` . Pandemia dhe epoka e re për mësimin online - TV-SHENJA

Pandemia dhe epoka e re për mësimin online

Jetojmë në një kohë kur mësimi në distancë ka kaluar në plan të parë dhe ky format i arsimit parashikohet të vazhdojë për një kohë të gjatë. Pasi që edhe nëse pandemia merret nën kontroll, efektet e saj do të vazhdojnë edhe në vitin 2021 për shumë sektorë 

Shkruan: Flora HAJDARMATAJ, Tropojë

Proceset e marrjes së dijes dhe edukimit të cilat ishin më pasive në të kaluarën kanë ndryshuar formën dhe strukturën  duke bërë që mësimi të jetë më aktiv. Këto forma që ishin të kufizuar vetëm me materialet e shtypura mësimore, janë pasuruar tej mase me hyrjen e internetit në jetën tonë. Rrjetet sociale, posta elektronike, e-librat, mjediset chat, konferencat në internet dhe aplikacionet multimediale interaktive janë bërë kanale më të reja të të mësuarit. Prandaj, mësimi klasik brenda katër mureve ka ndryshuar formën  me shtimin e kanaleve të reja të mësimit dhe me ndryshimet që sollën teknologjitë e reja. Për profesoreshën e Universitetit Anadolu, Gülsün Meriç, “epoka e mësimit brenda katër mureve ka mbaruar”.  Mjedisi klasik i të mësuarit, i cili ishte i kufizuar në institucione të tilla si shkolla, universitete, klasa mësimore dhe me hapësira fizike, me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit që ofruan një mjedis më fleksibël të të mësuarit, të pavarur nga koha dhe hapësira, duke ofruar mundësi të reja për të gjithë individët që duan të mësojnë.

Shumë institucione arsimore në botë tashmë janë transferuar në mediat digjitale përmes platformës edukimit në distancë duke përfshirë arsimin parauniversitar, universitare dhe pasuniversitare. Gjithashtu, në vendet e zhvilluara institucionet arsimore dhe organizatat shfaqin përmbajtje arsimore në fusha të ndryshme shkencore nën emrin e “kurseve të hapura në internet” dhe ofrojnë këto përmbajtje për individët falas në një nivel universal si; Coursera, Udemy, edX, Future Learn, Khan Academy, Massachusetts Institute of Technology (MIT) OpenCourseWare. Kjo pasiqë, numri i njerëzve që duan të marrin arsim po rritet dita ditës. Ata në jetën e tyre të përditshme po përdorin mjete të ndryshme teknologjike, siç janë tabletët, smartphonet, laptopët dhe kompjuterët, duke përfituar nga të gjitha mundësitë e ofruara në mjediset e arsimit në distancë në mënyrë më efektive sesa në të kaluarën. Sigurisht, nga faktorët kryesorë që shoqëritë të kalojnë në internet është zhvillimi teknologjik dhe ndryshimi i mjeteve, metodave dhe sistemeve arsimore.

Veçantia më e madhe e mësimit elektronik është interaktiviteti. Mësimi elektronik mund të sigurojë një strukturë mësimore që mund të përdoret në çdo mjedis që mund të përfitojë nga kompjuterët dhe teknologjia e ngjashme në çdo kohë. Prandaj, është një platformë arsimore që mund të jetë e dobishme në të gjitha proceset e të mësuarit nga parashkollori në universitet dhe më gjerë. Me efektin e të qenurit të pavarur nga vendndodhja dhe koha, disa nga institucionet ose organizatat publike dhe private i mbajnë programet e tyre të arsimit në mjedisin e mësimit elektronik.

Mësimi elektronik ka ofruar një dimension të ri në arsimim dhe edukim. Vlerësimi i këtij dimensioni është gjithashtu i rëndësishëm në drejtim të përcaktimit të strategjive të ardhshme arsimore. Kalimi nga shkrimi në dërrasën e zeze në ekranet që ofroj teknologjia e zhvilluar që nga viti 1970 u vu në shërbim të arsimit zyrtar. Në vitet 70, teknologjitë vizive dhe audio si Radio, TV, video, të cilat po zhvillonin teknologji përtej mediave të shtypura, filluan të përdoren shumë funksionale sidomos në fushën e arsimit në distancë.  Ndërsa, me hyrjen e çdo teknologji e re në arsim dhe studime shkencore, konceptet që ekzistonin në këto fusha filluar të ndryshojnë. Për shembull, deri në vitet 1980, në sistemet arsimore të njohura si arsim në distancë duke përdorur kryesisht materiale të shtypura, teknologji vizive dhe audio si radio, TV dhe video, quheshin si edukimi i hapur dhe në distancë ose edukimi në distancë i asistuar nga kompjuteri me zhvillimin dhe përfshirjen e teknologjisë kompjuterike. Në vitet 1990, këto koncepte ishin të pamjaftueshme pasi risitë e sjella si, përdorimi i internetit hynë në sistemin arsimor. Nga këto vite deri më sot, e-learning ka marrë një përdorim mjaft të gjatë dhe vazhdon më këtë emërtim.

