` . Para shkrepjes - TV SHENJA

Para shkrepjes

“Aparati fotografik është një instrument që i mëson njerëzit si të shohin pa aparat fotografik.” (Dorothea Lange)

“Një fotografi është sekreti që flet për një sekret. Sa më shumë që të flet, aq më pak di.” (Diane Arbus)

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Kujt i buzëqeshim kur fotografohemi? Askujt. Është një buzëqeshje anonime, pa adresë; ndoshta më misterioze se buzëqeshja e Mona Lisa-s. Është një lloj maske, që duhet ta vendosim për të funksionuar magjia e shkrepjes. Një ritual pa të ardhme.

Kur fotografojmë veten (selfie) ose kur na fotografon dikush, përveç marrjes së një qëndrimi të caktuar trupor (tashmë janë zgjeruar manierat), “duhet” të zgjedhim edhe një mimikë të caktuar nga platforma e padukshme e mimikave, një platformë “demokratike” që mund të ketë qasje çdokush; një listë e hapur. Zakonisht zgjidhet lehtshëm një buzëqeshje, siç zgjedhim një maskë për karnevale. Por, a buzëqeshim kur buzëqeshim teksa bëjmë një foto? Fiziologjikisht dhe anatomikisht po dhe, si e tillë, është një buzëqeshje vetëm nëpërmjet lëkurës dhe muskujve të fytyrës; është një buzëqeshje me komandë: kështu “duhet”, “për të dalë më bukur”, “për të përcjellë një ndjenjë pozitive” e shumë formula të tjera, që përdoren në të tilla raste, ku po pate gjë kundër, i hap punë vetes, si me ato thëniet e dikurshme me autorësinë “Populli”.

Në çastin që buzëqeshim në emër të fotografisë, ndodh një ndërprerje, një shkëputje nga “rutina”, një ndryshim kursi jo vetëm i gjymtyrëve dhe mimikës. Përveç kësaj, kemi të bëjmë edhe me një çast pritjeje, i parëndësishëm në dukje; një çast kur bëhemi gati për të dalë në foto. Si në rastin kur na bëjnë foto, ashtu dhe kur bëjmë foto, lypset një lloj përgatitjeje. Është një çast kur nëpërmjet daljes nga “rutina” ne rrëshqasim nga koha, për t’u shtypur më pas në pakohësinë e fotografisë. Shenja se jemi gati për këtë metamorfozë është zakonisht buzëqeshja, bileta e një udhëtimi “special”.

Kështu kulmon dorëzimi përpara objketivit, teksa ai na rrëmben hijen si negativ për të derdhur në të kopjen tonë të idealizuar. Këtu nis një tjetër pritje: kemi dalë “mirë” apo “keq”. E nëse kemi dalë “keq”, e asgjësojmë foton, si për të kërkuar falje pa adresë, sepse “fajin” për këtë e kemi vetëm ne. Aparati të nxjerr siç je, kështu që dil “mirë”.

Fotografia ka ngjizur një botë paralele ku duhet të dalim “mirë”, mbase me shpresën për të qenë mirë – një e mirë estetike, mjekësore, e për-sosur, e ftohtë (si shkëlqimi i qendrave tregtare), duke mbërritur kështu te përkufizimi fashion: nuk ka rëndësi si je, por si dukesh. Të dukesh mirë. Të dukesh bukur. Të dukesh këndshëm. Të dukesh tërheqës. Të dukesh imponues, sfidues. Magjepsje. Kopja e ëndrrës. Një kopje aq e fshehtë, sa ngjan më reale se realiteti. Sa më shumë kopje, aq më shumë harresë.

Fotografia nuk shërben për të mos harruar, por për të mos kujtuar, sepse fotografia nuk mund ta rrokë jetën e brendshme, që është burimi i kujtesës, dhe për pasojë është e detyruar ta mbulojë atë nëpërmjet lojës së sipërfaqeve.

Ja pse Magritte e titulloi La trahison des images – “Tradhtia e imazheve” pikturën e tij të njohur si Ceci n’est pas une pipe – “Kjo nuk është llullë”.

Gjithsesi, buzëqesh!