` . PARIMET E DREJTSHKRIMIT NË PROJEKTIN “RREGULLAT E DREJTSHKRIMIT TË SHQIPES” - TV SHENJA

PARIMET E DREJTSHKRIMIT NË PROJEKTIN “RREGULLAT E DREJTSHKRIMIT TË SHQIPES”

Diskutimet e shumë pjesëmarrësve të KDGJSH-së mbeten vetëm në letër të shënuara, veçanërisht ato që u dhanë lidhur me çështjen e “ë”-së së patheksuar. Shikuar nga ajo se sa propozime të pjesëmarrësve të KDGJSH-së, gjuhëtarëve më të mirë të Shqipërisë dhe të atyre të zgjedhurve nga të gjitha trevat e populluara me shqiptarë, ranë në vesh të shurdhur, mund të konkludohet se ajo që ishte përgatitur 5 vjet më parë, mbeti si propozim që duhej vulosur, me shumë pak ndryshime, edhe në KDGJSH.

Shkruan: Haki YMERI-BINA, Shkup

 Në “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” (Projekt, punuar nga: Profesorët Kostallari, Çabej dhe Domi; Asistent: Emil Lafe) lidhur me parimet e drejtshkrimit të shqipes në mënyrë të shkurtër thuhet:

& ”1. Parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonetik: fjalët shkruhen ashtu si shqiptohen.

& 2. Parimi fonetik i drejtshkrimit të shqipes plotësohet edhe nga parimi morfologjik, d.m.th. nga synimi që të ruhen sa më të qarta në shkrim struktura dhe njësia e trajtave, si edhe struktura e formimit të fjalëve.

& 3. Drejtshkrimi i sotëm i shqipes në përgjithësi ruan dhe zhvillon më tej traditën e shkrimit të gjuhës sonë, dhe

& 4. Drejtshkrimi i shqipes, në pajtim me prirjen e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës letrare, synon njësimin e mëtejshëm të normës kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta”. (Drejtshkrimit të zanoreve (dhe bashkimit të tyre) i kushtohen 26 faqe të tekstit. Nga këto 26 faqe tekst vetëm zanores “ë” i kushtohen 19 faqe, gjashtë zanoreve të tjera më pak se dy faqe, ndërsa drejtshkrimit të grupeve të zanoreve (ie, ye dhe ua/ue) pesë faqe).

Nga këto të dhëna shihet qartë se ç’rëndësi e papërfillur i është dhënë çështjes së parimeve të drejtshkrimit të shqipes me këto katër përkufizime “të thata”, pa sqarime dhe pa konkretizime me shembuj përkatës, në më pak se gjysmë faqe. Vetëm kaq e asgjë më tepër, në më pak se gjysmë faqe është thënë për këtë materie, për të cilën ndoshta është menduar se aq duhej ditur në vitin 1967. Mirëpo, si duket, puna s’paska qenë ashtu. Kjo shihet qartë nga kundërshtitë e paraqitura lidhur me këtë materie në referatet e lexuara në KDGJSH, nga të cilat del një e vërtetë krejtësisht tjetër në vitin 1972. Përkufizimet e parimeve të drejtshkrimit mbeten pa shpjegime dhe argumentime me shembuj të nevojshëm për t’i sqaruar më mirë këto koncepte të drejtshkrimit në vitin 1972, ashtu siç veprohet në gramatikë ose në matematikë, ku çdo rregull ose përkufizim konkretizohet me shembuj ose detyra adekuate. Komisioni i rregullave të drejtshkrimit nuk mundi të japë njohuri të duhura për këtë materie që ishte studiuar, me siguri shumë pak më parë.

