Patriarku dhe librat në romane të Starovës dhe Kadaresë

Patriarku dhe librat në romane të Starovës dhe Kadaresë

Letra e bardhë është skeda e harresës, kurse shkrimi mbi të është shenja e përhershme e kujtesës. (Valter Benjamin)

Shkruan: Enis SULSTAROVA

Libra, etër e bij – Shkrimtari Virion Graçi ka tërhequr vëmendjen e kritikës letrare te ngjashmëria tematike midis atyre romaneve të Ismail Kadaresë dhe Luan Starovës që kanë në qendër autobiografinë, familjen dhe kujtesën e kohëve të turbullta (Graçi, “Autobiografizmi dhe romani”, Tiranë, 2015, f. 121). Në të njëjtën linjë, te ky artikull eksplorojmë figurën e patriarkut te romani “Librat e babait” të Starovës dhe te dy romane të Kadaresë, “Kronikë në gur” dhe “Çështje të marrëzisë”. Te këta tre romane figura e patriarkut (babai, babazoti) zë një vend të spikatur dhe, ç’është më interesante, ajo është e lidhur ngushtë me librat. Rrëfimtari kujton kohën e shkuar dhe i përshkruan lexuesit figurën e dashur të kreut të familjes dhe marrëdhënien e të veçantë që ai ka me librat, në këtë mënyrë duke gjurmuar edhe fillesat e formimit të vet si shkrimtar. Në rastin e Starovës kemi të bëjmë me një biografi letrare të babait. I biri, përmes librave, kujton episode nga jeta e babait, duke u përpjekur të mbushë disi mungesën shpirtërore të shkaktuar nga vdekja e tij. Librat e babait është një shembull i qartë i letërsisë autobiografike. Te ky zhanër mund të klasifikohet pothuajse e gjithë seria e romaneve të “Sagës ballkanike” të Starovës, që e ka pikënisjen pikërisht te romani Librat e babait. Kritiku Fatmir Sulejmani me të drejtë e ka quajtur këtë vepër si “roman amzë” të “Sagës ballkanike” (Sulejmani, “Saga ballkanike e Luan Starovës”, Shkup, 2013, f. 118), prandaj analiza jonë e figurës së babait përqendrohet te ky roman i Starovës, edhe pse babai është personazh edhe në romane të tjerë të sagës.

Përveç Starovës zhanri i letërsisë autobiografike është lëvruar me sukses nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë, siç janë Petro Marko dhe Ismail Kadare. Te romanet “Kronikë në gur”dhe “Çështje të marrëzisë” lidhja midis biografisë së shkrimtarit dhe rrëfimit është më e tërthortë sesa te “Librat e babait”, duke qenë se rrëfimtari i Kadaresë është një fëmijë që i interpreton sipas botëkuptimit dhe fantazisë që janë karakteristike për moshën e tij. Vetja e rrëfimtarit fëmijë, që na i “tregon” ngjarjet ndërsa ato ndodhin në vitet 1940-të, është e distancuar nga shkrimtari që i “shkruan” ato në letër në vitin 1971, kur u botua për herë të parë “Kronika në gur” dhe në vitin 2005, kur u botua “Çështje të marrëzisë”. Me popullarizimin e psikanalizës në shek. XX, një teknikë që shkrimtarë modernë kanë zbatuar te letërsia autobiografike, është pikërisht rrëfimi përmes vetes-fëmijë, që ka për qëllim eksplorimin dhe tregimin e nënshtresave të vetëdijes dhe të fantazive vetjake, që kanë ndikuar më pas krijimtarinë letrare. Siç dihet, një nga “aksiomat” e psikanalizës është marrëdhënia e djalit me një figurë atërore dhe te dy romanet në fjalë të Kadaresë përmenden libra të Jungut e të Frojdit, si për të grishur kritikët për interpretime psikanalitike të këtyre veprave. Kujtojmë se Frojdi e ka përkufizuar letërsinë si një kthim të përhershëm te e kaluara në emër të një dëshire të paplotësuar dhe mungesa e babait e shtyn rrëfimtarin e Starovës që të hedhë në letër copëza nga kujtimet e tij me të. Te romanet e Kadaresë, figura kryesore atërore për djalin rrëfimtar nuk është babai i tij, por babazoti, gjyshi nga ana e nënës. Babazoti është një prej shumë personazheve të spikatur të “Kronikës në gur” që shndërrohet në personazhin qendror të romanit “Çështje të marrëzisë”. Ky i fundit mbyllet me vdekjen e babazotit dhe me djegien e librave të tij të vjetër prej të bijve (ungjit e djalit rrëfimtar). Me këtë veprim të bijtë zhduknin gjurmët e fundit të babazotit prej jetëve të tyre, sepse po kërkonin që të shndërroheshin sa më shpejt në “njerëz të rinj” të erës socialiste. Ndryshe nga ata, rrëfimtari në romanin e Starovës i radhit dhe shfleton librat në bibliotekën e të atit për të risjellë në mendje kujtimet e një jete me të.

