Pa njohje reciproke Kosovë-Serbi rajoni mbetet në udhëkryq

Pa njohje reciproke Kosovë-Serbi rajoni mbetet në udhëkryq

Shkruan: Isamet BAKIU, Shkup

Shqiptarët nuk arritën të bëjnë bashkimin edhe në vitin 2021. Ata jetojnë në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës si kombe, në Maqedoni si pjesë e popullit shqiptar pa qenë entitet politik, në Mal të Zi dhe Serbi si minoritete e gjithandej nëpër botë si emigrantë. Ia kanë lënë fatin e tyre integrimit në BE! Aty mendojnë të jenë bashkë. Fakti se Kosova dhe Shqipëria kanë qenë të izoluara nga njëra-tjetra për më shumë se katër dekada dhe se kjo ka shkaktuar ndarje të thella si në aspektin ekonomik, politik ashtu dhe në atë shoqëror, nuk do të thotë se në të ardhmen nuk mund të funksionojnë si një ekonomi dhe si një infrastrukture ligjore. Studimet tregojnë se përkundër marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Shqipërisë, problemet kryesore hasen në procedura administrative ligjore. Bashkimi ose të qenit një shtet i vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pse i krijuar në rrethana të tjera historike dhe gjeostrategjike si instrument i shteteve të boshtit (1941-1944), ka dhënë impaktin e tij të suksesshëm se mund të forcohet bashkëpunimi, sidomos arsimi dhe lidhjet ekonomike dhe se Shqipëria dhe Kosova mund të funksionojnë si një Shqipëri, si një shtet i përbashkët. Mjafton një mbështetje e një fuqie të madhe. Gjatë komunizmit bashkëpunimi në interes të shqiptarëve kishte qenë i atypëratyshëm në fushën e arsimit dhe kulturës mes RSFJ-së dhe Shqipërisë derisa Enveri e mori anën e Stalinit.

Pas rënies së komunizmit, shqiptarët në të dy anët e kufirit do të jenë në izolim të thellë. Shqipëria në proces mes tranzicionit, demokratizimit dhe luftës qytetare, kurse Kosova nën aparteidin serb dhe pushtim total me 40 mijë trupa ushtarake në terren.

Me daljen në skenë të UÇK-së dhe luftës saj çlirimtare dhe intervenimin e NATO-s vijmë te Marrëveshja e Kumanovës (1999), që i largoi trupat serbe nga Kosova dhe ia dorëzoi integritetin territorial trupave KFOR. Ky është një moment kur hapet rruga për një mundësi të mirë për shqiptarët për të bashkëpunuar. Me instalimin e UNMIK dhe largimin e forcave serbe nga Kosova do nënshkruhen një numër marrëveshjesh për ekonomi dhe tregti të lirë edhe me Shqipërinë. Atëherë do fillojë edhe një qarkullim më i lirshëm i njerëzve dhe mallrave edhe pse infrastruktura e dobët rrugore do jetë një pengesë edhe për një kohë për shqiptarët. Megjithatë Kosova do të jetë një treg pune për të rinjtë nga Shqipëria dhe Maqedonia dhe kjo do thellojë miqësinë.

Si rezultat i luftës së vazhdueshme për liri dhe çlirim kombëtar kemi edhe shpalljen e Kosovës shtet i pavarur në 2008. Tani vijmë te një moment i ri në histori ai i marrëdhënie ndërshtetërore midis dy shtetesh të pavarura dhe sovrane shqiptare, dy shtete një komb. Edhe pse shumë shërbime kanë gjetur përkrahës të mbështesin një komb të ri Kosovar. Shteti shqiptar e ka mbështetur ngritjen e institucioneve të Republikës së Kosovës vazhdimisht (shih studimin e Dritan Sulçebe). Duke pranuar planin Ahtisari si bazë është bërë edhe pranimi i kufirit mbrendakombëtar, por edhe ndalesa e bashkimit me ndonjë shtet fqinj apo pjesë të ndonjë shteti. Gatishmëria ose thënë më mire detyrimi i tyre për të respektuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht vjen nga implikimet dhe imponimet golobale dhe gjeostrategjike. Gjithashtu edhe nga alarmimet e qendrave kundër bashkimit se kjo mund të shkaktojë efektin domino që do mund të nxiste edhe ndarjen e Republika Srpskës nga Bosnja dhe Hercegovina dhe bashkimin e saj me Serbinë. Shqiptarët nuk do bëhen sebep të shkatërrojnë instrumentet paqësore të instaluar nga ShBA dhe shtetet perëndimore prandaj shpresojnë të bashkohen në BE, ku mendojnë të gjejnë zgjidhje afatgjate të çështjes kombëtare. Serbët, nga ana tjetër, nuk ndalen me krijimin e entiteteve politike. Pas Republika Srpskas, duan edhe një Bashkësi Komunash Serbe në veri të Kosovës.

