Përfytyrimi europian mbi “tjetrin” ballkanas

Përfytyrimi europian mbi “tjetrin” ballkanas

Një ndër nismat më të rëndësishme në procesin e anëtarësimit që synonte rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte Procesi i Berlinit, ku të gjitha vendet shprehën gatishmërinë për nxitjen e politikave bashkëpunuese në kuadër të anëtarësimit të përbashkët. Me kalimin e viteve, rezultoi se Procesi i Berlinit ishte më i ngadaltë nga sa pritej dhe sot, pas gati një dekade, ende nuk duket se është arritur rezultati i pritur.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Gjatë tri dekadave të fundit, Bashkimi Europian, nëpërmjet marrëveshjeve të paqes, menaxhimit të konflikteve etnike, programeve të zhvillimit ekonomik, shtetit të së drejtës dhe demokratizimit, vazhdimisht ka qenë i përfshirë në politikat e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre iniciativave ka qenë “afrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në”. Mirëpo, raportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, sidomos gjatë kohëve të fundit, kanë shkuar përtej interesave në procesin e anëtarësimit. Nëse gjatë fillimit të viteve të ‘90-ta vendet e Ballkanit Perëndimor konsideroheshin en bloc si vende “post-komuniste”, ku Bashkimi Europian luante një rol qendror në procesin e demokratizimit dhe tranzicionin e gjithsecilit, gjatë viteve të fundit është bërë e qartë se gjithsecili nga shtetet e Ballkanit Perëndimor ka përshkuar një trajektore të përveçme drejt anëtarësimit në BE. Kështu, për shembull, Shqipëria që nga viti 2014 e ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim, ashtu sikurse Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Mirëpo, në rastin e Maqedonisë së Veriut, pas marrëveshjes me Greqinë mbi çështjen e emrit në vitin 2018, tashmë mbetet për t’u zgjidhur konflikti me Bullgarinë mbi etnicitetin dhe gjuhën. Nga ana tjetër, për Serbinë njohja e pavarësisë së Kosovës ka qenë ndër pengesat kryesore për hapjen e negociatave, kurse për shtetin e Kosovës vijon të mbetet problemi i mosnjohjes nga 4 vende anëtare të BE-së, pa llogaritur këtu njohjen nga vendet e rajonit, si Bosnje & Hercegovina dhe Serbia. Mirëpo, pavarësisht trajektoreve dhe pengesave të ndryshme në procesin e anëtarësimit, ligjërimet e BE-së mbi integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor vijojnë ta theksojnë qasjen e anëtarësimit en bloc. Një ndër nismat më të rëndësishme në procesin e anëtarësimit, që synonte rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishte Procesi i Berlinit, ku të gjitha vendet shprehën gatishmërinë e tyre për nxitjen e politikave bashkëpunuese në kuadër të anëtarësimit të përbashkët. Me kalimin e viteve, rezultoi se Procesi i Berlinit ishte më i ngadaltë nga sa pritej dhe sot, pas gati një dekade, ende nuk duket se është arritur rezultati i pritur. Madje, qysh pas luftës në Ukrainë, deklaratat e liderëve të vendeve anëtare të BE-së kanë dëshmuar se anëtarësimi i vendeve që rrezikohen nga agresioni rus (Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia) kanë më tepër prioritet sesa vendet e Ballkanit Perëndimor. Për rrjedhojë, në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, integrimi në BE sot shihet si më i largët sesa në vitin 2014 dhe gjithsecili nga vendet e “Balkan 6” ka nisur të përpilojë zgjidhje dhe strategji alternative paralelisht me Procesin e Berlinit. Pasi u rrëzua propozimi për nismën e Mini-Schengenit, tashmë po diskutohet për iniciativën e re të “Ballkanit të Hapur”, e cila ndryshe nga e para thuhet se përqendrohet më tepër në bashkëpunimin ekonomik sesa atë politik. Referencat duket se janë marrë nga origjina e Bashkimit Europian (siç janë shumica e referencave që propozohen për zgjidhjen e konflikteve në rajonin e Ballkanit), ku pas Luftës së Dytë Botërore dy vendet antagoniste në luftë, Franca dhe Gjermania, përmes marrëveshjeve ekonomike, do ta themelonin Bashkësinë Europiane të Çelikut dhe Qymyrit. E njëjta politikë mendohet të ndiqet edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku dy vendet në luftë me Serbinë (Bosnjë & Hercegovina dhe Kosova) të bashkëpunojnë ekonomikisht me Serbinë, për t’i lënë mënjanë armiqësitë e së shkuarës. Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Malit të Zi kanë qenë veçanërisht aktivë në promovimin e kësaj retorike. Tanimë në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor duket sikur po zë vend perceptimi se të jesh kundër “Ballkanit të Hapur” nënkupton të jesh kundër Perëndimit dhe integrimit europian. Të qenit kundër “Ballkanit të Hapur” na çon drejt një qasjeje ideologjike, ku krejt papritur zhduken paradokse të tilla, si një nga vendet nuk e njeh ekzistencën e vendit tjetër (teksa njëherazi kërkon të bashkëpunojë me atë që nuk e njeh) dhe na shpie drejt një ligjërimi anti-europian, që nuk bën gjë tjetër, veçse ringjall “fantazmat e vjetra të Ballkanit” (shprehje e kryeministrit shqiptar Edi Rama kur argumentonte pse Kosova duhet të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”). Ligjërimi mbi “fantazmat e vjetra të Ballkanit”, “mosbesimin reciprok të vendeve të Ballkanit” ose “konfliktet e vjetra ballkanike” prej kohësh është pjesë e literaturës së vendeve perëndimore mbi Ballkanin. Sikurse shkruan studiuesja bullgare Maria Todorova “Konfliktet Ballkanike” dhe “Parcelizimi i njësive politike në disa mini-shtete të prapambetura dhe historikisht armiqësore ndaj njëra-tjetrës” janë pjesë integrale e përfytyrimit të Europës mbi “Tjetrin” ballkanas. Sipas këtij kuptimi, vetë ligjërimi mbi “pamundësinë për të tejkaluar konfliktet e së shkuarës” dhe zhvendosja e vëmendjes nga roli që kanë luajtur palët në konflikt në rastin Kosovë-Serbi, nuk bën gjë tjetër veçse “rizbulon” tiparin karakterizues të ballkanizimit si kategori ideologjike që dëshmon joeuropianitetin e rajonit dhe statusin e tij si “zonë tranzitore” midis Perëndimit dhe Lindjes ose midis “demokracisë” dhe “autokracisë”.

