` . Perëndimi islamofobik ruan sajesën e vet mesjetare antimuslimane - Republikën Serbe - TV SHENJA

Perëndimi islamofobik ruan sajesën e vet mesjetare antimuslimane – Republikën Serbe

Xhemaludin LLATIQ, Sarajevë

Në 25 vjetorin e gjenocidit mbi ne, boshnjakët, muslimanët boshnjakë, secili nga ne, që është i ndërgjegjshëm dhe kush mendon mbi pasardhësit tanë, duhet të pyetet ç’ka ndodhur, në fakt, me ne.

Këtu do të hedhim dritë mbi disa fakte më të rëndësishme postgjenocidale dhe do t’i shtrojmë disa teza.

Nga aktgjykimi mbi Radovan Karaxhiqin mund të nxirret përfundim i qartë: Tribunali i Hagës, i themeluar vetëm për përpunimin e krimeve të luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë, e ka gjykuar (edhe) për gjenocid udhëheqësin e lëvizjes serbomadhe dhe për ndërmarrjen e bashkuar kriminale në truallin e Bosnjës dhe Hercegovinës, por e ka ruajtur krijesën të cilën Perëndimi – e qartë në bashkëpunim me këtë lëvizje – e ka shpikur në mënyrë që “ta mbrojë” Evropën nga Islami dhe muslimanët. Përveç kësaj krijese, edhe në përpjekjen e dytë – pasi që ai tjetri, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e themeluar në vitin 1945, nuk e gjykoi Serbinë dhe Malin e Zi (Jugosllavinë e Millosheviqit) për pjesëmarrje në gjenocid kundër muslimanëve boshnjakë – është ruajtur Serbia – në mënyrë që ajo mos ta paguajë dëmshpërblimin e luftës ndaj viktimave të gjenocidit dhe agresionit.

