Për Portugalinë çështja me Bullgarinë është e mbyllur, Lisbona do t’i japë mbështetje të plotë në negociatat Maqedonisë së Veriut

Për Portugalinë çështja me Bullgarinë është e mbyllur, Lisbona do t’i japë mbështetje të plotë në negociatat Maqedonisë së Veriut

Portugalia do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë politike dhe teknike për Maqedoninë e Veriut në të gjithë procesin integrues evropian të vendit dhe nuk pret bllokada të mëtejshme bilaterale nga Bullgaria gjatë negociatave me BE-në, këtë porosi dje e bëri nga Shkupi shefi i diplomacisë portugeze Zhoao Gomes Kravinjo. Për të, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është thelbësor jo vetëm për vendin dhe rajonin, por edhe për vetë BE-në.

Gomes Kravinjo nuk pret që gjatë negociatave të vendit me BE-në të ketë sërish bllokadë dypalëshe nga Bullgaria, që për të është çështje e mbyllur. Në përgjigje të pyetjes së gazetarve në çka është përmirësuar propozimi portugez, ai vlerësoi se “në politikë nuk synohet të arrihet gjithçka, por ajo që është e mundur”.

“Kemi bërë shumë përpjekje gjatë presidencës sonë për të bërë një propozim që donim të pranohej. Çfarë e bën më të mirë propozimin francez? Në politikë nuk synohet të arrihet gjithçka, por ajo që është e mundur. Nëse shikoni përtej horizontit, dhe nuk përqendroheni vetëm në ngjarjet aktuale. Për këtë arsye i jap meritë lidershipit të vendit tuaj për tejkalimin e vështirësive dhe për ta çuar përpara procesin. Është bërë një hap shumë i rëndësishëm përpara. Ne besojmë se marrëveshja e arritur është një marrëveshje që mundëson fillimin e procesit të skriningut i cili është mjaft intensiv dhe teknikisht i ka dy faza. E para është skrining shpjegues, KE i shpjegon fazat ose aspektet e ndryshme të legjislacionit, pastaj e ndjek shqyrtimin dypalësh kur përcaktohen boshllëqet në kornizën legjislative të Maqedonisë së Veriut”, thotë Gomes Kravinjo.

Do të thotë, shtoi Gomes Kavinjo, fillon ky proces i skriningut, ndërsa më pas do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare menjëherë sapo të përfundojë skriningu dhe sapo të përmbyllen ndryshimet kushtetuese.

Ai vlerësoi se të gjitha vendet kanë momente të vështira gjatë negociatave, por, tha edhe në rastin e Maqedonisë së Veriut nuk sheh arsye se ka bllokada bilaterale.

“Mendoj se është thelbësore në marrëdhëniet ndërkombëtare, në politikën ndërkombëtare, t’i besohet fjalës së dhënë për nënshkrimin e dhënë për angazhimin e ndërmarrë. Çështja dypalëshe që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria po diskutojnë më intensivisht ka përfunduar. Ka një përfundim, përfundimi i asaj çështjeje është shënuar nga konferenca ndërqeveritare e 19 korrikut. Nuk pres që kjo çështje të ngrihet sërish. Nuk shoh asnjë arsye pse të ngrihet e njëjta pyetje. Siç thashë, besoj kur partnerët tanë, kolegët, vendet e tjera dhe kur japin fjalën, kur nënshkruajnë një dokument, do ta përmbushin. Kështu funksionojmë brenda BE-së sepse brenda BE-së bashkëpunojmë intensivisht me njëri-tjetrin, por edhe me vendet kandidate për një sërë çështjesh. Nëse bllokadat fillojnë pavarësisht se çfarë është rënë dakord, i gjithë funksionimi do të paralizohet”, theksoi Gomes Kravinjo.

Ai e përgëzoi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për, siç tha, ngjarjen historike që ndodhi më 19 korrik dhe më pas e përsëriti se gjatë presidencës portugeze me BE-në kanë bërë shumë përpjekje që të krijohen kushte që të arrihet deri tek ky moment, megjithatë gjatë kryesimit të tyre kjo nuk ka qenë e mundur, por më vonë me elemente të propozimit tonë kanë arritur deri tek ky moment historik.

Gomes Kravinjo potencoi se edhe Portugalia edhe Maqedonia e Veriut gjatë muajve të ardhshëm duhet të koncentrohen në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale, të cilat, thotë, në kuptimin politik janë të shkëlqyera, por duhet të përforcohen edhe kontaktet midis qytetarëve, bashkëpunimi ekonomik si edhe bashkëpunimi në sferën e arsimit.

