` . Përgjegjësia penale e presidentit në SHBA: Fajësimi në Kongres - TV SHENJA

Përgjegjësia penale e presidentit në SHBA: Fajësimi në Kongres

Kushtetuta e SHBA-ve (neni 2/4) përcakton se Presidenti, Zëvendës-presidenti dhe zyrtarët civilë të Shteteve të Bashkuara mund të akuzohen dhe të shpallen fajtorë për tradhti ndaj vendit, ryshfet, krime dhe shkelje të rënda, gjë që do të rezultojë me largimin e tyre nga detyra zyrtare.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren                                                                                    

Termi impeachment, tashmë i përhapur nga gjuha angleze në terminologjinë juridike të shumë gjuhëve, rrjedh nga fjala latine impetere, që e ka kuptimin e akuzimit.

Në shtetet e ndryshme të botës konkretizimi i këtij termi bëhet në forma të veçanta, ndërsa në rastin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (të cilit i kushtohet kjo analizë) shfaqet në trajtën e një hetimi parlamentar ndaj Kreut të Shtetit, si një tagër i rëndësishëm i Kongresit. Në fakt, akuza e ngritur për krime të rënda nuk parashihet enkas vetëm për Presidentin. Subjekte të akuzuara mund të jenë të gjithë zyrtarët shtetërorë federalë. Burimi i idesë për ta përfshirë një instrument të tillë në sistemin kushtetues amerikan e ka origjinën në praktikën e jetës shtetërore të Britanisë së Madhe, ku zyrtarët e lartë mund t’i nënshtroheshin hetimit dhe gjykimit nga ana e dy dhomave të Parlamentit anglez. De jure, natyra e këtij hetimi nuk është e llojit politik, por e karakterit penal.

Në kontekst të përgjegjësisë politike, Presidenti i SHBA-ve është përgjegjës vetëm para popullit, i cili e sjell atë në detyrë. Por, kjo nuk domethënë se votuesit mund ta shkarkojnë Presidentin. Ata mund ta ndëshkojnë me votë në zgjedhjet për mandatin e dytë nëse personi i njëjtë kandidon, kjo për shkak se kanë mbetur të pakënaqur prej qeverisjes së tij.

Së këtejmi, organi legjislativ – Kongresi – nuk mund të kërkojë llogari për përgjegjësinë politike të Presidentit. Rrjedhimisht, edhe nuk mund ta shkarkojë, pos me arsyen e ndonjë krimi të rëndë të kryer nga Presidenti.

Nxjerrja para përgjegjësisë penale e Presidentit të Shtetit

Kushtetuta e SHBA-ve (neni 2/4) përcakton se Presidenti, Zëvendës-presidenti dhe zyrtarët civilë të Shteteve të Bashkuara mund të akuzohen dhe të shpallen fajtorë për tradhti ndaj vendit, ryshfet, krime dhe shkelje të rënda, gjë që do të rezultojë me largimin e tyre nga detyra zyrtare.

Në doktrinë është trajtuar çështja e “krimeve dhe shkeljeve të rënda”, për të cilën bën fjalë Kushtetuta Amerikane. Ithtarët e interpretimit restriktiv (të ngushtë) pohojnë se me këtë duhet nënkuptuar një krim jashtëzakonisht të rëndë dhe serioz dhe këtu nuk duhet të hyjnë veprat e lehta penale që Presidenti mund t’i kryejë jashtë detyrës zyrtare. Kjo qasje fokuson ruajtjen e autoritetit të institucionit të Presidentit. Në anën tjetër, avokuesit e interpretimit ekstensiv (të gjerë) thonë që objekt i fajësimit duhet konsideruar secilën vepër të Presidentit, e cila cenon integritetin e postit të presidentit, i tejkalon autorizimet kushtetuese, e kundërshton drejtësinë dhe bëhet shkak i keqpërdorimit të funksionit presidencial. Sipas këtyre, “krim i rëndë” duhet cilësuar secila vepër që pranohet si e tillë nga Kongresi.

Sipas Kushtetutës (neni 1/2.5), kompetenca për ta ngritur akuzën i takon Dhomës së Përfaqësuesve (House of Representatives). Nuk kërkohet ndonjë shumicë e caktuar për ta iniciuar procedurën e shkarkimit të Presidentit. Kërkesa i drejtohet Komisionit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve, ku edhe votohet me shumicë votash për vazhdimin ose ndërprerjen e procesit. Deri më sot ka ngjarë një numër i konsiderueshëm aplikimesh individuale të përfaqësuesve për ta sfiduar heqjen nga detyra të Presidentit, mirëpo kryesisht janë refuzuar gjatë vlerësimit të Komisionit për Drejtësi, duke parandaluar që çështja të zhvillohet më tej. Në rast se Komisioni për Drejtësi e miraton kërkesën, çështja i nënshtrohet votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, në të cilën lypset shumica absolute.