 Ripërkufizimi i gjenocidit nga Haga

 Argumentet mbi të cilat nxirret ky përfundim janë si vijon: Tribunali i Hagës në “rastin” e muslimanëve boshnjako-hercegovas, boshnjakëve, ka ripërkufizuar nocionin e gjenocidit të miratuar në Kombet e Bashkuara në vitin 1948, ku në Konventën mbi pengimin e gjenocidit dhe ndëshkimit për të thotë qartë se edhe mospengimi i gjenocidit, sipas të drejtës ndërkombëtare, është vepër e ndëshkueshme. Duke refuzuar që Karaxhiqin ta shpallë fajtor për gjenocidin e bërë në komunat e tjera të vendit tonë mbi “grupin e njëjtë nacional, etnik ose fetar”, ky tribunal me vetëdije e zhvendos fokusin e gjenocidit nga populli në territor. Me çka, sipas këtij aktgjykimi, gjenocid është nëse lëvizja serbomadhe në Srebrenicë vret (zyrtarisht) 8.372 muslimanë, boshnjakë, ndërsa nuk është gjenocid nëse në fshatin Biljane ngjitur me Kljuçin lëvizja e njëjtë vret të gjithë pjesëtarët fertilë, meshkuj, duarthatë të po këtij populli (rreth 270 syresh), duke llogaritur edhe katër gra dhe dy vajza. Përse veproi kështu kjo gjykatë “ndërkombëtare”?! Për shkak se gjenocidi në fushëgropën e Prijedorit, ku janë vrarë sigurisht më shumë muslimanë boshnjakë sesa në Srebrenicë, ka ndodhur në vetë fillimin e agresionit mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, në verën e hershme të vitit 1992, derisa ai në Srebrenicë ka ndodhur në vitin 1995. Kjo do të thotë se sikur Karaxhiqi të gjykohej për gjenocid në fushëgropën e Prijedorit ose në Sarajevë, Zvornik, Vllasenicë, Bratunac…, atëherë në mënyrë implicite do të gjykohej – ose do të duhej – të gjykohej edhe Perëndimi – për shkak se nuk ka ndërmarrë asgjë që ta parandalojë gjenocidin në truallin e Evropës! Karaxhiqi, pra, ka bërë “punën e fëlliqur” për Perëndimin! – si e ka thënë vetë me një rast. E sikur të ishte gjykuar Perëndimi, atëherë viktimat e gjenocidit do të kishin të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim edhe nga shtetet e tyre. Perëndimi është fajtor për dy shkaqe: që nuk e ka parandaluar fushatën dhe agresionin luftarak serbomadh mbi Republikën e Sllovenisë, Republikën e Kroacisë dhe po ashtu Republikën ndërkombëtarisht të pranuar të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa ka mundur shumë lehtë këtë ta bëjë, por edhe për shkak se boshnjakëve, duke ia vendosur embargon në importimin e armëve mbrojtëse shtetit tonë gjatë tërë kohës së agresionit tre vjet e gjysmë, ia ka lidhur duart derisa udhëheqja politike dhe ushtarake e Republikës Serbe ka zbatuar planin e tij të menduar të gjenocidit në tërë territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës kudo ku ka jetuar popullsi boshnjake dhe, në një pjesë, edhe kroate dhe joserbe. Dhe, derisa në Slloveni, e madje edhe në Kroaci, ka ndodhur “operetë prej lufte” (S. Mesiq) – për shkak se kroatët dhe sllovenët janë popuj kristianë! – në Bosnjë dhe Hercegovinë është zhvilluar luftë gjenocidale kundër boshnjakëve – për shkak se ata janë muslimanë. Për këtë gjenocid mbi popullin tonë dhe kroat – pasi me të drejtë e thekson monsinjori Komarica – lëvizja serbomadhe, në krye me Karaxhiqin, është shpërblyer me sajesën shoqërore, politike dhe ushtarake – Republikën Serbe, me të cilën territori i përgjithshëm i shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës u shndërrua në po atë model të të ashtuquajturave taifa, të cilën fryma islamofobike, inkuizicionale e Perëndimit, e vendosi në mesjetë, më 1492, në Spanjë. Taifat janë, në fakt, enklava ose torishta në të cilat “të bërit synet” (cirkumizuarit), muslimanët spanjollë (përndryshe banorët e saj, domicilë të cilët e kanë pranuar Islamin!) dhe hebraikët e saj kanë mbijetuar dy qind vitet e ardhshme – derisa in toto nuk janë eliminuar në zonën e Gadishullit Pirinej. Një pjesë, madje pjesa më e madhe e hebrenjve spanjollë, u shpërngul në Evropën e mesme, sidomos në territorin e Gjermanisë së sotme (të a.q. ashkenazët), ku ndaj tyre lëvizja naziste antisemite ka kryer gjenocidin më të madh në shekullin XX, për ç’gjë Danijel Jona Goldhageni ka shkruar mbase studimin e njohur më të mirë dhe më të vëllimshëm në tërë botën me titull Xhelatët vullnetarë të Hitlerit – gjermanët e zakonshëm dhe Holokausti (publikuar në Beograd, në botim të Radio B92, në vitin 1998, në përkthim të Gordana Vuçiqeviq), të cilën, pas të gjithave që na kanë ndodhur, boshnjaku – dhe asnjë humanist evropian! – nuk mund ta shmangë.

Boshnjakët – hebrenjtë e Ballkanit

Fjala është për atë që Goldhageni, në ndërmarrjen e vet gjithëpërfshirëse hulumtuese, u përgjigj në pyetjen se si ishte e mundur që aq shumë milionë gjermanë, shumica e theksuar e këtij kombi, e pranoi pjesëmarrjen në antisemitizmin eliminues të Hitlerit.

