` . Popullsia shqiptare në RSM sipas regjistrimeve të viteve 1961, 1971 dhe 1981 - TV SHENJA

Popullsia shqiptare në RSM sipas regjistrimeve të viteve 1961, 1971 dhe 1981

Deri në mars të vitit 1959 nga RP e Maqedonisë për në Republikën e Turqisë u shpërngulën gjithsej 143.800 banorë myslimanë ose 11 për qind e mbarë popullsisë së asaj republike jugosllave. Ndërkohë, ky numër deri në vitin 1966, siç deklaron Llazar Kolishevski, arriti në shifrën prej 250.000 banorësh.

Shkruan: Qerim LITA, SHKUP

Në numrin e kaluar të revistës SHENJA bëmë një përshkrim të shkurtër studimor rreth falsifikimit të regjistrimit të popullsisë së vitit 1953 në RP të Maqedonisë, ku në mënyrë artificiale u trefishua popullsia turke, kuptohet në dëm të popullsisë shqiptare. Ky falsifikim u krye me direktivën e udhëheqjes së atëhershme politike maqedonase, e cila – e përkrahur nga udhëheqja më e lartë e federatës jugosllave, përkatësisht nga dueti Tito-Rankoviq – synonte që brenda harkut kohor 1953-1959 të bëjë pastrimin etnik të mbarë popullsisë myslimane, e cila sipas regjistrimit të vitit 1953 numëronte gjithsej 366.462 banorë ose 28% të mbarë popullsisë. Pa dyshim udhëheqja komuniste maqedonase e kishte të qartë se numri më i madh i asaj popullsie i takonte kombësisë shqiptare, e cila në mënyrë kompakte shtrihej në mbi 350 fshatra dhe 13 qytete. Prandaj në prag të regjistrimit, përmes oficerëve të UDB-ës, zhvilloi një fushatë të egër dhe represive në të gjitha ato vendbanime, për t’i detyruar shqiptarët të deklarohen si turq, që ishte parakusht për t’u shpërngulur në Turqi. Më pas ato vise do të populloheshin me elemente sllave (refugjatë politik), të cilët për shkak luftës qytetare në Greqi, gjatë viteve 1946-1949, qenë vendosur përkohësisht në shtetet e bllokut socialist: RPF të Jugosllavisë, BRSS, Poloni, Çekosllovaki etj.

Për rrjedhojë, deri në mars të vitit 1959 nga RP e Maqedonisë për në Republikën e Turqisë u shpërngulën gjithsej 143.800 banorë myslimanë ose 11 për qind e mbarë popullsisë së asaj republike jugosllave. Ndërkohë, ky numër deri në vitin 1966, siç deklaron Llazar Kolishevski, arriti shifrën prej 250.000 banorësh. Përkundër këtij numri aq të madh të popullsisë së shpërngulur për në Turqi, që udhëheqja komuniste maqedonase e theksonte vazhdimisht se i takonte përkatësisë etnike turke, të cilët gjoja kishin “shprehur dëshirë” të shpërnguleshin në “shtetin e tyre amë”, çuditërisht regjistrimi i popullsisë, i cili u mbajt në pranverë të vitit 1961, sërish i nxori turqit me një numër bukur të lartë, përkatësisht 131.481 banorë ose diç më pak se popullsia shqiptare, e cila tashti mezi arrinte 13% të popullsisë së përgjithshme ose 183.108 banorë. Është më se e qartë se edhe në këtë regjistrim, sikurse në regjistrimin paraprak, numri i turqve është rritur në mënyrë artificiale, kuptohet në dëm të shqiptarëve. Këtë më së miri e shohim në vështrimin me titull “Disa probleme rreth jetës arsimore e kulturore të shqiptarëve dhe turqve në RPM-ë”, hartuar në janar të vitit 1960 nga KQ i LKM-ës, në të cilin ofrohen të dhëna statistikore për numrin e shkollave fillore katërvjeçare e tetëvjeçare, si dhe të paraleleve dhe nxënësve me mësim në gjuhën shqipe e turke, ku shprehimisht thuhet:

“…Në vitin shkollor 1958/59 në territorin e RPM-ës, sipas të dhënave nga Këshilli i Arsimit i RPM-ës kanë punuar këto shkolla:

– 256 shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, nga të cilat 221 katërvjeçare, 2 gjashtëvjeçare e 33 tetëvjeçare ose 1.013 paralele me 32.749 nxënës;

– 51 shkolla fillore në gjuhën turke, nga të cilat 3 tetëvjeçare ose 158 paralele me 6.012 nxënës”.

