` . Pas një viti ndërprerje, rihapen kanalet e komunikimit midis Koresë së Veriut dhe Jugut - TV SHENJA

Pas një viti ndërprerje, rihapen kanalet e komunikimit midis Koresë së Veriut dhe Jugut

Midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut janë rihapur kanalet e komunikimit, të cilat tashmë një vit po mbaheshin të mbyllura.

Zyra Presidenciale e Koresë së Jugut tha në një deklaratë se korrespondenca midis udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe Presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in, e cila ka vazhduar që nga prilli për të rihapur kanalet e mbyllura të komunikimit, ka dhënë rezultate pozitive.

Në deklaratë thuhet se linjat zyrtare të komunikimit midis dy vendeve u aktivizuan dhe se shpresohet që “marrëdhëniet dypalëshe do të përmirësohen sërish sa më shpejt të jetë e mundur në kuadër të besimit të ndërsjellë”.

Agjencia shtetërore e Koresë së Veriut gjithashtu konfirmoi deklaratën zyrtare nga Koreja e Jugut.

Vitin e kaluar, qeveria e Koresë së Veriut vendosi të mbyllë kanalet e komunikimit me Korenë e Jugut pasi nuk arriti të marrë masa kundër aktivistëve të Koresë së Jugut që dërgonin fletëpalosje protestuese në kufirin e Koresë së Veriut përmes detit.