Ngjashmëritë ndërmjet ndërmarrjeve të bashkuara kriminale të Hitlerit, i cili filloi ta shkatërrojë “hebraizmin evropian” dhe ndërmarrjes së bashkuar kriminale të Radovan Karaxhiqit dhe Sllobodan Millosheviqit, si dhe ndërmarrja e bashkuar kriminale e udhëheqjes politike kroate të mbledhur rreth “Herceg-Bosne”, nën shkopin dirigjues të Franjo Tugjmanit, kryetarit të Republikës së Kroacisë, të cilët janë nisur ta shkatërrojnë muslimanizmin boshnjako-ballkanik, janë të qarta, prandaj këtu së pari do t’i shtrojmë tezat kryesore të studimit të Goldhagenit.

“Krimi i Holokaustit ishte para së gjithash ndërmarrje gjermane”, e thotë ky historian. “Prandaj të kuptuarit dhe të shpjeguarit e krimit të Holokaustit kërkon shpjegim se çka i nxiti gjermanët të vrasin hebrenj. Këtu, është me vend, në fokus janë kriminelët gjermanë të krimit, sepse ajo që mund të thuhet për gjermanët nuk është e mundur të thuhet për asnjë popull tjetër, as për të gjithë popujt tjerë së bashku – domethënë, sikur mos të ishin gjermanët, nuk do të kishte as Holokaust… edhe përkundër përpjekjeve të vakëta të regjimit që gjenocidin ta mbajë larg syve të shumicës së gjermanëve, për masakrat masive e kanë ditur miliona. Hitleri disa herë ka paralajmëruar qartë se lufta do të përfundojë me shfarosjen e hebrenjve… (12-15)… Shpjegimi përse ka ndodhur Holokausti kërkon revidim radikal të asaj që është shkruar deri tash… Revidimi i tillë kërkon nga ne ta pranojmë atë që një kohë të gjatë e kanë mohuar ose e kanë mjegulluar edhe komentuesit akademikë edhe joakademikë: që bindjet antisemitiste të gjermanëve mbi hebrenjtë kanë qenë shkaktari qendror i Holokaustit. Ato kanë qenë shkaktari qendror jo vetëm i vendimit të Hitlerit që ta shkatërrojë Hebraizmin evropian (që shumë e kanë pranuar), por edhe gatishmërinë e keqbërësve që të vrasin dhe egërsisht të abuzojnë me hebrenjtë. Përfundimi i këtij libri është se antisemitizmi ka nxitur me mijëra gjermanë “të zakonshëm” – e që do të nxiste edhe miliona tjerë sikur që gjendeshin në vendin përkatës – të vrasin hebrenj. Në vrasjet sistematike dhe të pamëshirshme të mijërave meshkujve, femrave dhe fëmijëve hebrenj, gjermanët nuk i kanë nxitur vështirësitë ekonomike, mjetet e detyrimit të shtetit totalitar, presioni shoqëroro-psikologjik, as prirjet e pandryshueshme psikologjike (15)… Antisemitizmi evropian është pasojë e kristianizmit. Qysh prej forcimit të hershëm të pushtetit të kristianizmit mbi Perandorinë Romake, prijësit e tij kanë predikuar kundër hebrenjve, duke përdorur akuzat e hapura, fuqishëm të formuluara dhe emocionalisht të ngarkuara… Kristianët kanë konsideruar se feja e tyre e ka ndërruar fenë hebraike. Pra, hebrenjtë si hebrenj duhet të zhduken nga dheu. Duhet të bëhen të krishterë (56)… Moderni themelor kulturor gjerman i ‘hebrenjve” (der Jude) ka përbërë tre botëkuptime: që hebraiku është ndryshe nga gjermani, që në mënyrë binare është i kundërt me gjermanin dhe se nuk është thjesht dashamirësisht, por keqdashësisht dhe në mënyrë korrozive i ndryshëm. Pavarësisht se si është kuptuar, si fe, popull, grup politik ose racë, hebreu gjithnjë ka qenë Fremdkoerper, trup i huaj në Gjermani (62)…” etj.