Nga kjo shihet qartë se numri real i shqiptarëve në RP të Maqedonisë ishte pesë fish më i lartë se ai turk ose jo më pak se 250.000 banorë, ndërsa numri real i turqve sillej diku rreth 65.000 banorë, që nënkuptonte se mbi 50% të popullsisë, e cila gjatë atij regjistrimi qe detyruar të deklarohej si “turke”, realisht i përkiste kombësisë shqiptare. Marrë në përgjithësi, regjistrimi i popullsisë, i cili në RP të Maqedonisë u mbajt në vitin 1961, nxori gjithsej 314.589 banorë të përkatësisë fetare islame ose 51.873 banorë më pak se në regjistrimin e popullsisë së vitit 1953, ndërsa kjo erdhi si rrjedhojë e procesit të shpërnguljes masive të kësaj popullsie për në Republikën e Turqisë, i cili proces – siç u tha më lart – qe iniciuar dhe udhëhequr në mënyrë të drejtpërdrejtë nga udhëheqja e atëhershme komuniste maqedonase në krye me duetin famëkeq Llazar Kolishevski & Kërste Cërvenkovski.

Ndryshe nga dy regjistrimet e mësipërme, regjistrimi i popullsisë i cili u mbajt më 1-10 prill 1971 ishte më i real dhe deri diku edhe më i pranueshëm, për arsye se tashti kemi një rritje të dukshme të popullsisë së deklaruar si shqiptare, rrjedhimisht edhe rënie të popullsisë së deklaruar si turke. Ky ndryshim pozitiv erdhi për shkak të qasjes më liberale të udhëheqjes jugosllave ndaj popullsisë josllave, në radhë të parë asaj shqiptare e hungareze, e cila politikë erdhi në shprehje menjëherë pas mbledhjes së IV të KQ LKJ-ës, e cila u mbajt më 1 korrik 1966 në Brione të Kroacisë, ku – siç dihet – ra nga skena politike jugosllave ultranacionalisti serb Aleksandar Rankoviq dhe klika e tij.

Në prag të regjistrimit të popullsisë, Enti Statistikor Federativ, kishte përgatitur një udhëzim të veçantë. Në pjesën ku bëhej fjalë për përkatësinë nacionale thuhej: “Të dhënat për përkatësinë nacionale shkruhen sipas përcaktimit të lirë të qytetarëve në kuptimin e përkatësisë nacionale. Shkruhet, për shembull: serb, kroat, slloven, maqedonas, shqiptar, mysliman (në kuptimin e përkatësisë nacionale), përkatësisht turk, maxhup, sllovak etj.”. Më pas udhëzimi ndalet në problemin e deklarimit të qytetarëve si mysliman, në kuptimin etnik, ku shprehimisht në të thuhet:

…Mysliman, si përgjigje e kësaj pyetjeje nënkupton përkatësinë etnike, e jo fetare. Zakonisht, përgjigje të tillë shkruajnë vetëm personat me prejardhje jugosllave e që ndihen si myslimanë në kuptimin e përkatësisë etnike. Duke e pas parasysh atë se pjesëtarët e kombësive (shqiptarët, turqit etj.) përkundër asaj se i takojnë besimit islam, nuk do të duhej të regjistroheshin mysliman, por përkatësinë etnike që i takon….”.

Problemi i kategorisë “mysliman” në kuptimin etnik më së shumti shprehej në Bosnjë e Hercegovinë, për arsye se popullsisë boshnjake nuk i mundësohej të deklarohej si boshnjake, por vetëm si myslimane ose, eventualisht, jugosllave – pa kombësi të definuar. Përkundër kësaj, kjo problematikë zgjoi interes të dukshëm edhe te udhëheqja politike e Maqedonisë, e cila ishte e interesuar që në rubrikën “mysliman” ta fusë shtojcën “maqedonas”, me çka numri i maqedonasve do të rritej dukshëm, kuptohet në dëm të shqiptarëve e të turqve. Kjo çështje u shtrua në mbledhjen e Komisionit të KQ të LKM-ës për Marrëdhënie Ndërrepublikane, Kombeve e Kombësive, e cila u mbajt më 16 shkurt 1970, në të cilën u zhvillua një debat i gjerë për tri çështje, për të cilat kërkohej zgjidhje përkatëse; e para, si të vendoset kategoria jugosllav; e dyta, si të vendoset kategoria mysliman dhe, e treta, si të vendosen grupet e tjera etnike, veçmas për disa grupe me interes për Maqedoninë, si për shembull: maxhup ose rom dhe vlleh ose arumun.