 

Babai dhe babazoti – Ngjashmëritë e përshkrimit të dy personazheve janë të dukshme. Imazhi që rrëfimtari i Starovës ka për babanë është plaku i ulur në çardak duke lexuar me vëmendje librat e dorëshkrimet e vjetra dhe duke tymosur cigare: “lexues i pasionuar e duhanxhi edhe më i pasionuar” (Starova, “Librat e babait”, Shkup, 1995, f.10). Në çdo shpërngulje të familjes mund të liheshin pas sende të tjera, por librat kurrë. Ato ruheshin me fanatizëm dhe sistemoheshin në banesën e re. Imazhi i babazotit i ngulitur në kujtesën e djalit te romanet e Kadaresë është plaku i ulur në shezlong me librat turqisht pranë dhe duke thithur çibukun e zi e të madh. Një ditë nipi i lutet t’i dredhë edhe atij një cigare dhe gjyshi nuk ia prish. Babazoti nuk ndahet dot prej shezlogut të vet, e merr me vete edhe në shpërnguljen e detyruar brenda galerisë së kështjellës, ku banorët e qytetit strehohen për t’u mbrojtur prej bombardimeve nga aeroplanët. Në galeri, babazoti, i ulur në shezlong, vijonte të lexonte një libër në turqisht, pa u shqetësuar nga njerëzit e shumtë përreth. Kredhja në faqet e librave të vjetër, leximi i germave të alfabetit arab, të cilat për brezat e rinj janë të pakuptueshme, krijon një mur të padukshëm që i veçon të dy personazhet prej të tjerëve. Babai dhe babazoti sikur jetojnë në një botë paralele gjatë pjesës më të madhe të ditës, me kontakte të rralla me botën e të tjerëve. Nëna e rrëfimtarit të romanit të Starovës ecën pa zhurmë për të mos e shkëputur të shoqin nga leximi dhe e mbulon me batanije kur sheh se e ka zënë gjumi në çardak. Edhe kur ia vendos librat në bibliotekë këtë e bën sipas radhitjes së njohur që tashmë e ka mësuar, siç ia di rendin edhe orendive e plaçkave të shtëpisë, gjithnjë e kujdesshme që asgjë e çrregullt në botën tonë të mos ia prishë bashkëshortit kredhjen në botën e librave. Po kështu, babazoti shkëputet nga leximi dhe bashkohet me anëtarët e tjerë të familjes vetëm gjatë vakteve. Edhe gjatë ngrënies, atëherë kur zhvillohen diskutime midis anëtarëve të familjes, të cilat djali i ndjek me kureshtje pa kuptuar mirë gjithçka që thuhet, babazoti ndërhyn veç rrallë, për të ndalur sherrin ose vetëm hesht. Duket i tjetërsuar nga ajo që po ndodh rreth tij, i pafuqishëm për të ndikuar në rrjedhën që kanë marrë ngjarjet.

