` . Përcaktimi sasior i zbatimit të parimeve të drejtshkrimit të shqipes standarde - TV-SHENJA

Përcaktimi sasior i zbatimit të parimeve të drejtshkrimit të shqipes standarde

Parimi morfologjik (në fjalës të
fjalorit), përkundër llogarive të profesor Kostallarit, ka zbatim më të madh se
parimi fonetik, për aq fjalë sa ka fjalë me “ë” paratheksore të regjur, bashkë
me fjalët me bashkëtingëllore të zëshme fundore, të cilat shurdhohen.

Shkruan:
Haki YMERI – BINA, Shkup 

Prof.
Androkli Kostallari në referatin“Gjuha e sotme shqipe dhe disa probleme
themelore të drejtshkrimit të saj”
, lexuar në KDGJSH, që në fillim
përmend punën shumë të rëndësishme që e bënë gjeneratat e vjetra për ta
konstituuar një standard sa më të përshtatshëm për të gjithë shqiptarët. Në
këtë punë vend të veçantë profesori i jep vendimeve të Komisisë Letrare, me të cilat u bë një afrim i dukshëm i të dy
varianteve letrare në shkrim, të cilat pasi u miratuan nga Kongresi Arsimor i
Lushnjës më 1920, u bënë bazë e drejtshkrimit të shqipes në vitet 1920-1940.
Ata krijuan një traditë të qëndrueshme për disa ortograme të rëndësishme, të
cilat zunë vend edhe në drejtshkrimin e sotëm. Por, me gjithë afrimin që kishin
ato variante letrare, sipas Komisioni nuk sanksionoi një, por dy variante drejtshkrimi.
Detyra për të krijuar një gjuhë letrare të njësuar të një drejtshkrimi të vetëm,
shton profesori, i mbeti epokës sonë.

Profesor
Androkliu në vitin 1967 udhëhoqi komisionin për përpilimin e “Rregullave të drejtshkrimit
të gjuhës shqipe”, pesë vjet para fillimit të Kongresit të drejtshkrimit të
gjuhës shqipe (KDGJSH-së) në bashkëpunim me profesorët: Eqrem Çabej, Mahir Domi
dhe me Emil Lafen, si asistent të grupit punues.

Puna e
tyre u kurorëzua me një projekt për t’u diskutuar nga kuadri mësimor në
praktikë 5 vjet me radhë, si ndihmë për pjesëmarrësit e Kongresit që do të
mbahej në vitin 1972. Një punë e mirë lidhur me materialin e botuar në një
tekst prej 206 faqesh me shkronja të imëta, një material që i ndihmoi të gjithë
ata që bënë referate lidhur me çështjen fonetike, gramatikore dhe
drejtshkrimore të shqipes, mirëpo jo edhe ata pjesëmarrës që u rrekën të
shkruajnë për PARIMET E DREJTSHKRIMIT. Këta mbetën pa material, në të cilin
duhej mbështetur, përveç katër rregullave të thata, prandaj një pjesë e këtyre
studiuesve, me të drejtë, nuk arritën të thonë atë që duhej thënë, një punë, e
cila nuk i ndihmoi më vonë edhe autorët e Fonetikave të gjuhës së sotme shqipe.

