` . Për një agim kombëtar - TV SHENJA

Për një agim kombëtar

Të lindet një njeri!

Pa hyll nëball – por që me fjalë të pushton. Migjeni

Poeti është gjeniu i të rikujtuaritSoren Kierkegaard

Shkruan:
Enis SULSTAROVA, Tiranë

Poeti dhe heroi: Soren Kierkegaardi në esenë “Frikë dhe drithërimë”
shkruan se heroi dhe poeti janë të pashqitshëm. Ata plotësojnë njëri-tjetrin, ngaqë
poeti ose gojëtari e adhuron heroin dhe kërkon që gjithsecili të jetë krenar për
heroin, ashtu siç është ai vetë. Po ashtu, bëmat e heroit i kapërcejnë kohërat
në sajë të poetit.

Migjeni nuk
i këndoi ndonjë heroi të kohës së tij. Ai refuzoi tënjihte idhujt që ngriheshin
artificialisht nga një shoqëri që donte me ta të mbulonte anominë e përgjithshme:
“E ata që lindin në kohën e idhujve pa krena s’dinë kah t’ia mbajnë”. Talentin
krijues ia blatoi, ndoshta për herë të parë në letrat shqipe, kundër heronjve
anonimë të mjerimit të përditshëm. Njëkohësisht, ai e shquante humnerën drejt së
cilës shkon pashmangshëm shoqëria e varfëruar, materialisht e shpirtërisht, dhe
e çakërdisur prej iluzioneve të plotfuqisë së idhujve pa krena: “E
katastrofa asht katastrofë! Zhduk kombe! (Kombi ynë me të vërtetë s’u zhduk.
Por arsyeja asht vetëm se dhe kojshitë tonët’afërm qenë pak a shumë të një fati
si ne)”. Me gjasë, Migjeni nuk ka qenë në dijeni të elaborateve “shkencore” që
diskutoheshin te shtetet fqinje për shpërnguljen e shqiptarëve, por ne tashmë e dimë se ishte lufta e re botërore
që frenoi përmbushjen e katastrofës shqiptare të nisur me Luftën Ballkanike.
Fati i ashpër që i ra kombit tonë në shek. XX, ndoshta na ka kursyer zhdukjen,
por na ka lënë zbuluar para katastrofave të reja. Poeti e dinte që rënia në
humnerë ndalet duke lëvizur në krahun e kundërt. Në vend të gjunjëzimit para perë(a)nd(or)ive
duhej rimëkëmbja kombëtare. Përhumbja duhej të ndiqej nga rikujtimi, e
rikujtimi nga ripërtëritja.

Migjeni nuk njeh heronj të kohës që të meritojnë
lavde në vargje. Prandaj te poezia “Të lindet njeriu” ai fantazon mbinjeriun, që
do “të mkambi një Kohë të Re!”, kohë që poeti nuk do ta shohë, por që ai e di
se duhet të agojë dikur. Migjeni është poeti i ngjarjes që do të ndodhë: “Të
dali një njeri! Të krijojë një Epope! Ndër lahutat tona të këndohet Jeta e
Re…”.

Le të shohim tri figura në këta vargje:
njeriu, epopeja dhe lahuta. Heroi është ai që kryen bëma, përmendja e të cilave
nga gojëtarët ose këndimi i tyre në lahutë i kthen në epope. Me kalimin e moteve,
duket sikur është epopeja që thërret heroin, sepse ky shfaqet si i paracaktuar
nga fati për t’i kryer bëmat e veta (p.sh. Vojsava Kastrioti paralajmërohet përmes
ëndrrës se do të lindte një dragua). Përkundër heroit, Migjeni kërkon lindjen e
një njeriu (“pa hyll në ball”), por që gjithsesi do ta krijojë ngjarjen e
madhe, agimin e Jetës së Re. Ky njeri ndoshta nuk do kryejë heroizmat klasike që
përshkruhen në epope, por do të na rikujtojë epopenë e dikurshme. Ai do të na
flasë në atë mënyrë që ta tronditë qetësinë e gënjeshtër, iluzionin brenda të
cilit jetojmë. Fjalët e tij do të na turpërojnë, sepse do të na rikujtojnë se jemi
trashëgimtarët e ligështuar të heronjve të së kaluarës. Ky njeri do të na
pushtojë me fjalë që bëjnë “gjakun të të vlojë rrkajë” dhe që do na zgjojnë ndërgjegjen
kolektive, të cilën ne e kemi tradhtuar, ngaqë jemi kalamendur prej kohësh në
një jetesë joautentike. Jetesa e deritanishme ka qenë e gënjeshtër për aq sa
nuk ka qenë e orientuar për nga çështja e kombit tonë: deri tani kemi menduar
se jemi të vetëmjaftueshëm, edhe pse nuk kemi qenë një; kemi pretenduar të jemi
universalë ose shembull për botën (“far ndriçues i socializmit”, model i tregut
të lirë, shembull i tolerancës fetare etj.) dhe për këtë kemi harruar gjysmën
tonë. Kombet e tjera nuk e kanë tradhtuar vetëdijen. Ata ende “dehen n’epopea të
veta”, ndërsa tonit i shtohen rrudhat e tinëz po i ikën jeta (mërgimi i të
rinjve dhe i më të aftëve në profesione). Prandaj, Migjeni kërkon që Jeta e Re
të këndohet doemos me lahutë, sepse ajo është edhe rikthim te vetvetja. Pa
kujtesë nuk ka rigjallërim.

