Pesë turne madhorë të humbur, “ylli” i Dortmundit vërtetë i pafat

Pesë turne madhorë të humbur, “ylli” i Dortmundit vërtetë i pafat

Marco Reus mund të konsiderohet futbollisti më i pafat në botë. “Ylli” i Borussias së Dortmundit, i konsdiruar ndër më të mirët në qarkullim vite më parë (e ka kërkuar me ngulm edhe Reali i Madridit, por preferoi të mbetej “flamuri” e verdhezinjve) me shumë mundësi e ka humbur edhe Botërorin “Katar 2022” për arsye dëmtimi.

33-vjeçari doli me barelë nga fusha pa u mbushur gjysmë ore lojë për shkak të një lëndimi serioz, që po i prish ëndrrën për të marrë pjesë në eventin më të rëndësishëm sportiv të vitit. Dhe nuk do të ishte hera e parë.

Reus, gjatë karrierës së tij, edhe pse konsiderohej ndër futbollistët gjermanë më të mirë në rolin e tij, ka humbur katër turne madhorë për të njëjtën arsye: probleme fizike.

Nuk mori pjesë në Euro 2012, kur ishte vetëm 23 vjeç dhe, për ironi të fatit as në Botërorin “Brazil 2014”, ku Gjermania u shpall kampione bote. Fati i keq e përndoqi edhe në Euro 2016, në Francë, por edhe në Euro 2020 (u shty një vit nga pandemia). Dhe tani vjen dëmtimi i radhës, vetëm dy muaj para nisjes së “Katar 2022”.

“Duket sikur ka dëmtuar ligamentet. Ne nuk e dimë ende se sa kohë do të jetë jashtë, duhet të presim për ekzaminime më të detajuara,” – tha trajneri i Dortmundit, Edin Terzic, për televizionin “Sky”.

Kur u pyet nëse Reus do të ishte jashtë për gjashtë deri në tetë javë, trajneri tha: “Jo, nuk mendojmë se do të zgjasë kaq gjatë.”

Kjo do të thotë se Reus ende ka shpresa që të luajë për Gjermaninë në Kupën e Botës.