Procesin gjykues e udhëheq krahu tjetër i Kongresit, Senati (neni 1/3.6). Aty paraqiten provat, dëgjohen dëshmitarët dhe i akuzuari bën mbrojtjen. Në cilësinë e jurisë vlerësuese janë vetë senatorët. Po qe se në bankën e të akuzuarit qëndron Presidenti i SHBA-ve, seancat i kryeson kryetari i Gjykatës Supreme (ChiefJustice). Vendimi për ta shpallur fajtor të pandehurin duhet të merret nga së paku dy të tretat e numrit të përgjithshëm të senatorëve (neni 1/3.6).

Shpallja fajtor në ecurinë e fajësimit në Kongres prodhon vetëm efektin e pamundësisë së ushtrimit të mëtejmë të detyrës zyrtare. Varësisht nga lloji i veprës, i akuzuari mund të gjykohet e të dënohet pastaj në gjykatat e rregullta (neni 1/3.7). Nëse vendimi për njohje të fajësisë i atribuohet Presidentit, atëherë ai nuk mund të vazhdojë qëndrimin në detyrë dhe për pjesën e mbetur të mandatit të tij posti nuk mbetet vakant, por ushtrohet nga Zëvendës-presidenti i shtetit.

Meqenëse fajësimi është një proces vështirë i realizueshëm, gjer më sot fare pak është vënë në zbatim. Në të kaluarën ka pasur disa raste të shkarkimit të gjyqtarëve federalë, por jo edhe shkarkime të presidentëve të shtetit.

Presidentët e ballafaquar me impeachment

Rrekja e parë për fajësimin e Presidentit në historinë politike amerikane ka ndodhur më 1843. Personazhi kryesor i kësaj ndodhie ka qenë John Tyler, i cili fillimisht e kishte pozitën e Zëvendës-presidentit. Gjithçka zuri fill me vdekjen e Presidentit William Henry Harrison, vetëm një muaj pas ardhjes në pushtet. Kabineti i ish-presidentit pohonte se Tyler-i ishte vetëm ushtrues detyre i Presidentit, mirëpo Tyler këmbëngulte se një Zëvendës-president kalon në Zyrën e Presidentit me automatizëm në rast të mbetjes vakante të postit. Gjatë karrierës së tij si President, ai ishte përplasur disa herë me Kongresin lidhur me vënien e vetos ndaj ligjeve të caktuara. Tensionimi i raporteve mes Presidentit dhe Kongresit kishte rezultuar me një orvatje për fajësimin e tij, por e cila nuk kishte pasur sukses.

Rasti i dytë i akuzës ndaj një presidenti amerikan ka ndodhur në vitin 1868. Dhoma e Përfaqësuesve, me 126 vota kundrejt 49 votave, kishte akuzuar Presidentin Andrew Johnson me arsyetimin se më 1867 ai e kishte shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme (në kundërshtim me Tenure Office Act) Ministrin e Luftës, Edwin McMasters Stanton. Nga kjo situatë, Presidenti Johnson kishte shpëtuar pa u shkarkuar për një votë të vetme në Senat. Në epilogun e këtyre ngjarjeve, ministri Santon kishte dhënë dorëheqje nga funksioni.

Në vitin 1974 ishte hera e tretë kur skena politika amerikane kishte përjetuar akuzë të ngritur ndaj Presidentit. Çështja ishte ndezur me rastin e arrestimit të pesë personave që ishin përpjekur të montonin mjete përgjimi në zyrat e një komiteti të Partisë Demokratike në kompleksin Watergate të kryeqytetit Washington. Ndërkohë kishte dalë në shesh se këto veprime ishin të ndërlidhura me bashkëpunëtorët e Presidentit të atëhershëm të SHBA-ve, Richard Nixon. Ai e kishte kuptuar se argumentet janë kundër favorit të tij dhe se shkarkimi i tij nga pozita presidenciale paraqiste një mundësi reale. Për këtë arsye dha dorëheqje dhe kësisoj u bë presidenti i parë në historinë e SHBA-ve që ka lënë detyrën me akt dorëheqjeje.

Ngjarja e katërt e përpjekjes së Kongresit në fajësimin e Presidentit kishte ndodhur me Bill Clinton-in në vitin 1998. Atëbotë përflitej për një aferë intimiteti të tijën me praktikanten në Shtëpinë e Bardhë, Monica Lewinski. Presidenti Clinton kishte përgënjeshtruar një gjë të tillë dhe kishte dhënë deklaratë në të cilën betohej se nuk kishte asgjë të vërtetë nga këto pretendime. Megjithatë, me t’u kuptuar se ai qe betuar rrejshëm, në Dhomën e Përfaqësuesve ishte iniciuar procedura e shkarkimit të tij. Çështja kishte kaluar në Senat, por aty nuk kishte gatishmëri të shumicës së cilësuar që Presidenti të fajësohet: Senati votoi 50 vota pro dhe 50 vota kundër akuzës, kështu që ai vazhdoi të qëndrojë në krye te shtetit dhe skandali i njohur si “Monicagate” u mbyll.