 

Bindjet antimuslimane/antiboshnjake serbomadhe dhe të Tugjmanit – shkaku kryesor i gjenocidit

Jo me dhjetëvjetësha, sikurse në rastin e hebrenjve gjermanë, por afërsisht dy qind vjet, prej Naçertanijes së Ilija Garashaninit (të hartuar në vitin 1844 dhe të miratuar si program politik i Serbisë së Madhe), Mein Kampfit serbomadh, fermentojnë dhe përhapin bindjet antimuslimane/antiboshnjake/antibosane të populli serb, bindje të cilat kanë përjetuar pikën kulmore pak para agresionit mbi shtetin amë të boshnjakëve me zellin fanatik të tërë estabilishmentit serbomadh: Kishës Ortodokse Serbe, Shoqatës së Shkrimtarëve Serbë në Beograd, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, universiteteve dhe mediave serbe …, e pastaj edhe organizatave politike serbe. Përmbledhtazi, këto bindje do të ishin:

1) Boshnjakët, sikurse edhe të gjithë muslimanët tjerë të Gadishullit Ballkanik, e kanë tradhtuar “fenë e stërgjyshërve”;

2) Boshnjakët janë turq dhe jo popull evropian;

3) Islami në Ballkan është përhapur me “zjarr dhe shpatë”;

4) Serbët pesë shekuj jetuan nën “zgjedhën” turke/muslimane”;

5) Islami nuk mund të krahasohet me kristianizmin dhe judaizmin, por vetëm me nazizmin dhe komunizmin;

6) Serbia është “porta e Evropës” dhe “diga” e saj nga fryma totalitare aziatike/turke;

7) Bosnja dhe Hercegovina janë dy krahina të Serbisë;

8) Boshnjakët janë “serbë të fesë islame”;

9) Nuk ekziston gjuha boshnjake, por është fjala për gjuhën serbe …

Shumë prej këtyre bindjeve i ka miratuar dhe i ka shpërndarë Franjo Tugjmani dhe rrethi kriminal rreth “Herceg-Bosnjës” (për fat të madh, jo edhe kardinali Franjo Kuhariq, një pjesë e konsiderueshme e Kishës Katolike Kroate dhe pjesa më e madhe e bashkësisë akademike kroate).

 

Sikur mos të ishin serbët dhe Franjo Tugjmani, nuk do të kishte gjenocid mbi muslimanët boshnjalkë

Dhe, sikur që Partia Nacional-Socialiste e Hitlerit, duke marrë pushtetin në vitin 1933, atëherë kur u krijuan kushtet ndërkombëtare për këtë, e filloi ndërmarrjen eliminuese të shfarosjes së hebrenjve, Partia Socialiste e Millosheviqit dhe DSD e Karaxhiqit ndërmarrjen e tillë eliminuese, në mënyrën thuajse të njëjtë, e madje edhe me metodat e njëjta, e filluan kundër muslimanizmit boshnjak dhe ballkanik si “trup të huaj” në Gadishullin Ballkanik, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Këtë ndërmarrje e zbatuan serbët dhe madje miliona serbë “të zakonshëm”, xhelatë të Millosheviqit dhe Karaxhiqit, të cilët, të përfshirë me bindjet antimuslimane, në mënyrë histerike qenë të gatshëm të marrin pjesë në të! Ta rikujtojmë vetëm shënimin e Betejës së Kosovës më 1389 në Gazimestan, referimin në turqit dhe shpallja e luftërave; bartjen e eshtrave të car Llazarit në organizim të Kishës Ortodokse Serbe; këndimin gusllar të ciklit epik kosovar dhe të “Kurorës së Maleve”, revitalizimin e Ivo Andriqit dhe opusit të tij letrar; referimin e Karaxhiqit në Kryengritjen e Parë Serbe dhe “përmbushja e tij”; kërcënimin e tij mbi zhdukjen e muslimanëve të Bosnjës dhe Hercegovinës të cilën e tha në Kuvend; krimet e Arkanit në Bijelinë (Natën e Kristaltë Serbomadhe) dhe urrejtjen kundër shqiptarëve; rrënimin e portave muslimane në Shkup; ndalesën për muslimanët që të lindin në spitalet “serbe”; klithjen e kryetarit të tanishëm të Serbisë, Vuçiqit, “Për një serb të vrarë do të vrasim njëqind muslimanë!”; tiradën e Krajishnikut “Do t’ju vrasim të gjithë juve derisa nuk pushoni të flisni për jetën e përbashkët” etj. – tërë kjo e ka formësuar Lebensweltin serb, mjedisin jetësor, ashtu që edhe boshnjakët mund të konstatojnë: sikur mos të ishin serbët (dhe Franjo Tugjmani dhe “Herceg-Bosnja”), nuk do të ishte as gjenocidi mbi ta, muslimanët e Gadishullit Ballkanik; sikur mos të ishte Lebenswelti evropian antimusliman, serbët, Franjo Tugjmani dhe “Herceg-Bosnja” nuk do ta fillonin këtë ndërmarrje eliminuese antimuslimane.

