` . Parantezë gjeopolitike e non-paper-ëve dhe shqiptarët - TV SHENJA

Parantezë gjeopolitike e non-paper-ëve dhe shqiptarët

Lëvizjet gjeopolitike, po edhe gjeostrategjike, në Ballkanin Perëndimor, historikisht, dhe tash posaçërisht, e kanë prekur dhe e prekin, rrotullohen vazhdimisht rreth saj, edhe gjeopolitikën e kombit shqiptar, të institucionalizuar tash në dy etnitete shtetërore të pavarura, Shqipërinë dhe Kosovën, dhe është e kuptueshme se pozicionet gjeopolitike dhe gjeostrategjike shqiptare, si ndaj paradigmës unike euro-atlantike, si ndaj koniukturave eventuale, strategjia gjeopolitike dhe jo vetëm, duhet të jetë e artikuluar qartë.

Shkruan: Nijazi MUHAMEDI, Tetovë

Konfuzioni që u krijua rreth ristrukturimit ose rifiligranimit të BashkimitEuropian në modalitetet më efektive të funksionimit dhe të zgjerimit po ashtu, i nxitur nga presidenti frëng, Makron, “Ballkanin Perëndimor” e futi në një parantezë gjeopolitike, e cila u bë shumë e ndjeshme për dridhje sizmike gjeopolitike të brendshme nga aktorët “ballkanikë”, veçmas nga Serbia, e cila kujtojmë se e bëri sprovën e fundit për ta shfrytëzuar këtë konfuzion europian si parantezë provokimesh për ta mbajtur Ballkanin në një konfuzion të pambaruar e të lodhur gjersa ta krijojë një momentum e kontekst të ri për të “ripozicionuar”interesat e veta të mbrapshta gjeopolitike. Non-paper-ët, sado që u afishuan me konfuzion rreth autorëve, se nga vijnë, prej kujt vijnë dhe nga dalin, nga synimet gjeopolitike “joformale që përmbanin, nuk mund të fshihnin aq bindshëm autorësinë serbe të tyre, por jo edhe aq të izoluar si vetëm serbe. Non-paperët, tashmë, mbetën vetëm si një episod manovrimesh gjeopolitike “të mbetura në tentative”, por u bënë një shkas që të zgjojnë opinionin dhe institucionet e Bashkimit Europian nga një indiferencë mosangazhimi ose angazhim të flashkët rreth mbështetjes së rrugëtimit europian të Ballkanit Perëndimor. Reagimi i shpejtë euro-atlantik ndaj non-paper-ëve i ktheu ato në “episode të dështuara”. Ushtrimet e përbashkëta të NATO-s në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe, veçmas, në Bosnjë, para hundëve të Dodikut të Republikës Serbe, non-paper-ët u dogjën tashmë.

Doli fare qartë se non-paper-ët ishin një “sprovë joformale” për të aktualizuar një rivizatim kufijsh për dobi të autorëve te non-paper-ëve, vizatim i cili prekte Bosnjën dhe Kosovën kryesisht, si fillim i kontrolluar, po “fillimet e kontrolluara” zakonisht kanë përfunduar në shtrirje dhe tmerre më të gjera të pakontrolluara. Konteksti socio-politik dhe gjeopolitik i paraqitjes së synimeve për rivizatime kufijsh nuk ka qenë aq i pafavorshëm për ta “aktualizuar” joformalisht këtë mbrapshti vizatimesh si rikthim joformal “në vitet 1990-të në vendet e autorëve të ­non-paper-ve”, ku pushtetin e kanë në duar me një shumicë të konsoliduar aktorë të njohur si mbështetës të regjimit diktatorial të Millosheviqit, sikundër është zëdhënësi i tij, presidenti i Serbisë Vuçiq, mandej Dodiku i Republikës serbe në Bosnjë dhe forca politike të ekstremizmit të djathtë etj., “qeverisja” e të cilëve ka prodhuar për mbetje në pushtet një ekonomi kriminele dhe korrupsion madhor të përgjithshëm dhe një varfëri ekstreme në popull për ta bërë atë popull të vartshëm nga zori në anë të regjimit. Përtej këtij konteksti gjeopolitik të brendshëm brenda vendeve nga dalin fantazma të vjetra non-paper-ësh është rritja e ekstremizmit të djathtë në vendet e Bashkimit Europian dhe, veçanërisht, te ndonjë vend si Austria dhe Hungaria, po jo vetëm, me liderë problematikë edhe për vetë Unionin, tek ‘mbështetja” e të cilëve kanë llogaritur autorët e non-paper-ve.

