` . Osmani dhe Derkoski bënë thirrje për zgjedhje korrekte dhe demokratike, seanca e fundit kuvendore më 3 shkurt - TV-SHENJA

Osmani dhe Derkoski bënë thirrje për zgjedhje korrekte dhe demokratike, seanca e fundit kuvendore më 3 shkurt

Zëvendëskryeministri i Çështjeve Evropiane Bujar Osmani sot nga selia e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dërgoi porosi deri te të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për rëndësinë e organizimit të zgjedhjeve korrekte, demokratike dhe të lira, duke pasur parasysh se vendi duhet të fitojë datë për fillimin e negociatave.

“Gjithmonë kur vijë në takim në KSHZ them se kësaj here duhet të ketë zgjedhje korrekte dhe demokratike, por kësaj here vërtet duhet të jetë kështu”, deklaroi Osmani duke potencuar se më 26 mars, në ditën e katërt të fushatës, është takimi i Këshillit Evropian, ndërsa pastaj vijojnë edhe takime të tjera lidhur me eurointegrimet tona.

Ai theksoi se përgjegjësia e të gjithëve është shumë e madhe dhe duhet pjekur.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) potencoi se secili prej pjesëmarrësve ta marrë përgjegjësinë e vet për organizimin e zgjedhjeve dhe qytetarët lirshëm ta shprehin vullnetin e tyre dhe të dalin në votim.

Zëvendëskryeministri Osmani tha se në seancën e sotme Qeveria do të informojë për nevojën e miratimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, të cilët gjenden në draft version dhe ende nuk janë në procedurë. Seanca e fundit kuvendore do të caktohet për më 3 shkurt, tha Osmani.