Pas kërkesës së SHBA-së, Qeveria e Kosovë shtyn zbatimin e vendimeve për reciprocitet deri me 1 shtator

Pas kërkesës së SHBA-së, Qeveria e Kosovë shtyn zbatimin e vendimeve për reciprocitet deri me 1 shtator

Qeveria e Kosovës ka shtyrë vendimin e reciprocitetit për targa dhe letërnjoftime deri me 1 shtator.

Në deklaratën e lëshuar të Qeverisë, thuhet se vendimi erdhi pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, si dhe faktorët të tjerë ndërkombëtarë.

“Kurti së bashku me Osmanin dhe zv/kryeminsitrin Bislimi e Gërvalla, kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Tutje Qeveria ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.

Po ashtu, ka dënuar ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje.

“Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë”.

Në fund Qeveria thotë se akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e së dielës, të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.