` . Përse u akuzua Sejfulla Maleshova?! - TV-SHENJA

Përse u akuzua Sejfulla Maleshova?!

Është me rëndësi të thuhet se Sejfulla Maleshova dhe përkrahësit e tij mbronin qëndrimin se “Lufta Nacionalçlirimtare nuk duhet dhe nuk guxon të del jashtë suazave të shoqërisë kapitaliste”.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Sejfulla Maleshova konsiderohej një ndër figurat kryesore udhëheqëse partiake e shtetërore të dala menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. I deleguari diplomatik jugosllav në Tiranë, Josip Gjergja, në një raport të tij kushtuar politikës ekonomike në Shqipëri gjatë vitit 1945 shkruante tekstualisht:

“Me tërë situatën në Shqipëri si në fushën ideologjike-teorike, si në politikën e përgjithshme, gjatë vitit 1945 ka sunduar një rreth njerëzish në krye me SejfullahMaleshovën, i cili ishte njëri ndër anëtarët më të vjetër, më i arsimuari dhe thuajse më me autoritet te udhëheqja shtetërore dhe politike të Shqipërisë në atë kohë. Ai njëkohësisht ka qenë ministër i Kulturës /përkatësisht udhëheqës i veprimtarisë kulturore, arsimore, propaganduese e ideologjike/, kryetar i Këshillit Ekonomik / si i tillë politikës ekonomike i ka dhënë drejtime / dhe sekretar i përgjithshëm i Frontit Demokratik / si i tillë e ka vendosur tonin brenda Frontit dhe linjës së Frontit/. Përveç kësaj dhe disa rrethanave të tjera nga e kaluara e tij, autoriteti i tij personal si ‘truri’ i lëvizjes nacionalçlirimtare ka qenë i lartë dhe i pakontestueshëm. Përreth tij qenë tubuar një pjesë e caktuar e intelektualëve, gjysmë-liberalë, megjithëse formalisht majtistë, në pozitat e ministrave etj., të cilët për arsye më të ndryshme shkuan pas gjurmëve të tij. Në këtë mënyrë erdhi te ajo që deri në fillim të vitit 1946 thuajse e tërë veprimtaria në vend dhe për vetë vendin u zhvillua sipas parashikimeve të tij”.

Është me rëndësi të thuhet se Sejfulla Maleshova dhe përkrahësit e tij mbronin qëndrimin se “Lufta Nacionalçlirimtare nuk duhet dhe nuk guxon të del jashtë suazave të shoqërisë kapitaliste”. Deri te ky këndvështrim ata erdhën përmes alternativës se: “ajo luftë ose është zhvilluar kundër kapitalizmit, e në atë rast duhet ta fshijmë pronësinë private, ose kjo luftë nuk është zhvilluar kundër kapitalizmit – në atë rast do ta respektojmë, përkatësisht pronësinë private nuk do ta prekim”. Pasi ai dhe përkrahësit e tij besonin më shumë në alternativën e dytë, një frymë e tillë u përforcua në të gjitha sektorët. Sipas Maleshovës, ishte e pakuptueshme dhe e pamundur që Shqipëria “të orientohej kah ndërtimi i një sektori ekonomik shtetëror”, ku shteti do t’i merrte pozitat qeverisëse ekonomike, do ta merrte kontrollin e jetës ekonomike dhe do të ishte në gjendje ta orientonte drejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit. Gjithnjë sipas tij, “një orientim i tillë do të ishte i gabueshëm në Shqipëri dhe aq më tepër i paarritshëm”. Pra, në Shqipëri, shprehej Maleshova “duhet shkuar në respektimin e pronësisë private, në respektimin dhe forcimin e iniciativës private në ekonomi, në pika të shkurta shtetit t’i jepet roli i vëzhguesit pasiv, një rol të ngjashëm të shtetit në periudhën e liberalizimit klasik të ekonomisë në kapitalizëm…”.

