Pas konfiskimit të 400 kg kokainë, policia arreston edhe dy persona në Prishtinë

Pas konfiskimit të 400 kg kokainë, policia arreston edhe dy persona në Prishtinë

Dy persona janë arrestuar sot pas hetimeve të kryera lidhur me rastin që ka të bëjë me rastit të konfiskimit të 400 kg kokainë, në Lipjan në maj të vitit të kaluar.

Në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në vazhdim të hetimeve për rastin që ka të bëjë me sekuestrimin e 400 kilogramëve të substancave narkotike të llojit kokainë, sot, më 23 shtator 2022, ka realizuar bastisje në dy lokacione, transmeton Telegrafi.

Sipas urdhrit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, përveç sigurimit të provave materiale, policia ka arrestuar dhe ndaluar dy (2) persona me inicialet H.SH dhe N.M, shtetas të Republikës së Kosovës, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale, si në vijim: pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe për veprat penale të kryera në bashkëkryerje, pengimi i të provuarit apo procedurës
zyrtare dhe frikësimi gjatë procedurës penale, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të vazhdojë procedurat e tjera ligjore në rastin konkret.

Në maj të vitit të kaluar, shtatë persona janë arrestuar pasi drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me narkotik në koordinim me policinë italiane dhe shqiptare, pas një hetimi të përbashkët gjatë kontrollit në depon e një kompanie kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 400 kg.

Aksioni për kapjen ishte realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë.

Kokaina, e cila u kap në oborrin e një kompanie private, kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e barte atë.

Aktualisht, për rastin e njëjtë, në paraburgim janë duke qëndruar edhe katër persona të tjera. Deri më tani, Prokuroria Speciale nuk ka ngritur asnjë aktakuzë. /Telegrafi/