` . Përleshje gjatë protestave në Bagdad, 2 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur - TV-SHENJA

Përleshje gjatë protestave në Bagdad, 2 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

Të paktën dy irakianë mbetën të vrarë dhe mbi 60 të tjerë u plagosën në përleshjet midis forcave irakiane të sigurisë dhe protestuesve në kryeqytetin Bagdad, raporton AA.

Sipas një zyrtari të forcave të sigurisë, i cili foli në kushte anonimiteti, protestuesit u viktimizuan sot kur forcat e sigurisë përpiqeshin të shpërndajnë protestuesit pranë autostradës Muhammad al-Qasim në Bagdadin qendror.

Më herët, forcat e sigurisë bllokuan demonstruesit që ishin drejtuar drejt autostradës Muhammed al-Qasim, me qëllim që të parandalojnë mbylljen e kësaj rruge të rëndësishme dhe të frekuentuar që lidh Bagdadin me provincat jugore.

Iraku është përfshirë nga protestat masive që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar për shkak të kushteve të rënda të jetesës dhe korrupsionit, duke detyruar kryeministrin Adel Abdul-Mahdi të japë dorëheqje.

Sipas Komisionit të Irakut, që nga tetori mbi 500 persona janë vrarë në protesta dhe rreth 17 mijë të tjerë janë plagosur.