Pluralitetet politike në universin e pandashëm kulturor

Pluralitetet politike në universin e pandashëm kulturor

Mbetet shumë e rëndësishme që këto divergjenca, këto polarizime politike dhe ideologjike që po manifestohen si kundërvënie egocentrike të gjejnë momentet e përafrimit dhe normalizimit, në mënyrë që të ruhet dhe të afirmohet universi i tërësisë kombëtare, pavarësisht nga realitetet specifike politike në hapësirat shqiptare. Pikërisht në këtë drejtim, një rol vendimtar ka elita intelektuale, e cila do të duhej që të nxisë bashkëpunimin mes hapësirave shqiptare, brenda tërësisë kombëtare, duke kultivuar kulturën e pluralitetit politik, të optikave të ndryshme që nuk e rrezikojnë përhershmërinë shqiptare si një vlerë historike e etabluar nga dy paradigmat pararendëse.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Trajektorja e shqiptarëve si komb njeh një evolutë me shumë trazime, me shumë aksidente historike dhe me shumë vlime të brendshme, të cilat në periudha të caktuara manifestohen edhe me ndasi të brendshme. Formësimi kombëtar te shqiptarët njeh një evolutë me shumë ngërçe, të cilat janë prodhuar nga atakime të shumta nga jashtë, por edhe nga aktorë të brendshëm që në një moment të caktuar historik nuk kanë qenë në lartësinë e një vizioni unifikues, por përkundrazi kanë qenë në role tërësisht ahistorike.

Përtej diskursive historike të madhështisë dhe të hiperbolizimeve, rrugëtimi i shqiptarëve në procesin e kombformimit është përcjellë me shumë vështirësi, me shumë eklipse historike, padiskutim edhe me shumë momente lavdie nga njerëz të mendjes, nga mendarë të përkushtuar që me kohë kishin piketuar idenë sublime të njësisë kombëtare në kontekste tërësisht atakuese dhe agresive brenda një gadishulli që gjatë tërë kohës mbetej i trazuar dhe armiqësor ndaj manifestimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Pikërisht, brenda këtij habitusi tërësisht të disfavorshëm historik, brenda kësaj suaze armiqësore dhe me shumë atakime ndaj qenies shqiptare nëpërduken impulset e përshpirtshme të një vizioni kombëtarist që shkojnë përtej në kohërat e lashtësisë të mbuluara nga pluhuri i harresës dhe që dëshmojnë për një kontinuitet dhe prani të shqiptarëve si një entitet i veçantë gjuhësor, kulturor dhe historik. Brenda eklipseve të panumërta historike, brenda këtyre trazimeve që stimulonin harresën dhe zhbërjen, vjen një fije drite, një përhershmëri shqiptare, e cila gjatë tërë kohës mbijeton si frymë, si trashëgimi dhe si entitet i veçantë gjuhësor dhe kulturor që performohet më pas në një prani shkrimi dhe kulture të përbashkët gjatë shekullit XV dhe XVI, me dokumentet e para të gjuhës shqipe si dhe me librat e parë, që shënojnë fazën e fillimit të kristalizimit të një vetëdije kombëtare.

Sigurisht, do të jetë Rilindja Kombëtare, ajo që përfundimisht do t’i japë forcën e duhur vizionit të përbashkët kombëtarist, duke vënë themelet e një përbashkësie kombëtare në gjithë gjeografinë shqiptare. Rilindja Kombëtare mbetet paradigma më sublime e kombformimit, e krijimit të njësisë kombëtare, duke krijuar universin simbolik të identifikimit kombëtar dhe mbi të gjitha duke e vendosur gjuhën shqipe si kryeshtyllë të këtij identiteti. Në esencë kombi shqiptar është komb i gjuhës. Pikërisht njësia e gjuhës mbetet kariatida më sublime e identitetit kombëtar, përhershëmria, e cila do të lartësohet dhe do të kultivohet pandërprerë si faktor koheziv brenda njësisë kombëtare. Pra, është Rilindja Kombëtare, janë mendjet e ndritura të kësaj periudhe që i dhanë pranisë shqiptare dimensionin e kontinutetit, duke ngritur universin e identifikimit kombëtar dhe në të njëjtën kohë duke mbarështruar idenëe identitetit të pandashëm gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve pavarësisht nga hapësira gjeografike ku gjallnonin.

Siç e dimë tashmë, pikërisht kjo periudhë e iluminimit kombëtarist ishte preludi i krijimit të shtetit shqiptar, që për arsye tashmë të njohura historike nuk arriti që ta shtrijë ekzistencën e vetë në gjithë hapësirën legjitime historike ku gjallnonin shqiptarët. Krijimi i shtetit të brishtë shqiptar në një kontekst tërësisht të disfavorshëm po prodhonte ndërkohë dy realitete kombëtare, atë që performohej me shumë vështirësi brenda shtetit shqiptar dhe realitetin tjetër kombëtar që do të njoh gati njëqind vjet trysninë e pushtimit dhe administrimit nga të tjerët.

Padiskutim që shtetformimi shqiptar njeh turbulenca të jashtëzakonshme, njeh shfaqjen e atavizmave tipike shqiptare, të cilat krahas vlerave të lavdisë do të shënojnë edhe defektet permanente të mungesës së vizionit të përbashkët për krijimin e një shteti kompakt në një periudhë të brishtë të historisë. Metafora e Haxhi Qamilit që vjen në diskursin politik të shqiptarëve kur kërkohet të definohet kaosi dhe anarkia shqiptare mbetet mbase gjendje tipike shqiptare deri në ditët tona. Duket se pikërisht prirja anarkike që përfshin brenda vetes ndasi të pakuptimta krahinore, ideologjike dhe që vijnë nga shtresime e ndërvarësi tjera do të krijojë një heterogjenitet brenda njësisë kombëtare që vazhdimisht do të përthith energjitë brenda kohezionit kombëtar.

