` . Pas heqjes së reciprocitetit, Kurti për Qeverinë Hoti: E paligjshme dhe në shërbim të Serbisë - TV SHENJA

Pas heqjes së reciprocitetit, Kurti për Qeverinë Hoti: E paligjshme dhe në shërbim të Serbisë

Ish-kryeministri Albin Kurti, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, për heqjen e masave të reciprocitetit karshi Serbisë.

Kurti ka shkruar në Facebook, se Kosova punon edhe gjatë ditëve të vikendit vetëm që t’ia heq reciprocitetin Serbisë, dhe kjo sipas tij është e paligjshme.

Siç shkruan Kurti, me vendimin e sotëm, Hoti ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut.

Postimi i plotë i Kurtit:

“Edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë

Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka panumër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës.

Pardje njoftuan mediet se 20 kamionë që kanë hyrë nga Serbia e respektuan masën tonë të reciprocitetit: https://kallxo.com/…/masat-e-reciprocitetit-rreth-20-kamio…/

Në dokumentet e tyre e kanë shkruar: Republika e Kosovës. Pra, ata po e zbatonin reciprocitetin. Por, pas vendimit të sotëm, nuk do të kenë më nevojë.

Hoti ka deklaruar që i ka hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut. Një këso shërbimi të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveçqë dialogu do të jetë asimetrik sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogut.

Historikisht shqiptarët i kanë pasur dy rryma politike varësisht nga qëndrimet e tyre karshi Serbisë. As sot nuk është ndryshe, por, si rrallë herë më parë situata është qartësuar”, ka shkruar Kurti.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka votuar për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Këto masa u vendosën më 1 prill nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit janë hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të SerbisëEdhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta…

Gepostet von Albin Kurti am Samstag, 6. Juni 2020