I pari nga
këta që do të shkruante për parimet e drejtshkrimit të shqipes standarde ishte
profesor Androkli Kostallari. Ky në referatin e tij 48 faqesh, “Gjuha
e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj
”,
20 faqet e fundit ua kushtoi parimeve të drejtshkrimit. Ajo që bie në sy në
punimin e profesor Androkli Kostallarit është tentimi i tij për ta përcaktuar,
përveç tjerash, edhe sasinë e zbatimit (në përqindje) të parimeve të
drejtshkrimit të gjuhës standarde shqipe, ku do të shihej sheshit, vallë parimi
fonetik i drejtshkrimit të shqipes standarde është mbizotërues dhe themelor,
krahasuar me parimin morfologjik, pyetjes e cila kërkonte edhe një përgjigje.
Për t`i dhënë fund kësaj dileme, profesor Androkliu eksperimentoi me të dhëna
sasiore të parimeve të zbatuara në fjalët e fjalësit të“Fjalorit të gjuhës
shqipe” të vitit 1954, për të zgjidhur këtë çështje shumë të ndërlikuar, si ç`ishte
veçanërisht në atë kohë, po pse jo edhe tani: ç’është çështja e zgjedhjes së raportit
të zbatueshmërisë së parimeve të drejtshkrimit të gjuhës sonë? “Cilin parim duhet
të zgjedhim, nga duhet të nisemi?, pyeste profesori, duke pasur parasysh se
drejtshkrimi lidhet si me anën tingëllore, ashtu edhe me anën kuptimore të
fjalës. Për t`i dhënë përgjigje pyetjes që parashtroi, ai vendosi që përgjigjen
e kësaj pyetjeje ta mbështesë në dy kushte:

a) “së pari,
të shihet se cila është “pesha specifike” e shkrimeve sipas këtij ose atij parimi
në tërësinë e leksikut të shqipes së sotme?”;

b) “së dyti,
të mirret parasysh se cili parim zbatohet në rastet kur zgjedhja paraqitet me
dy a më shumë mundësi, pra të shihet rrjedhimi i ndeshjes së dy a më shumë parimeve”.
Profesori aludon në parimin fonetik dhe morfologjik, por edhe për më shumë
mundësi zbatimi, si rrjedhim ndeshjes, siç thotë ai, të dy a më tepër parimeve.
Prandaj, ai i analizon fjalët e fjalësit të “Fjalorit të gjuhës shqipe“ të
vitit 1954 me 23.266 fjalë, duke nxjerrë një pasqyrë fjalësh të ndara në: shkrime
fonetike
dhe shkrime “jo fonetike”. Këtë që e
thotë e konkretizon me një pasqyrë fjalësh nga fjalësi me: emra, mbiemra,
përemra, folje, ndajfolje, lidhëse, parafjalë, pasthirrma, pjesëza dhe fjalë të
palakueshme. Pas një analize veçon dy nënbashkësi fjalësh: “a) 17.847
ose 76,7% fjalë që shkruhen plotësisht sipas parimit fonetik, dhe b) 4.256 ose
23,3% fjalë që shkruhen jo plotësisht sipas parimit fonetik
. Kjo dikotomi
e fjalëve në “plotësisht fonetike” dhe “jo plotësisht fonetike” (???), me terminologji
jo bash adekuate për këtë kohë, e errëson punën edhe më tepër, kur dihet se
bëhet fjalë për parimin fonetik, morfologjik dhe tradicional, duke i abstraguar
parimet e tjera të drejtshkrimit, le të themi, të dorës së dytë. Me këso llogari
dhe analiza profesori vjen në përfundim se 17.847 ose 76,7% e fjalëve të
fjalësit shkruhen plotësisht sipas
parimit fonetik, ndërsa në 5 419 ose 23,2% fjalë shkruhen jo plotësisht sipas parimit fonetik, por që pjesërisht mund të
lejojnë edhe interpretimin si ortograme fonetike.

Parimi
drejtshkrimor që
zbatohet
Emra Mbiemra Përemra Numërorë Folje Ndajfolje Parafjalë Lidhëza Pasthirrma Pjesëza Fjalë
të palakueshme
Gjithsej Përqindja
Fjalë që shkruhen plotësisht sipas
parimit fonetik
10458 2765 71 4 3333 990 41 68 50 10 57  17847 76,7%
Fjalë që shkruhen jo plotësisht sipas
parimit fonetik, por që pjesërisht mund të lejojnë edhe interpretimin si
ortograme fonetike
4256 723 17 27 173 193 7 11 2 1 9  5419 23,2%