Lidhur me këtë qëndrim të Maleshovës e të përkrahësit të tij, diplomati jugosllav, në raportin e sipërpërmendur shprehet:

“…Natyrisht se nuk është e rastit që bartësit e këtij dhe të orientimit të tillë ekonomik njëkohësisht janë bartës dhe formulues të orientimit të një politike të tillë të jashtme dhe njëkohësisht bartësit më të shprehur dhe formuluesit e orientimit anti-jugosllav. Pa dyshim, se këto tre orientime përbëjnë një tërësi të rrumbullakuar dhe vështirë se mund të thuhet që vetëm padituria apo hutia teorike përbën burimin dhe themelin e tij…”.

Në shkurt të vitit 1946, pas një ndërhyrje brutale të autoriteteve komuniste jugosllave, erdhi deri te shkarkimi i Sejfulla Maleshovës nga kryetari i Këshillit Ekonomik Shtetëror dhe në vend të tij u emërua pro-jugosllavi Nako Spiro, i cili njëkohësisht e mori edhe postin e ministrit të Ekonomisë, një post që deri atëherë e udhëhiqte Medar Shtylla, i cili konsiderohej si përkrahës i linjës së S. Maleshovës.

Lidhur me këtë, J. Gjergja në raportin e mësipërm shkruan: “…Deri te kjo erdhi në radhë të parë falë ndikimit të përgjithshëm të Jugosllavisë dhe politikës jugosllave dhe duke iu falënderuar masave të caktuara të pastrimit dhe ndryshimeve personale të udhëheqjes shtetërore, përkatësisht me ndërrimin e Maleshovës nga pozita e Kryetarit të Këshillit Ekonomik, ndërsa dr. Medar Shtyllës nga pozita e ministrit të Ekonomisë. Në të dy ato vende erdhi i riu dhe ambiciozi Nako Spiro…”.

Krahas shkarkimit nga kryetari i Këshillit Ekonomik, Maleshova u shkarkua edhe nga posti i ministrit të Kulturës për t’u emëruar ministër i Arsimit. Në këtë detyrë ngeli deri në pjesën e parë të muajit maj të vitit 1947, kur me vendim të Byrosë Politike të KQ PKSH-së, Sejfulla Maleshova, përveç se u shkarkua nga posti i ministrit, ai njëkohësisht u akuzua si “shtrembërues” i linjës partiake, përkatësisht se pikëpamjet e tij ishin “armiqësore” dhe në kundërshtim me pikëpamjet marksiste-leniniste.

Shkarkimin e S. Maleshovës nga posti i ministrit e përshëndeti Legata Jugosllave në Tiranë, e cila më 10 maj shkruante: “…Një akti tillë ka një rëndësi të madhe për politikën e brendshme të Shqipërisë dhe për vet Partinë e Shqipërisë. Maleshova në Shqipëri është figurë e njohur veçanërisht në qarqet intelektuale. Me përjashtimin e tij është mënjanuar nga pozita udhëheqëse përfaqësuesi më i shquar të etapës së parë të jetës së pasluftës në Shqipëri nga çlirimi e deri në fillim të vitit 1946; etapë për të cilën në politikën e jashtme është karakteristike pikëpamja kapitaliste ndaj aleatëve perëndimorë (anglo-amerikanë – Q.L.), bashkëpunimi me ta me çdo çmim dhe qëndrimi i prerë kundër Jugosllavisë. Në jetën politike të brendshme: devijim nga zbatimi i linjës revolucionare në ekonomi, qëndrimi kapitullues ndaj sektorit kapitalist në ekonomi, mosangazhim për krijimin e sektorit kooperues shtetëror në ekonomi etj…”.

