish në fillimshtator një takim mes kryeministrit Hoti dhe presidentit serb Vuçiq. Një rrugëtim i mëparshëm i këtyre takimeve kaloi nga Parisi, me ndërmjetësinë e presidentit Macron, dhe më pas në Bruksel, në një tavolinë me shefin e diplomacisë evropiane, Borrel. Por, Uashingtoni duket se do të zbardhë më në fund një agjendë. Kryeministri Rama në Tiranë ka qëndruar i heshtur publikisht, edhe pse shumëkush e ka lidhur me tryezën Thaçi-Vuçiq. Heshtja e tij ka lënë të kuptohet pjesëmarrjen e tij në të gjithë këtë rrugëtim takimesh. Ndërkohë që në Hagë akuzat qëndrojnë pezull për presidentin Thaçi dhe për liderin e opozitës, ish-kryeparlamentarin KadriVeseli. Por, a mund t’i besohet një marrëveshje me ish-ministrin e Millosheviqit, që i mohon krimet e kryera ndaj civilëve të pafajshëm? Vetë Vuçiqi ka deklaruar se “nuk do të pengonin zbardhjen e krimeve”, ndërkohë që qëndrimet e autoriteteve serbe, në duetin e Vuçiqit me kreun e diplomacisë, Ivica Daçiq, kanë qenë shpesh mohuese.

Për të parë se sa serioze është kjo pengesë e serbëve, mjafton të shohësh se një nga 9 pikat që u shtruan për debat në Bruksel, njëra kishte të bënte me rikthimin e serbëve të shpërngulur nga territori i Kosovës që prej vitit 1976. Në fakt, kjo fantazi serbe, që mbahet nga Vuçiqi e Daçiqi është vetëm maja e fantazisë së kërkesave që serbët i bëjnë prej kohës nëpër kancelaritë ndërkombëtare. Udhëheqësi i tyre shpirtëror, Qosiqi, duke se jeton thuajse në çdo zyrë serbe. Duket se qëllim i vërtetë i serbëve në këto takime është rikthimi i marrëveshjes së 25 gushtit 2015, e cila kishte në qendër të saj Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje që më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

 Supriza, … do të ketë?

Ftesa ndaj Thaçit në Hagë, bashkë me Kadri Veselin, vetëm tri ditë para takimit të 27 qershorit 2020 në Uashington, me ndërmjetësimin e të deleguarit të presidentit Tramp, ambasadorit Grenëll, ishte një shuplakë ndaj atyre e besuan se gjithçka kishte hyrë në hullinë zgjidhjes. Tashmë takimi i 4 shtatorit ka enigmat e veta. Brukseli do t’i paraprijë një takimi ekspertësh, që duket se do të shtrojnë tryezën e shpejtë në zyrat e BE-së. Por, Uashingtoni është ende dritarja nga ku pritet të mësojmë se çfarë do të fluturojë. Ndoshta surprizat janë ende në nisje.