` . Pompilat e lirisë së nënshtrueme - TV SHENJA

Pompilat e lirisë së nënshtrueme

Nuk duhet shpresuar në tym, se nuk do të ketë tendenca për ta relativizuar me obstruksione këtë shtrirje të gjerë të faktit shqiptar në ekzekutiv, sepse, në këtë listë të BDI-së ka nja dy emra që kurrë nuk kanë qenë të saj, nga fillimi dhe gjer më tash, por të garniturës së moçme të LSDM-së, dhe me këtë, joformalisht, Zaevi e ka përfshirë në “koalicion” përmes shqiptarëve edhe grupin rebelues të LSDM-së ndaj tij nga Shkupi, i cili sipas do zërave, në fakt është grupi i Branko Cërvenkovskit etj.

Shkruan: Nijazi MUHAMEDI, Tetovë

“Shqiptaret mund t’i gjesh atje ku i ke lënë dje”, janë fjalët e një të huaji lënë në shekullin e 19-të. Ky sindrom ligshtie u rishfaq si një reprizë pandemoniumi, një situatë hallakame politike, në ndërmjet-kohën nga mbarimi i zgjedhjeve gjer tek dy ditët para votimit të qeverisë. Në këtë ndërmjet-kohë, të dyja palët shqiptare që i kanë qitë fjalë vedit – njëra si gjoja pozitë, tjetra si gjoja opozitë, në raportet ndërmjet tyre harronin se zgjedhjet kishin mbaruar, ndaj nuk kishin kohë ta lodhnin trurin si të pozicionoheshin në momentumin paszgjedhor. Kështu, njëra palë, “pala e lodhjes politike tetëmbëdhjetëvjeçare të shqiptarëve”, si u quajt nga “pala që u nis të sjellë ndryshimin, edhe në momentumin pasgjedhor u ngujua në alegorinë e saj politike “të kryeministrit të parë shqiptar” të fushatës parazgjedhore dhe kjo ia banalizoi këtë alegori faqe opinionit politik dhe jo vetëm, sepse zbatimi i saj ishte jashtë principeve të konkurrencës zgjedhore normale për pretendues kryeministri dhe jo vetëm, ndërsa “pala që do sillte ndryshimin” mbeti po aty, pas kakofonisë interpretuese të asaj alegorie të fushatës parazgjedhore të palës së vet rivale dhe në vend që ta menaxhojë objektivin e vet në bazë të “frytit elektoral”, që i erdhi në pëllëmbë të dorës, i njihte kuturu dhëmbët e pelës rreth “mashtrimit” që rivali i saj ia bëka “elektoratit të vet” , duke synuar që atë “mashtrim” ta përdorte si momentum “delegjitimi” të rivalit, një gjykim absurd, pra, dhe i palegjitimueshem jo vetëm teoritikisht, ndërsa e la të eklipsuar, po edhe të injoruar nga padija, frytin e vet elektoral, si dhe dinjitetin demokratik të elektoratit të vet.

Duke u sjellë me akradabra ligjërimesh brenda një pandemonium paszgjedhor “specifik” të krijuar me inerci nga vetë ata, të dyja palët, në njëfarë mënyre, shkelën në papërgjegjshmëri ndaj elektoratit të tyre dhe më tepër cenuan, secili veç e veç, dhe të dyja bashkë, besueshmërinë e mobilizimit të tyre dhe të objektivave rreth të cilave e strukturuan mobilizimin parazgjedhor.

Ato sjellje të palëve të anës sonë i ngjanin fillimisht më tepër një skene POMPILASH (do peshq që shkojnë pas anijeve të udhëtarëve për të marrë copa buke etj. prej udhëtarëve), kurse si metaforë politike përdoret për pompila tenderësh pas qeverive, një metaforë bile jo edhe aq e panjohur deri më tash dhe në mjedisin tonë.