Librat e trashë, që babazoti nxjerr nga sënduku, janë të shkruar me alfabetin arab, prandaj djali i cilëson si libra turqisht, por mund të jenë edhe arabisht. Po kështu, kur djali tregon se babazoti thotë një lutje turqisht para darkës, mund ta ketë fjalën për ndonjë lutje islamike në arabisht. Në mungesë të të dhënave të tjera, supozojmë se babazoti është arsimuar diku në Perandorinë Osmane, ndoshta për klerik ose për drejtësi, prej nga kishte sjellë me vete në Shqipëri librat që mbante në sënduk. Më shumë të dhëna mësojmë për personazhin e babait në romanin e Starovës. Babai është shkolluar në Stamboll për drejtësi islamike dhe rininë e ka kaluar në kryeqendrën e Perandorisë, në Kajro e në vende të tjera të Levantit. E ka simpatizuar Ataturkun, por jo reformën gjuhësore të tij, që e ndërroi alfabetin arab me atë latin. Babai “veten e konsideronte si njërin ndër profetët e fundit të shkrimit të vjetër” (po aty, f. 128). Ndoshta për këtë arsye babai e ka refuzuar ofertën për t’u bërë pjesë e administratës së Republikës së Turqisë dhe ka zgjedhur të kthehet në vendlindje, bashkë me librat e tij. Babai di edhe gjuhë të tjera dhe në bibliotekën e tij mban libra me alfabetet arabe, latine e cirilike, mirëpo puna e tij kryesore është zbërthimi i kuptimit të dokumenteve të vjetra osmane, sidomos sixhileve, siç quheshin regjistrat e administratës vendore osmane.

Për shkak të gjuhës dhe pasionit për librat me alfabetin arab, të dy personazhet duken anakronikë në Ballkanin që kërkon të lerë pas trashëgiminë osmane. Në mesin e entuziazmit (dalldisë) për krijimin e shoqërisë së re socialiste e “njeriut të ri”, babai kalon më shumë kohë mbi dokumentet osmane, i bindur se kombet ballkanikë nuk i kanë mbyllur ende hesapet me perandorinë e dikurshme. Ndër germat e shenjat e arabishtes ai beson se ndodhet çelësi që zbërthen fatin e “jeniçerizmit”, që i ka ndjekur nga pas ballkanasit: njerëz që largohen nga trungu familjar e kombëtar për t’i shërbyer zotërinjve dhe ideologjive të huaja. Ai e di se edhe komunizmi, si sistem socio-ekonomik i imponuar, i ka jeniçerët e tij në mesin e kombeve të Ballkanit, por kjo është një e vërtetë të cilën ai nuk mund ta thotë hapur pa vënë në rrezik veten dhe familjen e tij.

Babazoti është një patriark i shfronësuar. Kontrasti është i madh midis emrit “baba-zot” me të cilin e thërrasin dhe mungesës së pushtetit të tij në familje. Edhe pse në pamje të parë duket se të gjithë e respektojnë, djali vëren se secili prej fëmijëve të tij nuk ia vë veshin dhe ndjek rrugën e vet. Babazoti këtë e vëren, por ndjehet i pafuqishëm dhe zgjedh të heshtë në vend që të kundërshtojë veprimet e tyre. Madje, njëri nga djemtë e akuzon të atin se para luftës, duke qenë pronar tokash, ai ka shfrytëzuar punën e minoritarëve grekë. Ndaj kësaj akuze është nëna ajo që ndërhyn, ndërsa “babazoti vështronte me ca sy për t’u dhimbsur. U bë gati t’i thoshte diçka të birit, pastaj nënëmadhes gjersa, më në fund, si përherë, nuk tha asgjë” (Kadare, “Çështje të marrëzisë”, Tiranë, 2005, f. 36-37). Aq i heshtur dhe i pafuqishëm për të ndërhyrë në botë duket babazoti saqë djali rrëfimtar nga dashuria e madhe për të fantazon se ai në të vërtetë është ndryshe nga ç’duket, se është pikërisht ai plaku që ka themeluar dhe udhëheq shtetin shqiptar.