Lebenswelti nacistik dhe serbomadh

Sa i përket kësaj tezës së dytë, atë e provon jo vetëm fakti që Karaxhiqi nuk është gjykuar për vepra gjenocidale nga fillimi i vitit 1992, por edhe vdekja misterioze ose mënjanimi nga Sheveningeni i Sllobodan Millosheviqit (?!) posa ka kërkuar që në Gjykatë si dëshmitarë të vijnë “bashkëpjesëmarrësit e politikës së tij”, kryetarët dhe kryeministrat e qeverive nga Evropa dhe SHBA, largimi i dokumentacionit i cili e ngarkon Serbinë për pjesëmarrje në gjenocide mbi boshnjakët dhe kroatët (të cilën e ka kryer Carla del Ponte, prokuroria e Tribunalit të Hagës!) dhe burgosja e Florence Hartmann, procesmbajtëse nga Gjykata e Hagës, e cila pohon se ekziston marrëveshje ndërmjet gjykatësve të këtij tribunali dhe Beogradit zyrtar që Serbia mos të përndiqet penalisht për pjesëmarrje në gjenocid mbi popullin tonë. Pos Lebensweltit të ngjashëm, metodat serbomadhe dhe naziste gjithashtu janë të ngjashme. Krahas vrasjes joselektive të civilëve boshnjakë muslimanë, urisë, frikës, vrasjes së elitës fetare dhe politike, shuarjes së gjurmëve fetare dhe kulturore të qytetërimit muslimanë, bërja e mburojave të gjalla, dhunimi i grave, madje edhe vajzave… që e tëra hyjnë në veprimet e gjenocidit. Serbët, sikurse gjermanët, ndërtuan 400 kampe dhe vende ngujimi, në të cilat boshnjakët, si “racë e ulët”, si “lebrozë”, të vrarë e të shtypur me hiç më pak brutalitet dhe egërsi sesa hebrenjtë më sistemin e kampeve naziste përgjatë Evropës së mesme dhe lindore. Dallimi mund të jetë në dhomat e gazit, por vallë kallja e boshnjakëve të gjallë në Vishegrad ose në Kamen përskaj Gornje Sanicës a nuk është e njëjtë sikurse edhe kallja e hebrenjve në Auschwitz?!