Me ndryshimin në teknologjitë e sotme, pajisjet teknologjike dhe qasja në internet do të ndikojnë dhe përhapin përdorimin e teknologjive mobile në jetën e përditshme. Kjo do të shkaktojë ndryshime serioze në praktikat e të mësuarit. Falë mësimit përmes telefonave, praktikat e individualizuara të të mësuarit do të fitojnë rëndësi. Përveç mësimit standard, ai do të bëhet një mësim që mund të çojë në zhvillimin e temave të tilla si mësimi i thelluar ose specializimi, dhe që përcakton individë të përshtatshëm për shoqërinë e informacionit që intensifikojnë ndërveprimin reciprok. Me fjalë të tjera, duke përdorur teknologjinë e sotme, format e mësimit do të ndryshojnë edhe më shumë. Pandemia veçse shfaqi një mundësi që i gjithë sistemi global i arsimimit të ndërthurej më shumë me botën digjitale.

Mësimi në distance gjatë pandemisë Covid-19

Në këtë kohë të vështirë, sigurisht vet-izolimi, mësimi, puna nga shtëpia janë ndërlidhur mes vete. Mësimi elektronik dhe nevoja për mësim në distancë u bë i domosdoshëm pas mbylljes së shkollave dhe universiteteve me shfaqjen e pandemisë Covid-19. Pandemia që përfshiu gjithë botën ndryshoj shumë praktika të jetës sonë. Shumë shkolla dhe universitete në mbarë botën në koordinim me vendimet e shteteve të tyre, vendosen të vazhdojnë mësimet në platformën online. Mësimi online, parashikon mësues që me anë të videove-konferencave shpjegojnë mësimin, ku do përçohen informacionet më kryesore dhe më pas do t’u dërgohet nxënësve në platfomat online të komunikimit (whatsApp, e-mail, platforma online, facebook, skype, video etj.). Sigurisht, adoptimi i një forme të re të mësimit nuk ishte i lehtë për studentët dhe profesorët.

Turqia, është vendi i dytë pas Kinës që nisi arsim në distancë në nivel kombëtar për miliona nxënës, pas situatës së krijuar nga  pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) që privoi nga arsimi tradicional mbi 1,5 miliard nxënës në 184 shtete. Arsimimi në distancë në Turqi ndërmjet 3 kanaleve të ndryshme televizive dhe platformës EBA. Ndërsa, për të përmbushur nevojat e përmbajtjeve të universiteteve, të gjitha kurrikulat e arsimit digjital janë të vendosura në bazat e Universitetit Anadolu, Universiteti Atatürk dhe Universitetit të Stambollit. Në Evropë, epidemia shkaktoi vështirësi serioze në sistemin arsimor. Kjo situatë, e cila prek miliona studentë në Evropë, duket se e bën ndikimin e saj më të rëndë sidomos në shkollat ​​publike. Në Belgjikë, që është kryeqyteti i Bashkimit Evropian (BE), veçanërisht shkollat ​​publike nuk mund të vënin në veprim një sistem të përbashkët arsimi në distancë. Belgjika nuk arriti të zhvillonte një sistem arsimi në distancë që mund të përdoret në të gjithë vendin. Ndërsa, shkollat ​​private përdoren aplikacione të tilla si Zoom dhe Google Classroom,  në platformën virtuale duke mbajtur kontakte me studentët çdo ditë.

Në Gjermani, shumica e mësuesve komunikimin me nxënësit e tyre e zhvillojnë nëpërmjet postës elektronike ku diskutohen dhe detyrat e shtëpisë. Kurse, universitetet gjermane po përgatiten për arsimin digjital. Ndërkaq, pas mbylljes së shkollave qeveria franceze nuk bëri asnjë përgatitje për arsimin në distancë. Edhe pse, Ministria e Arsimit nuk ishte në gjendje të sigurojë mësuesve programe digjitale gjithëpërfshirëse për të siguruar mësim në distancë, zhvilloj  një aplikacion, ku sipas hulumtimeve vetëm 1 në 4 mësues përdor këtë aplikacion. Në lajmet në shtypin francez, theksohej se një numër i madh i mësuesve kishin mësime me studentët përmes aplikacioneve të tilla si WhatsApp dhe Zoom. Në Angli me pushimet e shkollave në 20 Mars u ofrua programi i BBC-së (me platformat BBC Bitesize, iPlayer BBC, BBC 4).

Sa i përket vendeve të Ballkanit në përgjithësi mësimi në distance filloj pa përgatitjet e duhura. Për shkak se sistemet e arsimit mbesin ende të vjetra dhe mësuesit shpesh nuk kanë njohuri të mjaftueshme për mësimin online apo edhe shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike nga ana e nxënësve. Në fakt, mësimi në distancë në Kosovë në kushtet e pandemisë, për klasat 1-9 po realizohet nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik (RTK), si dhe përmes kanalit të MASHTI në Youtube. Disa universitete po punojnë me platforma të ndryshme kryesisht me instrumentet e Google (google meeting) apo edhe përmes aplikacioneve Zoom, Skype etj., që mundësojnë komunikimin e profesorëve me studentët përmes video konferencave.

