Policia izraelite bën për spital drejtorin e xhamisë Aksa

Policia izraelite bën për spital drejtorin e xhamisë Aksa

Policia izraelite ka sulmuar drejtorin e kompleksit të shenjtë Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, Sheik Omar al-Kisvani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Firas Dibs, zëdhënës i Autoritetit të Vakëfeve Islame të Kudsit, organ nën kompetenca të Jordanisë që kujdeset për Al-Aksanë, tha se Kisvani është shtruar në spital pas sulmit të policisë izraelite.

Dibs tha se gjendja e drejtorit të Al-Askasë është e mirë dhe shtoi se trajtimi i tij është duke vazhduar në spital.

Ai po ashtu njoftoi se brenda kompleksit janë duke vazhduar tensionet që filluan në mëngjes pasi një polic izraelit u përpoq të hyjë në Kupolën e Shkëmbit me kipa (kësulë hebreje) në kokë, me ç’rast rojet i mbyllën dyert e kësaj faltoreje.

Ndryshe, policët izraelitë hyjnë në Kupolën e Shkëmbit në baza të rregullta ditore për “kontrolle të sigurisë”.

Mesxhid Al-Aksa, që gjendet në Kudsin Lindor të pushtuar, është kibleja e parë e muslimanëve. Nën këtë kompleks, ku krahas Xhamisë së Kibles dhe Kupolës së Shkëmbit gjenden edhe muze, medrese dhe oborri i madh, hebrenjtë janë duke kryer gërmime me arsyetimin se aty “gjenden mbetjet e Tempullit të Sulejmanit”, duke pretenduar të drejtën për të kryer rite fetare në Aksa.