Duhet të vëmë në dukje faktin se më rënien e Maleshovës nga skena e atëhershme komuniste shqiptare, Enver Hoxha dhe klika e tij ndërmorën masa të rrepta kundër të gjithë atyre për të cilët ata dyshonin se janë përkrahës të Maleshovës. Në kuadër të atyre masave duhet përmendur burgoja e dhjetë deputetëve të popullit, si: Shefqet Beja, Faik Shehu, Sheh Ibrahimi, Karbunara, Konstatin Boshnjaku, Irfan Majuni, Islam Radovicka, Kol Kucali, Selahudin Toto dhe dr. Enver Sazani. Lidhur me këto arrestime Legata Jugosllave shkruante: “Të gjithë të përmendurit janë përfaqësues të borgjezisë së vogël, shumica tregtarë, të cilët kanë depërtuar në pozita udhëheqëse falë politikës mashtruese të Maleshovës…”.

Për të parë më për së afërmi se përse u akuzua Sejfulla Maleshova nga anëtarët e Byrosë Politike të KQ të PKSh-së, në vazhdim po e botojmë të plotë letër-qarkoren e këtij organi më të lartë partiak, të nënshkruar më 10 maj të vitit 1947 nga vet Enver Hoxha, ku jepen arsyet e përjashtimit të Maleshovës nga postet e lartapartiake e shtetërore. Origjinali i dokumentit gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, ndërsa ne po e botojmë kopjen e tij në gjuhën serbo-kroate që gjendet në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd. Dokumenti prej 5 faqesh jepet i plotë dhe pa asnjë ndërhyrje.

 

*          *          *

 

“BYROJA E KOMITETIT QENDROR TË PARTISË KOMUNISTE TË SHQIPËRISË

Proc. nr. 198 Tiranë, 10 maj 1947

TË GJITHA ORGANIZATAVE TË PKSH-së NË TERREN DHE NË USHTRI

Për qëndrimin që duhet ta ketë partia ndaj Sejfulla Maleshovës

Plenumi V i Komitetit Qendror të Partisë, i mbajtur më 21 shkurt të vitit 1946, e përjashtoi Sejfulla Maleshovën nga Byroja e Komitetit Qendror të Partisë për shkak pikëpamjeve të tij të gabuara politike dhe ekonomike. Pikëpamjet politike të Sejfulla Maleshovës ishin tërësisht oportuniste, qoftë kjo për politikën e jashtme apo të brendshme të Partisë sonë. Ato pikëpamje ishin në kundërshtim me linjën e drejtë të Partisë.

  1. Lidhur me çështjen e politikës së jashtme, Sejfulla Maleshova e mbronte politikën e gjerë liberale, tërësisht oportuniste, kur bëhej fjalë për marrëdhëniet që duhej t’i kishte vendi ynë me vendet imperialiste anglo-amerikane, si dhe ndaj të gjitha vendeve tjera, në të cilat ka qenë ose ende është e paqartë politika e tyre e jashtme dhe e brendshme. Marrëdhëniet e vendit tonë me vendet imperialiste të përmendura më lartë, Sejfulla Maleshova i ka vendosur në plan të njëjtë me marrëdhëniet që duhet t’i ketë dhe që i ka vendi ynë me shtetet e vërteta demokratike, lojalë ndaj aleatëve dhe miqve të popullit tonë, si: Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia. Sejfulla Maleshova fliste: “Sa i përket politikës së jashtme, duhet të orientohemi ndaj Bashkimit Sovjetik, mirëpo ne zyrtarisht aleatët (mendohet për aleancën anglo-amerikane) duhet t’i vendosim në planin e njëjtë”.

Qëllimet dhe aspiratat e reaksionit anglo-amerikan që manifestoheshin gjatë tërë kohës së luftës e që Partia jonë ua ka bërë me dije të gjithë anëtarëve që ta kenë të qartë linjën partiake në suazat e aleancës antifashiste, ato pas përfundimit të luftës morën një brutalitet dhe agresivitet, kur bëhej fjalë për Bashkimin Sovjetik, faktori i madh i fitores, në raport me demokracitë përparimtare të dala nga kjo luftë, e veçanërisht në raport me vendin tonë në të cilin populli ynë e pat vendosur një pushtet të tillë. Sejfulla Maleshova nuk donte ta kuptonte atë rrezik dhe atë qëndrim të imperialistëve anglo-amerikan. Më vonë, kur Partia i dënoi pikëpamjet e tij të gabuara, ai fliste: “Gabimi im ka qenë se kam konsideruar se ato probleme (qëndrimi agresiv i imperialistëve anglo-amerikan kundër Bashkimit Sovjetik) nuk do të shpërthejnë aq shpejtë dhe aq ashpër”.

