Pendarovski për incidentin në Sheshin Skënderbeu: Personat e përfshirë të arrestohen dhe të sanksionohen

Pendarovski për incidentin në Sheshin Skënderbeu: Personat e përfshirë të arrestohen dhe të sanksionohen

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ka reaguar në lidhje me zhvillimet e djeshme, ku kishte përleshje mes protestuesve dhe një grup qytetarësh. Ai ka thënë se është e papranueshme përdorimi i dhunës dhe nxitja e dhunës për qëllime politike dhe se nuk ka asgjë më të rëndësishme se paqja dhe siguria e të gjithë qytetarëve.

“U bëj apel të gjithë organizatorëve të protestave, të cilat po mbahen këto ditë në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin përgjegjësi dhe të drejtën e tyre demokratike që të protestojnë të vazhdojnë ta praktikojnë me dinjitet dhe pa dhunë. Poashtu e gjykoj rreptësisht mbajtjen dhe përdorimin e armës së zjarrit nga civilët dhe qytetarët në vend, të cilët nuk janë përfaqësues të organeve të sigurisë. Dje policia kishte një reagim në kohë i cili parandaloi përplasje më të mëdha. Pres që të gjithë personat të cilët u involuan mbrëmë në këtë incident të arrestohen dhe të sanksionohen përkatësisht në afatin sa më të shkurtër të mundshëm”, thotë Pendarovski.