Përfundoi dita e parë e debatit për rishikimin, seanca vazhdon nesër

Përfundoi dita e parë e debatit për rishikimin, seanca vazhdon nesër

Përfundoi dita e parë e debatit kuvendor për rishikimin e Buxhetit. Debati vazhdon nesër në mesditë, ndërsa në pajtim me Rregulloren e punës, mund të zgjasë më së shumti pesë ditë pune.

Gjatë debatit të sotëm, pozita dhe opozita ishin me qëndrime të kundërta dhe derisa për pozitën rishikimi është i përshtatshëm dhe përgjigje fiskale në kohë e ngjarjeve globale vijuese, për pozitën vendi ka falimentuar dhe me hap të shpejtë po shkon drejt recesionit dhe varfërisë.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi nga foltorja e Kuvendit porositi se me ribalancin e Buxhetit jepet mbështetje për pensione më të larta, paga më të larta, subvencione për mbështetjen e bujqve dhe një sërë masash antikrizë.

Në ribalancin e plotësuar të Buxhetit janë vendosur amendamente me të cilat sigurohen 25 milionë denarë shtesë për shëndetësinë, mjedisin jetësor dhe infrastrukturën.

Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 245,8 miliardë denarë dhe janë për 6,9 miliardë denarë më të larta në raport me projeksionet e para të Buxhetit, derisa shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 288,5 miliardë denarë ose janë rreth 16 miliardë denarë më shumë në raport me projeksionet iniciale me planin për vitin 2022. Deficiti është planifikuar në nivel prej 42,7 miliardë denarë, gjegjësisht 5,3 për qind të BPV-së.

Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 32,1 miliardë denarë, ndërsa rritja ekonomike është projektuar në 3,2 për qind. Investimet bruto pritet të kenë rritje prej pesë për qind, me ç’rast tek shpenzimet kapitale në buxhet, kontribut përkatës pritet edhe prej investimeve private.