` . Përfytyrimi i të dukshmes si unitet i konceptueshëm midis të përgjithshmes dhe të veçantës - TV-SHENJA

Përfytyrimi i të dukshmes si unitet i konceptueshëm midis të përgjithshmes dhe të veçantës

Ndonjëherë duam t’i përkushtohemi leximit të një përfytyrimi që na intrigon. Dëshirojmë t’i studiojmë detajet për të zbuluar pse janë aty. Shpesh në përfytyrimin e gjërave në natyrë gjejmë tekst shoqërues për të në mendësinë tonë. Ky tekst ka për qëllim që ne ta gjejmë më lehtë informacionin mbi imazhin.

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Përgjatë historisë së artit, nga kohërat parahistorike e deri më sot, artisti kap formën e thelbit subjektiv të kohës në të cilën jeton. Arti na nxit të mendojmë. Ne, si vëzhgues, e interpretojmë imazhin me të cilin interpretimi dhe mirëkuptimi e zbulojnë thelbin estetik në veçantinë e tij. Me paraqitjen e strukturalizmit, estetika e arritur përmes cilësisë / analizës zyrtare nuk është më e mjaftueshme ose e rëndësishme në interpretimin e një vepre arti. Kështu po zhvillohen strategji të reja teorike, që kërkojnë hulumtime të fushave të ndryshme jashtë arteve, për ta vendosur lidhjen e qartë midis veprës artistike dhe përfytyrimit për të. Përfytyrimi është një lloj përkthimi. Vetë fjala “përkthim” do të thotë tekst i përkthyer nga një gjuhë në tjetrën. Nëse e zbatojmë këtë përkufizim në përkthimin e një përfytyrimi në tekst, kjo do të thotë se ne përshtatim një grup simbolesh (elemente vizuale, parime kompozicionale) në një lloj krejtësisht të ndryshëm të simboleve (shkronjë, fjalë, fjali). Pra, ky është një përkthim ndërsemiotik. Pyetja që shtrohet domosdoshmërisht është “Si duhet të duket një interpretim (tekst) që i shërben sqarimit të një imazhi, krahas asaj se ekziston një bindje se nganjëherë ajo që ne shohim nuk mund të përshkruhet me fjalë?”.

Ndonjëherë duam t’i përkushtohemi leximit të një përfytyrimi që na intrigon. Dëshirojmë t’i studiojmë detajet për të zbuluar pse janë aty. Shpesh në përfytyrimin e gjërave në natyrë gjejmë tekst shoqërues për të në mendësinë tonë. Ky tekst ka për qëllim që ne ta gjejmë më lehtë informacionin mbi imazhin. Por, teksti është interpretim i jashtëm, ndërsa perceptimi i natyrës është i yni. Është e qartë se për çdo dukuri ka mendime të ndryshme, d.m.th interpretime të ndryshme dhe kështu kemi problemin e parë të dukshëm, një imazh me interpretime të panumërta ose “sa njerëz, aq interpretime”.

Një nga faktorët më të rëndësishëm në analizën e një dukurie natyrore ose edhe vepre artistike është dëshira për ta vëzhguar atë. Mendja jonë prodhon rregulla interne, me të cilat mund të dekompozojmë ose analizojmë një dukuri të caktuar. Mendja, duke e interpretuar dukurinë, informacionin vizual – joverbal, e përkthen në tekst gjuhësor – verbal. Çështja është e përgjithshme dhe nuk ka të bëjë me një detaj të vetëm, por me pamjen e tërësisë. Çdo hollësi është e rëndësishme në kuptimin që formon një tërësi, por ajo tërësi, gjithashtu, ka një cilësi të ndryshme nga pjesët e saj individuale (Teoria e Geshtalt), që do të thotë ose jo se vizualiteti është i përkthyeshëm gjuhësisht. Nëse me interpretim kemi për qëllim ta përcaktojmë idenë thelbësore, atëherë ai duhet të jetë sa më shumë përfshirës dhe objektiv.

