Përfundoi konferenca mbarëkombëtare “Një komb – një gjuhë”

Përfundoi konferenca mbarëkombëtare “Një komb – një gjuhë”

Me sesionin e tretë të konferencës mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë”, që më 25-26 nëntor është zhvilluar në Tiranë, është përmbyllur konferenca e sivjetme, e organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë, Instituti Albanologjik – Prishtinë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, që është organizuar me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Sesioni i Tiranës filloi me fjalën hyrëse të rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof.. dr. Luan Përzhita, i cili foli jo vetëm për rëndësinë e gjuhës standarde në unifikimin e kombit, por edhe për bashkëpunimin e frytshëm mes tre institucioneve shkencore të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit.

Pas tij, fjalë përshëndetëse pati edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit i Republikës së Shqipërisë, Endrit Hoxha, si dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi.

Në mungesë të drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Dr. Skedner Asani, fjalë përshëndetëse mbajti këshilltari shkencor Dr. Zeqirija Ibrahimi. Me këtë rast, në fjalën e tij, ai theksoi se: “Për neve është ishte kënaqësi që kjo konferencë i filloi punimet në Shkup pikërisht më 22 nëntor, që ishte dita e fundit e manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”, e që përkon me ditën e Kongresit të Manastirit dhe ditëlindjen e themelimit të Institutit.”, për të vazhduat më tej duke shtuar: “Duke qenë në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, do më të lejoni të theksoj vetëm se gjuhëtarët shqiptarë të kësaj pjese të trungut të kombit, qoftë më 1972 ose sot, nuk kishin e nuk kanë dilema se pse ishte e pse është kaq shumë e rëndësishme gjuha standarde për unifikimin e kombit. Nënshkruesit e Rezolutës së Drejtshkrimit nga Maqedonia, prof. Petro Janura, prof. Remzi Nesimi dhe prof. Sejfedin Sulejmani, te ne nuk janë të nderuar vetëm si pjesëmarrës të këtij kongresi, por edhe si intelektualët që ditën ta vlerësojnë momentin për t’i dhënë udhë orientimit të kombit.”.

Fjalë përshëndetëse pati edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës nga Shkupi, Dr. Ylber Sela.

Pastaj ka vijuar leximi i kumtesave shkencore, me ç’rast – sipas planit të dakorduar më herët – nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me kumtesat e tyre janë paraqitur hulumtuesit Dr. Qemal Murati dhe Dr. Zeqirija Ibrahimi.