Kështu, ”pala e lodhjes politike 18-vjeçare” e bëri hapin e parë të cenimit të besueshmërisë së saj përballë elektoratit të vet, kur nisi me skeçin politikisht të banalizuar dhe të ricikluar në shumë raste të ngushtisë politike, të “tryezës së partive dhe të “Platformës”, që më tepër doli e kuptuar si një alegori nga përrallat për ndarjen e plaçkave të grabitura ndërmjet një kryehajduti dhe hajdutëve të tjerë dhe si një sjellje e papërgjegjshme ndaj “votës së vjelur”, që vinte nga një “moslexim” i drejtë i asaj vjeljeje, e cila nuk erdhi shumë për “të zbukuruar” meritat e saj për “lodhjen e gjatë politike të shqiptarëve”, por ishte një përgjigje kontestimi ndaj alegorisë politike parazgjedhore të aktorëve politikë maqedonas, që kishte projektuar “pykëzimin e penetrimit elektoral” të idesë së dominimit dhe të defaktorizimit të shqiptarëve përmes piramidës së pykëzimit në disa rrjetëzime. Dhe, ky ishte kontestimi më legjitim dhe më afektiv i zgjimit të sinapsave të trashëgimisë dhe ndërgjegjes politike të elektoratit shqiptar, që e rrëzoi shtyllën e atij projektimi më rrënues për tash dhe për perspektivën e defaktorizimit politik dhe demokratik të protagonizmit të shqiptarëve për dinjitet të barabartë në tërësinë shtetërore dhe të sistemit politik përgjithësisht. Së kendejmi, sjellja e “palës me pretendime ndryshimi” ndaj asaj “tryeze” nuk duhej kuptuar me dramaticitet melankolie “bashkimtare” si penguese, por kjo palë do të vihet në sprovë, si u vu me të pamenduar që në lëshimin e parlamentit për kryetarin e parlamentit dhe do të vihet edhe më tepër në sprovë nëse tregohet e papërgjegjshme në mosvotimin e ndonjë ligji që “reformon” së paku një diskriminim sistematik të interesit shqiptar. Por sprova më e mprehtë për të, sikundër janë realitetet pasgjedhore, nëse të dyja palët, bashkë ose veç e veç, e prishin këtë MOMENTUM të shpërthimit të faktik elektoral shqiptar si një forcë të faktorizuar pashmangshëm në të gjitha kombinatorikat matematikore për të krijuar njëra palë, ose pala tjetër maqedonase shumicën parlamentare, që don të thotë, qeverinë. Ky momentum solli që pretenduesi i parë për formimin e qeverisë, pra kjo që do votohet këto ditë, nuk mundte ta injoronte këtë fakt në strukturimin institucional në ekzekutivin koalicionues, pra në pozicionet qeveritare, që me këtë koalicionim dalin më të plotnuara më tepër se kurrë më parë dhe më me peshë, përfshirë këtu në mënyrë të ekuilibruar, por me përparësi, kuptohet, dhënë palës “më përfaqësimtare”, më legjitimuese të shqiptarëve, në këtë rast BDI, duke mos shkelë poashtu partnerin parazgjedhor të saj, ”Besën”, por edhe duke konsideruar edhe faktin e përfaqësuesve shqiptare brenda strukturës së LSDM me ministrin e saj Bytyqi. Kjo ka krijuar oportunitetin për një “konvergjencë” brendainstitucionale të përfaqësuesve shqiptarë për dobi të interesave të shqiptarëve, kuptohet nëse e shfrytëzojnë efektivisht për dobi të këtyre interesave dhe kjo do të jetë një sprovë pragmatike për të gjitha anët politike shqiptare, bile edhe për atë “anë që do hiqet gjoja si opozitë”.

Kjo “konveregjencë” ndërinstitucionale e përfaqësimit shqiptar, që e solli hera më tepër, dhe më pak drejtësia ose etika demokratike e të nominuarit për kryeministër, në rastin konkret të Zoran Zaevit, nuk do të thotë përmbyllje e të gjitha dimensioneve të problemit shqiptar, sikundër pretendojnë disa nga “fituesit” shqiptarë ose ata nga kampi maqedonas, por përbën një bazë të gjerë për të kompensuar një boshllëk e shkrentim institucional, që i është bërë interesit shqiptar gati 30 vjet të tranzicionit të lodhshëm demokratik. Por, më anë tjetër, nuk duhet shpresuar në tym, se nuk do të ketë tendenca për ta relativizuar me obstruksione këtë shtrirje të gjerë të faktit shqiptar në ekzekutiv, sepse, në këtë listë të BDI-së ka nja dy emra që kurrë nuk kanë qenë të saj, nga fillimi dhe gjer më tash, por të garniturës së moçme të LSDM-së, dhe me këtë, joformalisht, Zaevi e ka përfshirë në “koalicion” përmes shqiptarëve edhe grupin rebelues të LSDM-së ndaj tij nga Shkupi, i cili sipas do zërave, në fakt është grupi i Branko Cërvenkovskit etj.

Një tjetër hapësire manipuluese për ta relativizuar mundësinë e efektive për dobi të interesave më të gjera dhe konkrete të shqiptarëve të këtij koalicioni e kryeministrit që do zgjidhet, pra e Zoran Zaevit është edhe një indicie jo aq e fshehur bile, nga të dyja palët, dhe jo vetëm nga të dyja, që më tepër të mbrohen interesat e një grupi oligarkësh shqiptarë, që tashmë kanë etabluar “një partneritet ndarjesh të resurseve qeveritare dhe në projekte e resurseve natyrore, ku më i shprehur është “partneriteti në projektin e resurseve energjetike” dhe institucionet që e kanë nën kontroll shfrytëzimin dhe menaxhimin e këtyre resurseve, EVN, ELEM, MEPSO. Analistët që i dinë këto indicia, po dhe fakte, e kuptuan se ku e kishte hallin Zoran Zaevi që reagoi me pafytyrësi gjer në arrogancë kategorike ndaj protestave kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike dhe aleancës brendainstitucionale të ndërmarrjeve të sipërpërmendura, kontrollit politik të tyre nga dy nga partnerët kryesorë të qeverisë në ardhje dhe kjo do të jetë përballja më e parë e kësaj qeverie, që në ditët dhe javët e para të saj dhe kjo mund të çojë edhe në destabilizimin shumë të shpejtë të këtij koalicioni, madje mund të sjellë edhe një demaskim befasues për ta identifikuar ajo veten si qeveri me pykëzim interesash të bandave zhvatëse të oligarkëve “të bashkuar” maqedono-shqiptarë, ndaj edhe përballja ndaj tyre, ashtu sikundër ka nisur, do jetë një përballje maqedono-shqiptare e qytetarëve të shkelur në interesa njëjtësisht, pra pa dallime etnike.