Ndër diskutuesit e parë ishte Stevan Gaber, i cili në fjalimin e tij, ndër të tjera, theksoi se praktika kishte dëshmuar se sa ndikon momenti religjioz në tiparin etnik në Jugosllavi: “…Faktori religjioz e dezintegron ndjenjën nacionale. Merreni shembullin me goranët. Ata janë myslimanë, ndërsa flasin maqedonisht. Është fakt se feja ka pasur ndikim dezintegrues. Është rasti edhe i pomakëve. ata janë maqedonas…”.

Stevan Gaber dhe bashkëmendimtarët e tij maqedonas fare nuk e marrin shembullin e popullsisë ortodokse në Rekën e Epërme, e cila si për nga gjuha, ashtu edhe për nga tradita kulturore, ishte e pastër shqiptare. Mirëpo, pushteti komunist maqedonas i trajtonte ata për maqedonas, duke i detyruar që fëmijët e asaj popullsie të mësonin në gjuhën maqedonase që nga klasa e parë fillore, edhe pse për ata fëmijë kjo gjuhë ishte fare e panjohur.

Në debat u përfshi edhe Ilhami Emin, i cili u shpreh se “do të bëhej një gabim i madh” nëse në Maqedoni do të pranohej termi “mysliman”, sepse i njëjti është “vetëm term fetar e jo etnik” dhe se më së shumti do të dëmtoheshin shqiptarët e turqit, sepse siç vuri në pah “një numër i madh i tyre do të deklaroheshin si mysliman..”. Ai, për zgjidhjen e këtij problemi, propozoi që në Maqedoni të lihet “një grafë bosh”, që të mund të deklaroheshin mysliman ata që kishin prejardhje nga Bosnja dhe Sanxhaku.

Vlen të theksohet fakti se në mbledhje merrnin pjesë edhe tre shqiptarë: Hixhet Ramadani, Femi Muça dhe Sadik Sadiku, të cilët, me fjalimet e tyre, e shprehën “patriotizmin e tyre jugosllav”. Kështu, Hixhet Ramadani qëndrimin e tij pro ngeljes së kategorisë “jugosllav” e arsyetoi me fjalët: “Nëse kategoria mysliman si përkatësi fetare ngrihet në rangun e kombësisë, përse do të pengonte të qëndrojë kategoria jugosllav?”. Për ekzistimin e kategorisë “jugosllav” u shpreh edhe Femi Muça, i cili ndryshe nga Ramadani, atë e arsyetoi me shpjegimin se “në Jugosllavi ka dy milionë martesa të përziera”. Ngjashëm si dy të parët, u shpreh edhe Sadik Sadiku.

Lidhur me deklarimin e përkatësisë nacionale Enti Federativ i Statistikës, në prag të regjistrimit, propozonte të bëheshin ndryshime në pjesën e përkatësisë nacionale, përkatësisht të mos regjistroheshin shembujt për përkatësinë regjionale e lokale. Nëse ndonjë qytetar deklarohet si pjesëtar i ndonjë regjioni, regjistruesi ishte i obliguar t’i tregojë se “nuk është përgjigje adekuate” dhe nëse qytetari edhe pas kësaj insiston të ngelë në deklaratën e parë, regjistruesi duhet ta regjistrojë si përgjigjej. Përgjigjja adekuate, sipas Entit Statistikor Federativ, ishte që përkatësia nacionale të evidentohet saktësisht, siç do të deklarohen qytetarët: malazez, kroat, maqedonas, shqiptar, hungarez, serb, slloven, sllovak, mysliman etj, në kuptimin e kombësisë. Ndërkohë, Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, në mbledhjen e vet të katërt, që u mbajt më 25 shkurt 1971, konstatonte se Enti Statistikor Republikan i kishte kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme sipas planit të paraparë, me çka garantohej se regjistrimi dhe kualiteti do të realizohet.

