` . Paranoja maqedonase e regjistrimit - TV SHENJA

Paranoja maqedonase e regjistrimit

Keqpërdorimi i regjistrimit dhe fshehja pas pandemisë tregon se në Maqedoninë e Veriut nuk kemi shteti ligjor dhe grupet etnike që janë më të ekspozuara nga vendimet qeveritare dhe organet maqedonase mund të preken më shumë në të ardhmen nga regjistrimi. Pala maqedonase ka frikë se çdo ndryshim demografik do të sjellë atmosferë tjetër brenda vendit, grup etnik që po sfidohet nga Bullgaria. Një çarje tjetër me shqiptarët etnikë do të ishte fatale për kombin e ri maqedonas, që me dekada qëndron dhe ushqehet mbi kurrizin dhe djersën e shqiptarëve autoktonë.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Vitin e kaluar kur u zhvillua regjistrimi në SHBA asnjëra parti politike nuk e politizoi procesin dhe as thanë gjë nëse operacioni statistikor i prek ndjenjat fetare, etnike ose edhe racore të shoqërisë amerikane. Në vitin 2010 për herë të parë u regjistrova në SHBA, me një formular të thjeshtë, i cili dërgohej përsëri në postë dhe plotësohej për katër minuta. Po të njëjtën procedurë e përsërita vitin e kaluar (2020) për veten dhe anëtarët e tjerë të familjes në SHBA. Ndërkohë, kur u hap debati i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut (MV) e me dallime të shumta etnike dhe qëndrime politike, po bëja një paralele mes SHBA-së dhe MV-së, ku popullata amerikane u regjistrua në kohën më kritike të pandemisë dhe pa zhurmë.

E tani, në Maqedoninë e Veriut për së dyti herë procesi i regjistrimit nuk u zhvillua dhe regjistrimi masiv i diasporës shqiptare për tre javë e hapi temën shekullore të shovinizmit maqedonas, që ka për synim zvogëlimin territorial e demografik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe ekspansionin ekonomik në shpinë të qytetarëve shqiptarë dhe etnive tjera.

Ngjashmëria e programeve serbe dhe maqedonase të regjistrimit

Plan-programet nacional shoviniste maqedonase për shpërnguljen e qetë të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut drejt Europës Perëndimore, SHBA-së dhe Turqisë janë të njëjta me projektet shtetërore-historike serbe për dëbimin masiv të shqiptarëve nga Serbia Qendrore, Jugore dhe viset e tjera të pushtuara nga shteti serb – për të arritur një numër të konsiderueshëm të statistikave në dobi të interesave nacionale serbe e për të projektuar zgjerimin dhe shtimin e popullsisë mbi baza të lëvizjes së popullatës. Siç dihet, Maqedonia e Veriut, si pjesë e federatës jugosllave, ishte krijesë e komunizmit jugosllav dhe sovjetik për ta balancuar pjesën jugore të Gadishullit kundër grekëve dhe bullgarëve. Aktualisht, shteti i ri, i ndërtuar mbi eshtrat e shqiptarëve që luftuan nga fronti i Sremit e deri në Istër për një republikë të barabartë, po përjetojnë një humbje tjetër nga shteti i ashtuquajtur demokratik maqedonas me pjesëmarrjen e shqiptarëve të moderuar të ngjitur në pushtet pas konfliktit të vitit 2001.

Politikanë e akademikë maqedonas dëshirojnë ta ulin numrin e vërtetë të shqiptarëve, duke i anuluar dhe shtyrë dy regjistrimet e fundit, për të blerë kohë dhe ndërkohë duke i manipuluar partitë politike shqiptare në qeveri dhe në opozitë. Si kundërshtuese të veprimeve të qeverisë maqedonase ka qenë diaspora shqiptare e MV-së me shoqatat dhe klubet e bashkimit në Europë dhe në SHBA, e cila e dërrmoi faktorin maqedonas dhe shërbimin inteligjent shtetëror.