Së këndejmi, del e qartë se në Ballkanin Perëndimor, në rrugëtimin e tij drejt konsolidimit të brendshëm demokratik dhe drejt Brukselit, nuk është dështimi që e prodhon multietniciteti ballkanik, ndaj të cilit edhe Bashkimi Europian nuk sillet me bindje dhe veprime të sinqerta për ta konsoliduar si standard dhe normativë europiane, por është projekti antagonist i multietnicitetit, projekti antieuropian i “shtet-kombeve etnocentriste që aspirantët për hyrje ne BE pretendojnë ta konservojnë në rrugë e sipër, me etiketa të riartikultuara ndryshe prej atyre të kompromituarave, sikundër është “bota serbe”, një riemërtim për “Naçertanien serbe” nga ana e Vuçiqit ose ecjen e Maqedonisë së Veriut me stratagjema “konsensuale” me faktorë të klonuar “shqipfolës” drejt shtet-kombit etnik maqedonas në kundërvënie flagrante me realitetet e veta të multietnicitetit edhe përtej modelit të shtet-kombit etnik slloven etj. Së këndejmi, riangazhim ieuropian, përveç aspekteve të veta dhe të përbashkëta gjeopolitike dhe gjeostrategjike, që duhet t’i afirmojë fuqishëm në rrugën e aderimit të këtyre vendeve në BE, është imperative e pashmangshme që të rimendojë dhe të rikuptimsojë standardet dhe vlerat europiane të multietnicitetit si kritere specifike dhe formula politiko-institucionale evropiane të individualizuara për secilin nga këto vende që aspirojnë dhe janë në rrugë e sipër t’i afrohen BE-së. Kthesa kardinale duhet bërë në këtë aspekt domosdoshmërisht. Por, në këtë drejtim, edhe vetë BE-ja, për shkaqe të veta problematike për këto kritere dhe formula, heziton dhe mbyll sytë kur ato nuk i plotësojnë edhe vendet aspirante me realitete të thella dhe historike të multietnicitetit, sikundër është Maqedonia e Veriut dhe jo vetëm; kurse “kriteret e multietnicitetit”, për ta penguar konsolidimin si shtet-komb civil të Kosovës ose multietnicitetin real të Bosnjës, sikundër kanë nisur dinamikat e riartikultimit të brendshëm të saj përtej Marrëveshjes jofunksionale të Dejtonit.

Lëvizjet gjeopolitike, po edhe gjeostrategjike, në Ballkanin Perëndimor, historikisht, dhe tash posaçërisht, e kanë prekur dhe e prekin, rrotullohen vazhdimisht rreth saj, edhe gjeopolitikën e kombit shqiptar, të institucionalizuar tash në dy etnitete shtetërore të pavarura, Shqipërinë dhe Kosovën, dhe është e kuptueshme se pozicionet gjeopolitike dhe gjeostrategjike shqiptare, si ndaj paradigmës unike euro-atlantike, si ndaj koniukturave eventuale, strategjia gjeopolitike dhe jo vetëm, duhet të jetë e artikuluar qartë, të jetë plotësisht unike dhe e dimensionuar në plotninë  e saj pëmbajtjesore. Procesi i shtetkonsolidimit të Kosovës, përfshi këtu edhe mbylljen e “problemit” serbo-shqiptar me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, tash më tepër se më parë e bën më imperative konvergjencën e veprimit dhe të bashkëpunimit shumëdimensional mes tyre dhe përballë të tjerëve, duke e hapur edhe duke bërë përpjekje efektive për thellimin e paradigmës së bashkimit brendakombëtar. Tash e paskëtaj është fare e domosdoshme që një ditë e vetme nuk duhet të na gjejë pa këtë strategji gjeopolitike shqiptare, nëse kemi marrë mësim nga përvojat e deritashme me lëvizje jo aq të koordinuara brendashqiptare, me qasje kakafonike here-herë ndaj ndonjë koniukture gjeopolitike, që synonte të prekte integritetin e interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike shqiptare.

Konteksti brendashqiptar për një dinamizëm gjeopolitik dhe gjeostrategjik shqiptar brenda paradigmës euro-atlantike vërehet se do të fillojë të bëhet më i favorshëm në aspektin e konsolidimit të proceseve demokratike brenda vetes dhe si synim për përmbushjen e aspiratave për integrimin europian. Zgjedhjet e fundit, në Kosovë dhe në Shqipëri, mendojmë se do të lënë pas një periodë tejet të stërzgjatur të tranzicionit demokratik tek njëra anë (Shqipëria) dhe perioda e paspavarësisë (Kosova) dhe të tërheqjes zvarrë të të dy demokracive për dëm të interesave të qytetarëve. Në këtë dritë, për të kapërcyer pak më efektivisht vonesat e deridjeshme, edhe vizioni për një qeveri të qëndrueshme përtej numrave të siguruar për qeverisje vetëm, pra për një qeveri koalicioni dhekonkretisht PS-PD, nëse mendohet e synohet me përgjegjësi demokratike dhe kombëtare, larg sedrave egoiste politike, do të ishte për dobi të vendit dhe jo vetëm.