Gabimi më i madh do të ishte nëse do të mendohej se në një situatë të tillë Partia jonë do t’i vendoste në radhët e njëjta mbrojtësit e demokracisë së vërtetë e të sigurisë botërore me imperialistët anglo-amerikanë, mbrojtësit e fashizmit dhe mbeturinave të tij dhe nxitësit e luftës së tretë botërore. Në një gabim të tillë ra Sejfulla Maleshova. Konsekuent në linjën e tij të gabuar, Sejfulla Maleshova shkoi edhe më larg. Ai fliste: “Edhe në lidhje me situatën e jashtme është detyrë e domosdoshme e jona që demokracive formale (Udhëheqja komuniste shqiptare, demokracinë Perëndimore, përkatësisht atë anglo-amerikane e konsideronte si “demokraci formale”, ndërsa regjimin komunist të vendosur në BRSS-së, Jugosllavi, Shqipëri dhe në shtetet tjera komuniste e konsideronte si “demokraci të vërtetë”) t’u ofrojmë nga ndonjë koncesion. “Ndaj demokracisë së Perëndimit duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’u japim nga ndonjë koncesion për t’i ruajtur pozitat tona. Ne gjithashtu mund t’u japim edhe nga ndonjë koncesion edhe në fushën ekonomike etj.”. Sejfulla Maleshova është angazhuar që Partia t’i pranojë dhe zbatojë këto pikëpamje, mirëpo Partia i hodhi poshtë. Kur Qeveria amerikane ia parashtroi si kusht Qeverisë sonë për pranimin e marrëveshjeve të vjetra që Zogu i kishte nënshkruar me Shtetet e Bashkuara, Sejfulla Maleshova e mbronte pikëpamjen se duhet pranuar kushtet e amerikanëve për pranimin e qeverisë sonë. Me pranimin e kushteve të tilla do të thoshte shkelje e sovranitetit të vendit e të popullit tonë dhe hapjen e dyerve anglo-amerikanëve për koncesione të reja. Partia në asnjë mënyrë nuk u dakordua për një kusht të tillë të shtruar para popullit dhe vendit. Më vonë, Sejfulla Maleshova qe detyruar t’i pranojë pikëpamjet e tij politike të gabuara duke u shprehur: “Unë personalisht kam qenë për pranimin e Qeverisë, sepse me atë do të përforcoheshin pozitat tona, por nuk kam guxuar që pranimin e Qeverisë ta konsideroj si nevojë e domosdoshme dhe se ajo ka mund të arrihet vetëm përmes rrugës së dhënies së koncesioneve imperialistëve anglo-amerikanë. Pikëpamjet e Sejfulla Maleshovës ishin po aq oportuniste edhe sa i përket marrëdhënieve me Italinë, me të cilën ai e shihte mundësinë e marrëdhënieve tregtare, që në ato momente – kur ne sapo kishim dalë prej saj nga lufta e kur situata e brendshme në Itali ishte dhe është edhe tash e paqartë. Nëse Partia jonë do t’i pranonte pikëpamjet tërësisht të gabuara të Sejfulla Maleshovës, do t’i humbaste pozitat udhëheqëse dhe në vendin tonë do të depërtonte presioni brutal i imperializmit, ndërsa populli ynë do të binte në një robëri të rëndë e të gjakosur. Shteti ynë do shndërrohej në një Greqi të dytë, me të cilën do të qeverisnin kuislingët dhe kriminelët tjerë të luftës.

