` . Palmeri thotë se njohja reciproke Kosovë-Serbi do t’i zgjidhte mosmarrëveshjet mes dy vendeve - TV-SHENJA

Palmeri thotë se njohja reciproke Kosovë-Serbi do t’i zgjidhte mosmarrëveshjet mes dy vendeve

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthw Palmer, ka thënë se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, e cila do të nënkuptonte njohje reciproke.

“Kur do të njihnin njëri-tjetrin, do të mund të zgjidhnin çështje kontestuese si fqinj”, ka thënë Palmeri në televizionin sarajevas, N1.

Sipas fjalëve të tij, nevojitet që Kosova dhe Serbia “të ulen në tavolinë, të arrijnë marrëveshje dhe së bashku të hartojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”, transmeton Koha.net.

Palmeri tha se arsye për bisedime është fakti që edhe Kosova edhe Serbia synojnë Evropën dhe është e domosdoshme të shihet se çfarë kompromisesh janë të nevojshme në mënyrë që të shkohet tutje.

“Nevojitet marrëveshje të cilën publiku në të dyja palët do ta pranojë dhe mbështesë si rrugën më të mirë përpara”, tha ai, dhe shtoi se është me rëndësi që ajo marrëveshje të jetë “e zbatueshme, e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Ai tha se ka bashkëpunim shumë të mirë me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell dhe se ky nuk është rasti i parë që SHBA-ja emëron dy përfaqësues specialë për të njëjtën çështje.