Osmani nga ana tjetër shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme portugeze në rrugën tonë evropiane, duke potencuar se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar në detyrat ereformuese që duhet t’i përmbushin gjatë negociatave dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinje si investim në rrugën tonë evropiane.

“Vizita vjen në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Zhgënjimet, pengesat dhe bllokadat shumëvjeçare i shndërruam në një sfidë shtesë të cilat na mundësuan që përmes argumenteve, këmbënguljes dhe besimit në marrëdhëniet e mira fqinjësore, të vijmë deri te zgjidhja për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Sinqerisht, besoj se ky proces do t’i stimulojë dhe mobilizojë më tej të gjithë aktorët në vend, që bashkërisht të punojnë me përkushtim ndaj dosjes sonë reformuese, duke pasur parasysh se integrimi evropian është një element koheziv thelbësor i shoqërisë sonë. U pajtuam që hapja e negociatave për anëtarësim do të sjellë përfitime të shumëfishta – për Maqedoninë e Veriut, për rajonin, por edhe për kredibilitetin e BE-së në drejtim të përfundimit të procesit të bashkimit të Evropës”, tha Osmani.

Ministrat biseduan edhe për mbështetjen e ndërsjellë në organizatat multilaterale, ndërsa u shkëmbyen mendime edhe për çështjet aktuale ndërkombëtare, me theks për situatën në Ukrainë.

Mundësitë për avancim të marrëdhënieve bilaterale të të dy vendeve, në kontekst të procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, avancimi i kornizës juridike dhe përforcimi i bashkëpunimit ekonomik, si dhe pritja se bashkëpunimi në mbrojtje do të intensifikohet plotësisht në suaza të NATO-s, ishin tema të takimit të presidentit Stevo Pendarovski dhe ministrit portugez të Punëve të Jashtme, Zhoao Gomez Kravinjo, i cili po qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut,

Gjatë bisedës, presidenti Pendarovski, siç kumtoi kabineti i tij, shprehi falënderim për mbështetjen e fuqishme nga Portugalia në përmbushjen e agjendës sonë evropiane dhe theksoi se me mbajtjen e kohëmëparshme të Konferencës ndërqeveritare në Bruksel shënohet kapitull i ri i procesit eurointegrues që është me rëndësi të madhe për Maqedoninë e Veriut.

Në atë kontekst, presidenti Pendarovski theksoi se vendi po përgatitet intensivisht për procesin e skriningut, i cili fillon në shtator dhe pritet të japë pasqyrë për gatishmërinë dhe harmonizimin e legjislaturës së vendit me atë evropiane.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se hapja e negociatave inkuadruese të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është me rëndësi thelbësore në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë dhe përballjen me ndikimet nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

Ndërsa, kryeministri Dimitar Kovaçevski në takim, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, kryeministri Kovaçevski dhe ministri Kravinjo edhe një herë e konfirmuan bashkëpunimin e suksesshëm dypalësh ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Portugalisë dhe biseduan për mundësitë për intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh dhe shumëpalësh, në kontekst të krizës ekzistuese ekonomike dhe energjitike me të cilën po përballet bota.

Shefi i diplomacisë portugeze shprehu përgëzime të sinqerta për hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE, duke theksuar se për këtë vendim nevojiteshin edhe guxim politik edhe shtetëror.

Kravinjo në këtë rast e informoi kryeministrin Kovaçevskin se Portugalia është e gatshme të ofrojë mbështetje politike dhe teknike, në vazhdimësi gjatë gjithë procesit të integrimit evropian.

Portugalia është vend i cili absolutisht dhe padyshim na mbështet në rrugën evropiane, që nga fillimi. Para nesh janë shumë sfida, të sigurisë, energjetike dhe ekonomike, por edhe çdo krizë tjetër të cilën tani kemi mundësi ta zgjidhim me partnerët tanë në Union. Për këtë është me rëndësi që Maqedonia e Veriut fuqishëm të ecë në rrugën evropiane, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq pas takimit me shefin e diplomacisë portugeze, Zhoao Gomes Kravinjo, i cili është për vizitë në vend.

Mariçiq dhe Kravinjo biseduan për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe sfidat të cilat e presin vendin në periudhën e ardhshme.

Siç bëri të ditur SÇE, bashkëbiseduesit kanë qëndrim të njëjtë se më 19 korrik u bë hapi historik në procesin tonë të integrimeve evropiane, me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare dhe fillimin e procesit të skriningut, që është me rëndësi të madhe edhe për ne dhe për rajonin.

“Në periudhën e ardhshme, ne mbetemi të përkushtuar për të mbajtur një portofol pozitiv – siç konfirmohet në raportet e fundit të KE-së për vendet, por edhe në renditjet ndërkombëtare si GREKO, Fridom Haus, Transparensi Interneshënëll e të tjera”, tha Mariçiq, duke shtuar se niveli i transpozimit të ligjit të BE-së tani është 45 për qind.