  1. Sejfulla Maleshova gjithnjë konsekuent ndaj pikëpamjeve të tij oportuniste, sa i përket politikës së jashtme, pati gjithashtu qëndrim të njëjtë edhe sa i përket politikës së brendshme të Partisë sonë. Ai ishte për një front të gjerë masiv, ku do të mundeshin shumë lehtë të maskoheshin e të vepronin në mënyrë të organizuar elementet armiqësorë të popullit tonë e ku diferencimi dhe lufta kundër elementeve armiqësore do të vështirësohej së tepërmi. Ai ishte për luftë jo të vendosur ndaj elementeve armiqësore, duke qëndruar me fjalë për luftë kundër tyre, ndërsa në realitet duke u dhënë mundësi të udhëheqin luftë kundër nesh thuajse me mjete të barabarta, qoftë ideologjike ose edhe me mjete ekonomike. Sejfulla Maleshova e mbronte qëndrimin e një politike të hapur tërësisht ndaj klerit katolik reaksionar, përderisa po ai kler përgatitej për të na sulmuar neve. “Gabimin më të madh, theksoi Sejfulla Maleshova para plenumit V të Partisë, e kam bërë në raport me katolikët. Unë e kam ditur se kleri është kundër nesh, por kam vlerësuar se prej tyre do të mund të kishim edhe dobi, ndërsa nga ana tjetër ne kishim frikë, sepse ishte i lidhur me masat. Dhe kur shoku Enver Hoxha më tha se arqipeshku i kishte thënë ‘se nuk ka asnjë katolik i cili do të ishte me Enverin’, atëherë unë e nënçmova armiqësinë e tyre duke mos e marrë fare parasysh mashtrimin etj., që ata e përgatisnin, ndërsa nga ana tjetër unë e vlerësoja së tepërmi fuqinë e tyre, pasi tash u tregua se ata nuk kishin qenë aq të fuqishëm”.

Por, nga vetë pranimi i Sejfulla Maleshovës nuk buron vetëm tejvlerësimi i fuqisë së klerit reaksionar, por buron edhe në mosbesimin e fuqisë së Partisë dhe të popullit tonë. Sejfulla Maleshova ishte mbrojtës i pikëpamjeve se në Kuvendin Popullor të futet një numër i konsiderueshëm i ‘nacionalistëve’, të cilët jo vetëm se nuk kishin dhënë dëshmi të mjaftueshme për besueshmërinë ndaj popullit, por para masave të anëtarëve të Frontit filluan edhe të kritikojnë. Një pjesë e atyre deputetëve të popullit ‘nacionalistë’ sot gjendet në burg për shkak të veprave kundër pushtetit popullor. Sejfulla Maleshova, gjoja se nën mbrojtjen e intelektualëve përparimtarë, i inkurajonte dhe i stimulonte të gjithë ata intelektualë reaksionarë, të cilët ishin me disponim armiqësor ndaj pushtetit tonë. Kështu e kuptoi politikën e brendshme të Partisë sonë Sejfulla Maleshova dhe ishte i bindur se ajo është rruga më e drejtë. Politika ekonomike e Partisë sonë, sipas pikëpamjeve të Sejfulla Maleshovës, u desh të shkonte detyrimisht kah përforcimi i sektorit shtetëror, por një përforcim i tillë duhet të arrihet përmes luftës së pandërprerë e të gjatë me sektorin privat, ndaj të cilit duhet të kemi një politikë të gjerë liberale e të cilit duhet t’i lëmë një fushë të gjerë të veprimtarisë e të zhvillimit. Në artikullin “Politika jonë ekonomike”, botuar në gazetën “Bashkimi” më 25 dhjetor të vitit 1944, Sejfulla Maleshova shkruan: “Shumë aktuale është një ndër detyrat kryesore, që sektorët e ekonomisë sonë, të cilët kanë ekzistuar deri më sot, të fillojnë me veprimtari, të ngjallet dhe të lulëzoj mbi bazën e iniciativës së plotë private”.