Këto të
thëna të këtilla është rëndë të kuptohen. Referuesit e tjerë që lexuan për
parimet e drejtshkrimit në seancat e Kongresit përdorën terminologji të saktë
lidhur me parimet e drejtshkrimit. Mirë që Profesori mori fjalë vetëm nga
fjalësi i fjalorit, e jo edhe nga format e tyre flektive, atëherë do të kishte hasur
në probleme edhe më të mëdha, të cilat nuk besoj se ndokush atëherë, po edhe
tani, do t’i kishte tejkaluar. Edhe kështu si është trajtuar problemi i
parashtruar në 20 faqet e fundit të referatit shihet se është ballafaquar me
mjaft probleme.

Në grupin e I të fjalëve në f. 56 profesori përfshinë fjalët në të cilat janë
zbatuar parimi fonetik dhe parimi morfologjik, d.m.th. parimi fonomorfologjik, përfshi këtu vetëm numërorët dyzet, tre, katër, e jo edhe numra të
tjerë, si numrat: një, dy, njëzet, … dhe të tjerë që mbarojnë me këta numra. Në këtë grup bën përjashtim fjala “epror” (e fonetizuar, me thyerje të
parimit morfologjik në fjalëformim – me rrënjën e saj “i epërm”) dhe fjala
“shullë” (
në të cilën kemi zbatim të parimit morfologjik dhe tradicional),
prandaj ajo, si e tillë, duhet të përfshihet në grupin e dytë.

Sipas meje
në fjalët e grupit të parë, normalisht vetëm ato të paraqiturat në faqen 56 të
KDGJSH-së, është zbatuar parimi fonetik në kombinim me parimin morfologjik. Aty
nuk janë përfshirë pjesët e pandryshueshme të ligjëratës: parafjalët, lidhëzat,
pjesëzat, po edhe pasthirrmat, në të cilat s`ka si zbatohet ndonjë parim tjetër,
përveç parimit fonetik dhe parimit morfologjik.

Në grupin
II Profesori i përfshinë të gjitha fjalët, në të cilat kemi zbatim të parimit
morfologjik në kombinim me parimin tradicional, fjalë që sipas profesorit
“shkruhen jo plotësisht sipas parimit fonetik, por që pjesërisht mund të
lejojnë edhe interpretim si ortograme fonetike”.

a) Këtu bëjnë
pjesë “fjalët me “ë” paratheksore dhe
me “ë” fundore, të shqiptueshme me
shkallë të madhe reduktimi, si p.sh. mir(ë)si, njer(ë)zim,
ndërmjet(ë)sim,…ose ar(ë), banes(ë), blet(ë), flet(ë)…; dhe

b) fjalë
me bashkëtingëllore fundore të zëshme që mund t`i nënshtrohen shurdhimit, si
breg (brek), shteg (shtek), djeg (djek), tund (tunt), njëqind (njëqint), brez (bress),
rogoz (rogos)…”.