Ngjarja: Kierkegaardi shkruan se poeti është gjeniu i të
rikujtuarit. Naim Frashëri u bë poet  i
kombit duke rikthyer në kujtesën kolektive bëmat e Skënderbeut. Kombi formohet
e rigjallërohet përmes vetëdijesimit, që do të thotë një udhëtim imagjinar te
pika e përfytyruar e fillimit, për të hulumtuar se çfarë na bashkon e na bën një
kolektiv historik dhe çfarë duhet ta ruajmë si të shtrenjtë për tani dhe në të
ardhmen. Në saje të rilindësve, kombi shqiptar u përfytyrua si bashkësi
abstrakte që bashkëndante të njëjtat vlera (lirinë, besën, trimërinë, dlirësinë,
nderin etj.) përpara se të ishte një realitet sociologjik. Poetë të mëpasshëm e
kanë mbajtur gjallë tensionin midis gjendjes
së kombit në një periudhë të dhënë historike dhe vlerave e misionit që i përcjell
atij kujtesa kolektive.

Vepra e Migjenit rëndom interpretohet si e shkëputur
prej traditës së romantizmit shqiptar, por kjo nuk është plotësisht e vërtetë. “Kangët
e ringjalljes” përmbajnë tone të romantizmit, edhe prej faktit se frymëzuesi i
tyre është Niçe, i cili modelin dionisian të jetës dhe të artit e lartësoi përkundër
modelit apollonian, paçka se ai ishte kritik ndaj filozofisë dhe artit romantik
gjerman, të përfaqësuar nga Shopenhauri dhe Vagneri. Gjithashtu, “Kangët e
ringjalljes” i referohen një cikli nëpër të cilin kanë kaluar kombi dhe atdheu
(“vullnete të ndrydhuna”, “toka e rimun me lot”), që do të thotë se fillimi i
ri migjenian (“shekulli i ri”, “Koha e Re”, “Jeta e Re”) etj. duhet marrë si aktualizim
i ideve romantike të lirisë e lavdisë së dikurshme: “fillin e një hymni që Illyri
e vjetër ndër kremtime këndonte, ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte”.

Migjeni paralajmëron dhe nxit ngjarjen ose epopenë,
që pashmangshëm krijohet nga ndërhyrja e kujtesës kolektive te një gjendje e përhumbur.
Riaktivizimi i kujtesës është i pandashëm nga riaktualizimi i saj. Sot ky
riaktualizim po bëhet nga Lëvizja Vetëvendosje! Ajo neve, shqiptarëve të sotëm,
po na rivendos në linjën e historisë kombëtare. Sikurse UÇK-ja para saj, Lëvizja
Vetëvendosje! doli nga ajo pjesë e atdheut ku përpjekja për liri kombëtare nuk
ka reshtur asnjëherë, aty ku përplasja e ashpër me pushtuesin ka qenë përditshmëri
dhe ku kujtesa e fitoreve dhe e humbjeve të shkuara nuk është zbehur ndonjëherë,
sepse plagët nuk janë mbyllur kurrë. Kosova është “toka e rimun me lot”. Prej
andej kanë dalë vazhdimisht heronj dhe poetët u kanë kënduar atyre. Që “të dali
një njeri” nga mesi ynë, duhet që ai të shpallë vullnetin për liri, fjala e tij
të shkundë plogështinë e ndërgjegjeve tona dhe të mobilizojë subjektet për
veprim kolektiv. Ky “njeri” a subjekt kolektiv të pushton me fjalë që janë
ftesë për t’u përfshirë te një projekt historik i lirisë.