Presidenti Trump përballë akuzës

Me 24 shtator 2019 kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka njoftuar opinionin e gjerë se po nis një hetim ndaj Presidentit Trump me arsyetimin e “dëmtimit të sigurisë kombëtare të SHBA-ve” dhe “tradhtisë ndaj betimit presidencial”.

Komisioni i Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve ka mbajtur seanca publike midis intervalit 13-21 nëntor 2019. Si rrjedhojë, është përgatitur një raport 300 faqesh dhe i është dorëzuar Komisionit të Drejtësisë, i cili ka miratuar dispozitat përkitazi me “keqpërdorimin e detyrës” dhe “pengimin e veprimtarisë së Kongresit”.

Fokusi i akuzave ndaj Presidentit Trump ka të bëjë me pretendimet se ai e ka telefonuar Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, për të kërkuar nga ky i fundit që të iniciojë një hetim zyrtar lidhur me aferat korruptive të bizneseve me seli në Ukrainë të JoeBiden-it dhe të birit të tij. Trump-i ka pranuar se ka kontaktuar me homologun ukrainas dhe se, ndër tjerash, është bërë fjalë edhe për Biden-in, kundërkandidatin potencial në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, mirëpo refuzoi ta ketë kërkuar fillimin e ndonjë procedure hetimore ndaj tij nga autoritetet ukrainase.

Sikundër u shpjegua më lart, për ta shkarkuar nga posti i Presidentit, duhet që dy të tretat e senatorëve ta shpallin fajësinë e Donald Trump-it. Nga 100 anëtarë sa ka Senati – në këtë legjislaturë – 53 i takojnë Partisë Republikane (prej së cilës vjen Trump-i), 45 janë nga radhët e Partisë Demokratike dhe dy senatorë janë të pavarur. Tabloja nuk është e premtuese për kundërshtarët e Presidentit aktual.

Krahas kësaj, një tentim i kotë për shkarkim të Presidentit pothuaj në vigjilje të zgjedhjeve të radhës mund të çojë në situatën e përforcimit të karizmës politike të Donald Trump-it.

Ç’është e vërteta, kjo nuk është hera e parë që në opinionin publik të SHBA-ve diskutohet nisma e mundshme për shkarkimin e Trump-it nga pozita e kreut të shtetit federal. Qysh në vitin 2016, kur ai ishte ulur në kolltukun e Zyrës Ovale, ishin dëgjuar zëra se Trump-i kishte pranuar ndihmë nga Rusia për të ardhur në pushtet. Madje, kishin qarkulluar deklarata se SHBA-të po përballeshin me një version të ri të skandalit “Watergate”. Megjithatë, duke mos u përforcuar me dëshmi konkrete, këto pohime nuk kishin mjaftuar që të ndërmerret veprimi juridik i nevojshëm për shkarkimin e tij.

Efektet e një procesi akuzues

Mundësia e shkarkimit të Presidentit, para së gjithash, është një dëshmi se, me gjithë ndarjen e ngurtë të pushteteve në sistemin kushtetues amerikan, Presidenti nuk është i pavarur tërësisht nga organi legjislativ. Përkundër mungesës së përgjegjësisë politike të Presidentit karshi Kongresit, përgjegjësia penale nuk i mungon dhe autoritet vendimmarrës për këtë është pikërisht Kongresi me dy dhomat e tij. Kështu, Dhoma e Përfaqësuesve mbledh, shqyrton dhe i paraqet faktet dhe ngre padinë, duke luajtur rolin e Prokurorisë, kurse Senati bën shqyrtimin e padisë dhe vendos përkitazi me të, sikur të ishte Gjykatë. Pra, duke qenë një instrument juridiko-penal, ky nënkupton një akuzim dhe gjykim që e kryejnë organet politike.

Sipas perspektivës së organit legjislativ, impeachment-i vjen në shprehje si mënyrë për të vënë në praktikë parimin e kontrollit dhe balancimit (checkand balance).

Rruga komplekse e jetësimit të këtij procesi lë të kuptohet se më shumë se një modus operandi efektiv për largimin nga pozita e shefit të shtetit, impeachmenti-i është një mjet për trembjen e Presidentit lidhur me veprimet e tij në të ardhmen. Tipari i tij simbolik mund të vërehet nga praktika politike: deri më sot asnjë presidenti të SHBA-ve nuk i ka mbaruar mandati para kohe për shkak të një akuze të suksesshme në Kongres.

Megjithëkëtë, ekzistimi i këtij instrumenti – per se – përbën një garanci juridike për mbrojtjen nga shkarja eventuale në arbitraritet të pushtetit presidencial.