Armiku shekullor i shqiptarëve duhet të ketë qenë edhe relievi malor dhe i vështirë. Ky e ka ngadalësuar lëvizjen, e ka minimizuar komunikimin dhe gjithashtu shkëmbimin e vlerave, si dhe njohjen e mirë me njëri-tjetrin. Autostrada Durrës-Kukës-Morinë ose, siç është e njohur gjerësisht si “Rruga e Kombit”, që u inagurua në vitin 2009, paraqet një projekt të rëndësishëm në aspektin ekonomik, politik, social dhe patriotik. Me këtë shqiptarët janë më afër njëri tjetrit dhe Prizreni bëhet qytet bregdetar me 1 orë largësi nga deti Adriatik. Me anë të një projekti që do ta lidhë Tetovën me Prizrenin e gjithë Maqedonia perëndimore do jetë më afër detit. Si thotë një fjalë popullore, “Afër detit, afër mbretit”. Shqiptarët, së paku për tre muaj, jetojnë bashkë disa si pushues e të tjerët ofrojnë shërbimet turistike, kjo edhe pse 88.7% e shqiptarëve të Kosovës e kanë vizituar Shqipërinë, kurse 31.6% qytetarëve të Shqipërisë e kanë vizituar Kosovën (studimi i KFOS dhe OSFA 2018). Globalizimi dhe koha e internetit i ka bashkuar shqiptarët më shumë se kurrë. Informatat lëvizin aq shpejt. Jemi netizen të Facebook-ut dhe rrjeteve sociale. Një bashkim virtual e kemi arritur. Krenohemi për arritjet e njëri tjetrit dhe mburremi për fitoret në sport dhe arritjet në muzikë.

Pyetja është se çka i ndalë shqiptarët të bashkohen. Bëjnë marrëveshje me njëri-tjetrin, por asgjë nuk funksionon. Ku janë këto fyte të ngushta dhe si mund të eliminohen? A duan shqiptarët të funksionojnë si një shtet, si një treg me një infrastrukturë ligjore?

Në një hulumtim të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), i cili është kryer në periudhën kohore tetor-nëntor 2018, sa u përket qëndrimeve rreth idesë së bashkimit në një shtet të vetëm, shumica e të anketuarve shqiptarë në të dy vendet, por në një nuancë më të madhe në Shqipëri (74.8%), se sa në Kosovë (63.9%), janë në favor të idesë së bashkimit dhe do të votonin ‘pro’ në rast se u jepet mundësia në një referendum. Por, të anketuarit besojnë se të tjerët në rrethin e tyre janë më pak të gatshëm që të votojnë pro bashkimit. Po ashtu, një numër më i madh i të anketuarve nuk besojnë se bashkimi është i mundshëm. Shqiptarët e të dy vendeve, 84.7% e të anketuarve në Shqipëri dhe 66.4% në Kosovë, zgjedhin më parë Bashkimin Evropian sesa bashkimin kombëtar.