Kurse në Shqipëri, dy  forma  kryesore mësimore po aplikohen: leksione të xhiruara dhe të transmetuara në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH)  dhe  puna  mes  nxënësve  dhe  mësuesve  përmes  rrjeteve  sociale  apo  platformave  të ndryshme që mundësojnë krijimin e klasave virtuale (si google classroom, zoom etj. Pra, mësimdhënësit dhe nxënësit po mundohen që përmes platformave dhe aplikacioneve të ndryshme të zhvillojë orët e tyre në klasat virtuale ose në distance. Këto platforma janë vetëm mjete për të zhvilluar orën e mësimit në distancë, metodologjitë, shpërndarjen e syllabuseve të lëndëve, apo edhe të krijojnë arkivin elektronikë të të gjithë literaturës të detyrueshme që nxënësit i duhet për të përvetësuar lëndën. Një nga mekanizmat më të forta të këtyre platformave janë edhe video-konferencat, të cilat mundësojnë komunikimin direkt me të gjithë klasën. Po ashtu, këto aplikacione mundësojnë mësuesve/profesorëve të shoqërojë shpjegimin e mësimit edhe me burime të jashtme si video apo dhe prezantime duke e bërë mësimin më atraktive.

Rrezikimi i privatësisë nga aplikacione për edukim

Të gjitha zhvillimet tregojnë se arsimi në distancë do të luajë një rol të madh në të ardhmen e arsimit, mjediset dhe praktikat e arsimit në distancë do të përmirësohen vazhdimisht, përmbajtja e ofruar do të pasurohet dhe se do të rriten mundësitë e mësimit për të gjithë. Por, ajo që është shqetësuese është fakti se shumë nga këto platforma apo aplikacione po rrezikojnë privatësinë e përdoruesve, në këtë rast nxënësve. Çështja e privatësisë është e ndjeshme pasiqë Google përmes teknikave të saj të vëzhgimit ka qasje në të dhënat e fëmijëve. Bëhet fjalë për aplikacionet që kanë target fëmijët, si YouTube dhe YouTube Kids ndjekin informacionet personal të identifikueshme dhe këto informacione mund t’u shiten reklamuesve. Regjistrimi i Google-it i të dhënave personale për studentëve është gjithashtu i diskutueshëm. Pas një procesi gjyqësor të vitit 2013, një zëdhënës i Google konfirmoi që kompania skanon postat elektronike të të gjithë përdoruesve të Google Apps për edukim për t’i përdorur për një sërë qëllimesh, përfshirë  edhe reklamat.

Shumë nga ne mund ta kemi shkarkuar aplikacionin e Zoom për shkak të ndonjë trajnimi, pune apo edhe për tu qasur në mësim online. Para disa muajsh aplikacioni Zoom nuk dihej shumë por gjatë ditëve të fundit është bërë sinonim i video-konferencave. Profesori i shkencave kompjuterike, Arvind Narayanan, e quan Zoom një “katastrofë të privatësisë”, i cili dërgon të dhënat e përdoruesve në Facebook edhe nëse nuk keni një llogari aty. Politika e privatësisë së Zoom-it i lejon aplikacionit të përdorë atë që e quan “përmbajtje të klientit” për qëllime reklamimi. Ditëve të fundit  më shumë se 500 mijë llogari të përdoruesve që përdorin aplikacionin Zoom, (përfshirë, adresat postave elektronike të përdoruesve të Zoom, fjalëkalimet dhe URL-të e takimeve personale) janë hakuar për t’jua shitur dark webit. Flitet se një numër i madh shkollash dhe ndërmarrjesh që përdorin aplikacionin janë prekur nga ky skandal i sigurisë së të dhënave, duke venë në dyshim besueshmërinë ndaj këtij aplikacioni. Kështu që, para se të përdoren aplikacione të tilla duhet të jemi të kujdesshëm në rregullimin e opsioneve të privatësisë. Sugjerohet që mos të lejohet qasja në kamerë dhe mikrofonin tuaj përveçse nëse kërkohet nga mësimdhënësit. Prandaj, shumë nxënës në mënyrë që mos merren të dhënat e tyre personale, është e nevojshme të këshillohen me prindërit apo mësuesit për mënyrën e përdorimit të këtyre aplikacioneve.

Në shoqërinë e sotme, zhvillimi në të gjitha fushat kryesisht bazohet në informacion dhe teknologji. Prandaj, është shumë e rëndësishme që mësuesit dhe nxënësit të përdorin mjetet e reja të teknologjisë në mënyrë që të kenë qasje në informacionin që u nevojiten sa më lehtë dhe shpejt. Por sigurisht duke pasur parasysh aspektet e privatësisë dhe të drejtat për ruajtjen e të dhënave personale. Atëherë, le të përdorim teknologjinë e mençur në mënyrën më të mençur!