` . Përpjekje për plotësimin e historiografisë shqiptare gjatë viteve 1912-1915 - TV SHENJA

Përpjekje për plotësimin e historiografisë shqiptare gjatë viteve 1912-1915

(Shpend Avdiu, Kosova gjatë viteve 1912-1915, Instituti Albanologjik, Prishtinë më 2018, f. 334).

 

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

Botimeve që trajtojnë të kaluarën tonë gjatë viteve 1912-1915 u është shtuar edhe një botim, i mbështetur kryesisht në burime të dorës së parë, i historianit dhe punonjësit shkencor të Institutit Albanologjik, Dr. Shpend Avdiu, me titull: “Kosova gjatë viteve 1912-1915”, botuar nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, më 2018.

Siç edhe dihet, viti 1912 shënon largimin e Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare e, rrjedhimisht, edhe nga hapësirat e Vilajetit të Kosovës. Mirëpo, territori i Kosovës së atëhershme bëhet arenë e pushtuesve, kryesisht serbë dhe malazezë, duke i ndarë edhe zonat e interesit në këtë vend. Këta pushtues vepruan në mënyrë të pamëshirshme mbi popullatën civile të Kosovës dhe për këto ngjarje raportuan konsujt, të cilët ishin vendosur në disa qytete të vilajeteve shqiptare. Gjithashtu, për këto ngjarje shkruan disa nga mediat e njohura të kohës në gjuhën shqipe dhe mediat në gjuhë të tjera. Brenda kësaj periudhe kohore (1912-1915) u zhvilluan dy luftëra të njohura ballkanike, ku viktima dhe pre e grabitjeve ishin edhe popullata e territorit të Kosovës së atëhershme.

Pra, siç edhe mund të kuptohet nga dija e përgjithshme historike, vitet 1912-1915 në Kosovë, janë vite të ndërrimit të pushtuesve të njëpasnjëshëm që shkelnin tokën e Kosovës së atëhershme dhe lënin pasoja. Bie fjala, disa nga veprimet e këtyre pushtuesve, siç edhe përshkruhen nga autori në libër, u shoqëruan me padrejtësi të ndryshme ndaj popullatës vendase, mohim të të drejtave elementare të shkollimit në gjuhën e tyre, keqtrajtime të ndryshme fizike, e deri te shfarosja e popullatës, duke i masakruar në forma të ndryshme pa kursyer as moshë e as gjini. Kur shkruan për masakrat mbi popullatën e pafajshme, veçohen pushuesit serbo-malazezë. Secili nga këta pushtues, posaçërisht ata të cilët qëndruan më gjatë në Kosovën e atëhershme, u munduan ta imponon formën e vetë të qeverisjes, qoftë në mënyre të drejtpërdrejtë ose të tërthorë, aspekte këto që dr. Shpend Avdiu ka bërë përpjekje për t’i trajtuar mes të dy kopertinave të këtij libri. Andaj, libri i autorit Avdiu është më interes për lexuesin, sepse i trajton vitet mjaft delikate nga e kaluara e vendit tonë.

Sado që ka pasur përpjekje për ta trajtuar këtë periudhë kohore nga autorë vendas dhe të huaj, asnjëherë nuk mund të thuash se është bërë mjaftë për ndriçimin e kësaj periudhe. E themi këtë, sepse me mbledhjen e një mori burimesh nga arkivat vendore, rajonale dhe të huaja, dr. Shpend Avdiu është treguar bindës se ende ka çfarë të thuhet për këto vite për Kosovën.

Studimin me titull “Kosova gjatë viteve 1912-1915” i dr. Shpend Avdiut, duke ndjekur një rend kronologjik të ngjarjeve, është konceptuar në pesë kapituj.

Në kapitullin e parë objekt trajtimi është Kosova gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Në këtë kapitull vihet në trajtim formimi i aleancës ballkanike më 1912, e cila rezultoi me shpalljen luftë Perandorisë Osmane, e cila në histori njihet si Lufta e parë Ballkanike e vitit 1912 dhe, siç dihet, kjo aleancë kishte veprime antishqiptare. Brenda këtij kapitulli autori Avdiu e analizon qëndrimin e shqiptarëve ndaj kësaj aleance, propagandën serbe ndaj Kosovës, depërtimin e ushtrive serbo-malazeze dhe rezistencën e shqiptarëve ndaj pushtuesve të aleancës ballkanike. Për t’u theksuar në këtë kapitull është edhe përdorimi edhe i kujtimeve të gjeneralit Mihaj Zhivkovit, komandanti i ushtrisë së Ibrit, siç e thekson autori, ku prezanton mënyrën e pushtimit të tokave shqiptare dhe të vrarëve nga këto forca, kujtime këto që nuk është se përmenden te autorët tjerë që e kanë trajtuar këtë tematikë, në formatin si na i ofron dr. Shpend Avdiu (f. 113-114).

Kapitulli i dytë merret në trajtim e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, zhvillimet e punimeve, kërkesat e shqiptarëve… Autori nuk harron pa e përmendur brenda këtij kapitulli edhe Kongresin e Triestes të datës 4 mars të viti 1913. Shqiptarët, sipas autorit Avdiu, në këtë kongres kanë mendime të ndryshme për çështjen shqiptare. Ky fakt është theksuar nga autorët e huaj, por jo edhe aq nga autorët shqiptarë (f. 155).

