Përplasja e rusofilisë me proeuropianizmin

Përplasja e rusofilisë me proeuropianizmin

“Lajmi i keq” për VMRO-në është se ajo, në tërë këtë proces, e rrënoi në mënyrë dramatike imazhin e vetë përpara bashkësisë ndërkombëtare, opinionit dhe partive të shqiptare në MV. Bashkësia ndërkombëtare dhe partitë shqiptare janë çelësi për qeverisje të VMRO-së. Pa mbështetjen e tyre, VMRO-ja – edhe kur i fiton zgjedhjet (siç ishte rasti në vitet 2016 edhe 2020) – nuk vjen dot në pozitë të qeverisë me Maqedoninë e Veriut!

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Ngjarjet dramatike, që përcollën miratimin e propozimit francez për zhbllokimin e procesit negociues të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, mes tjerash, nxorën në pah se sa i fortë dhe i fortifikuar është ndikimi rus dhe elementi anti-europian në Maqedoninë e Veriut.

Disa nga matësit e opinionit publik vlerësonin se 70-80% të maqedonasve etnikë, në kohën e miratimit të propozimit, me votë parlamentare ishin kundër tij. Në këtë analizë aspak nuk dua aspak ta minimizoj efektin e propagandave dhe dezinformatave sistematike, të cilat e shkaktojnë këto traumë identitare maqedonase. Dua vetëm të përkujtoj se momentet e tilla paraqesin raste ideale për riradhitje afatgjate politike.

Fillimisht, po duket se përgjegjës për opinionin e tillë bindshëm kundër propozimit francez nuk ishte vetë VMRO-ja, por edhe qendra të tjera ndikimi në Shkup, një pjesë e mire e tyre të ushqyera nga interesat dhe ndikimet ruse e serbe, si dhe komuniteti vendas “endemik’ antiperëndimor. Fushata për tradhti dhe shitje të interesave kombëtare maqedonas filloi po nga këto qendra dhe disa muaj më parë. Duket se VMRO-ja nuk kishte zgjedhje tjetër, pos t’i hyjë dhe t’i prijë valles nacionaliste, sepse në të kundërtën do ishte humbëse edhe vetë!

Sipas njohësve dhe ‘insajderëve” të mirinformuar në Shkup, në muajt që i paraprinin propozimit francez, dukej se edhe opozita maqedonase ishte pajtuar me aspektet themelore të tij, sidomos me ndryshimin e kushtetutës për ta përfshirë në preambulën e saj minoritetin bullgar. Por, në vigjilje të debatit publik rreth propozimit francez, VMRO-DPMNE-ja si duket e kishte lexuar mirë disponimin publik maqedonas dhe e bëri hesap që përkrahja e heshtur e propozimit do u sillte dëm afatgjatë, ndërsa radhitja kundër propozimit francez dhe në krye të protestës KUNDËR, do u sillte dobi politike dhe strategjike. Pa marrë parasysh efektet dhe konsekuencat e tjera për vetë partinë dhe shtetin, të cilat pastaj do mundohet t’i amortizojë me ndryshimin e retorikës dhe veprimit politik, VMRO-ja vendosi që mos t’ia lë në dorë drejtimin e veprimit politik frontit nacionalist maqedonas partisë proruse Levica dhe elementeve paleo-nacionaliste në Shkup, të cilat tradicionalisht fshihen pas maskës së të ashtuquajturit “komunitet eskpertësh’, që në të vërtetë janë një bastion tradicional i mendimit shovinist!

Këta elemente janë të përqendruar rreth një bërthame tradicionale të shovinizmit maqedonas, të etabluar nga shteti komunist, dhe të udhëhequra nga qendra të caktuara në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut (ASHAM), në disa pjesë të Universitetit të Shkupit, sidomos rreth Institutit të Gjuhës Maqedonase, Institutit të Historisë Nacionale Maqedonase, Fakultetit Filozofik dhe Filologjik etj., si dhe një grupi kripto-liberal ose, gjoja, progresiv të shoqërisë civile. Kjo përbën një bërthamë të kamotshme “evergreen” të nacionalizmit dhe antieuropeizmit institucional të maqedonasve, i cili funksionon me dekada dhe i cili mision dhe objektiv ka të paraqitet si pengesë e çdo progresi të shtetit në kahje të demokratizimit të tij dhe të reflektimit të karakterit dhe qenies së tij multietnike dhe multikonfesionale. Këto janë po të njëjtat grupe të interesit që në vazhdimësi kanë kundërshtuar arsimin dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, kanë protestuar kundër Universitetit të Tetovës, Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës, kundër të gjitha avancimeve të të drejtave gjuhësore shqiptare ndër vite, si dhe kundër të gjitha reforma që do ta transformonin karakterin mono-etnik dhe maqedono-centrik të shtetit.

Opozita e djathtë maqedonase (VMRO), elementi prorus (Levica) dhe bërthama shoviniste e “inteligjencës” maqedonase kështu e krijuan koalicionin “JO” – e cila ditë me radhë protestonte nëpër rrugët e qendrës së Shkupit duke protestuar propozimin francez, me flamuj dhe ikononografi proruse, antieuropiane, si dhe me parulla antishqiptare.

