` . Pandemia rriti tregtinë elektronike, uli turizmin - TV SHENJA

Pandemia rriti tregtinë elektronike, uli turizmin

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 ka prekur më së shumti sektorin e turizmit, si dhe sektorë të tjerë që lidhen me turizmin, respektivisht hotelierinë, zanatet dhe transportin, por edhe investimet në ndërtimtari. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy në kontekstin e ndryshimeve në ekonomi është rritja e tregtisë elektronike, pra shitjet në internet gjatë pandemisë, ku Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje të tregtisë elektronike, shkruan Agjencia |Anadollu.

Analiza e Shoqatës për Tregti Elektronike tregon se qytetarët e Maqedonisë së Veriut në tre muajt e parë të këtij viti në tregtinë elektronike kanë shpenzuar gjithsej 28,9 milionë euro dhe vetëm në muajin mars 10,1 milionë euro. Kjo paraqet një rritje prej 17,9 milionë eurosh  ose 61,5 për qind në krahasim me periudhën e tre muajve të parë të vitit 2019. Të dhënat tregojnë se tregtia elektronike në mars të këtij viti u rrit me 99 për qind në krahasim me marsin e vitit të kaluar. Sipas analizës, 59,4 për qind e transaksioneve me kartat e pagesave u realizuan në tregtinë online në vend, ndërsa 40,6 për qind e transaksioneve u realizuan në tregtinë online jashtë vendit.

Në Maqedoninë e Veriut është kryer një studim mbi efektet e shkaktuara nga COVID-19 në sektorin e turizmit dhe hotelierisë me rekomandime për trajtimin e efektve ekonomike. Hulumtimi tregon se në periudhën gusht-shtator në mënyrë masive po anulohen aranzhmanet, ndërkohë që ka edhe rënie drastike të numrit të turistëve të huaj në vend. Studimi parashikon dy skenarë. Sipas skenarit të parë, nëse kriza përfundon deri në fund të këtij viti, në varësi të efektit të masave që do të merren, nga puna do të pushoheshin 2 deri në 12 mijë persona, ndërsa rënia e turizmit do të jetë afër 200 milionë dollarë ose mbi 50 për qind e parashikimeve të planifikuara dhe në bazë të kësaj, rikuperimi nga kriza do të ndodhte në vitin 2023. Sipas skenarit të dytë, nëse kriza vazhdon pas vitit 2020, 4 mijë deri në 20 mijë vende pune do të humben, rënia do të jetë mbi 80 për qind dhe rikuperimi do të pritet në vitin 2027. Pothuajse 100 për qind e hoteleve kanë anuluar rezervimet për muajin prill, maj dhe qershor, ndërsa për muajin korrik ka anulime në rezervime grupore tek 89 për qind e hoteleve, për muajin gusht tek 69 për qind e hoteleve, për muajin shtator tek 50 për qind e hoteleve, ndërkohë që anulime ka edhe për muajin dhjetor të këtij viti, si dhe janar të vitit 2021. Nga kriza e shkaktuar nga COVID-19, janw prekur edhe artizanët. Një nga vendet më të vizituara nga turistët që vijnë në Shkup është Çarshia e Vjetër, ku zejtarët thonë se tashmë disa muaj kanë qenë në skaj të mbijetesës dhe se në këtë mënyrë mund të mbahen vetëm edhe një muaj e gjysëm. Të dhënat nga Zyra e Statistikave Shtetërore tregojnë se numri i turistëve ka rënë ndjeshëm. Në maj të këtij viti, 838 turistë vizituan vendin, shifër e cila është 99,2 për qind më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Koronavirusi po ashtu ka reduktuar shitjet e pasurive të patundshme, por çmimet mbeten të pandryshuara. Për shkak të krizës, kryesisht blehen ndërtesa banimi dhe qiraja është ulur në minimum. Interesi për marrjen me qira të apartmenteve është ulur, ndërkohë, shitja dhe marrja me qira e shtëpive pothuajse nuk ekziston. /SHENJA/