Petkoviq: Vuçiqi i luti serbët të tërhiqen nga barrikadat

Petkoviq: Vuçiqi i luti serbët të tërhiqen nga barrikadat

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se kanë “marrë lajme të mira” nga SHBA-ja dhe BE-ja për sa u përket kërkesave të serbëve të Kosovës.

“Kemi marrë garanca të forta nga SHBA-ja dhe BE-ja kur flasim për kërkesat e serbëve dhe kushtit të tyre për t’u tërhequr nga barrikadat”, ka thënë Petkoviqi në një konferencë për media.

“Kemi marrë deklaratë zyrtare nga SHBA dhe BE ku plotësohet qartë kërkesa e dytë e serbëve, ku theksohet se s’ka asnjë listë për arrestimin e serbëve nga Kosova për pjesëmarrje në protesta të qeta dhe barrikada”.

“Vuçiqi luftoi që kjo të jetë pjesë e kësaj deklarate. Ne i dimë frikat e serbëve, ata nuk i besojnë Albin Kurtit. E dimë se në çfarë është i gatshëm kur flasim për raportet ndaj serbëve dhe për pjesëmarrjen e tyre paqësore në barrikada. Me këtë deklaratë, absolutisht mund të konfirmoj se njerëzit tanë që janë në barrikada janë të mbrojtur sepse nuk ka njohje më të fortë sesa kjo që vjen nga SHBA dhe BE se s’ka lista për arrestime e akuza për vepra penale. Kjo është fitore e madhe e serbëve të Kosovës dhe e Vuçiqit”, deklaroi ai.

Elementi i tretë i kërkesave të serbëve të Kosovës përfshin garancën që e kemi marrë nga KFOR-i, shtoi ai. “KFOR-i publikisht thotë se forcat e sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojnë në veri të Kosovës pa pajtim të dyfishtë nga komandanti i KFOR-it në njërën anë, dhe nga katër kryetarët e bashkive nga veriu i Kosovës, nga përfaqësuesit e bashkësive lokale nga veriu”.

Petkoviqi tha se në takimin që Vuçiqi e ka zhvilluar për mbi dy orë me serbët e Kosovës, i ka lutur ata që të tërhiqen nga barrikadat.

“Serbët e kanë dëgjuar Vuçiqin dhe e kanë përsëritur disa herë i besojnë vetëm atij, e aspak Kurtit, dhe se e vetmja garancë që e pranojnë është ajo nga Vuçiqi. Ai i ka lutur ata të kthehen në Kosovë dhe atje të bisedojnë me serbët tjerë që janë në barrikada dhe t’ua transmetojnë ato që ua ka thënë presidenti Vuçiq. Pas kësaj, serbët e Kosovës do të kthehen në Serbi ku do të takohen me Vuçiqin ku do të flasin për gjithçka, dhe më pas do të shohim se cili është vendimi i popullit serb në Kosovë për tërheqjen nga barrikadat”.

“Vuçiqi në orën 19:00 do të shkojë me helikopter” në afërsi të kufirit me Kosovën, në Rashkë, shtoi ai, ku do të ketë takim me serbët e Kosovës.