Këtu duhet ta vëmë në dukje se disa muaj para mbajtjes së regjistrimit u vërejt një aktivitet i dendur nga ana e organizatave partiake dhe ato shoqërore-politike në terren. Komiteti Komunal i LKM-së për Gostivar, më 26 tetor 1970, njoftonte KQ të LKM-së se e kishte angazhuar mbarë anëtarësinë e vet në aksion ideo-politik, që të jenë bartës “në sqarimin e drejtë për rëndësinë e këtij regjistrimi”, i cili – siç thuhej – “nuk ka vetëm karakter administrativ”, por është një ngjarje shumë domethënëse shoqëror-politike, sepse “ofron mundësi për vlerësimin e deritanishëm dhe orientimin e ardhshëm të zhvillimit ekonomik, politik e social”.

Aktiviteti i organizatave partiake e të atyre shoqërore-politike në Gostivar dhe në komunat tjera, veçanërisht në ato ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë ose ishin në numër të konsiderueshëm, si në Tetovë, Dibër, Kërçovë, Strugë, Shkup, Prilep, Krushevë, Veles etj., lidhej ngushtë me fushatën e iniciuar nga disa qarqe shoviniste maqedonase brenda strukturave udhëheqëse partiake e shtetërore për krijimin e një etniteti të ri, përkatësisht “maqedonasit mysliman”, të cilët deri atëherë njiheshin si torbeshë ose pomakë. Për këtë qëllim udhëheqja komuniste maqedonase e kishte krijuar edhe shoqatën e “maqedonasve myslimanë”, me të cilën udhëhiqte Nijazi Limanovski nga f. Radastushë i Rekës së Poshtme.

Fushatës së tillë iu kundërvu inteligjenca shqiptare, në radhë të parë mësuesit dhe studentët e Universitetin të Prishtinës, të cilët zhvilluan një aktivitet të dendur me popullsinë shqiptare, për t’i bindur ata që mos e fshehin identitetin e tyre të vërtetë etnik, përkatësisht të deklaroheshin si shqiptarë e jo si “turq”, e aq më pak “mysliman”, për arsye se kjo e fundit ata i shndërronte në “maqedonas mysliman”. Gazeta studentore e Prishtinës “Bota e Re”, më 10 mars të vitit 1971, botoi një artikull të studentit Sulejman Aliu, në të cilin ai i kundërvihet Televizionit të Shkupit, i cili në kohë përmes disa emisioneve, në prag të regjistrimit të popullsisë, zhvillonte fushatë propagandistike, me qëllim që në regjistrimin e popullsisë, torbeshët ose pomakët, e pse jo edhe një pjesë e pavetëdijshme e shqiptarëve myslimanë, të deklaroheshin si “maqedonas mysliman”.

“…Para një muaj e gjysmë – theksohej në artikull – edhe Televizioni në RS të Maqedonisë pati një ndër emisionet e veta të rregullta, emisioni ‘Tema aktuale’, me temë ‘Maqedonasit mysliman’. Ata që patën rastin ta shohin dhe dëgjojnë këtë emision, mësuan diçka të re që lidhet me historinë e kombit maqedonas. Kjo temë me të vërtetë ishte aktuale, sepse emitohej para regjistrimit të popullsisë. Në ‘Temën aktuale’ folën disa përfaqësues të kombësisë turke /ashtu janë ndier deri tash/, ndërsa këta janë torbeshë, të cilët dëshmonin se janë maqedonas, pjesë integrale e kombit maqedonas. Ata më tej vunë në dukje se në kohë të fundit kanë ardhur në dijeni se nuk janë as turq apo shqiptarë, por se janë maqedonas, njerëz të cilët dikur e kanë humbur emrin dhe përkatësinë nacionale. Por, tash /kur kryhet regjistrimi/, pjesëtarët e kombësisë turke ndihen maqedonas. Kjo i habiti njerëzit të cilët patën mundësi ta dëgjojnë këtë emision. Gjithashtu, kjo çështje u ngrit si një problem shumë i madh, për çka u zhvillua një debat i gjerë nga forumet në Maqedoni. Kjo habit, veçmas kur kihet parasysh se këto ‘hulumtime’ janë kryer para regjistrimit të popullsisë. Këto ‘hulumtime’ pati mundësi të kryhen më herët dhe në formë tjetër…”.

