Poshtërimi i BE-së në Ukrainë dhe shqiptarët besnikë!

Poshtërimi i BE-së në Ukrainë dhe shqiptarët besnikë!

Të shpresohet që lufta në Ukrainë nuk do sjellë ndarje të reja në Ballkan, me ç’rast popullsia sllave do të radhitej në pozicione të kundërta me pjesën tjetër josllave. Këtë detyrë të parandalimit të copëzimit etno-fetar e kanë politikanët e zgjedhur dhe të moderuar. Shenjat janë që paqja me Rusinë të jetë e kushtueshme për kombet pa burime dhe ushtri të forta. Përpjekjet e forcuara ruso-amerikane për dominim të gazit ka gjasa të nxisin një garë tjetër për armatim si në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Rënia e Bashkimit Europian (BE) tashmë është e dukshme dhe këtë nuk mund ta fshehë askush nga brenda dhe jashtë Unionit. Lufta ruso-ukrainase dëshmon se fuqia e BE-së është në rënie dhe një BE e përçarë nga të gjitha anët po vërehet në çështjet ushtarake. Dhe, jo vetëm kaq! BE-ja nuk po jep mesazh të qartë rreth zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor. Shumë fjalë dhe pak punë, si nga Brukseli, ashtu edhe nga Ballkani.

Miliona euro janë dërguar në rajon, kurse gjendja është e njëjta. Vendet kandidate nuk kanë bërë përparime në shumë fusha. Tonet negative nga Brukseli për mosndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut vërtetojnë se kjo BE, nën udhëheqjen e Gjermanisë dhe Francës, e ka humbur kontrollin dhe askush nga Ukraina e deri në Ballkan nuk i beson më këtij zgjerimi dhe mbështetje nga Brukseli. Se në çfarë gjendje është Unioni, këtë mund ta kuptojmë nga reagimi ose kundërshtimi i Rumanisë që Shqipëria të mos ndahet nga Shkupi në procesin e fillimit të bisedimeve me BE-në.

 

Humbja e imazhit franko- gjerman

 

Gjermania, fatkeqësisht, e ka humbur imazhin e Gjermanisë së dikurshme të Vajmarit, të rolit gjerman të pas LDB-së dhe, më keq, çfarë të bëhet me një Francë proruse? Të dyja shtetet europiane janë lokomotiva kryesore e BE-së, por lufta në Ukrainë i ka poshtëruar shumë. Aleancat me Rusinë e Putinit dhe droja për të mos e bllokuar tërësisht Moskën, nuk japin shumë shpresë se kjo Europë e mban fjalën dhe nuk do të gabojë në të ardhmen me Ballkanin dhe shqiptarët. Çka mund të presin më tej ballkanasit dhe shqiptarët nga BE-ja? Gjërat kanë ndryshuar nga mënyra se si Brukseli i sheh punët rreth pushtimit rus të Ukrainës. E para, nuk është në gjendje të hyjë në luftë me Rusinë. E dyta, nuk ka një afat të caktuar të zgjerimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor. E treta, është në pritje të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ta luftojnë Rusinë me trupa tokësore.

E dështuar para Ukrainës, BE-ja paraqitet si aktor i dobët në Ballkan për të drejtuar procese të mëdha dhe të vështira. Në përgjithësi, BE-ja është e para për sa u përket ndihmave ekonomike dhe financiare në rajon, por – për habi – mbetet prapa vendimeve kur kemi të bëjmë më çështjet ushtarake ose të mbajtjes së Ballkanit pranë vetes. Mund të themi se lëshimet e Brukselit ndaj politikave proruse të Beogradit, mbështetja e lojës serbe në Bosnjë dhe Kosovë, paraqesin raste drastike të një BE-je të papërgjegjshme. Si ka mundësi që BE-ja të mos e qortojë Beogradin me vazhdimin kaq të hapur të politikës proruse dhe hapjen kaq të madhe ndaj Kinës me blerje të armatimit të avancuar kundërajror? Është e kuptueshme që BE-ja nuk ka fuqi të bëjë më tepër në Bosnjë, por është absurde se si s’ka mundësi asgjë të lëvizë me liberalizimin e vizave për banorët e Kosovës?! E mos të flasim për një BE e cila do të na sillte një paqe të përhershme në mes Beogradit dhe Prishtinës.