Parulla “Jo negociata, vetëvendosje!” u shfaq
në muret e Prishtinës atëherë kur firmat e delegacionit shqiptar në Rambuje kishin
anuluar republikën e shpallur me
referendum, Kushtetutën e Kaçanikut, institucionet shtetërore paralele dhe
betimin e UÇK-së. Kosova vërtet ishte çliruar prej çizmes serbe, por asaj i
ishte dashur që lirinë ta këmbente me dorëzimin e subjektivitetit kombëtar.
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e shënjonte Kosovën si një
territor i cili nominalisht ishte nën sovranitetin e Serbisë. Prandaj negociohej
me Beogradin për statusin politik të krahinës. Kërkesa për vetëvendosje e
prishte qetësinë e rreme në Kosovë, sepse shfaqte “ndërgjegjen e tradhtuar” historike,
aspiratat e paplotësuara të shqiptarëve për shtetësinë e Kosovës. Parulla “Jo
negociata, vetëvendosje!” tregonte se Kosova nuk banohej nga një popullatë, por
nga një popull. Lëvizja Vetëvendosje! po e rindërtonte identitetin shqiptar
rreth një projekti të ri politik, që kundërshtonte forma të ndryshme të dominimit
të popullit: vijimin e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën dhe rrezikun e copëtimit
të saj; ndarjen e kombit shqiptar në disa shtete; qeverisjen jodemokratike të
UNMIK-ut që i mohonte subjektivitetin shqiptar; privatizimet e imponuara, neoliberale
dhe korruptive të pronës publike në Kosovë, të pashoqëruara me një plan të qëndrueshëm
zhvillimor për vendin; diskriminimin në vija etnike i qytetarëve të Kosovës nga
Plani Ahtisari. Përballë këtyre formave të shtypjes, Lëvizja Vetëvendosje! në
vijimësi ka i artikuluar përpjekjet e ndryshme demokratike dhe shoqërore si
pjesë të vullnetit të përbashkët të një populli që kërkon të vendosë vetë për
fatin e tij.

Ku i gjen fjalët “njeriu” që parasheh Migjeni?
Vetëvendosja e shqiptarëve është parathënë nga Rilindja jonë Kombëtare, e cila
nga ana e saj ishte një thirrje për “zgjim” kolektiv, një rikujtim për “ç’ka qenë
Shqipëria” dhe një projekt për “ç’do të bëhet”. Përfshirja jonë në Lëvizjen Vetëvendosje!
ka të bëjë me rikujtimin dhe ripërtëritjen e ngjarjes fillestare. Çdo 10
Qershor, aktivistë të rinj, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, tubohen në
Shtëpinë e Lidhjes në Prizren, në vendin ku u hodh themeli i politikës
shqiptare. Ata ndezin pishtarët si simbol të bashkimit të ndërgjegjeve përtej ndarjeve
shtetërore që na janë imponuar. Pishtarët ndriçojnë në terrin e natës, duke
paralajmëruar “një agim të lum e të drejtë kombëtar”.

Me anë të rikujtimit kuptohet vendi yt në botë,
ndryshohet edhe bota përmes përmirësimit të vetes. Rikujtimi i flijimeve
shqiptare për lirinë i shërben çështjes universale të lirisë. Kur themi se “Kosova
është e vërteta e Serbisë”, ne universalizojmë përvojën tragjike partikulare tonën
(të mos harrojmë se në vitet 1998-1999 mijëra fëmijë shqiptarë vriteshin e
dhunoheshin në Kosovë). Kjo shprehje na fton të bëhemi pjesë e së vërtetës dhe
ta gjykojmë dhimbjen tonë jo thjesht si tonën, por edhe si të njerëzimit, siç kujtohen
edhe rastet e tjera të gjenocidit dhe spastrimit etnik nëpër botë. Në këtë frazë
partikularja është e pashqitur nga universalja, gjë që e bën luftën çlirimtare
të UÇK-së një nga rastet e luftës për liri. “E vërteta është militante”, saktëson
AlenBadjo. Ajo kërkon që të angazhohemi, kështu që nuk mund të jemi indiferentë
me të përcaktuar se “Kosova është e vërteta e Serbisë”. Indiferenca në Shqipëri
ndaj fatit të Kosovës, qëndrimi asnjanës në mes të Kosovës dhe Serbisë në emër
të “perspektivës së njëjtë evropiane” ose të idesë se tregu (“minishengeni
ballkanik”) është i ndarë nga politika, është jetesë brenda gënjeshtrës, mohim
i së vërtetës dhe i domethënies universale të dramës së shqiptarëve të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje! ka
krijuar ngjarjen shqiptare në shek. XXI. “Njeriu” migjenian ka lindur, ai është
mes nesh dhe po e na tregon afrimin e agimit të ri kombëtar.