Fushata e gjerë që u zhvillua nga ana e inteligjencës shqiptare gjithsesi se ndikoi pozitivisht në përcaktimin deri diku të drejtë e të vërtetë të përkatësisë etnike të qytetarëve të RS të Maqedonisë. Kjo vërehet edhe nga tabela që po e paraqesim në vazhdim:

 

Nacionaliteti 1961 1971
Maqedonas 1000.854 1.142.375
Shqiptarë  183.108  279.871
Turq  131.481  108.552
Myslimanë  3.002  1.248
Serbë 42.728 46.465
Romë 20.606 24.505
Vlleh  8.046  7.190
Të tjerë 16.178 37.102
Gjithsej 1.406.003 1.647.308

 

Nga kjo shohim një rënie të dukshme të popullsisë të deklaruar në regjistrimin e vitit 1961 si “turke”, ndërsa në anën tjetër kemi rritje të popullsisë maqedonase e shqiptare. Gjithë kjo lidhej me faktin se një numër i konsiderueshëm i popullsisë shqiptare, që për shkaqet që u theksuan më lart qe detyruar të deklarohej si “turke”, tashmë në rrethana të relaksuara politike u rikthye në kombësinë e vet të vërtetë.

Trendi i rritjes së numrit të popullsisë shqiptare vazhdoi edhe në regjistrimin e popullsisë së vitit 1981, ku tashti shqiptarët numëronin gjithsej 377.208 banorë ose 19,8 për qind nga popullsia e përgjithshme në RS të Maqedonisë, ndërkohë që popullsia turke nga 108.552 banorë, sa pati në regjistrimin e vitit 1971, tashti ra në 81.615 banorë.

Siç është e njohur, udhëheqja komuniste maqedonase, pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, hartoi një sërë dokumente antishqiptare. Me këtë rast po e përmendim “Rezolutën për popullzimin e popullsisë në RS të Maqedonisë”, e cila u soll në tetor të vitit 1987 nga Kuvendi i RS të Maqedonisë dhe e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë i diskriminonte familjet shqiptare, sepse ajo nuk duhej të numëronte më shumë se katër anëtarë (dy bashkëshortët me dy fëmijë). Ky përkufizim jo që nuk parashikohej për familjet maqedonase, por përkundrazi, në të thuhej se “organizatat dhe institucionet shoqëror-politike në Republikë” duhet të angazhoheshin që përmes formave të ndryshme të aktiviteteve të ndikojnë te “popullsia, veçmas te rinia e kësaj pjese për stimulimin e natalitetit”.

Është më se e qartë se qëllimi i miratimit të një rezolute të tillë nuk ishte, siç thuhet në të, i karakterit “ekonomik, social e humanitar”, por për ta penguar shtimin e popullsisë shqiptare, ngase sipas të dhënave nga Enti Statistikor, popullsia shqiptare vetëm midis periudhës kohore 1981-1986 ishte shtuar për 47.966 banorë, përkatësisht nga 377.208 sa numëronte në regjistrimin e vitit 1981 në 425.174 banorë. Kjo nënkuptonte se shtimi natyror i shqiptarëve në nivel republike e kishte arritur shifrën prej 33,3%. Nëse shtimi natyror i popullsisë në RS të Maqedonisë do të zhvillohej në mënyrë të lirë dhe pa masa sanksionuese nga ana e pushtetit, atëherë Rezoluta parashikonte që deri në vitin 2001 RS e Maqedonisë të numëronte 2.413.800 banorë ose 498.000 banorë më shumë, krahasuar me vitin 1981. Ky shtim i popullsisë do të vinte në shprehje veçanërisht në komunat me shumicë shqiptare, përkatësisht në Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë e Tetovë, ku sipas Rezolutës në ato komuna banonin 1/5 e popullsisë së RS të Maqedonisë, ndërsa shtimi natyror realizohej për 1/3 e popullsisë së përgjithshme të asaj republike jugosllave.

