Policia jep detaje për djegien e kamionëve që shërbyen si barrikada

Policia jep detaje për djegien e kamionëve që shërbyen si barrikada

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për djegien e dy kamionëve në veri të vendit. Bazuar në komunikatën për media, policia ka bërë të ditur se mëngjesin e hershëm sot është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën veriore janë djegur dy kamionë, të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.

Nga policia kanë deklaruar se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, deri sa rasti është duke u hetuar.

“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë”, thuhet në komunikatën e policisë.
Kamionët që janë djegur në këtë lokacion, ishin vendosur aty dy ditë më parë.

Pas tri javësh bllokadë, sot është paralajmëruar heqja e barrikadave në veri të vendit. Largimi i tyre është paralajmëruar nga vetë serbët që i kanë vendosur.

Kështu ka thënë mbrëmë në orët e vona, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Vuçiq tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes. /Reporteri.net/