Profesor Androkli Kostallari, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë, dhe dy legjendat e shkencës linguistike, profesorët Eqrem Çabej dhe Mahir Domi, së bashku me asistentin e tyre, Prof. Emil Lafen, përgatitën material për parimet e drejtshkrimit, pesë vjet më parë se të mbahet Kongresi, për ta diskutuar më parë punëtorët e praktikës shkollore atë material lidhur me problemin e parimeve të drejtshkrimit. Për cilin tekst të diskutonin njerëzit e arsimit 5 vjet me radhë nga viti 1967, po edhe kandidatët e tjerë që iu rrekën punës në KDGJSH për ta trajtuar problemin e parimeve të drejtshkrimit në vitin 1972? Ata kishin para vetes tekstin “PARIMET E PËRGJITHSHME” me katër përkufizime, me 106 fjalë të shtrira në katër paragrafë dhe në 528 shenja (kompjuteri). Nuk është e rastit ajo se në këtë lëmë të parimeve të drejtshkrimit që referuan rreth 15-16 referues, nuk pati qëndrime të njëjta”. Mbeti vetëm qëndrimi për ta mbështetur drejtshkrimin në sa më tepër elemente të parimit fonetik, d.m.th. për t`i fonetizuar fjalët, të cilat motivoheshin nga tradita, mirëpo në anën tjetër, përkundër kësaj, kërkohej edhe ruajtja e morfoformës së fjalës, edhe pse edhe njëra edhe tjetra kërkesë janë bile pak në kundërshti.

Prof. Mahir Domi ishte shembullor në konkretizim të asaj për se ishte përcaktuar. Ai ndër të parët shprehet për rëndësinë e zbatimit të parimit fonetik në standardin e gjuhës shqipe, duke e mbështetur atë që thotë me punën e bërë të rilindësve, të përpiluesve të alfabetit dhe me punën me vlerë të jashtëzakonshme të Komisisë Letrare, me një qëndrim që rëndoi shumë në atë Kongres me rëndësi të madhe shkencore dhe kombëtare. Kështu, pesë vjet prapa në vitin 1972 në KDGJSH, nga ky komision vetëm profesorët Androkli Kostallari dhe Mahir Domi përcaktohen për ta bërë atë që nuk e bënë pesë vjet më parë, ndërsa Prof. Çabej trajtoi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit, me shumë takt dhe urtësi kërkon nga “hartuesit e drejtshkrimit përgjegjësi dhe ndërgjegje të lartë në kodifikimin e çdo rregulle drejtshkrimore…”, si një “amanet” që s`duhet harruar edhe sot e gjithmonë “se si duhet punuar për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare”. (“Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe drejtshkrimit”….f. 128)”. Gjuha e shkrimit, shton ai, duhet të dalë nga gjuha e gjallë e popullit. Gjuha popullore në mënyrë të pareshtur ushqen gjuhën e shkrimit. Nëse kjo gjuhë shkrimore largohet nga ligjërimi i popullit, ajo largohet edhe nga masat popullore dhe rrezikon të bëhet gjuhë letre, gjuhë artificiale. Gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe, përfundon profesori i nderuar.

Disa prej kandidatëve që shkruanin për parimet e drejtshkrimit provuan, madje, edhe për të përcaktuar se cili nga parimet ishte mbizotërues, fonetiku apo morfologjiku.

I pari nga këta ishte prof. Kostallari, i cili tentoi edhe ta përcaktojë përpjesën e këtyre zbatimeve të parmeve të drejtshkrimit. Gjuhëtarët, që provuan ta zgjidhin këtë mosbarazim për të parë se cili krah i këtij mosbarazimi ngadhënjen, ai i zbatimit të parimit fonetik ose tjetri i zbatimit të parimit morfologjik, mbetën pa përgjigje të saktë. Zgjidhja e këtij mosbarazimi ngjason me zgjidhjen e një barazimi të Diofantit me më shumë të panjohura se sa barazime, një pjesë e të panjohurave duhet të jepen të gatshme, për të njehsuar një të panjohur, punë kjo e cila të afron zgjidhje të panumërta. Prandaj, mbetet puna me supozime. Këtë punë e provoi vetë prof. Androkliu me referatin e tij “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj” në KDGJSH, duke marrë si material studimi fjalët e fjalësit të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të vitit 1954. Normalisht nxori përfundime të dyshimta (Shikoni tabelën e bërë në faqen 55 të librit “KDGJSH?” Në Fjalorin e gjuhës shqipe të vitit 1954 gjen 76,7% “fjalë që shkruhen plotësisht sipas parmit fonetik dhe 23,2% fjalë që shkruhen jo plotësisht sipas parimit fonetik”). Sipas meje, nuk mund të ngadhënjejë assesi parimi fonetik ndaj parimit morfologjik, nëse merren në shqyrtim fjalë nga fjalësi i cilit do fjalor, sepse këto fjalë në fjalës, zakonisht, mbeten me temë të pathyer, ose shumë pak të thyer, nga zbatimi i parimit fonetik. Ndryshe ndodh puna në paradigmë.