Ballkani si Alter-ego e Perëndimit

Procesi i Berlinit paraqiti një mundësi për të rivendosur marrëdhënie të reja ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor: pavarësisht se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e etnicitetit dhe faktit se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit kanë mbetur në një proces stagnimi. Konteksti i ri gjeopolitik, që paraqitet në rajon, sidomos në kuadër të luftës në Ukrainë, ka risjellë ligjërimet ballkanizuese nga ana e BE-së kur u drejtohet vendeve të rajonit. Perceptimet ballkanizuese në BE kanë projektuar një Ballkan ende të ngërthyer në konfliktet ndëretnike, çka bëjnë që takimet e liderëve të Ballkanit të vëzhgohen nga një perspektivë ekzotike, sikur u drejtohen disa vendeve ende të izoluara dhe të prapambetura si pasojë e konflikteve etnike të së shkuarës. Në vitin 2017, të tilla ligjërime kanë qenë pjesë e deklaratave të ish-përfaqësueses së BE-së, Federica Mogherini. Edhe pse ligjërimet mbi vendet e përveçme të Ballkanit Perëndimor më së shumti mungojnë, narracionet e përgjithshme të BE-së vijojnë ta vëzhgojnë perspektivën europianizuese të Ballkanit Perëndimor në kuadër të ligjërimeve mbi prapambetjen dhe “ballkanizimin”. Kështu, për shembull, në fjalimin mbi samitin e parë të Procesit të Berlinit, i cili u zhvillua në vitin 2014 në Berlin, u ritheksua ndërlidhja e vendeve të Ballkanit me Luftën e Parë Botërore, si për të rikujtuar të shkuarën e dhunshme të këtij rajoni, por edhe dëmet që kjo e shkuar ka sjellë në përfytyrimin e Europës së bashkuar. Në këtë samit Mogherini deklaronte se: “Njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, krerët e qeverive të Ballkanit, ministrat e jashtëm dhe ministrat e ekonomisë të vendeve, si Shqipëria, Bosnjë & Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Sllovenia, ashtu sikurse edhe përfaqësuesit e Komisionit Europian, si Austria dhe Franca, u takuan në Berlin më 28 gusht të vitit 2014 për konferencën e parë të Ballkanit Perëndimor (Bashkimi Europian: 2014).