Ideja në filozofi është rezultat i të menduarit për një send. Në vetëdije, mendimet dhe përmbajtja shqisore nuk janë të ndara. Ideja, si një nocion mbindjeshmëror i gjërave, heq këtë lidhje dhe kështu përfaqëson atë që ne mendojmë se është logjike, d.m.th. ajo tregon kuptimin e përfytyrimit që e kemi të zhvilluar si pasojë e perceptimit dhe procesit të mendimit. Detyra e idesë dhe konceptualitetit është të kuptohet si duhet objekti, në realitet të vendoset proporcion i drejtë midis subjektit dhe objektit, në këtë rast përfytyrimit, në kuadër të qëllimit të tij të brendshëm. Semantikisht, koncepti nënkupton lidhjen e shenjës dhe të shënjuarës, d.m.th., realizimi gjuhësor i një koncepti të caktuar: pasi koncepti, përkundër përmbajtjes, si term, ndërmjetësohet nga shprehja gjuhësore dhe për shkak të ekivokimeve gjuhësore nuk mund të jepet kurrë në mënyrë unike dhe të kuptohet botërisht, ajo gjithmonë presupozon nevojën për kuptim dhe komunikim të mëtejshëm.

Natyra është shembulli më i mirë i multidimensionalitetit të fjalës dhe përmbajtjes unike të përfytyrimit ose fotografisë. Të gjithë, në mbarë botën, e kanë përfytyruar atë në mënyrën e vet, varësisht sipas vendit dhe kohës që kanë jetuar. Imagjinata, në të shumtën e rasteve, nuk kishte fare lidhje me përmbajtjen reale të figurës ose dukurisë. Kështu, mund të konkludohet se pozicionimi i veçantë i subjektit ndikon dukshëm në interpretimin e një imazhi, që do të thotë se interpretimi është i ndryshueshëm dhe i nënshtrohet pozicionit të subjektit.

Pikërisht në këtë kontekst duhet të jemi shumë të kujdesshëm me përkufizimin e interpretimit. Interpretimi duhet të jetë një shpjegim që përmban pikëpamjen dhe qëndrimin e qartë të personit që shpjegon dhe e interpreton çështjen. Ai në asnjë mënyrë nuk duhet të imponohet si gjykim logjik i pacenueshëm dhe i pakontestueshëm. Nuancat janë pasuria kryesore e interpretimit të dukurive që në realitet janë pasuria kryesore e interpretuesit. Interpretimi, për të qenë më i lezetshëm dhe më afër të vërtetës, duhet të jetë meta-ligjërim dhe meta-gjuhë, sepse e prezanton sistemin e inteligjencës në një çështje pak të kuptueshme me sistem rregullash që mundësojnë të kuptuarit e një çështjeje të caktuar.

Nëse përfytyrimi është i suksesshëm dhe i qartë, atëherë subjekti, pra soditësi, do të aktivizohet për të menduar dhe tek ai do të zgjohen ndjenja. A mund të përshkruhet ndjenja? Për shembull, ndjehemi të uritur. Bëjmë përpjekje për marrjen e ushqimit. Pasojat: shtypje në bark, dhimbje barku. Pasojat ekstreme: marramendje, humbje e vetëdijes, vdekje. Pasojat janë shumë konkrete, por jo secili person i përjeton ato në mënyrë të barabartë. I tillë është edhe rasti me mungesën e idesë dhe të përjetimit shpirtëror. Jo të gjithë në të njëjtën mënyrë e ndjejnë mungesën e tyre dhe jo të gjithë në të njëjtën mënyrë arrijnë të ushqehen, Dhe, pikërisht këtu paraqitet si çështje serioze përfytyrimi i natyrës dhe lidhja ndërmjet të përgjithshmes dhe të veçantës në konceptimin e realitetit dhe, si rrjedhojë e kësaj, paraqitet edhe relativiteti i interpretimit.