Me gjithë rezultatet e anketave, ata që udhëheqin dhe duhet të punojnë për të ardhmen e kombit. Ata duhet të prijnë me projekte të cilat ofrojnë dhe i stimulojnë investimet e përbashkëta dhe e rrisin potencialin e prodhimit për tregje të reja. Propozimet e qendrave studimore arrijnë deri tek strategjitë e ndryshme zhvillimore, por këtu mungojnë planet konkrete të veprimit që do të mbështesin edhe financiarisht dhe me resurse njerëzore nga qeveritë e dy shteteve shqiptare. Për t’i prirë një bashkimi kombëtar real në këtë gjendje gjeostrategjike dhe duke u ballafaquar me një luftë diplomatike që zhvillon Serbia kundër Kosovës është e domosdoshme ekzistenca e organizatave jopolitike. Organizata jopolitike, e ideuar nga Arbër Xhaferit, për Mbrothësinë e Përbashkët, punuar veçmas sipas Commonwealthit britanik, një ide shumë e qëlluar që ka për qëllim zëvendësimin e bashkimit kombëtar me një bashkërendim veprimesh të bashkësive shqiptare në botë në interes të afirmimit të demokracisë, të drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, të drejtave individuale, barazisë, tregtisë së lirë, multilateralizmit dhe paqes në botë pak a shumë përfaqëson çështje që i tangojnë edhe vetë Kriteret e Kopenhagës për kombet që duan të aderojnë në BE. Ky veprim është për të fituar në kohë dhe hapësirë dhe për t’ia shtruar rrugën një bashkimi ekonomik dhe kulturor, i cili do të rezultojë me një bashkim politik. Kjo ide panshqiptare ende nuk gjenë gatishmërinë dhe mbështetjen as nga shtetet shqiptare dhe as nga bashkësitë shqiptare që jetojnë jashtë tyre. Ide të ngjashme po të shndërrohen në projekte konkrete me plane veprimi dhe realizimi që japin suksese dhe arritje të kapshme dhe të matshme, mund t’i shtyjnë punët përpara. Si duket, ky model është i qëndrueshëm vetëm tek kombet e fuqishme, që kanë resurse, si humane ashtu edhe financiare. Objektivat të cilat jepen në këtë projekt nuk janë të kapshme dhe të matshme, andaj edhe natyra e këtij projekti është komplekse. Mirëpo nuk do të thotë se nuk mund të sofistikohet më tej. Ideja është imperativ i kohës dhe kjo duhet të ndodhte para “Ballkanit të hapur”, ku i gjati kishte rënë pre e Vuçiçizmit dhe kishte nënshkruar marrëveshje me shtetet që kanë politika më protekcioniste në rajon. Se sa do mund të shesin ndërmarrjet shqiptare prodhimet e tyre në Serbi dhe Maqedoni, kjo ngelet të shihet. Se sa do mund të paraqesë Serbia dhe Maqedonia treg pune për shqiptarët, edhe kjo duket që në mëngjes.

Sidoqoftë, një ide e bashkëpunimit brendashqiptar si e tillë ishte plasuar ndoshta pak me vonesë. Një e vërtetë qëndron se çështja shqiptare është e fragmentarizuar, ku shqiptarët janë kombe, ku kombësi apo komunitete dhe gjithashtu minoritete. Këtu duhet një fuqi e madhe shtytëse një Deu ex makinë që t’i vë në lëvizje. Kjo brengë e të ndjerit që Arben Xhaferi t’i sheh shqiptarët nëse jo territorialisht të bashkuar, atëherë të bashkuar në veprim duhet konsideruar. Edhe pse ai vetë ka shprehur skepticizëm për idenë. “Në të parë ideja duket sa e guximshme po aq edhe e parealizueshme, por rrugëdalje tjetër nuk ka nëse dëshirojmë t’i vëmë në kontroll proceset që i degjenerojnë kapacitetet tona kombëtare dhe shoqërore në përgjithësi.”