Shembulli konfuz të pikëpamjeve të gabuara politike, ekonomike e antimarksiste janë mendimet që Sejfulla Maleshova i shtroi në plenumin IV të Partisë e të cilat këtu po i paraqesim tekstualisht sipas procesverbalit të Plenumit të IV të Komitetit Qendror. Ja se si mendonte Sejfulla Maleshova: “Në vendin tonë ekzistojnë bazat ekonomike e sociale të industrialistëve dhe tregtarëve reaksionarë, veçanërisht për këta të fundit, të cilët kanë pasur lidhje me botën e jashtme, të cilët nga këndvështrimi ekonomik e social mund të jenë shtyllë ndaj të cilëve mund të mbështetet reaksioni, mirëpo nga këndvështrimi politik ata nuk kanë traditë, prandaj nuk janë as edhe të organizuar. Industria jonë ka udhëhequr luftë me industrialistët e jashtëm, prandaj ne do të mund t’i përfitojmë për vete industrialistët tanë. Ne duhet të përforcohemi: fshatarët dhe punëtorët i kemi përfituar që në kohën e luftës, mirëpo ende nuk i kemi qind për qind pas nesh. Me punën tonë duhet t’i lidhim si ata, ashtu edhe industrialistët si edhe të gjitha shtyllat tjera. Me politikën tonë ekonomike jemi të detyruar ta stimulojmë veprimtarinë private, iniciativën private. Industrialistët vërtet janë të fuqishëm, mirëpo ne i kemi minierat, bankat, pushtetin. Gjithashtu në duart tona e kemi edhe tregtinë ndërkombëtare, monopolin. Ne detyrimisht duhet të përforcohemi ekonomikisht, mirëpo siç do të përforcohemi ne, ashtu do të përforcohen edhe ata. Kjo shkon në dobinë tonë nga pikëpamja ekonomike. Ajo politikë e jona duket se ka devijuar formalisht, mirëpo për ne situata e jashtme përbën detyrën imediate. Pra, ne jemi të detyruar ta ndihmojmë zhvillimin e ekonomisë private, nuk guxojmë të lejojmë që ajo të vjetërsohet etj.”.

Lidhur me ndihmën e ofruar iniciativës dhe sektorit privat, madje u miraton kredi nga Banka Shtetërore. Ja se çfarë tha Sejfulla Maleshova në fjalimin e tij të cilin e mbajti me rastin e hapjes solemne të Bankës Shtetërore më 22 janar të vitit 1945: “…Ajo (banka) do të bëhet mjet i fuqishëm për sigurimin e ekonomisë sonë të pavarur, do të shndërrohet në faktor të madh për ringjalljen e iniciativës private në tregti dhe në industri”. Mirëpo, përkundër kësaj zemërgjerësie të Sejfulla Maleshovës ndaj iniciativës dhe sektorit privat, ai njëkohësisht e kritikoi pushtetin tonë, që nuk e di sesi ta zbatojë atë politikë të zemërgjerësisë së madhe. Ja se çfarë thotë Sejfulla Maleshova në referatin që e ka mbajtur në Kongresin e Frontit më 5 gusht të vitit 1945: “…Jemi përpjekur ta rigjallërojmë dhe aktivizojmë sektorin tonë ekonomik mbi bazën e iniciativës private, të cilat kanë ekzistuar edhe më herët, por në atë drejtim është bërë shumë pak, diçka për shkak të paaftësisë sonë, e diçka për shkak të vullnetit të dobët të pjesës së madhe të tregtarëve e industrialistëve”. Me fjalë tjera, Sejfulla Maleshovës i vinte keq që Partia jonë nuk ka qenë aq zemërgjerë ndaj tregtarëve dhe industrialistëve dhe që këta të fundit nuk ka arritur t’i përfitojë në përmasa më të mëdha.

