Osmani: E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO

Osmani: E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Türkiye-s (Turqisë) Mevlüt Çavuşoğlu, të cilët kanë zhvilluan një bisedë përmbajtësore duke konfirmuar “raportet e shkëlqyera ndërshtetërore”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenca njofton se Osmani dhe Çavuşoğlu diskutuan për bashkëpunimin bilateral, në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, tregtisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Presidentja Osmani dhe ministri Çavuşoğlu, diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç’rast, presidentja Osmani potencoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.

“E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Türkiye na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar në takim presidentja Osmani.

Ajo ka thënë se “marrëdhëniet e Kosovës me Türkiye-n janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët tanë kryesor në NATO. Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Türkiye janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, sipas presidentes Osmani kanë potencial të thellohen edhe më tej, posaçërisht në fushën e investimeve si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Türkiye.

Ministri Çavuşoğlu i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë është takuar më herët me kryediplomaten kosovare Gërvalla-Schwarz ndërsa gjatë ditës ai do të takohet edhe me komunitetin turk në Prizren.