Pasojat e konfliktit në Ukrainë në perspektivën europiane të Kosovës dhe Shqipërisë

Pasojat e konfliktit në Ukrainë në perspektivën europiane të Kosovës dhe Shqipërisë

Ruajtja e neutralitetit të Serbisë ndaj sanksioneve që i janë vendosur Rusisë nga vendet perëndimore mund të konsiderohet si një mundësi e rëndësishme për Kosovën për t’u pozicionuar ka Perëndimi, gjë që në të ardhmen mund t’i çelë hapësira të reja politike aspiratave të shtetit të Kosovës, ashtu sikundër edhe popullsisë shqiptare në rajon.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Teksa lufta në Ukrainë sapo ka hyrë në muajin e dytë, tensioni ekzistues në Europën Lindore ka nisur të ndihet edhe në politikën e brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vala e rritjes së çmimeve dhe resurseve energjetike tashmë ka prekur disa nga vendet e Ballkanit dhe, madje, në disa prej tyre ka pasur protesta masive kundrejt efekteve anësore në aspektin ekonomik që kanë ardhur si rrjedhojë e luftës në Ukrainë. Imazhet e luftës në Ukrainë kanë risjellë kujtimet e luftës dhe masakrave që janë kryer në rajonin e Ballkanit gjatë viteve të ’90-ta, sidomos në Bosnje dhe Kosovë. Duke pasur parasysh influencën ekonomike, ushtarake dhe ndikimin përmes “soft poker” të Rusisë në rajon, konflikti në Ukrainë i ka shtuar shqetësimet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe rizgjimin e konflikteve të viteve të ’90-ta. Shpesh i etiketuar nga ligjërimi perëndimor si “fuçia e barutit”, rajoni i Ballkanit, sipas perceptimit publik vendas (sidomos në Kosovë dhe në Bosnjë), në të ardhmen rrezikon të kthehet në një vatër trazirash në një kontinent që sapo ka nisur të përballet me pasojat e para të luftës në Ukrainë.

Pamundësia për t’i shtuar përpjekjet e tyre për anëtarësimin në Bashkimin Europian për shkak të problemeve të thella politike dhe sfidat në lidhje me demokratizimin e vendit, ashtu sikundër edhe kuadri stagnativ i politikave të zgjerimit në BE, kanë bërë që disa nga vendet me popullsi sllave në Ballkan të shohin për aleanca alternative, siç është për shembull zgjerimi i bashkëpunimeve me Rusinë. Në kushtet kur sulmi rus në Ukrainë rrezikon të përshkallëzohet në përhapjen e mëtejshme të konfliktit midis Perëndimit dhe Lindjes, duket qartë se vendet e Ballkanit që ende nuk janë pjesë e NATO-s si Serbia, Kosova dhe Bosnje Hercegovina, mund të kthehen në “zona të ndërmjetme” ku superfuqitë botërore do të përplasen për zgjerimin e influencës së tyre. Nga njëra anë, Bosnjë Hercegovina dhe Kosova janë qartazi nën patronazhin e Perëndimit, teksa – nga ana tjetër – në Serbi ku shumica e popullsisë ka një opinion pozitiv mbi shtetin rus, madje në zgjedhjet e fundit gjatë këtij muaji, partitë me prirje euroskeptike i shtuan mandatet e fituara në parlament, dukshëm që kemi të bëjmë me një orientim kah Rusisë. Nëse shumica e vendeve të Ballkanit e dënuan sulmin rus në Ukrainë duke mbështetur sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Rusisë, në Serbi ka pasur demonstrata në mbrojtje të Rusisë dhe ofensivës ushtarake të ndërmarrë nga Vladimir Putini. Kësisoj, nëse Europa Perëndimore sot duket shumë më e përbashkuar krahasimisht me ditët e para të luftës, e njëjta gjë nuk mund të thuhet në rastin e Ballkanit Perëndimor, ku duket se nuk ekziston e njëjta shkallë konsensusi mbi sanksionet ndaj Rusisë. Sot, më shumë se kurrë, duket se për rajonin do të ishte tejet e rëndësishme ofrimi i një alternative emergjente për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian në vend që të shtyhet vazhdimisht hapja e negociatave, çka historikisht ka qenë ndër shkaqet themelore historike të përcaktimit të këtij rajoni si “zonë kufitare” ose “pikë përplasjeje” midis Perëndimit dhe Lindjes, duke mos u bërë pjesë në asnjërën prej këtyre dy projekteve të mëdha gjeopolitike. Nëse politikat europiane për ta konsideruar Ballkanin, si pjesë të identitetit politik dhe territorit europian thuajse përherë kanë qenë hezituese, anasjelltas vendet e Ballkanit dhe, sidomos, ato me popullsi shqiptare kanë ofruar thuajse përherë mbështetjen e tyre ndaj Perëndimit në çdo konflikt ushtarak të fuqive perëndimore në lindje. Pavarësisht se konflikti aktual i sheh të rreshtuara vendet e Ballkanit në kahe të ndryshme, duket se në BE vazhdojnë të kenë përparësi politikat që favorizojnë status-quo-në për vendet kandidate për anëtarësim dhe skepticizmi kundrejt politikave të zgjerimit.