Në këtë mënyrë Sejfulla Maleshova e shihte politikën ekonomike që duhej ta kishte Partia jonë. Ajo politikë ekonomike, të cilën Sejfulla Maleshova e mbronte, nënkuptonte dobësimin e pozitave tona politike e ekonomike, dobësimin e sektorit shtetëror, krijimin edhe atë me duart tona të hapësirës për konflikt dhe luftë të ashpër kundër pozitave të fuqishme të Partisë sonë, pozitave të arritura me aq gjak e sakrificë të popullit tonë. Politikën që e predikonte Sejfulla Maleshova nënkuptonte tërheqjen e mbarë Frontit nga pozitat e shëndosha që i ka arritur Partia jonë. Nëse Partia jonë do të shkonte përmes rrugës së Sejfulla Maleshovës, e cila pati pikëpamje tërësisht armiqësore e antimarksiste në politikën e brendshme dhe ekonomike, populli dhe vendi ynë do të binin nën kthetrat e hatashme të kapitalistëve të huaj e të brendshëm, gjaku i popullit tonë edhe kësaj here do të shfrytëzohej për përforcimin e bejlerëve, feudalëve, industrialistëve, tregtarëve dhe të gjithë gjakpirësve të popullit tonë, ndërsa kjo për Partinë tonë do të ishte vetëvrasje dhe krim më i shëmtuar ndaj popullit shqiptar. Përmes rrugës së Sejfulla Maleshovës do të ishte e pamundur arritja e reformave të mëdha të karakterit ekonomik e social, të cilat Partia jonë i ka kryer me sukses, nëse do t’i zbatonte sipas pikëpamjeve të Sejfulla Maleshovës, atëherë nga ato më së shumti do të përfitonin kulakët. Por, Partia jonë i shkelmoi ato pikëpamje armiqësore dhe i hodhi poshtë e i demaskoi pamëshirshëm. Partia jonë me vendosmëri shkon në rrugën e vërtetë të popullit, ashtu siç e kanë mësuar mësuesit e mëdhenj, Marksi – Engelsi – Lenini – Stalini e prandaj Partia jonë e udhëheq në mënyrë të sigurt dhe me sukses vendin tonë drejt socializmit.

Për Partinë tonë ishin të huaja pikëpamjet e Sejfulla Maleshovës: ato përbënin shtrembërim nga linja partiake; ato nënkuptonin dobësimin e Partisë sonë, dobësimin e luftës klasore dhe përforcimin e reaksionit. Për këtë arsye Sejfulla Maleshova mori dënimin e rëndë e plotësisht të merituar.

Si gjithmonë Partia jonë, i ofroi Sejfulla Maleshovës mundësi të punojë, ta kuptojë gabimin e rëndë, ta përmirësojë atë gabim e të niset rrugës drejt linjës së Partisë. Sejfulla Maleshova, duke ngelur ende anëtar partie, iu besua udhëheqja e Ministrisë së Arsimit, një ndër ministritë shumë të rëndësishme. Sejfulla Maleshova atë detyrë nuk e kuptoi me seriozitetin e duhur. Kontributi i tij ishte baras me zero, por jo vetëm kjo, por ai me qëndrimin e tij u bë frenues në punë. Cilët ishin arsyet për një situatë të tillë? Arsyet janë si vijon: Sejfulla Maleshova nuk ishte i bindur në gabimet e rënda që i pat kryer, ai nuk ishte i vetëdijshëm për dëmet që i shkaktoi Partisë dhe, si pasojë e asaj, ai e konsideronte dënimin e marrë si të papërshtatshëm. Me qëndrimin e tij tërësisht pasiv në atë detyrë aq me rëndësi dhe me qëndrimet e tij oportuniste ndaj shumë elementeve brenda Partisë, përpiqej të krijonte situatë të tillë mbi bazën e së cilës do të arrihej te konkluzioni se “atij njeriu i është bërë padrejtësi” dhe se “ai njeri ka qenë i aftë”. Kjo nënkuptohet konkretisht të vazhdosh të krijohet mbështetës, i cili do të t’i miratoj pikëpamjet e t’ua të gabuara.

