Përfundon takimi Rama-Kurti, dy orë ‘kokë më kokë’ me dyer të mbyllura

Përfundon takimi Rama-Kurti, dy orë ‘kokë më kokë’ me dyer të mbyllura

Për më se dy orë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një takim ‘kokë më kokë’, me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti.

Para nisjes për në Tiranë, Kurti u largua nga një konferencë e përbashkët me ministrat Murati dhe Nagavci, ku pa dhënë detaje, u shpreh: “Mua më duhet të shkoj në një takim urgjent, por do të jem para jush edhe nesër e pasnesër”.

Nuk dihen detaje të takimit zhvilluar në mesditë në vilën 30 me dyer të mbyllura mes dy kryeministrave, ku Kurti u pa të hyjë me urgjencë, transmeton tch.

Ndërkohë, Burime zyrtare pranë kryeministrit Rama thanë për A2 CNN se takimi nuk kishte asnjë arsye të jashtëzakonshme.

“S’ka asgjë të veçantë, drekë normale mes dy kryeministrave, si shumë të tjera të kësaj natyre”, citohen burimet pranë kreut të qeverisë.

Ndërsa, sipas Report TV në takim mësohet se është diskutuar për Portin e Durrësit, si edhe hekurudhën Durrës-Prishtinë.

Shqipëria dhe Kosova mbajtën mbledhjen e 8-të e përbashkët me 20 qershor, ndërsa u firmosën 19 marrëveshje, mes tyre edhe ajo për financimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë për lidhjen e Portit Romano në Durrës dhe Portit të Thatë në Prishtinë.

Ky takim i Ramës dhe Kurtit, vjen edhe pas tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket nismës ‘Open Balkan’, Shqipëria dhe Kosova vijojnë të kenë qëndrime të kundërta. Kreu i qeverisë Edi Rama vazhdimisht ka ftuar Kosovën të bëhet pjesë.

Në përplasjet e fundit në veri të Kosovës për çështjen e dokumenteve të identifikimit dhe targat me Serbinë, Rama tha se kjo nuk tregoi se Ballkani i Hapur është i panevojshëm apo i gabuar, por përkundrazi se është një domosdoshmëri.

Telegrafi ka provuar të kontaktojë me Qeverinë e Kosovës për të marrë informacione lidhur me takimin e sotëm, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Ndryshe, kryeministri Kurti u largua në mes të konferencës për media pas takimit me Këshillin Grevist, duke u thënë gazetarëve se i duhet të shkojë në një takim urgjent.