Por, për hir të së vërtetës historike, ekzistojnë edhe dallimet ndërmjet ndërmarrjeve eliminuese naziste dhe serbomadhe. E para, nuk është vëllimi i viktimave i njëjtë i këtyre dy ndërmarrjeve, që duhet t’i bëhet falënderim rezistencës heroike të armatës sonë dhe ofensivës diplomatike të përfaqësuesve tanë të atëhershëm, diplomatikë dhe mediave botërore, sidomos CNN-it, por edhe, në raport me gjermanët, përqindjes shumë më të madhe të serbëve të cilët, si antifashistë të bindur, refuzuan bindjet serbomadhe, çetnike dhe, madje, u ngritën kundër fushatës serbomadhe dhe ekspeditës gjenocidale të bashkëqytetarëve të “vet”. Ne, boshnjakët, kurrë nuk do t’i harrojmë humanistët e sinqertë nga populli serb si Mihajlo Petrović (major në Armatën e Republikës së Bosnjë dhe Hercegovinës – u vra në Travnik në fillim të agresionit), Mirko Kovač, Vidosav Stevanović, Vladimir Srebrov, Gavro Grahovac, Bogdan Bogdanović, dr. Nikola Kovač, Tatjana dhe Dunja Mijatović, Miro Lazović, Miodrag Petrović Čkalja, familja Pavičević, Rajko Danilović, Vlasta Mijović, Gojko Berić, „Gratë në të zeza” (Žene u crnom)… dhe shumë të tjerë; populli serb nuk ishte në masë aq të madhe i përfshirë me bindjet antimuslimane sikur populli gjerman me bindjet antisemite, ashtu që përqindja e pjesëmarrësve serbë në gjenocid nuk është e barabartë me pjesëmarrjen masive gjermane në Holokaust!

Këtu ka edhe një dallim që shkon të dobi të nazistëve. Me fjalë tjera, ata, si serbët “e zakonshëm” të Karaxhiqit, nuk kanë punuar të a.q. varrezat sekondare – në mënyrë që ta fshehin gjenocidin e vet; varrezat sekondare janë shpikje tipike serbomadhe në shekullin XX!

Ndërsa dallimi më i madh ndërmjet këtyre dy ndërmarrjeve eliminuese është raporti i Perëndimit ndaj vepruesve të Holokaustit dhe vepruesve të gjenocidit ndaj boshnjakëve. Derisa Perëndimi politikisht dhe ushtarakisht e shkatërroi regjimin nazist, po ky Perëndim e ka shpërblyer regjimin serbomadh: Naçertanija nga qarqet kishtare, artistike dhe akademike ka hyrë në institucionet e sotme shtetërore të popullit serb! Derisa viktimat e mbijetuara të Holokaustit gjerman në pjesën dërrmuese e lëshuan hapësirën ku ndodhi ai, viktimat boshnjake të gjenocidit janë detyruar të jetojnë me rreth 20.000 xhelatët e vet në të njëjtën hapësirë ku ata kryen veprime gjenocidale!

Ç’të bëhet që mos të përsëritet gjenocidi mbi ne?

Nëse ky aktgjykim historik e ruan Republikën Serbe si “fëmijë” të xhelatëve të Karaxhiqit dhe dhuratë e Perëndimit për lëvizjes serbomadhe, boshnjakët – si edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës ndërkombëtarisht të pranuar – duhet të marrin përgjigje në pyetjen: Kur dhe si u krijua “Republika Serbe”? Ky autor dëshmon që rahmetli kryetari Izetbegoviq, menjëherë pas ardhjes nga Dejtoni, e vendosi nënshkrimin mbi këtë krijesë gjenocidale, pohoi se është shantazhuar nga ana e Kristopherit, Sekretarit të atëhershëm Shtetëror të administratës amerikane, i cili delegacionit tonë në mënyrë ultimative i është kërcënuar me fjalët: “Serbët po e pranojnë shtetin Bosnjë dhe Hercegovinën me kusht që ju ta pranoni Republikën Serbe! Nëse e bëni këtë, Amerika siguron se do të vijë deri te marrëveshja paqësore dhe se ajo do ta zbatojë atë, ndërsa nëse e refuzoni, kthehuni prapa në Bosnjë, luftoni dhjetë vitet e ardhshme dhe kush të bëhet fitues ushtarak, le të vijë të bisedojë me Amerikën!”