Kështu si
janë paraqitur shembujt, nuk mund ta kuptoj se vallë janë në përputhje me
përkufizimet e dhëna të profesorit në faqen vijuese 57 të referatit të tij për
parimin fonetik dhe atij morfologjik, ku thotë:Këtu e gjejmë të arsyeshme të sqarojmë se me “parim fonetik” ne kuptojmë
atë parim, sipas të cilit fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme shkruhen ashtu
si shqiptohen, dhe nga ana tjetër, parimi tjetër-morfologjik,kërkon fjalët dhe
pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen
njësoj”.
Në këto fjalë të fjalësit, të të dy grupeve, kemi zbatim të
parimit morfologjik, përgjithësisht. Përkundër kësaj, vetëm në një pjesë të
këtyre fjalëve zbatohet edhe parimi fonetik (në grupin e parë), ndërsa në grupin
tjetër (në fjalë me “ë” paratheksore e me “ë” fundore të regjur, bashkë me
fjalët me bashkëtingëllore të zëshme fundore, të cilat shurdhohen, që do të
thotë se nuk lexohen ashtu siç janë shkruar, zbatohet edhe parimi tradicional. Prandaj
aty zbatohet, përveç parimit morfologjik edhe parimi tradicional i
drejtshkrimit. Kështu në pjesën e parë të fjalëve kemi zbatim të parimit
morfologjik me parimin fonetik (fjalë që lexohen ashtu si shkruhen), ndërsa në
pjesën e dytë të fjalëve kemi zbatim të parimit morfologjik me parimin
tradicional. Në këto fjalë nuk kemi përputhje të shkrimit me shqiptimin (ose
leximin). Kjo do të thotë se duhet marrë parasysh se cilat dy mundësi i kemi në
përcaktimin e zbatimit të dy parimeve. Vetëm parimi morfologjik zbatohet (i
kombinuar) me parimin fonetik (atëherë kur kemi përputhje të shkrimit me
shqiptimin të fjalës) dhe me parimin tradicional (atëherë kur nuk kemi
përputhje të shkrimit me shqiptimin, respektivisht kur shqiptimi largohet nga
shkrimi i fiksuar).

Nga kjo
mund të përfundojmë se parimi morfologjik (në fjalës të fjalorit), përkundër
llogarive të profesor Kostallarit, ka zbatim më të madh se parimi fonetik, për
aq fjalë sa ka fjalë me “ë” paratheksore të regjur, bashkë me fjalët me
bashkëtingëllore të zëshme fundore, të cilat shurdhohen.

Se llogaria
e profesor Androkli Koastallarit nuk është e saktë flet vetë fakti se parimi
morfologjik ngadhënjen ndaj parimit fonetik në fjalë të fjalësit të cilitdo
fjalor të gjuhës shqipe, sepse parimi morfologjik zbatohet edhe me parimin
fonetik, edhe me parimin tradicional, ndërsa parimi fonetik zbatohet krahas
parimit morfologjik, por assesi me parimin tradicional. Ky fakt vlen vetëm për
fjalësit e fjalorëve, e assesi për format e flektive. Kjo i bie ndesh asaj që
konstatoi profesor Androkli Kostallari lidhur zbatimin e parimit fonetik në
76,7% ndaj 23,3% të parimit morfologjik në fjalët e fjalësit të fjalorit të shqipes
të vitit 1954.

Në trajtë të
shquar të emrave (vajza, molla, pula…bregu, shtegu, vendi…) kemi zbatim të kombinuar
të parimit fonetik me parimin morfologjik, sepse këto lexohen ashtu si shkruan,
mirëpo jo edhe në format e tyre në trajtë të pashquar: vajzë, mollë,
pulë…breg, shteg, vend, meqenëse këto fjalë i lexojmë si va:jz, pu:l, brek,
shtek, vent, dmth. ndryshe se ç’shkruhen, që do të thotë se janë fjalë të
motivuara nga tradita, që do të thotë se në to zbatohen parimi morfologjik me
parimin tradicional. Të gjitha fjalët duhet parë, jo vetëm si shkruhen, po edhe
si shqiptohen. Prandaj pa bërë një kodifikim institucional të drejtshqiptimit
kërkesa e përcaktimit të një kufiri të zbatimit të parimeve drejtshkrimore me
përqindje të sakta të fjalëve (me formë të lakuar dhe të palakuar) ngjason pak
me iluzion, por, megjithatë, edhe këto përqindje të këtilla, sado pak, flasin për
një realitet të standardit të gjuhës shqipe.

Përqindjet,
edhe emërtimet e dhëna (“shkrime fonetike
dhe shkrime “jo fonetike”) lidhur me
përcaktimin e sasisë së zbatimit të parimeve drejtshkrimore në referatin e
profesor Androkli Kostallarit nuk mund të merren pa prova.

* Për shkak të natyrë së revistës, poshtëshënimet janë
hequr.