Pikërisht kjo prirje anarkike dhe ideologjike, kjo prirje vetëshkatërruese do të shkaktojë dekompozime të shumta brenda shoqërisë shqiptare, brenda idesë së funksionimit si një komb në kohezion të plotë me vizionin e jetës së përbashkët kulturore dhe gjuhësore. Ne vetëm mund të përmendim këtu “pesë anarkitë” e Nolit, që mbeten definimi më i plotë i pamundësisë së funksionimit si një komb në kohezion të plotë me vizionin e jetës së përbashkët kulturore dhe gjuhësore. Një tjetër metaforë pikërisht e kësaj anarkie, por edhe e një hutie orientimi dhe rrugëtimi drejt mbrothësisë mbetet edhe romani “Viti i mbrapshtë” i Kadarasë, i cili mbase në mënyrë më origjinale përshkruan pikërisht momentin e hutisë historike gjatë vitit 1913, menjëherë pas pavarësisë të shtetit shqiptar.

Atavizmat e fragmentarizimit të shqiptarëve do të shfaqen gjatë gjithë kohës, ndërkohëqë komunikimi i hapësirave shqiptare do të përcillet me shumë eklipse që do të vijnë nga fataliteti historik, por edhe nga vetë mungesa e një vizioni të përbashkët. Aksidentet historike do të krijojnë botë paralele brenda universit shqiptar, të cilat gjatë tërë kohës do ta kërkojnë njëra-tjetrën, ndërkohë që do të frymojnë në dy realitete krejtësisht të ndryshme. Deri në vendosjen e sistemit komunist në Shqipëri që do të shënojë edhe ekskomunikimin e plotë të hapësirave shqiptare, do të ketë edhe disa përpjekje për të trajtuar defektet e fragmentarizimit, por edhe gjithë plagët tjera shoqërore që ndërlidheshin me etnopsikologjinë shqiptare.

Qenia shqiptare në fakt do të njohë paradigmën tjetër të mbrothësisë intelektuale, e cila tashmë njihet si periudha e ndritur e viteve të 30-ta, që për shumëçka mbetet një ndër periudhat më të ndritura të shqiptarëve. Kjo paradigmë e një mendësie tjetër do ta eksplorojë realitetin shqiptar pas pavarësisë deri në thellësitë më të paimagjinueshme, duke sjellë modele europiane për problemet e panumërta shqiptare. Qasjet sociologjike, kulturore dhe etnopsikologjike do të shënojnë një hap përtej në konsolidimin e shoqërisë shqiptare, por tashmë duke artikuluar përmasa tjera që realisht ngërthen një komb.

Padiskutim, brenda këtyre dikotemive historike me gjasë duhet të shihen edhe polarizimet aktuale politike në hapësirën shqiptare, e cila njeh në fakt realitete të ndryshme politike, por njeh një identitet kombëtar, gjegjësisht përhershmërinë shqiptare të formësuar si konstantë gjuhe, kulture dhe etnie. Është fakt që gjatë periudhës postkomuniste janë shfaqur polarizime të brendshme në hapësirën shqiptare, sidomos mes dy qendrave shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës. Ciklikisht janë përsëritur divergjencat politike, të cilat për më tepër kanë qenë mbi baza ideologjike. Këto divergjenca ideologjike janë të pranishme edhe aktualisht dhe kanë një prirje për t’u thelluar në të ardhmen.

Mbetet shumë e rëndësishme që këto divergjenca politike dhe ideologjike që po manifestohen si kundërvënie egocentrike të gjejnë momentet e përafrimit dhe normalizimit, në mënyrë që të ruhet dhe të afirmohet universi i tërësisë kombëtare, pavarësisht nga realitetet specifike politike në hapësirat shqiptare. Pikërisht në këtë drejtim, një rol vendimtar ka elita intelektuale, e cila do të duhej që të nxisë bashkëpunimin mes hapësirave shqiptare, brenda tërësisë kombëtare, duke kultivuar kulturën e pluralitetit politik, e optikave të ndryshme që nuk e rrezikojnë përhershmërinë shqiptare si një vlerë historike e etabluar nga dy paradigmat pararendëse.

Sa më thellë dhe më afër të njohim plagët tona që shfaqen si defekte nga e kaluara, aq më lehtë mund të tejkalohen mendësitë e ndasive, të polarizimeve politike dhe ideologjike, që në kohën e mundësive për një komunikim më të madh kulturor, ekonomik dhe politikë shfaqen si vrima të zeza që keqas përthithin energjitë përbashkuese. Është koha e mundësive për një komunikim më të ngjeshur në të gjitha fushat, pavarësisht nga realitetet politike në të cilat ndodhen shqiptarët. Kjo kohë kërkon mendje përbashkuese që hapin horizonte bashkëpunimi dhe jo që ndajnë në baza ideologjike dhe në çfarëdo baze tjetër. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët mund të përbrendësojnë vlerat përbashkuese brenda vetes si substancë e pandalshme kulturore dhe mund të futen në interaksion edhe me të tjerët në drejtim të afirmimit të vlerave të përbashkëta europiane, si një orientim thellësisht historik në trajektoren e tyre si komb.

Çdo rrugë tjetër duket se stimulon ndasitë e panevojshme, arketipet e fragmentarizmit kulturor dhe politik, që padiskutim mbeten një reminishencë e keqe nga e kaluara, një hije vetëshkatërruese që pengon afirmimin e një paradigme moderne kombëtariste.