 

Orientimi politik i Shqipërisë dhe Kosovës gjatë luftës në Ukrainë

 

Megjithëse jo aq i rrezikuar sa shtetet me karakter multietnik në rajonin e Ballkanit, sipas studiueses Dejana Sariç, Shqipëria ka dhënë një kontribut të dukshëm, ndonëse modest sipas kapaciteteve të saj, në “ndihmat humanitare dhe strehimin e refugjatëve ukrainas. Disa organizime të shoqërisë civile janë mobilizuar në mbështetje të Ukrainës ku ndër të tjera Bashkia e Tiranës përuroi me emrin ‘Ukraina e Lirë’ një rrugë përbri Ambasadës Ruse në Tiranë”. Pothuaj të gjitha kompanitë mediatike janë treguar aktive në transmetimin e gjendjes në Ukrainë qysh në javët e para të konfliktit. Teksa konflikti në Ukrainë nisi të përshkallëzohet, edhe në Shqipëri nisën të shfaqen pasojat e para të luftës, sidomos në aspektin ekonomik, por edhe në çështje që lidhen me perspektivat e sigurisë rajonale. Një ndër efektet e para ekonomike ishte rritja e inflacionit dhe rritja e çmimeve të produkteve kryesore, veçanërisht çmimit të naftës, i cili ka regjistruar një rekord historik në Shqipëri. Një tjetër sektor, që pritet të ndikohet nga kriza ekonomike, është ai i turizmit për shkak të numrit të madh të turistëve rus dhe ukrainas që e kanë vizituar Shqipërinë përgjatë viteve të fundit. Nga perspektiva e sigurisë energjetike, studiuesja Sariç shkruan se Shqipëria është shumë më pak e prirë të ndikohet për shkak se është më pak e varur nga gazi rus sesa disa nga vendet e tjera të rajonit. Megjithëse politikisht shteti shqiptar nuk pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë nga lufta në Ukrainë, sidomos për shkak se kemi të bëjmë me një vend anëtar të NATO-s, pozicioni strategjik dhe çështjet e sigurisë së këtij vendi janë të lidhura ngushtë me pozitat e shqiptarëve të tjerë në rajon, veçanërisht shtetit të Kosovës.

Analogjia e Vladimir Putinit – në kohën e aneksimit të Krimesë në vitin 2014 – midis Kosovës dhe Ukrainës vijoi me njohjen nga ana e Rusisë të krahinave të Donetsk dhe Luhansk si republika të pavarura. Në njëfarë mënyre, analogjia me Kosovën i rithekson ambiciet e Rusisë për t’u kthyer në një aktor me shumë influencë në Ballkanin Perëndimor, njësoj siç u kthye NATO në fundin e viteve të ’90-ta. Paralelizmi ndërmjet bombardimeve të NATO-s në Beograd dhe pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë është përdorur gjerësisht në ligjërimet politike në Serbi, duke e kthyer kësisoj Kosovën në një precedent ku mbështeten objektivat për rivijëzimin e kufijve.

