` . Përafrimi i shteteve të Gadishullit Arabik - TV SHENJA

Përafrimi i shteteve të Gadishullit Arabik

Marrëveshja e tanishme pa dyshim që i hap rrugë rikthimit të raporteve ndërmjet Turqisë dhe Arabisë Saudite, të cilat viteve të fundit kishin kaluar një periudhë të turbullt. Me rivendosjen e raporteve të Arabisë Saudite me Katarin, në të ardhmen, Turqia mund të ndërtojë raporte me Rijadin zyrtar pa e dëmtuar aleancën me Katarin!

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Në këtë fillimvit komuniteti ndërkombëtar u bë dëshmi e ç’tensionimit të marrëdhënieve – me ndërmjetësim të Shtetit të Kuvajtit – ndërmjet vendeve të Gadishullit Arabik, Katarit, në njërën anë, dhe Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Bahrejnit, por edhe Egjiptit, në anën tjetër. Kjo marrëveshje vjen në një kohë kur Pranvera Arabe ka kaluar një dekadë nga luftërat, gjakderdhjet dhe terroret.

Në të vërtetë, kjo ishte një krizë e cila daton që nga qershori i vitit 2017, atëherë kur shtetet e lartpërmendura, njëzëri, vendosën që t’i ndërpresin marrëdhëniet diplomatike konsullore, politike dhe ekonomike me shtetin e Katarit, ndërsa përveç kësaj, Katari iu nënshtrua një bllokade tokësore, ajrore dhe detare. Me gjithë faktin që paragrafët e marrëveshjes nuk janë bërë publikë, izolimi shënoi fundin gjatë zhvillimit të punimeve të samitit të 41-të të Këshillit të Shteteve të Gjirit (GCC), realizuar më 4 dhe 5 janar të këtij viti në qytetin El-Oula të Arabisë Saudite. Ndonëse ky samit përfundoi me epilog të kënaqshëm, nuk mund të supozohet që ndasitë për çështjet rajonale ndërmjet vendeve të Gjirit dhe Katarit do të zgjidhen plotësisht në një periudhë të shpejtë kohore!

Por, pavarësisht kësaj, bllokada nuk arriti të gjejë ndonjë mbështetje të rëndësishme rajonale e ndërkombëtare për izolimin politik dhe ekonomik të Katarit, kjo ngase krijimi i rrjeteve të reja të logjistikës dhe të furnizimit, sidomos përmes zgjerimit të marrëdhënieve me Turqinë dhe rrugëve ajrore alternative, s’do mend se e rriti rezistencën e Katarit ndaj bllokadës arabe. (Washington post).

Bllokada dështoi: Katari, i cili korr të ardhura të mëdha nga shitja e gazit natyror, ka mbijetuar, madje ka prosperuar ekonomikisht. Marrëdhëniet e tij me Uashingtonin mbeten të paprekura, kurse në vitin 2018 Presidenti Trump e falënderoi Emirin e Katarit, Temim Al-Thani, për përpjekjet “për të luftuar terrorizmin në të gjitha format e tij”. Uashingtoni ishte, gjithashtu, mirënjohës ndaj Dohës për pritjen e një misioni të Talibanëve, duke bërë të mundur lehtësimin e bisedimeve për paqe në Afganistan. (The Washington Institute for Near East Policy).

Që në fillim të krizës, duke pasur të njohur se kjo krizë mund të zgjidhet vetëm përmes miratimit saudit, Katari shmangu akuzat kundrejt udhëheqësisë saudiane, madje po ashtu vazhdoi të furnizojë më gaz EBA-n, duke ia bërë më dije që nuk është i interesuar t’i prishë marrëdhëniet deri në atë shkallë të pariparueshme, vë në dukje Instituti i Dohas për Konfliktet dhe Studimet Humanitare. Në këtë rast Doha zyrtare refuzoi të ndjekë “hakmarrjen ekuivalente”, pra atë që fusha e diplomacisë e quan betejë tit-for tat!