Idetë si Mbrothësisë së përbashkët apo implementimet e marrëveshjeve të arritura Shqipëri-Kosovë, që janë vitale për funksionimin e bashkëpunimit brendashqiptar në rajon dhe diasporë lehen në haresë dhe përkrahen iniciativa të tjera si Ballkani i hapur. Shqipëria me gjithë atë det që e lidh me Italinë në BE dhe gjithashtu me Greqinë në BE, lidhet për projekte të shteteve kontinentale pa det, që historikisht kanë pasur synim daljen në ujërat e ngrohtë të Adriatikut shqiptar. Përse Shqipëria duhet të bëhet peng i Serbisë? S’do mend se Serbia do ta braktisë Rusinë për një Ballkan të hapur, por që i hapë asaj një ndikim s’ka diskutim. Nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë dhe Maqedoninë, me të cilat Shqipëria ka bilance negative tregtare shpreson se kjo do i sjell përmirësime, duke i anashkaluar barrierat administrative që tregtarët i hasin në kufi. Kësaj nisme nuk i është bashkuar Kosova, Mali Zi as Bosnja. Sa është i sinqertë ky projekt dhe a do jetë përfitimi “win-win”, kjo mbetet të shihet edhe pse dita e mire duket që në mëngjes. “Koncepti Ballkan i hapur është nocion abstrakt. Serbia ka pretendime territorial në Ballkan. Gjëja e parë që duhet të pyesim është se ku mbaron Milosheviqi dhe ku fillon Vuçiqi. Nuk mund të heq dorë politika serbe me këta politikanë nga marrëzia shekullore. Megjithatë lëvizjet për bashkëpunim për fqinjësi të mirë nuk diskutohen. Por, “si ka mundësi që të vejë Kurti te Vuçiqi, kur Vuçiqi i thotë Kosova është tokë serbe?” pyet kështu Spartak Ngjela në një kritikë për TOP Channel kundrejt Ramës, që me këtë e ka goditur Kurtin. Ai e arsyeton Kurtin për mosshkuarje. Nëse shihen qëndrimet dhe veprimet e ndikimit serb në Mal të Zi, në veri të Kosovës, por edhe në Maqedoninë e Veriut, mund të thuhet se një mendësi e këtillë paraqet rrezik për BE-në vetë. Kurse kryeministri shqiptar thotë se kjo ide ishte e tij dhe se ai ua ka propozuar të tjerëve në Procesin e Berlinit. Për Ramën, me këtë do zhduket kufiri Shqipëri-Kosovë si pikë e parë. Është për çudi ky reagimi pariteti ndaj BE-së, kaq vrullshëm dhe tekanjoz është përkrahur me nxitim nga Serbia edhe me një sinonim “mini shengeni”. Sikur BE–ja i ka penguar të bëjnë tregti të lirë në vend të politikave protekcioniste dhe pengesave administrative në kufi. Dyshimet që ky projekt i konvenon më së shumti Serbisë e cila dëshiron të zgjerojë ndikimin e saj në rajon janë evidente. Vetëm të analizoni vulgaritetin dhe fjalorin përbuzës dhe nënçmues të presidentit serb ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi do ta kuptoni se nga është hapur Ballkani. Kosova, duke pasur një bilanc negativ ndaj Serbisë në tregti, nuk mund të hapet ashtu ndaj shtetit që nuk e njeh dhe e kërcënon vazhdimisht. Detyrimisht në negociata të shkohet si i barabartë, si shtet Sovran dhe i pavarur.

Eksportet Serbe në Kosovë janë më të mëdha se ato të Shqipërisë dhe kjo ndoshta duhet të paraqesë një mundësi ku Shqipëria të koncentrohet duke e rritur eksportin dhe të konkurrojë dhe zëvendësoj produktet serbe. Produktet serbe e kanë vështirë t’i konkurrojnë produktet italiane në Shqipëri. Kurse produktet shqiptare janë të padëshirueshme në vendet e tjera të Ballkanit të hapur dhe hasin shpesh në refuzim te një pjesë e madhe e konsumatorëve të fundit.

Albin Kurti, duke e njohur mirë mentalitetin serb dhe duke qenë në luftë diplomatike, nuk ka mundur ta përbijë idenë kozmopolitane dhe ka propozuar marrëveshje për tregti të lirë. “U konfirmua se Procesi i Berlinit është edhe korniza edhe rruga për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë dhe gjithashtu mjaftueshëm i thellë, që të mos ketë nevojë për variante tjera alternative,” ka deklaruar Kurti. Realisht, pa u përmbyll çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, projektet si Ballkani i Hapur janë vetëm për PR dhe mbajtje të rejtingut politik në këto vende nga nënshkruesit e saj.