Në rastet kur dëshirojmë ta lidhim përfytyrimin dhe fjalën, ne i përkthejmë përbërësit e përfytyrimit në shenja, që do t’i ndajmë në paradigma dhe sintagma. Paradigmat janë shenja, domethënë bartëse të kuptimit, të përbëra nga vetë shenja (imazhet) dhe shënjuesit (koncepti mendor). Këto janë komponentët themelorë brenda secilës disiplinë. Në gjuhësi, këto janë shkronja dhe fjalë, ndërsa në artet pamore, elemente vizuale (pikë, vijë, sipërfaqe, ngjyrë). Paradigmat janë të këmbyeshme, duke pasur parasysh kontekstin në të cilin janë vendosur. Duke i kombinuar paradigmat, do të arrijmë në një sintaksë që është komplekse për shkak të rregullave që i përdorin paradigmat. Sintagma në gjuhësi përbëhet nga gramatika dhe drejtshkrimi, ndërsa në artet pamore nga parimet kompozicionale (ritmi, kontrasti, ekuilibri, proporcionet, harmonia, dominimi dhe uniteti). Këtu përballemi me qëndrimin se “teksti është një shprehje thelbësore, përfaqësim ose produkt që mundëson identifikimin, përshkrimin, shpjegimin dhe interpretimin e shfaqjes së një kulture, domethënë, nëse subjekti e sodit (përjeton, njeh, paraqet) botën, atë e bën nëpërmjet interpretimit.

Në gjuhën e semiotikës, një pemë në livadh është një shenjë gjuhësore, një pikturë e një peme është shënjuese, ndërsa përkufizimi i pemës në fjalor është pemë e idealizuar, që nuk është e specifikuar (e shënjuar). E shënjuara dhe shënjuesi paraqesin një shenjë gjuhësore, që është abstrakte në vetvete dhe ajo e pasqyron idenë e një peme.

Këtu mund të përmendet edhe interpretimi hermeneutik, i cili nënkupton një rreth hermeneutik, domethënë kur e veçanta bëhet e kuptueshme vetëm nga kuptimi i të përgjithshmes. Gadameri, në kontekstin e interpretimit, thotë: “Përfytyrimi bën thirrje për admirim dhe ndalje ose lexim të objektit. Gjithë arti, pra jo vetëm arti i fjalës, por edhe artet e bukura, të gjitha janë, krahas fiksimit në të dukshmen, të përcaktuara për lexim”. Nocioni kryesor i hermeneutikës së Gadamerit është të kuptuarit si një tipar themelor i ekzistencës historike njerëzore. Interpretimi është procesi i zvogëlimit të gjithçkaje nga e panjohura tek e njohura, duke u përpjekur për të eliminuar çdo rastësi dhe arbitraritet. Pra, qëllimi i interpretimit është ta objektivizojmë informacionin që e mbledhim duke e vëzhguar imazhin, dhe kështu të kuptuarit na del përpara si njohje që vjen përmes shqisave dhe arsyes.

Për fund po parashtroj disa pyetje që i kam në brendinë time: A kemi ardhur në këtë botë për të përkthyer imazhin në tekst si një përkthyes i ngathët, google translate, me anë të të cilit ne mund të përkthenim me kaq sukses një fjalë, por rrallë edhe një fjali? A kemi mundësi ta interpretojmë paradigmën e natyrës dhe figurës, por jo edhe sintagmën? Të gjitha këto libra a e sqarojnë vetëm dobësinë tonë për të kuptuar/interpretuar dhe, përfundimisht, për të gjykuar në lidhje me imazhin?

Prandaj, them, që ne nuk mund ta gjykojmë interpretimin nga aftësia e tij për t’iu nënshtruar përfytyrimit, sepse “nganjëherë një ideal i pamundur mund të jetë i dobishëm për sa kohë që e kuptojmë pamundësinë e tij”.