E vetmja shenjë e pushtetit simbolik që ka ende njëfarë rëndësie për babazotin është lidhja e tij me një familje jevgjish që jetonin në një pjesë të banesës, ndoshta shërbëtorë, të cilët qiranë e “paguanin” duke i rënë violinës për nder të tij. Ky ritual që aq shumë i pëlqente babazotit, pas luftës është ndaluar, sepse pushteti i ri e ka gjykuar si një zakon të vjetër prej pronari që zbavitej prej ish-bujqve të tij, pra si një trajtë e shfrytëzimit klasor. Megjithatë, njëri prej tyre, Pero Luka, vijon t’i bijë violinës në largësi dhe kur babazoti e dëgjon del gjoja si rastësisht në shezlogun e vet për ta dëgjuar. Marrëdhënia klasike e patronazhit midis babazotit dhe Pero Lukës e ka epilogun gjatë varrimit të babazotit, në çastin kur Pero Luka çan rrugën midis njerëzve që kërkonin ta ndalnin, arrin buzë arkëmortit, ulet në gjunjë dhe fillon t’i bjerë violinës, duke shpënë në vend amanetin që i kishte lënë babazoti.

Babai te romani i Starovës nuk është as ai patriarku tipik tradicional. Babai nuk urdhëron, madje asnjëherë nuk e ngre zërin, por familjarët gjithsesi e respektojnë dhe e trajtojnë me kujdes atë dhe librat e tij. Mësojmë se nën dukjen pasive dhe natyrës së heshtur fshihet një karakter i fortë, sepse babai pa bujë e zhurmë kujdeset kurdoherë për mbijetesën e familjes së tij. Në mesin e luftës botërore i largohet vendlindjes kur gjykon se qëndrimi aty mbart rreziqe. Ngulitja në një qytet tjetër, në një lagje ku ai dhe familja e tij janë “të huaj” kërkon përshtatjen. Për këtë arsye, babai përpiqet që të mbajë një profil të ulët, të mos bjerë në sy midis banorëve të tjerë. Ai i mban shenjat e botës, po ato që mbajnë edhe të tjerët përreth, në mënyrë që të mbrojë më mirë familjen. Edhe librat e ndihmojnë, sepse me deshifrimin e librave të vjetër, të shkruar me alfabetin arab, babai siguron bukën e përditshme të familjes, duke e kryer detyrën e kryefamiljarit.

 

Jetesa me librat në mes të marrëzisë – Fundi i luftës, e bashkë me të edhe i marrëzisë fashiste, nuk shënon fundin e turbullirave dhe të pasigurisë. Ata që po ndërtojnë rendin e ri socialist synojnë që me një hov të madh ta shkëpusin rrjedhën historike. Djemtë e indoktrinuar të babazotit e zhvillojnë brenda familjes luftën kundër shoqërisë së vjetër. Ata vënë në shënjestër zakonet e babazotit: “Violina që bie natën, libra turqisht që lexohen ditën. Kjo shtëpi bie era myk” (po aty: f. 37). Atyre këto zakone u duken marrëzira, por nuk vënë re të vetja marrëzinë e urdhrave politike që zbatojnë. Partia që sundon vendin me metoda diktatoriale qëndron gjoja në ilegalitet dhe ua ka ndaluar anëtarëve të saj që të shfaqen hapur si komunistë. Kur familjarët ia shohin teserën e partisë ungjit të vogël, ai dëshpërohet e zemërohet prej sakrilegjit që i është bërë sekretit të sekreteve dhe tenton të vetëvritet. Ungji i madh dëshpërohet aq shumë pse vëllai i vogël është bërë anëtar i partisë para atij vetë, saqë pushon së merakosuri për rënien e flokëve. Marrëzia e tyre e fundit është djegia e librave të vjetër të babazotit, ndërsa plotësojnë formularët për bursë studimi në vendet e kampit socialist.

