Osmani: Maqedonia e Veriut formalisht ende nuk e ka marrë propozimin francez për kontestin me Bullgarinë

Osmani: Maqedonia e Veriut formalisht ende nuk e ka marrë propozimin francez për kontestin me Bullgarinë

Ministri për Punë të Jashtme Bujar Osmani, ka reaguar ndaj kërkesës së kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshoski, që para deputetëve ta prezantojë propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Osmani në Facebook njofton se Maqedonia e Veriut ende nuk e ka marrë formalisht propozimin francez, dhe se fillimisht do të merret mendimi i vendeve anëtare të BE-së.

“Së pari – deri më tani formalisht nuk kemi pranuar propozim francez si zgjidhje e mundshme për bllokadën nga ana e Bullgarisë, sepse së pari marren mendimet nga vendet anëtare të BE-së, me të cilat ne jemi në komunikim të vazhdueshëm; prandaj nuk ka mundësi që ndonjë propozim t’i paraqitet Kuvendit dhe/ose organeve të tij”.
“Së dyti – Protokoll i mundshëm, i cili përmendet si dokument tashmë i gatshëm, ndoshta paraqet procesverbal nga mbajtja e Komisionit Ndërqeveritar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që është paraparë në Marrëveshjen e Miqësisë së vitit 2017. Deri më tani është mbajtur vetëm një seancë e këtij Komisioni në vitin 2019 dhe ky procesverbal që është i vetmi Protokoll deri më tani, është i qasshëm për opinionin tashmë tri vite. Pra, nuk ka procesverbal të finalizuar për shkak se nuk është mbajtur Seanca e Dytë e Komisionit Ndërqeveritar”, ka shkruar Osmani.

Ai gjithashtu thekson se bë përputhje me agjendën, pajtohet që së shpejti të caktohet një datë dhe t’i prezantoj të gjitha çështjet e politikës së jashtme.

“Megjithatë e ftoj Kryetarin e Komisionit që të caktojë seancën për zgjedhjen e disa Ambasadorëve kryesorë, dërgimi i të cilëve pa nevojë është ndalë përmes moscaktimit të seancës së Komisionit për dëgjimin e tyre”, ka shkruar Osmani.