Sipas një studimi, të kryer nga ana e Këshillit Ekzekutiv të RS të Maqedonisë, përkatësisht Komiteti Republikan të Punës dhe Politikës Sociale, lëvizja demografike “në dy anët e RS të Maqedonisë, lindje dhe perëndim” po përjetonte ndryshime radikale, ngase në pjesën perëndimore, të banuar kryesisht nga popullsia shqiptare, vërehej një natalitetet dukshëm i lartë. Pjesa tjetër, lindja, e banuar kryesisht me maqedonas, shënonte rënie, ngecje ose rritje të vogël, me përjashtim të viseve ku pjesëmarrja e turqve dhe romëve ishte më e rëndësishme, që si pasojë ishte rritja më e madhe e popullsisë (Shtip dhe Strumicë). Sipas shkallës së natalitetit, studimi e ndante territorin e Maqedonisë në katër pjesë: e para, perëndim, me shkallë të lartë të natalitetit (Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë dhe Strugë); e dyta, me natalitet mbi mesataren e Republikës (Çair, Gazi Babë, Qendër në Qytetin e Shkupit, Kumanovë, Tito Veles dhe Shtip), e treta, me natalitet nën mesataren republikane (Vinicë, Gjevgjeli, Dellçevë, Kavadar, Krushevë, Negotinë, Ohër, Radovish dhe Karposh e Kisella Vodë) dhe e katërta, me natalitet të ulët (Berovë, Manastir, Brod, Demir Hisar, Koçan, Kratovë, Kriva Pallankë, Prilep, Probishtip, Resën dhe Sveti Nikollë)”.

Në vazhdim Analiza theksonte se zvogëlimi, përkatësisht kufizimi i shkallës së shtimit të popullsi, mund të realizohej në dy mënyra: zvogëlimi i natalitetit nga ana e vetë çiftit bashkëshortor dhe zvogëlimi i natalitetit përmes masave të veçanta të shtetit.

“Efekte më të mira në realizimin e proceseve demografike – thuhej në vazhdim të Analizës – arrihen përmes kombinimit të dy mënyrave, nëse mundësitë e vetë çifteve janë të parëndësishme në zvogëlimin e natalitetit, në atë rast intervenimi i shtetit është i nevojshëm në krijimin e normave të reja të zgjidhjes, përmes vendosjes së masave stimulative e të detyrueshme për zvogëlimin e natalitetit”.

Nën masa të detyrueshme nënkuptohej që: “përveç serviseve për planifikim të familjes”, shteti duhej të vendoste dhe zbatonte “masa të detyrueshme e sanksionuese, të formuluara dhe mbështetura nga nevoja e zvogëlimit të natalitetit si nevojë e interesit të shtetit”, thuhej veç tjerash në Analizë.

Të shqetësuar nga këto të dhëna statistikore, Kuvendi i RS të Maqedonisë, përmes kësaj Rezolute, urdhëronte Këshillin Ekzekutiv, si dhe të gjitha institucionet e tjera kompetente, që në ato vise ku nataliteti ishte i lartë, të ndërmerrnin asisoj masash dhe aktivitetesh të politikës ekonomike e sociale, të cilat “do të ndikojnë mbi zvogëlimin e natalitetit”, ndërsa në viset me natalitet të ulët do të ndikojnë “për stimulimin e natalitetit”.

Duhet theksuar se Rezoluta, krahas komisioneve kuvendore, mbështetje të fuqishme mori edhe nga të gjitha organet dhe organizatat shoqërore-politike më të larta shtetërore, përfshirë këtu edhe KQ të LKM-ës. Anëtarja e Kryesisë Qendrore, Lençe Sofronievska, në mbledhjen e KQ të LKM-ës, e cila u mbajt më 23 shtator 1987, duke folur në emër të kryesisë, shprehet:  “…Situata imponon në domosdoshmërinë e ndërtimit më të shpejtë të politikës demografike në Republikë, e cila do të niset nga sistemi i masave dhe aktiviteteve të cilat do të ndikojnë në krijimin e kushteve për eliminimin e lëvizjeve demografike-mekanike të paarsyeshme të popullsisë, në kundërshtim me përcaktimet e masave për zhvillim ekonomik e social në Republikë. Një politikë e tillë aktive e politikës së popullzimit është e domosdoshme me përmirësimin e kushteve punonjëse e jetësore të gruas, si dhe me organizimin e aksionit shoqëror kundër botëkuptimeve të prapambetura, ndikimit të religjionit dhe marrëdhënieve patriarkale në familje dhe në mjediset më të gjera do të ndikoj në zvogëlimin e rritjes enorme të natalitetit në komunat me përbërje të përzier nacionale… Me aktivitetin e përditshëm politik, arsimor, kulturor dhe edukativ duhet të sigurohet ndikimi më i madh i forcave të organizuara subjektive të shoqërisë, në radhë të parë të Lidhjes Socialiste, konferencës për aktivitetin shoqëror të gruas dhe të Lidhjes së Rinisë Socialiste për ngushtimin e hapësirës për politizimin e natalitetit të lartë, që është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e gruas së kombësisë shqiptare dhe humanitetin e pozitës së saj në nivelin e zhvillimit të tanishëm civilizues. Për realizimin e këtij qëllimi është e nevojshme të dalin në sipërfaqe dhe të komentohen botëkuptimet fetare e nacionaliste dhe të thellohet vetëdija te klasa punëtore dhe te qytetarët, se planifikimi i familjes është pjesë përbërëse e zhvillimit të përgjithshëm të bashkësisë sonë shoqërore dhe e çdo familjeje veç e veç. Prandaj LK, në të ardhmen planifikimit të familjes do t’i kushtojë kujdes më të madh…”.