Nga ana tjetër e tërë veprimtaria e Sejfulla Maleshovës, në rast se mund ta konsiderojmë si veprimtari, karakterizohej nga një përtaci e pashembullt në punë, që është tërësisht e huaja për anëtarin e Partisë. Mirëpo, Sejfulla Maleshova, përkundër përtacisë së vet të madhe, asnjëherë nuk është ndalur në përpjekjet për të krijuar përshtypje dhe mendime se si ai “qeveris” sipas teorisë marksiste-leniniste dhe prandaj ai është i aftë të udhëheq. E tërë veprimtaria e tij tregon qartë se Sejfulla Maleshova në asnjë çast nuk ka qenë i lidhur me luftën, me jetën, me praktikën, por gjatë kryerjes së detyrave të besuara ka punuar në kundërshtim me atë që neve na mëson shkenca e Partisë sonë, marksizëm-leninizmi. Jo Partia jonë, por vetëm njerëzit naivë dhe armiqtë e Partisë sonë, mund të bien në kurthin e iluzionit që dëshiron ta krijojë rreth personalitetit të tij Sejfulla Maleshova.

Edhe në këtë situatë të dytë, që e krijoi Sejfulla Maleshova, duke u treguar si i papërmirësueshëm në gabimet e tij, u desh që pafundësisë t’i thuhej stop dhe të ndërmerreshin masa. Sejfulla Maleshova u shkarkua nga detyra e ministrit të Arsimit dhe nga tash e tutje anëtarësia e tij në Partinë Komuniste do të varet nga qëndrimi i tij, nga ajo se sa ai do të punoj për t’i përmirësuar gabimet e veta të mëdha dhe nga ajo se sa ai do të jetë i gatshëm të japë për Partinë. Partia jonë, sikurse çdo anëtari tjetër që gabon, edhe atij i jep mundësi të përmirësohet, të jetë i vlefshëm për ta merituar përgjithmonë nderin e madh të të qenit anëtar i Partisë. Sejfulla Maleshova e ka patjetër të ofroj dëshmi, madje dëshmi të shëndosha që këtë ta meritojë në tërësi.

Anëtarëve të Partisë duhet t’u bëhet plotësisht i qartë ky problem edhe atë pikërisht ashtu siç e theksuam më lartë. Nga ana tjetër, reaksioni këtë mund ta përdor situatë për luftë kundër Partisë sonë.

Në rast se ndonjë anëtar i luhatshëm ose i sëmurë i partisë do të përpiqej që nga këto çështje të krijojë ndonjë paqartësi, duhet të ndërmerren masa të shpejta dhe t’i sqarohet, ndërsa masa duhet të ndërmerren masa më të rënda në rast se vazhdon t’i mbrojë pikëpamjet e tilla të gabuara dhe në atë mënyrë të eliminohet çdo përpjekje ku ai tenton të qëllojë, madje edhe te për të e vogël, kah dobësimi i unitetit dhe të forcës së Partisë sonë.

Kundër çdo parulle të reaksionit jemi të detyruar të luftojmë e ta demaskojmë me qëndrimin zyrtar: “Sejfulla Maleshova është përjashtuar nga detyra e ministrit, sepse u tregua i paaftë dhe mospërfillës i madh në detyrë, ndërsa ai i cili nuk punon dhe nuk i kryen detyrat në shtetin tonë, përjashtohet nga detyra dhe vendoset atje ku e meriton”.

Partia jonë nuk dobësohet duke e dënuar Sejfulla Maleshovën, i cili e shtrembëron linjën e Partisë dhe i cili largohet nga linja e Partisë. Përkundrazi, Partia jonë përforcohet. Kjo duhet t’u shërbejë anëtarëve të Partisë si mësim se si duhet të jenë vigjilentë në mbrojtje të Partisë, për mbrojtjen e linjës së saj të drejtë, se si duhet t’i realizojnë metodat të cilat i përdor Partia jonë për përmirësimin e gabimeve dhe lëvizjet që mund ta dëmtojnë linjën e Partisë, për masat e paramenduara e të drejta të cilat i ndërmerr Partia jonë kundër atyre të cilët gabojnë, të cilët i përsërisin gabimet, si dhe ata të cilët nuk dëshirojnë t’i përmirësojnë ato gabime ose të cilët hidhen në kampin e armiqve të Partisë.

 

PËR BYRONË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PKSH-së

ENVER HOXHA