Pak orë para fillimit të masave të reciprocitetit, aktivizohen sirenat për alarm në veri të Mitrovicës

Pak orë para fillimit të masave të reciprocitetit, aktivizohen sirenat për alarm në veri të Mitrovicës

Pak orë para fillimit të masave të reciprocitetit, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka nisur takimin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, në Rashkë.

Raportohet se në këtë takim, pjesëmarrës është kryetari i Listës Serbe dhe ministri për Komunitete e Kthim i Kosovës, Goran Rakiq, si dhe nënkryetarët e Listës Serbe, Igor Simiq e Dalibor Jevtiq.
Ndërsa, rreth orës 18:00, janë ktivizuar sirenat për alarm në veri të Mitrovicës.

Sirenat konsiderohen si alarm i qytetit, mirëpo në veri përdoret si sinjalizim për t’u mbledhur.

Kjo, mund të ndërlidhet me vendimin e Qeverisë që do të nis të zbatohet, pasmesnate.

Lidhur me këtë Telegrafi ka kontaktuar drejtorine Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, por ky i fundit ka thënë se ende nuk ka informata lidhur me alarmin.

Petkoviq, të dielën tha se përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha Petkoviq.

Ndërkaq, këtë të diel, edhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje – në të cilën u diskutua për dy vendimet e Qeverisë lidhur me targat serbe dhe dokumentet e Serbisë.

“Institucionet e Kosovës janë të bashkuara dhe të përkushtuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë”, u tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Kurtit, nuk do të ketë vend për tension, apo për destabilizim, pasi tha se po bëhet diçka legjitime, diçka legale.

“Nuk ka kurrfarë vendi për tension, nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, barrikada, bllokime, destabilizim, tesione flasin për vete, nuk flasin për neve. Ne jemi Republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë qysh është më së miri. Ndërkaq, edhe një herë i ftoj qytetarët e Kosovëss, që kanë targa të kohës së Millosheviqit, që t’i konvertojnë në targa legale me akronimin e vendit tonë, RKS”, tha Kurti.
Sipas Qeverisë së Kosovës, institucionet kanë zhvilluar të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve.

Ekzekutivi shtoi se këto dy vendime janë në funksion të sigurisë, të vendosjes së rendit publik, ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit.

Dy vendimet e Kosovës që hyjnë në fuqi me 1 gusht

Nga 1 gushti, qytetarët që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës).

Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, llogaritet qarkullojnë 10.000 makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës) e të tjera.

Po ashtu, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia.

Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.