Mirëpo, kjo nuk është e vërteta e plotë mbi pranimin dhe njohjen e “Republikës Serbe” nga ana jonë. Të vërtetën mbi këtë sot e ruan vetëm Muhammed Shaqirbej, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Por, as administrata amerikane as përfaqësuesit politikë boshnjakë nuk i japin lejen Muhammed Shaqirbeut që gjatë jetës të kthehet në Sarajevë dhe të dëshmojë mbi atë se kush, kur dhe si e themeloi “Republika Serbskën”. Sipas njohurive tona, kjo sajesë gjenocidale është themeluar në Hotelin “Hilton” në Ankara, ku rahmetli Kryetarit ia servuan dy politikanë me qëllime të dyshimta: kryetari i atëhershëm turk Sulejman Demirel dhe i autorizuari i Clintonit për Ballkan, Richard Holbrook. Natyrisht, tërë kjo ka qenë ilegale, sepse askush jashtë procedurës parlamentare nuk ka të drejtë ta suspendojë kushtetutën e një shteti dhe ta sjellë në pyetje sovranitetin e tij territorial dhe politik.

Përveç kërkesës globale boshnjake/bosane që të abrogohet “Republika Serbe”, në terrenin vendor, boshnjakët do të duhej ta zhvillojnë tërë një program fetar-kulturor-politik në mënyrë që te populli serb (dhe popujt tjerë kristianë ballkanikë) të eliminohen ato bindje – shkaqet e gjenocidit mbi ata, në pajtim me porosinë nga Kur’ani ynë: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. (Të keqen) ktheje me mirësi, sepse atëherë armiku yt menjëherë do të bëhet mik i afërt. Mirëpo, këtë nuk e arrin kush, pos atyre të durueshmëve, dhe nuk e arrin kush, pos atyre me virtyt të lartë.” (Fussilet, 34-35)

E dyta, boshnjakët duhet ta refuzojnë nga vetja çdo frikë nga lufta. Argumentet për këtë janë si vijon: në këtë kontekst ndërkombëtar, lëvizja serbomadhe – e turpëruar para tërë botës! – nuk do të guxonte ta fillojë luftën kundër nesh (pasi që të gjitha luftërat tjera në territorin e Jugosllavisë i ka humbur, ndërsa as këtë në Bosnjë nuk e ka fituar), as potencialet e saj ushtarake nuk kanë qenë të atilla çfarë ishin në vitin 1992.

Por, dy faktorët më të rëndësishëm për shkak të të cilëve ky popull duhet ta abrogojë këtë sajesë gjenocidale me mjete politike është frika boshnjake nga përsëritja e gjenocidit mbi ta, frika nga e ardhmja nëse “Republika Serbe” vazhdon të ekzistojë e ne vazhdojmë të jetojmë në taifa, si banorë me qira në vendin tonë, në vendin e të parëve tanë dhe të shkapërderdhur në tërë botën.

Që të nisemi në këtë ndërmarrje historike, ne duhet ta vendosim vijën dhe t’u themi JO! dy politikave të cilat na kanë sjell në këtë gjendje: politikës komuniste/titoiste dhe politikës sonë defetiste kombëtare! E para, me mospranimin e identitetit nacional të popullit boshnjak dhe me ndalimin që të shënohen vendekzekutimet në të cilat mbi boshnjakët është kryer gjenocid gjatë Luftës së Dytë botërore, ka mundësuar kushtet në të cilat serbët do të kryejnë gjenocid mbi ne, ndërsa e dyta është se në vitin 1995 e ka ngrirë lëvizjen boshnjake për liri, e ka pasivizuar atë, ka lidhur pakt me titoizmin dhe me politikën e lëshimit pe e ka çimentuar Republikën Serbe.

Faktori i dytë që na shkon në dobi është opinioni ndërkombëtar, sidomos i Perëndimit, i cili, në shumicën dërrmuese, është në anën e viktimës, d.m.th. boshnjakëve të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky opinion, sektori joqeveritar i saj, partitë e shumta demokratike joislamofobike, artistët e shumtë, gazetarët, filozofët, sidomos ata me prejardhje hebraike, një nga një e kanë përkrahur luftën tonë – për “idenë e Bosnjës”, sipas së cilës njerëzit e feve dhe nacionaliteteve të ndryshme mund të jetojnë në paqe dhe prosperitet.

 

Përktheu nga gjuha boshnjake: ISN