Natyrisht, secila pjesë e këtij koalicioni bëri hesapin e vet. Hesapi i VMRO-së është më i lehti për ta zbërthyer, analizuar dhe kuptuar. Baza e saj politike është e tillë – përmban target grupe socio-ekonomike dhe kulturore që i përkrahin të gjitha elementet e mësipërme (anti-EU, prorus, antishqiptar). Hesapi i Levicës ishte që t’i shkëpusë një pjesë të trupit votues të djathtës dhe të votuesve të pavarur në dobi të saj, duke ndryshuar kështu status quo-në e duopolit politik maqedonas VMRO, LSDM. Hesapi i “inteligjencës MANU” gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë status-quo ja dhe mbrojtja e miteve të të a.q “maqedonizmit” dhe narrativit për Maqedoninë e Veriut, si shtet ekskluzivisht i maqedonasve etnikë, e në të cilin të gjithë të tjerët, e sidomos shqiptarët, duhet të kenë rol të nënshtruar!

Çka më tutje?

Skenari i ardhmërisë është ky: shteti merr fillim formal të negociatave, të cilat gjithsesi do jenë të gjata dhe të mundimshme. VMRO-DPMNE-ja më në fund – dhe pas tentativave 5-6 vjeçare – do ta zmadhojë dukshëm fondin e votuesve të saj! Deri më tani ajo kishte avantazh në sondazhe kryekëput për shkak të dëshpërimit dhe bojkotit të votuesve të vetë LSDM-së, por tani, pas protestave, duket se LSDM-ja do jetë politikisht dukshëm e dobësuar dhe do të krijohet një rirreshtim i madh i votuesve të papërcaktuar.

Levica, po ashtu, do të grumbullojë rreth vetes votues të rinj, nga radhët e të ashtuquajturve “liberalë të dëshpëruar”, të njohur edhe si kripto-shovinistë maqedonas. Në këtë proces Levica do të mund të lansohej edhe si një “opsion i tretë” në kampin politik maqedonas: haptazi europskeptikë, albanofobë, prorusë dhe proserbë.

Deri këtu kemi lajme të mira për VMRO-në dhe Levicën. Por, ka edhe lajme të këqija për ta. “Lajmi i keq” për VMRO-në është se ajo, në tërë këtë proces, e rrënoi në mënyrë dramatike imazhin e vetë përpara bashkësisë ndërkombëtare, opinionit dhe partive të shqiptare në MV. Bashkësia ndërkombëtare dhe partitë shqiptare janë çelësi për qeverisje të VMRO-së. Pa mbështetjen e tyre, VMRO-ja – edhe kur i fiton zgjedhjet (siç ishte rasti në vitet 2016 edhe 2020) – nuk vjen dot në pozitë të qeverisë me Maqedoninë e Veriut! Pra, edhe pse duket se VMRO-ja tanimë me plot siguri do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, kurdoqoftë që të mbahen ato, por, VMRO-ja në zgjedhjet e ardhshme do të duhej të kishte së paku 50-55 deputetë, në mënyrë që të arrijë ta formojë qeverinë e re. Atë, natyrisht, do të mund ta krijonte me Levicen e forcuar (e cila sigurisht do ta dyfishojë ose trefishojë përkrahjen e saj), por kjo do ishte qeveri haptazi antieuropiane e proruse dhe, si e tillë, e paqëndrueshme, sepse do ta sillte Maqedoninë e Veriut në izolim të plotë. Qeveritë proruse nuk kana jetë të gjatë në Ballkanin Perëndimor, ashtu siç e pamë në rastin e Malit të Zi – janë edhe jostabile edhe jetëshkurtra, madje kanë edhe efekt destabilizues në rajon.

Së këndejmi, hapësira e manovrimit të VMRO-së është e ngushtuar. Pasi ta konsolidojë epërsinë e vetë elektorale, ajo do duhet t’i kthehet qendrës së djathtë, të përafrohet me BE-në, duke e zbutur fjalorin dhe duke i moderuar veprimet, në mënyrë që ta përmirësojë imazhin dhe potencialin e saj koalicionues. Natyrisht, VMRO-ja e ka edhe kapacitetin, por edhe eksperiencën, që të manaxhojë rirreshtime, rivotime dhe akrobatika të tilla politike. Ajo pa dyshim se di ta bëjë ketë gjë, sepse e ka bërë edhe në të kaluarën. Kalkulimi politik me shumicën absolute për ndryshimin e kushtetutë do të jetë mundësia e pare për ta testuar këtë drejtim të ri politik.

Por, elementi më interesant duket se do jetë trajektoria politike e Levicës, sepse kjo do ta determinojë konfiguracionin e ardhshëm të skenës politike në Maqedoninë e Veriut. Nëse rritja e saj arrin përmasa gjigande, atëherë kjo do krijonte nevojë për qeverisje të gjerë të spektrit të djathtë. të majtë si dhe partive shqiptare. Qeverisja me parti haptazi proruse, edhe pse reflekton disponimin prorus të një pjese të konsiderueshme të maqedonasve etnikë, do ishte një kafshatë e pagëlltitshme për perëndimorët në kontekstin e tashëm të luftës në Ukrainë, por edhe për partitë politike shqiptare, të cilat janë çdoherë tasi në peshoren paszgjedhore në Maqedoni. Prandaj, këto protesta jo vetëm që e ndryshuan përkrahjen politike, por potencialisht mund të shkaktojnë ndryshime dhe destabilizim politik afatgjatë të Maqedonisë së Veriut dhe hyrje të elementin rus në derë të madhe!