Roli francez dhe gjerman në rigrupimin e ri të shteteve pas sulmit rus në Ukrainë ka ndikuar që Serbia të vazhdojë të mbështetet në sigurimin e avionëve “Rafael” nga Franca dhe të sistemit kundërajror kinez si një strategji kombëtare për ta vazhduar balancimin ndërmjet SHBA-së, Rusisë, Kinës dhe, në fund, të tallet me Brukselin.

Kjo politikë europiane për Serbinë është treguar e mirëseardhur dhe BE-ja tash nuk flet më rreth blerjeve ushtarake serbe. Gjithashtu, edhe pse më shumë se një dekadë është në pritje të një Serbie tjetër, Uashingtoni nuk ka ndërmarrë asgjë rreth Serbisë proruse dhe prokineze. Përkundër kësaj, Ambasada Amerikane në Beograd, me ambasadorin e ri Kristofer Hill, kanë shprehur fjalë të mëdha për shtetin e Serbisë dhe asgjë rreth furnizimeve ushtarake. Një grup senatorësh kanë shfaqur disa shqetësime rreth politikave serbe drejt Rusisë.

 

Lëshimet euro-amerikane ndaj Beogradit

 

A është e mjaftueshme kjo? Sigurisht se jo. Uashingtoni vazhdon ta mbrojë pozicionin se një Serbi jashtë sferës ruse është më e mirë për të gjithë. Deri më tash, përpjekjet e buta amerikane për ta detyruar lidershipin serb ta ndryshojë politikën e sigurisë kanë dështuar. Aq lëshime i kanë bërë dhe i bëjnë Beogradit SHBA-ja dhe BE-ja, saqë para syve të Shtëpisë së Bardhë ambasadori serb thotë se “do ta ruajmë miqësinë me Rusinë e Putinit”. A ka më tragjike se kjo?!

Kujt duhet t’i besojnë shqiptarët dhe popujt e tjerë sllavë në Ballkan? Nga ana tjetër, është pak si vështirë të binden qytetarët serbë dhe maqedonas se paratë vijnë nga SHBA-ja dhe BE-ja e jo nga Rusia. Për fat të mirë, këtë dilemë shqiptarët e kanë zgjedhur qysh moti, pasi e dinë se financat kombëtare e kanë burimin nga shtetet e BE-së, SHBA-së, diasporës dhe shteteve mike. Megjithatë, që para luftës në Ukrainë, BE-ja dhe SHBA-ja kanë dhënë sinjale se nuk janë të njëjtat si dikur kur ndihmuan dhe intervenuan në Kosovë në ‘99-ën. Gjendja, brenda SHBA-së dhe BE-së, ka ndryshuar. SHBA-ja po kërcënohet më shumë nga Kina sesa nga Rusia e Putinit. Uashingtoni, tash e tutje, me luftën në Ukrainë do t’i furnizojë shtetet nordike dhe të krahut lindor të NATO-s me armë bashkëkohore amerikane. Në anën tjetër, SHBA-ja do të vazhdojë t’i mbajë në vëzhgim veprimet e Kinës.

Në perspektivë, në Europën post-ukrainase, lufta do të zhvillohet në përpjekjet e kombeve për të mbijetuar në epokën e re të ndarjeve të sferave të interesit dhe të inteligjencës artificiale, e cila do të prodhojë një rivalitet të ri jo vetëm me Kinën. Nga e kaluara e kemi të njohur se Rusia posedon një sasi të konsiderueshme raketash dhe satelitë ushtarakë në hapësirë ku gara ruso-amerikane do të mbetet e ashpër. Për sa u përket shqiptarëve në Ballkan, shpresa e tyre është tek NATO-ja dhe “mbrojtja” që ajo mund t’u ofrojë në rast të një lufteje të përgjithshme në Europë dhe, ndoshta, me Serbinë. Ky deri sot, është, mendimi që politikanët në Tetovë, Tiranë dhe në Prishtinë i japin shtysë. Kjo, njëherazi, nuk është edhe ndonjë garanci e përhershme e tipareve të sigurisë se, në rast të një sulmi të ardhshëm, NATO do të hyjë në luftë, qoftë me Rusinë ose me Serbinë. Nga sjelljet e deritanishme të BE-së dhe NATO-s ndaj Ukrainës mund të vlerësojmë se një reagim të njëjtë mund ta shohim në rast të një konflikti të mundshëm serbo-kosovar. Supozimi mbështetet nga reagimet e BE-së dhe të NATO-s, qëkur lufta filloi në Ukrainë dhe në drojën e Uashingtonit për të dërguar ushtri brenda Ukrainës.

