` . Pandemia - TV-SHENJA

Pandemia

Shkruan: Latif MUSTAFA

Tashmë të gjithë e dimë se çka është virusi korona. Po jo të gjithë e dimë se shumë pak dimë rreth këtij virusi. Ajo që dimë janë veç rekomandimet për masat mbrojtëse dhe karantinën shtëpiake. Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) ka dhënë disa shpjegime në ueb-portalin zyrtar përkitazi me simptomat dhe natyrën e virusit. U shpall pandemi ngaqë përhapja e saj u shtri në të gjitha pjesë e globit. Ajo, përpos panikut publik, deri më tani ka shkaktuar mijëra vdekje njerëzore dhe mbi njëqind mijë të prekur. Në Europë, pika nevralgjike është Italia, kurse tani Wuhani – provinca Kineze – prej ku edhe mëtohet të ketë ardhur ky virus, pandehet se e ka tejkaluar situatën, dhe se tani gjithçka është “nën kontroll”. Vaksina e parë, në bazë të paralajmërimeve të deri tanishme, pritet të dalë tek në vitin tjetër.

Pandemia është diçka e rrallë. Por tani e tutje askush nuk mund të garantojë se këto nuk do të jenë më të shpeshta. Interneti gurgullon nga teoritë konspirative rreth ardhjes në qenie të një virusi të tillë. Por një gjë mbetet shumë e qartë, qoftë edhe në formën e një grand hipoteze, njeriu është shkëputur tërësisht nga natyra, duke prishur dhe shkërmoqur çdo lidhje shpirtërore me të. Ai, me të shpallë veten, si të ndryshëm, si tjetri nga natyra, ai u përpoq që në vazhdimësi ta shfrytëzoj, kontrolloj dhe ta zhvat natyrën. Disharmonizimi me natyrën nënkupton refuzimin e të qenit fëmijë i saj. Kot i themi, nëna natyrë. Në ravijëzimin më të turbullt të çështjes mund të konkludohet se kemi një krekosje të “nënës natyrë” ngaqë i biri i saj, njeriu, i ka kaluar të gjitha caqet. Kjo skenë i përngjet filmit Avatar të James Cameron-it në momentin që Eva, druri i shenjtë, vendos t’i përgjigjet përpjekjes së popujve indigjen dhe ndërhyn në luftën kundër qenies eksploatuese njerëzore.

Janë disa gjëra që mund t’i mësojmë nga pandemia. E para, është mësimi mbi barazinë e gjinisë njerëzore dhe se ndaj pandemisë të gjithë jemi të barabartë, i varfëri me të pasurin, i bardhi me të ziun, laiku me fetarin, femra me mashkullin dhe të gjitha palët që krijojnë linjë krahasimi. Përtej barazisë, ajo shpalosi edhe dimensionin e fragjilitetit, dobësisë dhe falsitetit të krekosjes njerëzore. Me një fjalë, ajo qenie mikroskopike, ia përkujtoi njeriut se megjithatë, vogëlsia njerëzore është në raport të zhdrejtë me mendjemadhësinë e tij.

Mësimi i dytë që mund të nxjerrim nga virusi korona është se i gjithë njerëzimi ndodhet në një anije. Gardhiqet dhe muret e ndërtuara nga shtetet e mëdha nuk mund të parandalojnë zjarrin që njeriu e ndezi me duart e tij. Ardhja në ndihmë e mjekëve kinez, popullit Italian është shembulli më i mirë i solidaritetit dhe sfida më e fuqishme ndaj çdo stereotipi të “lindorit” dhe imagjinate për lindjen ekzotike, emocionale dhe libideske. Meqë njerëzimi udhëton me të njëjtën anije apriori kuptohet se historia dhe ardhmëria e saj janë të përbashkëta. Rrjedhimisht, njerëzimi fatin e saj duhet ta ndërtoj në bashkëpunim me njëri tjetrin, e jo t’i mbyllë kufijtë dhe secili të mbyllet në lëvozhgën e vet. Më shumë se sot, kurrë s’ka qenë kaq e nevojshme, kaq e ndjeshme shtrirja e dorës ndaj njëri tjetrit.

Mësimi i tretë, që mund të marrim nga pandemia është se njerëzimi ka nevojë për një sistem të ri global shëndetësorë. Krijimi një sistemi të sigurimit shëndetësor global, me ç’rast çdo qytetari të botës do iu mundësonte të kurohej në çdo cep të botës. Ky sistem, përpos kurimit, do të mundësonte një sistem më unikal të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, spitale moderne dhe aparaturë dhe resurse njerëzore të përbashkëta. Për më tepër, në raste endemish dhe pandemish, shtetet me deficite dhe nevoja për resurse njerëzore dhe materiale do t’i ofrohej falas nga fondacioni apo platforma e krijuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) në bashkëpunim me Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) do të përpilonin platformën për zhvillimin të qëndrueshëm të shëndetit dhe mjaftueshmërisë ushqimore globale, strategjinë për intervenim në kohë emergjencash pandemike dhe menaxhimin e situata post-pandemike.

Mësimi i katërt, që mund të merrnim në nivel lokal, me rastin e pandemisë së virusit korona është kalbësia e një sistemi të pështirë e të leckosur, një sistemi politik të beftë i cili po shpaloset me rastin e koronës. Në mesin e njerëzve, hiq zbrazjen e dyqaneve dhe panikun kolektiv, megjithatë njerëzorja akoma mbizotëron në zemrën e njeriut tonë.

Shënim: Redaksia e revistës Shenja i njofton të gjithë lexuesit se deri në qetësimin e situatës dhe kapërcimin e pandemisë, revista Shenja do vazhdojë të publikohet onlajnë në format të PDF, shkrimet e së cilës do të publikohen në portalin e www.shenja.tv. Lutemi për shërim sa më të shpejtë të të gjithë të prekurve, durim dhe kujdes për qytetarët dhe tejkalim sa më të suksesshëm të pandemisë.