Dështimi rrjedh nga parimet e drejtshkrimit të pakonkretizuara me shembuj adekuatë në Projektin e vitit 1965. Prof. Androkli Kostallari në referatin (Prof. A. Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj (referat), KDGJSH, f. 21.) 48 faqesh pak vend u kushton parimeve të drejtshkrimit, ndërsa pjesën më të madhe të referatit, si drejtor Instituti që ishte, e ka me karakter politik. Ai flet për historikun e shqipes, për kushtet e zhvillimit të saj para dhe prapa revolucionit, normalisht duke himnizuar këtë etapë të dytë. Shkruan edhe për sistemin e shqipes letrare, sistemin zanor, në mënyrë të veçantë për “ë”-në e patheksuar, për funksionet, por edhe për problemet e saj, për elementet e përbashkëta të dy dialekteve, si dhe për studimet e gjera dialektologjike të kryera pas çlirimit, për t’i kritikuar ata që në të kaluarën dyshonin në njësinë gjuhësore të shqipes. Këtë e mbështet edhe me qëndrimin e drejtë të Holger Pedersenit. Të gjitha këto i trajton në nivel shumë të lartë.

Autorët e kumtesave të parashtruara në KDGJSH, Projektin e “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes”, botuar në vitin 1967, e vlerësuan shumë, duke thënë se ai“shënon një ngjarje me rëndësi të madhe në historinë e gjuhës sonë letrare kombëtare. Ky projekt jo vetëm që dha zgjidhje në pajtim me realitetin objektiv dhe me prirjet më të përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare kombëtare, por qe edhe kontribut i drejtpërdrejtë në kristalizimin e normës letrare.”

Fjalë të mira për këto rregulla u thanë edhe nga shumica e referuesve, madje edhe për Parimet e drejtshkrimit, pavarësisht mungesës së një materiali më të gjerë për to, pa mbështetje shembujsh që do t`u shërbenin referuesve të KDGJSH-së si orientim në shkrimin e referateve të tyre lidhur me Parimet e drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe. Në mungesë sqarimesh dhe shembujsh mbështetës për parimet e drejtshkrimit në projekt, një pjesë e referuesve për këtë materie mendonin se në drejtshkrimin e gjuhës shqipe zbatohet vetëm një parim në mënyrë të veçuar. Pjesa tjetër (me të drejtë) shihnin nga dy parime kryesore paralelisht, fonetikun me morfologjikun, ose morfologjiku me parimin tradicional, si parime kryesore, të cilat përcillen edhe me parime ndihmëse, që në fakt janë një varg rregullash, si p.sh. shkrimi i drejtë dhe i njëllojtë i fjalëve, shkrimi i tyre njësh, ndaras dhe me vijë në mes, përdorimi i shkronjës së madhe etj. Duke u mbështetur në “… strukturën fonetike të shqipes letrare, shumica e referuesve propozuan që rregullat e drejtshkrimit të ndërtohen në pajtim me parimin fonetik, si parim themelor i drejtshkrimit, mbështetur në shqiptimin më të përgjithshëm të popullit, po edhe të strukturës së alfabetit të shqipes, bazuar në parimin “çdo tingull një shkronjë”, i cili përgjithësisht paraqet besnikërisht përbërjen fonematike të morfoformave, pa harruar aspak edhe ruajtjen e trajtave dhe të pjesëve të ndryshme të ligjëratës”.

