Pothuajse gjysma e qytetarëve në BE ankohen nga ndotja e ajrit

Pothuajse gjysma e qytetarëve në BE ankohen nga ndotja e ajrit

Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se pothuajse gjysma e qytetarëve që jetojnë në vendet anëtare mendojnë se cilësia e ajrit është përkeqësuar në 10 vitet e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Komisioni Evropian janë ndarë rezultatet e sondazhit Eurobarometer që kryhen rregullisht në 27 vendet anëtare.

Sipas kësaj, 47 për qind e qytetarëve mendojnë se cilësia e ajrit është përkeqësuar në 10 vitet e fundit, ndërsa 89 për qind e tyre mendojnë se sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe të damarëve të zemrës janë të lidhura me kushtet e këqija të ajrit.

Në njoftimin e KE-së paraqiten deklaratat e anëtarit përgjegjës për oqeanet dhe peshkimin, Virginijus Sinkevicius i cili tha se “Njerëzit na thonë neve se duan ajër të pastër për të marrë frymë. Ata që jetojnë në qytet, të sëmurët me astmë dhe ata që jetojnë në afërsi të komplekseve industriale janë të shqetësuar dhe nga ne kërkojnë që të kalojmë në veprim. KE-ja do të udhëheqë me një propozim pretendues për të forcuar standardet e cilësisë së ajrit të BE-së”.

Më tej thuhet se KE-ja po përgatit një propozim të ri, në kuadër të udhëzimit që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ashpërsoi duke e revizionuar vitin e kaluar.

Qeveria në Gjermani është paditur nga qytetarët për mosrinovim të rregullores në përputhje me rregullat e OBSH-së dhe për mosmarrjen e masave të nevojshme ndërsa është njoftuar se do të paditen me të njëjtat arsye edhe qeveria në Belgjikë.

Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) zbuloi se më shumë se gjysma e 323 qyteteve që analizoi në BE vitin e kaluar kishin cilësi të dobët të ajrit. Gjykata Evropiane e Drejtësisë më parë ka dhënë vendim se Bullgaria, Polonia, Rumania, Italia dhe Hungaria kanë tejkaluar limitet ligjore për ndotjen e ajrit.