Në vend të kësaj, Katari ndoqi rrugët legale për të paditur në gjykatat ndërkombëtare palën tjetër për çështjet e drejtave të njeriut, hapësirës ajrore etj.. Si rrjedhojë, vitin e kaluar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbështeti ankesën e Katarit në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil se vendet bllokuese po i shkelnin konventat në fluturimet e pasagjerëve. Me gjasë, palët konfliktuoze në këtë krizë janë zotuar që, përveç përfundimit të bllokimit të rrugëve ajrore, tokësore e detare, Katari do të ndalojë veprimet ligjore kundër fqinjëve të tij në institucionet ndërkombëtare, veçanërisht mbi kufizimet në transitin ajror, ndërsa të dyja palët do t’i ndalojnë fushatat mediatike kundër tjetrës.(The Hill).

Sesa peshë të rëndësishme u është kushtuar raporteve kataro-saudiane dhe anashkalimit të EBA-s, tregon fakti që në nëntor të vitit të kaluar (2020), ambasadori i EBA-s në SHBA, Jusuf el Uteiba, theksoi se “normalizimi nuk është në listën prioritare të askujt”!? Duket se diplomacia Emirateve nuk e kishte pritur një hap të tillë të normalizimit! Nuk duhet lënë pa përmendur që Rijadi dhe Doha zyrtare viteve të kaluara, paraprakisht, kishin bërë përpjekje për uljen e tensioneve!

Befasi nga kjo krizë jep edhe përshtypja se ajo filloi disa muaj pas inaugurimit të Presidentit Trump, ndërsa u zhbllokua disa javë para se ai të largohet nga Shtëpia e Bardhë dhe inaugurimit të Presidentit të sapozgjedhur Joe Biden!

Autori i librit të botuar nga Oxford University Press “Qatar and Gulf Crisis” (Katari dhe Kriza e Gjirit), Kristian C. Ulrichsen, pohon që entuziazmi fillestar i Trump-it për bllokadën nuk u nda nga diplomatët amerikanë ose udhëheqësit ushtarakë, të cilët tërhoqën vëmendjen për rëndësinë e Katarit si një partner strategjik. Për dallim nga ish presidenti Trump, Joe Biden-i, gjatë fushatës elektorale, kishte lëshuar kritika drejt diplomacisë saudiane.

Ai në tetor të vitit të kaluar theksoi se nëse zgjidhet, administrata e tij do t’i rivlerësojë marrëdhëniet me Arabinë Saudite, duke ia vënë përgjegjësinë udhëheqjes saudite. Biden-i pritej, gjithashtu, të detyronte palët e përfshira që ta zgjidhnin krizën e Gjirit, pasi ta merrte pushtetin. Andaj, ka mundësi që Arabia Saudite ta kishte shpejtuar procesin e pajtimit për të fituar një qëndrim zbutës para syve të administratës së re amerikane! (Aljazeera)

Zbutja e tensioneve ishte e mirëpritur edhe për Ankaranë. Atëbotë (2017) njëra ndër pikat e kërkuar nga vendet bllokuese drejtuar Katarit ishte që kjo e fundit – “të ndërpresë marrëdhëniet ushtarake me Turqinë!”. Turqia, tashmë, prej disa vitesh ka të ngritur një bazë ushtarake në Katar, e cila mban emrin e komandantit dhe luftarakut të njohur të historisë së Islamit Halid bin Velid, dhe ka të pozicionuar disa mijëra ushtarë atje për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon!

Marrëveshja e tanishme pa dyshim që i hap rrugë rikthimit të raporteve ndërmjet Turqisë dhe Arabisë Saudite, të cilat viteve të fundit kishin kaluar një periudhë të turbullt. Me rivendosjen e raporteve të Arabisë Saudite me Katarin, në të ardhmen, Turqia mund të ndërtojë raporte me Rijadin zyrtar pa dëmtuar aleancën me Katarin! Pa dyshim që kjo zmadhon e rrit influencën e Turqisë në Gadishullin Arabik dhe mundëson rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Emiratet Arabe duhet të ishin më të pakënaqurit nga arritja e një marrëveshje të atillë, kjo duke marrë parasysh që tashmë ky shtet viteve të fundit me Katarin jo vetëm që ka rivalitet mbi panoramën politike të Lindjes së Mesme, por e konsideron atë edhe si oponent ideologjik! Ndonëse deri te shkrirja e plotë e tensioneve do të mbetet të shihet në periudhën e ardhshme, megjithatë kjo marrëveshje shënon një pikë kthese në raportet ndërmjet Katarit dhe Arabisë Saudite si dy shtete të rëndësishme jo vetëm në Gadishullin Arabik, por edhe të gjeografinë së botës islame!