 

Shqipëria dhe Kosova në rrugë pa krye

 

Politika që duhet ta ndjekin shqiptarët në Ballkan është ajo e forcimit të ushtrive kombëtare, bashkimit të tyre me forcat demokratike botërore, mbështetje ndaj popujve të shtypur dhe  e forcimit e politikës së jashtme me kuadro të reja. Pas luftës në Ukrainë, Shqipëria e ka më lehtë të navigojë në ambientin e ri. Pak më rëndë e ka Kosova, e cila vazhdon të jetë ende me një pavarësi të kufizuar. Dhe, shumë më rëndë e kanë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ku partia e ish kryengritësit AliAhmeti (BDI) është kthyer në një lokomotivë fëmijësh,ku brenda ditës një ministër flet për çështje lokale, pasdite po i njëjti fillon të merret me Ukrainën, BE-në, Kinën, Sirinë, Bullgarinë dhe në fund, ndërsa në mbrëmje debaton me kundërshtarët politikë të komunave rurale. Tani e tutje, të shpresohet që lufta në Ukrainë të mos sjellë ndarje të reja në Ballkan, ku popullsia sllave do të radhitej në pozicione të kundërta me pjesën tjetër josllave.

Këtë detyrë të parandalimit të copëzimit etno-fetar e kanë politikanët e zgjedhur dhe të moderuar. Deri në një gjendje të kënaqshme strategjike dhe ekonomike do të duhet që Kosova, Shqipëria dhe pjesa tjetër ku jetojnë shqiptarët të punojnë për një integrim të shpejtuar rajonal. Duhet pranuar se këti propozime mund të jenë vetëm dëshira, pasi është vështirë të ndërtosh një shtet me ekonomi të fortë dhe ushtri pa pjesën vitale të popullit, e cila ka emigruar. Dhe, këtu nuk është e rastit se pse lideri i BDI-së, Ahmeti, që nga viti 2014, kur Rusia e pushtoi Krimenë, ai vazhdimisht në paraqitjet televizive dhe në takimet me qytetarë ka dhënë disa porosi “largpamëse” gjeopolitike – “të vazhdimit të rritjes së prodhimit vendor dhe mirëqenies me kastravecë”. Mirë, a mund ta luftosh të keqen dhe agresion me kastravecë lokale? Sigurisht se jo.

Atëherë, mesazhe të tilla nuk duhet të japin as kryeministri Albin Kurti dhe Edi Rama. Puna e tyre pas sulmit rus është forcimi ushtarak dhe ekonomik. Ndërkaq shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të presin ditë më të mira në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rajonale. Dhe, natyrisht duhet të bëjnë një artikulim më të mirë të interesave kombëtare në shtetin nacionalist maqedonas.

Me këtë klasë politike në qeveri do të jetë vështirë të artikulohen drejt, në mënyrë të hapur dhe progresive idetë politike. Mbetet të shihet se si do të përfundojë lufta në Ukrainë dhe sa e bashkuar dhe e përçarë do të mbetet pjesa tjetër e Europës dhe e Ballkanit. Shenjat janë që paqja me Rusinë të jetë e kushtueshme për kombet pa burime dhe ushtri të forta. Përpjekjet e forcuara ruso-amerikane për dominim të gazit ka gjasa të nxisin një garë tjetër për armatim, si në Europë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.