Penalizohet Perez, meksikani bën “lëmsh” startin e garës Sprint në Austri!

Penalizohet Perez, meksikani bën “lëmsh” startin e garës Sprint në Austri!

Këtë fundjavë Formula 1 është zhvendosur në Austri teksa në pistën e shtëpisë, Red Bull kërkon të marrë maksimumin me pilotin e saj të parë Max Verstappen për të hedhur një hap drejt titullit kampion si dhe për të harruar zhgënjimin në garën e fundit të Silverstone. Provat zyrtare të së premtes (të shtunën ka Sprint Race) shkuan në mënyrën më të mirë të mundshme për pilotin holandez që fitoi “Pole Position” duke lënë pas Ferarrin e Charles Leclerc dhe Carlos Sainz.

Në vend të katërt u pozicionua piloti tjetër i Red Bull, Sergio Perez. Mirëpo, pas përfundimit të provave, komisarët e garës anuluan renditjen e meksikanit duke e bërë të pavlefshme kohën e Perez në sesionit e tretë duke qenë se në sesionin e dytë, në xhiron e fundit, Perez kishte kaluar limitet e pistës.

Në këtë formë, me anulimin e kohës në sesionin e tretë, Perez do të niset vetëm nga vendi i 13-të në garën Sprint, ndërsa nga një pozicion fituan George Russell i cili pavarësisht se u përplas në sesionin e tretë, do të mund të niset nga vendi i katërt ndërsa pas tij vijnë me radhë Ocon, Magnussen, Schumacher, Alonso, Hamilton teksa mbyll dhjetëshen e parë Gasly. Kujtojmë se garën e sotme Sprint do të mund ta ndiqni në RTSH nëpërmjet platformës Digitalb, teksa të dielën do të zhvillohen edhe xhirot e plota që janë parashikuar në Austri, në pistën e Spielberg.