Pompeo: Do të shtojmë praninë ushtarake në Katar

Pompeo: Do të shtojmë praninë ushtarake në Katar

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se kanë arritur dakordim me zyrtarët e Katarit për rritjen e pranisë së tyre ushtarake në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pompeo ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit dypalësh me homologun e tij të Katarit, Muhammed bin Abdurrahman Al Thani, në kryeqytetin Doha të Katarit, ku ai ndodhet në kuadër të turneut të vizitave të tij në Lindjen e Mesme.

Katari dhe SHBA-ja punojnë bashkë për zgjidhjen e problemeve në Irak, Afganistan dhe rajonet e tjera, tha Pompeo. “Katari mirëpret 13 mijë ushtarë të SHBA-ve dhe për këtë arsye i jemi mirënjohës Katarit. Kemi arritur një dakordim me Katarin për rritjen e pranisë tonë në bazën ajrore Udejd. Katari forcon përpjekjet e SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit dhe ai është një anëtar i rëndësishëm në luftën kundër DEASH-it”, tha kryediplomati amerikan.

Ndërsa në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit. Jamal Khashoggi, sekretari amerikan Pompeo tha se “(Vrasja) është e papranueshme dhe po përpiqemi të marrim përgjigje të reja nga princi saudit, Muhammed Bin Selman”.

Po ashtu në fjalën e tij Pompeo ka përmendur edhe situatën e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, ku ai ka bërë vlerësimin se “Marrëdhëniet tona tregtare vazhdojnë në një mënyrë stabile. Shumë biznesmenë amerikanë që janë bashkë me ne kanë ndikim në këto marrëdhënie të thella”.