Mosbalancimi demografik

Frika nga numri i shqiptarëve dhe mosbalancimi etnik që do të krijohej me regjistrimin e detyroi kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev (LSDM), dhe liderin e opozitës, Hristian Mickovski (VMRO-DPMNE), të takohen e të vendosin vetë për shtyrjen e regjistrimit për në shtator të vitit 2021. Takimi pa asnjë përfaqësues të shqiptareve të MV-së tregon për etnizimin e procesit statistikor nga pala maqedonase dhe fshehjen e numrave realë të popullsisë.

Ali Ahmeti, lideri i BDI-së, dhe të tjerët që kanë hyrë nën LSDM-në, u zunë “shah-mat” nga lëvizjet e politikanëve maqedonas për ta ruajtur shtetin, kurse në publik bashkë me eksponentët shqiptarë e paraqitën atë si takim të zakonshëm ndërmjet partive maqedonase. Dështimi real apo jo i Ahmetit për të marrë pjesë në takimin Zaev-Mickovski dhe aprovimi i heshtur i tij dhe i partive të koalicionit i vendimeve etnike për regjistrimin do të reflektohet para shtatorit në përpjekjet për ta ndryshuar metodologjinë dhe për ta përjashtuar diasporën. Fuqia politike e Ali Ahmetit shihet nga mosguximi i tij për të thënë diçka, kurse prej partive satelite të LSDM-së, si “Движење Besa” dhe PDSH, as që pritet të flasin më ndryshe nga ajo çka deklaron kryeministri Zaev.

Prapaskenat e partive maqedonase dhe të qeverisë në tërësi për ta shtyrë regjistrimin për arsye të pandemisë nuk qëndrojnë, pasi simptomat psikologjike maqedonase gjatë zhvillimit të regjistrimit në diasporë tregonin se motivet maqedonase janë më të thella dhe shkojnë në strategjinë nacionale të reduktimit të popullatës shqiptare me metoda bashkëkohore. Megjithatë, faktori politik shqiptar, i zënë ngushtë nga grackat maqedonase të pushtetit, nuk ka kapacitete të ofrojë zgjidhje tjetër. Mungesa e hapësirës gjeografike, burimet financiare dhe demografia kanë qenë një ndër tiparet e fillimit të konflikteve në Europë dhe në Ballkan.

Kjo çfarë po ndodh me regjistrimin në Maqedoninë e Veriut është e barabartë me politikat shoviniste të Serbisë pas Kongresit të Berlinit, Traktatit të Shën Stefanit dhe pas Luftës së Parë Botërore, për të ndryshuar raportet në mes etnive në dëm të popullatës që nuk kishte mbrojtje as të brendshme dhe as ndërkombëtare.

Keqpërdorimi i regjistrimit dhe fshehja pas pandemisë tregon se në Maqedoninë e Veriut nuk kemi shteti ligjor dhe grupet etnike që janë më të ekspozuara nga vendimet qeveritare dhe organet maqedonase mund të preken më shumë në të ardhmen nga regjistrimi. Pala maqedonase ka frikë se çdo ndryshim demografik do të sjellë atmosferë tjetër brenda vendit, grup etnik që po sfidohet nga Bullgaria. Një çarje tjetër me shqiptarët etnikë do të ishte fatale për kombin e ri maqedonas, që me dekada qëndron dhe ushqehet mbi kurrizin dhe djersën e shqiptarëve autoktonë. Deklaratat e fundit të Zaevit dhe Mickovskit, se diaspora vetëm duhet evidentuar, të rishikohen numrat amë ose se 20 mijë qytetarë kanë numra të dyfishtë, janë shenja se skenari maqedonas i regjistrimit dhe numrave që ata dëshirojnë t’i paraqesin, mund të realizohet me përpjekjet për ta paraqitur regjistrimin në fund si proces i zhvilluar sipas standardeve ndërkombëtare dhe në pajtim me ligjet e BE-së. Fillimi i regjistrimit, afërsisht, i  zbuloi mashtrimet dhe frikën shoviniste maqedonase.

Frika dhe paranoja maqedonase e regjistrimit ndaj numrit të shqiptarëve gjithsesi duhet demokratizuar gjatë rrugës evropiane. Ndryshe përçarjet dhe konfliktet do të jenë të pashmangshme.