Portugalia në çerekfinale, deklason Zvicrën

Portugalia në çerekfinale, deklason Zvicrën

Kapitullim pa kushte i Zvicrës përballë Portugalisë. Skuadra helvete, me Xhakën e Shaqirin titullarë, zhvilloi një ndeshje shumë të dobët, duke u mposhtur në fund me rezultatin e thellë 6-1. Një ndeshje pa shumë histori, e zhbllokuar që në minutën e 17-të nga i riu Ramos, i përzgjedhur nga minuta e parë nga trajneri Santos në vend të Ronaldos, ndërsa në minutën e 33-të shënoi Pepe, lojtari më i vjetër që arrin të realizoi në fazën me eliminim direkt në historinë e Kupës së Botës.

Por luzitanët nuk kishin të ndalur, duke realizuar edhe dy gola të tjerë në fillim të pjesës së dytë me Ramos dhe Guerreiron, për të ardhur të finalizimi i vetëm i Zvicrës, që mban firmën e Akanjit. Shumë shpejt Portugalia shënon edhe golin e pestë më “yllin” e mbrëmjes, Ramos, për të cilin ishte i treti personal.

Në minutën e 73-të u hodh në fushë edhe Ronaldo, madje gjeti edhe golin, por dukshëm në pozicion jashtë loje. Në shtesë kishte kohë edhe për golin e gjashtë, të shënuar nga Leao.

Në fazën çerekfinale të Botërorit, Portugalia do të përplaset me Marokun, që surprizoi duke eliminuar Spanjën.