Siç mund të vërejmë, këtu bie në sy fjalori ofendues i përdorur nga anëtarja e Kryesisë së KQ të LKM-së, Lençe Sofronievska, sipas së cilës “nataliteti tepër i lartë” te popullsia shqiptare na qenka si pasojë e “botëkuptimeve patriarkale e të prapambetura fetare e nacionaliste” dhe të “nivelit të ulët arsimor e kulturor të asaj popullsie – veçmas të gjinisë femërore”, e që, shteti, përkatësisht Lidhja Komuniste e Maqedonisë, “në të ardhmen do të angazhohet më shumë në emancipimin arsimor, kulturor e shëndetësor të gruas shqiptare”. Deklarimet e këtilla nuk mund të komentohen ndryshe, përveçse si shprehje e hapur e shovinizmit dhe racizmit nga ana e udhëheqjes së atëhershme më të lartë të RS të Maqedonisë ndaj kombit shqiptar në përgjithësi, veçmas ndaj pjesës së saj kompakte, që i takonte asaj republike. Kjo aq më tepër kur dihet se faji për moszhvillimin arsimor e kulturor të shqiptarëve buronte pikërisht brenda asaj udhëheqje, e cila gjatë tërë kohës së ekzistimit të saj, veçmas pas demonstratave shqiptare të vitit 1981 në Kosovë, ndërmori një sërë masash preventive e represive, si: burgosje dhe largim masiv nga puna të arsimtarëve shqiptarë, ndryshimi i plan-programeve mësimore nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe, me të cilat nxënësve shqiptarë u mohohej e drejta për ta mësuar historinë e tyre kombëtare, largimi nga përdorimi i disa qindra librave, me pretekst se në to ka përmbajtje “armiqësore nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, mbylljen e të gjitha shoqërive kulturore-artistike shqiptare, mbylljen e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe dhe krijimin e të ashtuquajturave “paralele të përziera”, ku mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën maqedonase, ndryshimi i emrave të shkollave, të cilat mbanin emra të figurave të shquara kombëtare, kulturore e arsimore shqiptare e shumë e shumë masa të tjera,

Ndërkohë, një akt të tillë, që e mori bekimin edhe nga “të zgjedhurit e popullit”, opinioni i atëhershëm demokratik shqiptar, kroat, slloven etj., e konsideroi si një diskriminim të hapur institucional të Shkupit zyrtar kundër popullsisë shqiptare. Ata, para opinionit të gjerë jugosllav e botëror, “shprehën shqetësimin e tyre të madh, që në RS të Maqedonisë udhëhiqet politikë e kufizimit të së drejtës elementare njerëzore, përkatësisht të lindjes, madje edhe shfarosjes së kombësisë shqiptare nga këto hapësira.”.

Në përmbyllje të këtij punimi duhet theksuar se pas rënies së komunizmit, saktësisht nga data 1 -15 prill 1991 në Republikën e Maqedonisë u mbajt regjistrimi i popullsisë, i cili më vonë u shpall i pavlefshëm për shkak se atë e bojkotuan shqiptarët. Të njëjtin vit, nën organizimin e dy partive shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik dhe Partisë Demokratike Popullore, u mbajt regjistrimi paralel, sipas së cilit numri i shqiptarëve në këtë republikë ishte rreth 680.000 banorë. Se këto shifra ishin përafërsisht të sakta mjafton ta kujtojmë deklaratën e Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për Autonominë Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, dhënë një ditë pas mbajtjes së Referendumit, përkatësisht më 14 janar 1992, ku thuhet “se numri i përgjithshëm i votuesve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë ishte 383.894”, të cilët ishin të shpërndarë në 17 komunat e atëhershme.