` . Pelegrinazhet e Qemal Rushitit përmes librit “Kujtime nga Haxhi” - TV SHENJA

Pelegrinazhet e Qemal Rushitit përmes librit “Kujtime nga Haxhi”

Duke shfletuar kujtimet e Qemal Rushitit, të shënuara në letër, vërejta se ai i ka ringjallë me besnikëri të gjitha ato skena e pamje që kanë të bëjnë me veshjen e ihrameve, me kohën kur të gjithë vizitorët janë të mbuluar me të bardha, me mirësi, me dashuri, me durim, me kohën kur ballafaqohesh me ndalesa të shumta, kur s’ke të drejtë ta shkelësh as mizën.

Shkruan: Bekim RAMADANI, Tetovë

Kur detyrimi kurorëzohet me bekimin e të Plotfuqishmit, atëherë kjo quhet pelegrinazh (haxh), kurse ai apo ajo që me zërin e zemrës kërkon ta takojë Kryearkitektin duke thënë: “Të përgjigjem Ty Zoti im, të përgjigjem vetëm Ty” (Lebejk, Allahume, lebejk) quhet pelegrin (haxhi ose haxhikë – hanuma). Pelegrini, përmes lutjeve, kërkon të takohet me Krijuesin, me shtëpinë e Tij, kërkon të jetë mysafir i Tij, kërkon të pastrohet nga fëlliqësirat e botës, të lirohet nga materializmi vulgar, dëshiron të udhëtojë drejt prehjes shpirtërore, drejt lumturisë së pakufishme; ai kërkon të ndodhet në krahët dhe përqafimin e të Gjithëdijshmit. Të gjitha këto njeriu i kësaj bote mund t’i realizojë vetëm në tempullin e shenjtë në Mekë, në vendin e bekuar që është udhërrëfyesi më i mirë, i pagabueshëm, i sigurt, i përhershëm për popujt. “Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Âl ‘Imrân, 3:97) Gjithashtu, Kur’ani përmend se haxhi i ishte urdhëruar, shumë kohë para Profetit Muhamed, Profetit Ibrahim (Abrahamit): “Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur. Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë.” (El-Haxhxh, 22:26-29)

I nënshtruar ndaj urdhëresave të sipërpërmendura, Qemal Rushiti nga fshati Orashë, i cili prej kohësh jeton e punon në Zvicër, kishte vendosur që gjatë vitit 2018 ta kryejë Haxhin, që është shtylla e pestë e Islamit, një detyrim për çdo mysliman e myslimane që gëzon shëndet të plotë (trupor dhe mendor) dhe që ka mjete të mjaftueshme financiare për vete, për mbulimin e shpenzimeve të rrugëtimit dhe për sigurimin e ekzistencës së familjes derisa të kthehet nga Haxhi. Ai, së bashku me bashkëshorten, Florijen, dhe Merjemen, gruan e Imerit, kushëririt të tij të ndjerë, kishin vendosur për ta bërë udhëtimin e jetës ose, siç thotë Bediuzzaman Said Nursi: “Për ta kryer adhurimin e shkallës më të lartë të mundshme, për ta gjetur çelësin që hap shumë dyer të prezantimit të mbretërisë universale hyjnore…”.

Dy vite pas kthimit nga Haxhi, Qemal Rushiti vendos që kujtimet e paharruara dhe më të veçanta të jetës nga ajo eksperiencë mbresëlënëse e periudhës 14 gusht 2018 – 2 shtator 2018 t’i hedhë në letër, sepse kaplohet nga frika e humbjes ose e dobësimit të kujtesës që mund ta tradhtojë në çdo çast. Pas përfundimit të dorëshkrimit, më paraqitet dhe kërkon nga unë që të merrem me organizimin dhe botimin e këtij materiali, të titulluar “Kujtime nga Haxhi (Rrugëtimi i vitit 2018)”. Përkundër faktit që gjatë kësaj periudhe isha i rrethuar me lloj-lloj zhvillimesh të pritura e të papritura, të përballueshme e të papërballueshme, pranova me kënaqësi kërkesën fisnike të mikut tim zemërbardhë, sepse ky udhëpërshkrim nga Toka e Shenjtë, më krijoi një, si të thuash, “ftesë për dehje”, duke më larguar, sadopak, nga murmurimat e zërave të paartikuluar të kohës së trazuar… Kjo ndërmarrje më ktheu, po ashtu, në periudhën e para 12 viteve kur po merresha me botimin e udhëpërshkrimit “Rrugëtimi në përjetimet e një Haxhi” të babait tim të ndjerë, Idriz Ramadanit, kur edhe unë e përjetova Haxhin sikur të isha pelegrin.