“Ne do të drejtojmë përpjekjet tona për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të negociatave në të gjitha aspektet e tij përmes rishikimit të strukturës së negociatave, gjetjes së një modeli për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proces, do të rrisim më tej kapacitetet tona për përkthimin e ligjeve të BE-së në gjuhën maqedonase në periudhën e ardhshme – duke përfshirë edhe rishikimin gjuhësor, profesional dhe juridik dhe verifikimin e akteve të përkthyera të BE-së, si dhe krijimin e mekanizmave për komunikim transparent dhe në kohë me qytetarët tanë”, theksoi Mariçiq.

Në takim, Mariçic dhe Kravinjo diskutuan për promovimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në procesin e anëtarësimit, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira nga Portugalia në procesin e zhvillimit të negociatave, dhe u konfirmua se Portugalia mbetet një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE-së.

Kjo është vizita e parë zyrtare në vend e ministrit të Punëve të Jashtme të Portugalisë, Zhoao Gomes Kravinjo, gjatë së cilës ka takuar edhe homologun e tij Osmani, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski.

Interpretimet e ndryshme historike nuk duhet t’i vëmë nën gjuhë të urrejtjes. Nën gjuhën e urrejtjes, legjislacioni jonë e përcakton qartë se çfarë është nënçmimi për shkak të karakteristikave të një personi ose përkatësisë në një grup. Dhe mendoj se nëse e zgjerojmë këtë në interpretime historike, atëherë mendoj se po hapim një fushë pikërisht për rreziqe të tilla për të cilat po flasim, që gjuha e urrejtjes do të interpretohet në fushën e punës së Komisionit historik, deklaroi sot shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, në përgjigje të pyetjes së gazetareve pas takimit me kolegun e tij portugez Zhoao Gomes Kravinjo.

“Gjuha e urrejtjes nuk lidhet me punën e Komisionit historik, por me mënyrën sesi qeveritë duhet të hapin mundësinë për marrëdhënie më të mira mes qytetarëve, mes bizneseve mes dy vendeve. Është e qartë se ne kemi hyrë në një trend negativ të marrëdhënieve në të cilat zgjedhim fjalë më të ashpra për tjetrin, duke fyer qytetarët dhe shtetet nga njëra anë dhe nga tjetra. Ne duhet t’i japim fund një tendence të tillë nëse duam të jemi miq dhe aleatë në BE. Nuk kemi interes të jemi në trend negativ të marrëdhënieve dhe të gjuhës me Republikën e Bullgarisë”, tha Osmani.

Sipas tij, ky protokoll, kjo marrëveshje është nënshkruar me mirëbesim dhe prandaj dispozitat në pjesën e monitorimit të gjuhës së urrejtjes duhet të shikohen nga ky aspekt.

“Gjuha e urrejtjes duhet të monitorohet edhe në Republikën e Bullgarisë. E dini se ka pasur raste kur pas tragjedisë së djegies së autobusit ka pasur shtetas bullgar që ka fyer të vdekurit në autobus, Qeveria bullgare ka reaguar menjëherë dhe ka arrestuar shtetasin. Pra, po flasim për atë lloj gjuhe të urrejtjes për të mbyllur atë rreth toksik të marrëdhënieve në të cilat kemi hyrë dhe për të hapur kapitull të ri të miqësisë”, tha Osmani.

Në pyetjen se a ka pasur takim me anëtarët e Komisionit historik maqedonas në lidhje me Protokollin, Osmani tha se është takuar me ta gjatë negociatave për Protokollin dhe disa nga komentet e tyre janë përfshirë në fazën finale të vetë protokollit.

“Në ditët në vijim planifikoj që nga nesër të takohem me të gjithë Komisionin, me të cilin do të bisedojmë për hapat e mëtejshëm”, njofton Osmani.

Në lidhje me paralajmërimet për referendum nga opozita VMRO-DPMNE, Osmani tha se nuk sheh arsye për referendum.

“Nëse çështja e referendumit nuk është nëse jeni kundër BE-së me gjuhën maqedonase në të – nuk e di për çfarë tjetër do të ketë referendum, sepse të gjitha çështjet që janë të rëndësishme për ne janë të mbuluara me këtë marrëveshje. Gjuha është e qartë, çështjet historike nuk janë pikë referimi për hapjen dhe mbylljen e kapitujve dhe kemi fillimin e negociatave. Pyetja e vetme logjike në atë referendum do të ishte “A jeni për ndalimin e rrugës evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke rrezikuar gjuhën maqedonase në BE?” nuk shoh arsye tjetër për referendum”, deklaroi Osmani.