Babai është gjithnjë i shqetësuar në takimet me botën. Një njeriu të qetë që urrente radikalizmat i ka rënë fati të jetonte në epokën e revolucionit proletar! Partia e sheh me dyshim për shkak të shkollimit të tij dhe për shkak se është i ardhur nga një shtet fqinj me të cilin marrëdhëniet nuk janë miqësore. Për më tepër, i vëllai që kishte qëndruar në Shqipëri ishte akuzuar nga regjimi i atjeshëm si agjent i Perëndimit dhe ishte ekzekutuar. Një fat i tillë mund t’i binte edhe atij vetë e familjes së tij në një qytet ku nuk kishte aq farefis, as rreth shoqëror dhe as mbështetje politike. Prandaj, babai, për hir të ruajtjes së familjes, mban shenjat e konformizmit politik, siç mund të bënin shumë të tjerë përballë pasigurisë që buronte nga marrëzia e pushtetit. Fotografia e udhëheqësit komunist të shtetit është vënë në një vend të dukshëm në dhomën kryesore e zëri i radios ngrihet kur transmetohen këngë revolucionare. Marrëzisë së botës, babai i kundërvë rendin e librave në bibliotekën e tij, të cilin e ruan me fanatizëm për të kompensuar disi pasigurinë që ndjen sapo kalon pragun e shtëpisë. Edhe nga librat mund të vijë rreziku, prandaj babai brenda librave fetare ka vendosur broshura të ateizmit dhe të plenumeve partiake. Libri i jetës së babait, përkthimi i sixhileve osmane, për të cilin ai kishte dhënë ndihmëse thelbësore, në fund botohet, por emri i tij nuk është vendosur në të, krahas emrave të kolegëve. Bota e ka nëpërkëmbur sërish babain, ai është “i huaji” që nuk duhet përmendur. Kur rrëfimtari proteston më kot pranë autoriteteve për shkeljen e të drejtave të autorit, babai i thotë: “Bir, unë vendosa të mos ankohem…  Me përkthimin e sixhileve unë e arrita qëllimin tim në jetë. Me to të gjithë ju bijtë e mi u rritët… u arsimuat… (“Librat e babait”, f. 172).

 

Librat dhe kujtesa – Biblioteka e formuar me librat që trashëgojmë në familje dhe me ato që mbledhim gjatë jetës, është kënd i kujtesës. Duart e prindërve e të familjarëve i kanë shfletuar librat dhe ata kanë lënë emrat e shënime të tjera në to. Disa prej librave të bibliotekës na janë dhuruar si kujtim e disa i kemi blerë në vende që kemi vizituar e ku na dërgojnë pas përmes kujtimeve sa herë që i marrim në duar. Librat digjitale që tashmë ruajmë në kompjuterë e disqe janë bartës e kategorizues të dijes e artit, por nuk shërbejnë më si bartës materialë të kujtesës dhe kjo do të jetë një arsye e qenësishme, midis arsyeve të tjera, që do të sigurojnë praninë e librave të shtypur dhe, bashkë me to, të bibliotekave dhe librarive si vende publike.

Librat e bibliotekës së babait e kanë shtyrë shkrimtarin Luan Starova që t’i ngrejë një monument letrar, “Sagën ballkanike”, dy brezave të familjes Starova. Me romanet të tij (auto)biografike, ai jo vetëm që ka ruajtur e përcjellë në kohë të shkuarën e familjes në një trajtë artistike, por e ka shfrytëzuar si tematika të veçanta për të trajtuar çështje universale dhe të përhershme të letërsisë, si raporti i subjektit me vetveten dhe të tjerët, me jetën e vdekjen, me kohën e vendin, me kujtesën e harresën, me dashurinë e urrejtjen, me luftën, rrezikun dhe mbijetesën, me lirinë e pushtetin etj. Leximet e një libri krijojnë imazhe të autorit te mendjet e lexuesve që nuk e njohin atë, por edhe familjarët, kolegët e miqtë që e njohën Luan Starovën, përmes rileximit të librave të tij do të ritakohen me shpirtin e atij njeriu të mirë e të urtë që aq shumë u mungon.