Duke shfletuar kujtimet e Qemal Rushitit, të shënuara në letër, vërejta se ai i ka ringjallë me besnikëri të gjitha ato skena e pamje që kanë të bëjnë me veshjen e ihrameve, me kohën kur të gjithë vizitorët janë të mbuluar me të bardha, me mirësi, me dashuri, me durim, me kohën kur ballafaqohesh me ndalesa të shumta, kur s’ke të drejtë ta shkelësh as mizën. Kujtimet e tij të çojnë në lumin e njerëzve që bëjnë tavaf, ku secili lëviz me ritmin e vet, në orbitën e vet, secili i ndriçuar me rrezet e caktuara të Qabesë së ndritur. Janë kujtime që riprodhojnë vakfen (qëndrimin në Arafat në kohën e duhur), sa’jin (ecjen e shpejtë ndërmjet kodrave të Safas dhe Mervesë), mbledhjen e guralecëve në Muzdelife dhe gjuajtën e tyre (xhemerat) në Mine. Në kujtesën e haxhi Qemalit janë të pranishme edhe skenat që kanë të bëjnë me therjen e kurbanit, qethjen e flokëve, pastaj kalimet e shpeshta nëpër tunelet e Mekës, si dhe qëndrimet e gjata në Mesxhid al-Haram.

Sa të bukura janë edhe kujtimet që shpërfaqin kohën e kaluar në Xhaminë e Resullulahit në Medine, në Revda (në bahçen e Xhenetit), në xhaminë Kuba, në xhaminë Kibletejn, në Kodrën e Uhudit etj. Të gjitha këto Qemal Rushiti i ka përjetuar me thellësinë e zemrës dhe ai, mes tjerash, i kujton edhe takimet me haxhinj nga Kina, nga Indonezia, nga Bangladeshi, nga Sudani, nga Katari etj. Ai e kujton po ashtu erën e nxehtë të shkretëtirës, freskinë e ujit të zemzemit, jehonën e ezanit mekas dhe atij medinas, aromën e ushqimeve orientale, vizitën e dyqaneve përplot mallra, blerjen e sixhadeve, misvakëve, tespiheve etj.

Kur e viziton Medinën e Ndritur, një pelegrin arrin t’ia vë veshin melodisë së shpirtit, që e ka pasqyruar me gjuhën e zemrës Profeti ynë, një shpirt që ngashërehej prej zjarrit përvëlues për dashurinë e Allahut Fuqiplotë.

Kur viziton Qabenë, shtëpinë e parë të adhurimit të ndërtuar me urdhrin e Allahut, një pelegrin takon Ademin, babanë e njerëzimit; ndjen gëzimin që një udhëtar ndjen kur kthehet në shtëpi; bëhet dëshmitar për faktin se cilësitë tokësore si raca, prejardhja, statusi, bukuria dhe rinia nuk janë asgjë tjetër përveçse tituj të përkohshëm, të destinuar të humbasin.

Gjatë leximit të librit “Kujtime nga Haxhi”, të autorit Qemal Rushiti, të krijohet ndjesia sikur je bashkudhëtar i tij, sikur edhe ti shkel mbi tokat e shenjta. Të krijohet bindja sikur edhe ti ishe mysafir i Nikoqirit të Madhëruar. Andaj, gjithsecili që e lexon udhëpërshkrimin e haxhi Qemalit do të futet në një botë tjetër, ku do ta kuptojë jo vetëm të djeshmen dhe të sotmen, por edhe të ardhmen, duke shkelur kohët dhe viset e pashkelura, pa lëvizur nga bota jote.

Ky libër nuk do të shihte dritën e botimit pa ndihmën e Hashim Baftiarit, kryetarit të shoqatës për kulturë “Rezna”, i cili përkundër ca telasheve shëndetësore, u angazhua që libri të përmbyllet në formën më të mirë të mundshme. Libri është botuar në formatin B6, ka 138 faqe, ku – përveç tekstit – janë përfshirë edhe 63 fotografi në kolor, që e bëjnë veprën të quhet edhe “një ekspozitë fotografish nga Haxhi i vitit 2018”. Kontribut të çmuar në këtë proces dhanë edhe: Nazif Zejnullahu – redaktor gjuhësor; Mehas Alija – redaktor fetar; Mahir Mustafa – konsulent; Halil Berisha – përpilues i kopertinës, si dhe vëllezërit Imer dhe Isa Goxhufi – pronarë të shtypshkronjës “Fokus Print”.

Uroj që kjo vepër, ku janë gërshetuar ndjenja, ëndrra, qëndrime e përjetime të një udhëtari nga vendlindja ime, i cili e ka vizituar Mekën e Medinen, të sjellë freski në mendime, dritë në zemër dhe dashuri e përvojë sublime.