Për “Rregullat e drejtshkrimit…” prof. Menella Totoni dhe Prof. Fatmir Agalliu thanë:” Ky projekt me rëndësi të madhe shkencore iu nënshtrua një diskutimi shumë të gjërë, i cili kontribuoi shumë në kristalizimin e rregullave të gjuhës standarde, por edhe në përgatitjen e gjuhëtarëve, në prag të një pune edhe më të leverdishme në vitin 1972”, ndërsa Prof. Androkli Kostallari vlerat e kësaj pune ia dedikon punës së gjatë,“ e cila paska filluar që në vitet e para pas çlirimit të Shqipërisë”. Kështu ishte zakon të thuhet në ato kohëra të partisë komuniste. Aty këtu përmendej Rilindja e shumë më pak edhe kontributi i Komisisë Letrare të Shkodrës. Këtë nuk e harroi prof. Bahri Beci prandaj shtoi se:” Rregullat kanë ruajtur dhe zhvilluar më tej në radhë të parë parimin themelor të drejtshkrimit të gjuhës shqipe të formuluar që në vitin 1917 në “Rregullat mbi ortografinë shqipe të shkruam prej Komisisë letrare“. Atje është thënë se “ortografija e gjuhës shqipe do të jetë fonetike, që do të thotë se gjuha do të shkruhet ashtu si flitet prej popullit…” (Cituar sipas referatit të prof. Bahri Becit “Rreth parimit tradicional-historik në drejtshkrimin e shqipes”, në KDGJSH).

Pavarësisht se ky PROJEKT u përgatit nga gjuhëtarë më të denjë të kohës, pavarësisht kësaj pune të lavdëruar shumë të tyre, e cila duhej t`ua lehtësonte në masë të madhe punën kandidatëve të KDGJSH-së, veças për parimet e drejtshkrimit dhe për drejtshkrimin e zanores “ë” të patheksuar, problemin numër një të drejtshkrimit të gjuhës standarde shqipe, puna e Komisionit u përcoll edhe me ca dobësi. Këtë e pranojnë edhe anëtarët e Komisionit të rregullave të drejtshkrimit kur thonë: “Komisioni i Rregullave të drejtshkrimit është i ndërgjegjshëm se këtë detyrë kaq të ndërlikuar e njëkohësisht kaq të rëndësishme nuk mund ta zgjidhë vetëm një grup. Ai është i bindur se projekti i hartuar prej tij ka mjaft çështje që duhen plotësuar. Për këtë arsye Komisioni i drejtshkrimit u bën thirrje të gjithë punonjësve, e në radhë të parë, punonjësve të arsimit e të kulturës, të marrin pjesë gjallërisht në diskutim të këtij projekti… Pjesëmarrja në këtë diskutim është një kontribut shumë i vlefshëm dhe i pazëvendësueshëm që e kanë për detyrë të japin punonjësit e kulturës. (Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (projekt, botuar më1967 në Tiranë, ribotuar në Prishtinë me më 1970 )... Këto fjalë të Komisionit të rregullave të drejtshkrimit për të treguar se çfarë përgjegjësie kanë pasur janë të vërteta, ndërsa ato të tjerat ku bëhet fjalë për kërkim mendimesh edhe nga masat e gjëra punuese e krijuese… janë politikëbërje të kohës së komunizmit. E them kështu, sepse edhe diskutimet e shumë pjesëmarrësve të KDGJSH-së mbeten vetëm në letër të shënuara, veçanërisht ato që u dhanë lidhur me çështjen e “ë”-së së patheksuar. Shikuar nga ajo se sa propozime të pjesëmarrësve të KDGJSH-së, gjuhëtarëve më të mirë të Shqipërisë dhe të atyre të zgjedhurve nga të gjitha trevat e populluara me shqiptarë, ranë në vesh të shurdhur, mund të konkludohet se ajo që ishte përgatitur 5 vjet më parë, mbeti si propozim që duhej vulosur, me shumë pak ndryshime, edhe në KDGJSH.