Ndryshe nga shteti shqiptar, ku pasojat e luftës në Ukrainë kanë qenë kryesisht në aspektin ekonomik, në rastin e Kosovës konflikti në Ukrainë ka pasur një impakt më të gjerë në tensionet e brendshme që ka sjellë në këtë vend. Së pari për shkak se influenca ruse në rastin e Kosovë është më e pranishme në kuadër të dialogut me Serbinë, gjë që në të ardhmen mund të krijojë një zonë të re përplasjeje midis Perëndimit dhe Lindjes. Së dyti për shkak se fuqizimi i Rusisë mund të krijojë avantazhe në politikën e jashtme të Serbisë në rajon dhe mund ta shndërrojë Serbinë në një fuqi destabilizuese të rajonit. Nga ana tjetër, e neutralitetit të Serbisë ndaj sanksioneve që i janë vendosur Rusisë nga vendet perëndimore mund të konsiderohet si një mundësi e rëndësishme për Kosovën për t’u pozicionuar ka Perëndimi, gjë që në të ardhmen mund t’i çelë hapësira të reja politike aspiratave të shtetit të Kosovës, ashtu sikundër edhe popullsisë shqiptare në rajon. Sidoqoftë, rrjedhat e kësaj lufte dhe influenca e Rusisë në rajon pritet të kenë dinamika të reja për sa u takon marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Tashmë është bërë e dukshme që lufta në Ukrainë ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në shpërthimin e dhunës në zonat me pakica serbe në veri të Kosovës. Trazirat e fundit në veri të Kosovës u pasuan me vizitën e ambasadorit rus në Serbi, gjë që e tregon hapur vullnetin e Rusisë për ta ruajtur influencën e saj gjeopolitike në “zonat e kuqe” të Ballkanit. Në rastin e një disfate të mundshme të Rusisë në luftën në Ukrainë, territori ku janë vendosur pakicat serbe në veri të Kosovës, si dhe Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, mund të shndërrohen në zonat e ardhshme të trazirave dhe të luftës për pushtet midis Rusisë dhe Perëndimit. Në përgjigje të rrezikut që Ballkani Perëndimor të kthehet në zonën e përplasjes mes Rusisë dhe Perëndimit, qeveria e Kosovës ka bërë thirrje për vendosjen e një baze të përhershme të NATO-s në vend, si dhe për përshpejtimin e procedurave të anëtarësimit në NATO. Pavarësisht së shtete të ndryshme të BE-së vijojnë të mos e njohin shtetin e Kosovës, rrethanat e tanishme gjeopolitike mund të sjellin shembjen e disa “tabuve” për sa i përket anëtarësimit të një vendi në Bashkimin Europian. Në historinë e politikave për zgjerim të BE-së, shpeshherë arsyet gjeopolitike kanë prevaluar ndaj pengesave burokratike. Në fakt, përgjatë Luftës së Ftohtë në shekullin e kaluar në kohën kur rivaliteti ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit kishte arritur kulmin, ekzistojnë precedentë që demonstrojnë se anëtarësimi i vendeve, si p.sh – rasti më evident – Greqia në Bashkimin Europian, ka ardhur më tepër si rrjedhojë e interesave gjeopolitike sesa si pasojë e plotësimit të kritereve politike dhe ekonomike për anëtarësim. Kësisoj, pavarësisht se risku i destabilizimit të rajonit është i konsiderueshëm, sidomos në zonat ku Serbia vijon ta ruajë influencën e saj, për popullsinë shqiptare në rajon orientimi kah Perëndimit, për aq kohë sa Serbia vijon ta ruajë neutralitetin përkundrejt sanksioneve ndaj Rusisë, në një të ardhme afatshkurtër mund të sjellë avantazhe. Për më tepër, rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Serbi, ku partia e Vuçiqit pati humbje të dallueshme, ndërsa disa parti të reja euroskeptike e kaluan pragun zgjedhor, duke u bërë pjesë e parlamentit, janë tregues që demonstrojnë edhe më dukshëm se euroskepticizmi dhe mbështetja e Rusisë në Serbi kanë ardhur drejt rritjes pas konfliktit në Ukrainë. Në kushtet e një situate të ngjashme me Luftën e Ftohtë, aktualisht jemi në momentin ku Bashkimi Europian është i detyruar t’i rishohë kufijtë e tij politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që në të ardhmen luftërat e viteve të ’90-ta të mos mbeten veçse një kujtim i largët.