Kapitulli tretë ka për fokus të trajtimit rezistencën e armatosur në Kosovën gjatë viteve 1913-1915. Ky kapitull është me të dhëna me interes për kryengritjen e shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve 1914-15. Kjo kryengritje mund të thuhet se ka qenë fare e anashkaluar nga historiografia shqiptare (f. 191-231), ndërsa, sipas autorit, arsyet e anashkalimit kanë qenë se këtë kryengritje e ka stimuluar Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane.

Në kapitullin e katërt lexuesi do të hasë në dokumente dhe literaturë nga autorë joshqiptarë, pa dyshim ia shtojnë dhe më shume vlerën studimit në fjalë. Trajtimi në këtë kapitull fokusohet në rregullimin administrativ të Kosovës, që kryesisht bëhej përmes ushtrisë gjatë viteve 1912-1915. Pjesë e trajtimit në këtë kapitull është edhe konvertimi i dhunshëm i shqiptarëve myslimanë dhe katolikë, nga ushtritë serbo-malazeze, në fenë ortodokse. Këtë plojë të shqiptarëve, në këtë kapitull, autori e shtjellon përmes sistematizimit të burimeve të botuara dhe literaturës së botuar rreth kësaj problematike nga autorët, si: Leo Freundlich, Edith Durham, Zekeria Cana, Gazmend Rizaj, Ibrahim Gashi etj. Gjithashtu, ky aspekt në këtë kapitull plotësohet edhe me disa të dhëna të shtypit shqiptar të kohës. Nuk duhet anashkaluar faktin se konvertimit të dhunshëm të shqiptarëve në fenë ortodokse, në këtë periudhë, kujdes i ka kushtuar edhe tradita jonë popullore.

Kapitulli i pestë bën fjalë për krimet serbo-malazeze gjatë viteve 1912-1915, veprime këto që autori i këtij studimi me plot të drejtë i përshkruan si përpjekje për spastrimin etnik të shqiptarëve. Mediat e shkruara shqiptare dhe të huaja kishin raportuar për këto krime ndaj popullatës shqiptare të këtyre trojeve nga ushtritë serbo-malazeze. Sa për ilustrim, disa nga citatet e shtypit ne po i prezantojmë edhe në këtë vështrim tonin, të cilat lexuesi do t’i gjejë edhe në libër. “Serbët nuk lanë vend të sigurt. Të gjithë shqiptarët e armatosur dhe të paarmatosur, si dhe gratë e fëmijët të cilët ranë në duart e tyre, janë vrarë pa mëshirë. Gjenerali  Sefanoviq, komandant serb, i ka zënë shqiptarët rob afër Kratovës, i ka radhitur në dy rreshta dhe i ka vrarë me mitraloz. Gjenerali ka thënë: duhet t’i zhdukim këta të favorizuar të Austro-Hungarisë” – shkruante gazeta e njohur “The New York Times” më 22 nëntor 1912. Ndërkaq shtypi shqiptar, konkretisht gazeta “Përlindja e Shqipnies”, e datës 28 gusht 1913, shkruante: “Mishrat e zemrat na dridhen nga lajmet e këqija që mësojmë për vuajtjet e vëllezërve tanë, që fati i zi i dënoi që të mbesin rob nën barbarët serbë, grekë dhe malazezë!”.

Lexuesi dhe të interesuarit tjerë, në këtë kapitull, do të hasin në të dhëna mjaft rrëqethëse për barbaritë serbo-malazeze ndaj shqiptarëve, siç shkruante shtypi i kohës. Të dhënat e shtypit, lexuesi do t’i hasë në këtë libër të faktuara edhe përmes burimeve arkivore dhe literaturës së botuar.

Autori, në trajtimin e ngjarjeve të caktuara, ka treguar kujdes, që mos të bjerë nën ndikim e trajtimeve tradicionale. Kështu, materialet e konsiderueshme që janë publikuar për këtë periudhe, nga autorë të huaj dhe vendorë, ai i ka tubuar, shfletuar dhe përdorur me maturi në studimin e tij.

E veçanta e këtij studimi është edhe përdorimi i një mori dokumentesh të proveniencave të ndryshme të kohës. Një pjesë e studimeve të autorëve shqiptare që e kanë trajtuar këtë periudhë, deri me sot, kanë përdorur kryesisht burime vendore, të cilat pa dyshim se janë me interes, por përdorimi edhe i burimeve nga arkivat vendore, të rajonit, burime austro-hungareze, burime të Arkivit Osman të Stambollit, pa dyshim se autorit të këtij kontributi shkrimor i kanë ofruar informacione që disa nga ngjarjet t’i argumentojë mjaftueshëm etj.

Dhe, si përfundim, thuhet se çdo gjeneratë e historishkruesve, në periudha të caktuara, e shkruan historinë mbi bazën e mendimit të saj dhe të dhënave më të reja burimore që hasë ajo gjeneratë gjatë punës hulumtuese të tyre. Kështu edhe Dr. Shpend Avdiu është njëri nga studiuesit e rinj, i cili ka ofruar të dhëna interesante, të cilat mund t’i plotësojnë rezultatet e gjertanishme të historiografisë sonë. Kjo është edhe një nga arsyet se pse libri i historianit të ri, dr. Shpend Avdiu, përbën interes për ta shfletuar. Andaj jemi të sigurt se këto të dhëna do t’u ndihmojnë të interesuarave për ta plotësuar mozaikun e ngjarjeve të trajtuara gjatë viteve 1912-1915.