Vrasja e Franz Ferdinandit në Sarajevë në vitin 1914 vijon të shihet si një referencë simbolike për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Fakti se përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor po ritakoheshin sërish, vihet në dukje si një shenjë progresi e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të integrimit europian. Edhe pse rajoni ka pasur zhvillime të reja në të shkuarën e afërme, bie në sy se si tema e Luftës së Parë Botërore ritheksohet pas njëqind vjetësh. Sikurse na kujton studiuesja Maria Todorova, termi “ballkanizim” në të vërtetë nënkupton një proces “fragmentimi kombëtar” të njësive të dikurshme shtetformuese, “të tilla si Ballkani i pasluftës së parë”, pavarësisht se shumica e vendeve të Ballkanit kanë ekzistuar edhe pas kësaj lufte. Ajo çka shprehej në Ballkanin e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimshekullit të njëzetë dhe që ende mund të gjendet në brezat e sotëm, ishte fraza “të shkojmë në perëndim”. Në fundshekullin e nëntëmbëdhjetë, studiuesi William Miller shkruan se: “Kur banorët e Gadishullit të Ballkanit i referohen udhëtimit përkundrejt vendeve që shtrihen gjeografikisht në perëndim të tyre, ata flasin për ‘vajtjen në Europë’ duke e konsideruar kësisoj vetveten si një rajon jashtë mënyrës europiane të të jetuarit”. Në fjalorin bashkëkohor të gjermanishtes “balkanisieren” shpjegohet si procesi i fragmentimit të shteteve dhe trazirave në marrëdhëniet politike “si në rastin e luftërave ballkanike të viteve 1912-1913”, teksa folja “Balkanisierung” konceptohet si një term politik për një fragmentim të padrejtë për hir të stabilitetit politik. Gjithashtu, në fjalorin e italishtes, “ballkanizimi” nuk shënjon vetëm procesin e fragmentimit të shteteve të dikurshme, por njëherazi konsiderohet si një sinonim për despotizmin, revolucionet, kundërrevolucionet dhe vrasjet “lehtësisht të identifikueshme ne vendet e Ballkanit” (Todorova: 2013). Në rastet e vendeve të Ballkanit, qartazi mund të ndeshemi jo vetëm me mënyra të ndryshme për t’u përballur me stigmatizimet e së shkuarës, por edhe me mënyra të ndryshme për t’iu përqasur vetë-stigmatizimit. Rasti më i fundit i përballjes me vetë-stigmatizimin ishte deklarata e kryeministrit shqiptar mbi Maqedoninë e Veriut si “Bullgari Perëndimore”. Të tilla transformime gjeografike, të cilat janë thelbësisht politike, janë të njohura tashmë në mënyrën se si janë perceptuar në perëndim luftërat etnike në Ballkan. Mirëpo, veçoria e rajonit është se – duke qenë se kulturalisht dhe gjeografikisht janë shumë pranë vendeve të BE – tashmë liderët e shteteve ballkanase kanë nisur ta adoptojnë të njëjtin ligjërim mbi vetveten. Në këtë kuptim, siç e thekson edhe Todorova, ligjërimi i vendeve të Ballkanit mbi fqinjët e tyre nuk është gjë tjetër, veçse imitim i ligjërimit perëndimor mbi rajonin e Ballkanit. Gjatë luftërave etnike në vendet e ish-Jugosllavisë, në vitet e ’90-ta, një pjesë e mirë e mediave perëndimore i kanë paraqitur këto luftëra si “luftëra ballkanike”, si për t’i bërë jehonë stereotipit se qysh nga luftërat ballkanike të fillimshekullit të njëzetë e deri të luftërat ballkanike të viteve të ’90-ta, në fund të ditës shumë pak gjëra kanë ndryshuar në këtë rajon. Sikurse ka ndodhur në interpretimin e luftërave ballkanike nga mediat perëndimore të fillimshekullit të kaluar, duket se tashmë ka zënë rrënjë sinonimi se “pays balkaniques sont des pays volcanique” (vendet ballkanike janë vende vullkanike), po njësoj siç ka qenë emërtimi i Ballkanit si “fuçi baruti”.

Filozofi gjerman Friedrich Nietzsche shkruante se “Reputacioni, emërtimi dhe dukja, masa e zakonshme e peshës për çdo gjë – për aq sa vlen, gjithnjë thuajse e gabuar dhe arbitrare – trashëgohet nga njëri brez në tjetrin, derisa nis gradualisht të bëhet pjesë e vetë gjësë që po interpretohet, duke u kthyer në mishin dhe trupin e saj. Ajo çka në fillim qe thjesht dukje, përfundon duke u pajisur me trup dhe një kuptim të pranuar nga gjithkush”. Në ditët tona të gjitha vendet e Ballkanit perceptojnë se territori (trupi) i shteteve të tyre është i fragmentuar dhe se, përgjithësisht, historia është treguar e padrejtë kundrejt tyre. Prandaj projekti i “Ballkanit të Hapur” zë vend mu në qendër të këtij fragmentimi. Në mungesë të integrimit europian, “Ballkani i Hapur” nuk bën gjë tjetër, veçse e thellon gjendjen e fragmentimit.