` . Origjina dhe gjuha s’i ndanë vetëm maqedonasit dhe bullgarët! - TV SHENJA

Origjina dhe gjuha s’i ndanë vetëm maqedonasit dhe bullgarët!

Për BE-në nuk duhet të jenë relevante argumentet bullgare si kriter për Maqedoninë, sepse çështjet bilaterale të karakterit historik u takojnë shteteve, e jo BE-së, aq më tepër që origjina e përbashkët dhe ngjashmëritë e gjuhëve nuk janë vetëm te bullgarët dhe maqedonasit, por edhe te pothuajse gjithë popujt e ish-Jugosllavisë, që sot i kanë shtetet e tyre të pavarura

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Ka një shtet që quhet Maqedoni e Veriut dhe një popull maqedonas. Në kuptimin historik të krijimit të kombeve, njëri nga popujt më të ri, por jo edhe bash më i riu. Pse e përmend këtë? Sepse Bullgaria u kap për një fije para se Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së, që ta shfrytëzojë momentin (“historik”?!), që nuk i jepet më, që t’i kontestojë të gjitha çështjet që i ka kontestuar deri tash në forma të ndryshme. Ky qëllim duket sheshazi, kurse në deklaratat e zyrtarëve është e kundërta: “ne nuk e kontestojmë të drejtën e vetëpërcaktimit e as gjuhën…e as kemi vënë veto”. Njeriu të habitet, sepse nuk e di se për çka është kontesti, kur rezultati i këtij “moskontestimi” është që – edhe përkundër impenjimeve gjermane – Maqedonia humbi fillimin e negociatave për shkak të Bullgarisë.

 

Rrethanat historike krijojnë kombe…

 

Edhe sikur Maqedonia të pranonte gjithçka që kërkon Sofja, Maqedonia e Veriut nuk bëhet Bullgari, e as populli maqedonas nuk bëhet popull bullgar. Pse? Sepse, proceset historike nuk kthehen prapa. Jo për dy popuj ballkanikë, që mund të kenë “orgjinë të përbashkët”, po pse edhe gjenetika e popujve është si ajo e llojeve të gjallesave. Edhe në gjenetikën historike ka ligjshmëri si të jetës: ndonjë njeri lind para ndokujt, e tjetri më vonë se dikush tjetër…

Në teori, procesi i krijimit të kombeve lidhet me revolucionin industrial dhe në atë proces janë ndërlidhur edhe proceset shoqërore, transformimi i perandorive të mëdha, lëvizjet ideologjike e çlirimtare, luftërat botërore, krijimi i shteteve të reja etj. Duke kërkuar referenca për këtë temë, hasa në një shkrim që fliste për popujt e ish-Jugosllavisë, ku më bëri përshtypje konstatimi se pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia – e cila në regjimin e kralit kishte tre popuj – doli me gjashtë (duke aluduar në gjashtë republika), që kishin nga një popull konstitutiv. Tre popuj fituan të drejtën e konstitutivitetit, maqedonasit, malazezët dhe boshnjakët. Çështja është edhe politike, edhe historike, edhe ideologjike, që rezultoi me këtë realitet të ri. Me gjithë ideologjinë totalitare që kishte komunizmi, Partia Komuniste e Jugosllavisë kishte vënë në programin e vet më shumë liri dhe të drejta kombëtare dhe, madje, edhe në kohën e veprimit në ilegalitet (para Lufte), degëzimi i saj në komitete krahinore, në një farë mënyre, e kishte “vizatuar” federalizimin e ardhshëm territorial. Jugosllavia AVNOJ-ane ua kishe njohur të drejtën edhe popujve që nuk gëzonin të drejta në mbretëri e, deri diku, me autonominë kulturore e politike e kishin gjetur veten edhe shqiptarët dhe hungarezët, edhe pse jo plotësisht të barabartë me gjashtë popuj kryesorë (nuk kishin të drejtë të vetëvendosjes dhe shkëputjes), si dhe me shkallë të konsiderueshme të drejtash edhe kombësi më të vogla.

Në këtë vështrim, që të mos e zgjerojmë temën, po përqendrohemi në çështjet që sot e preokupojnë Bullgarinë, ku disa qarqe të saj i trajtojnë maqedonasit si “krijesë e Kominternit” ose “e Titos”. (Ndoshta këtu kanë të drejtë shkencëtarët bullgarë, sepse si “tajming” përputhet me krijimin e subjektivitetit të ri, por a thua në mënyrë absolute?). Nuk është larg të vërtetës edhe roli i ideologjisë komuniste, sepse programi i partisë komuniste e kishte gjetur të drejtën e popujve të vegjël fill që nga Lenini e pastaj pas vdekjes së tij, edhe në funksionimin edhe të Internacionales Komuniste (Kominternit), ndaj edhe Partia Komuniste e Jugosllavisë kishte platformë të politikës nacionale, ku do ta gjejnë veten malazezët, maqedonasit dhe boshnjakët, që nuk ishin entitete të pranuara në Mbretërinë e Jugosllavisë. E djathta bullgare, që sot është pushtet, vjell vazhdimisht vrer ndaj komunizmit, duke e vënë në të njëjtin kontekst edhe Georgi Dimitrovin, liderin e komunistëve bullgarë, që e pranoi popullin maqedonas. Në intervistën e famshme për agjencinë bullgare BGNES, kryeministri Zoran Zaev e kishte lëshuar pak si tepër gjuhën, gati sa nuk tha se maqedonasit dhe bullgarët janë i njëjti popull (disa argument këtë e thoshin), por Krasimir Karakaçanovi, ministër bullgar i Mbrojtjes, nuk ishte i kënaqur me këtë “përparim”, pra me pranimin se kanë origjinë të përbashkët, por dëshiron që maqedonasit të thonë se ajo origjinë është pikërisht bullgare. Por, çka do të thoshte kjo? Të kthehemi te fillimi i këtij kapitulli.

Mbretëria e Jugosllavisë në fillim quhej Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve? Pra, përbëhej vetëm nga tre entitete shtetformuese? Jugosllavia socialiste, e cila ndryshe quhej edhe Jugosllavia AVNOJ-ane, i krijoi gjashtë njësi të barabarta federale, republika, me çka e njohu entitetin maqedonas, malazez e mysliman (myslimanët e Bosnjës e Hercegovinës.) Maqedonasit flasin gjuhë dukshëm më ndryshe se serbët, kroatët, myslimanët (boshnjakët) dhe malazezët. Kështu, malazezët kishin pasur mbretëri (ndoshta historia mund të vërtetojë se principata malazeze e Duklës të ketë ekzistuar para asaj të Rashkës (serbe), por me rastin e krijimit të Mbretërisë së SKS-së (pastaj u riemërua si Mbretëria e Jugosllavisë), entiteti shtetëror i Malit të Zi qe shkrirë (vullnetarisht!). Çështja e principatave mund të jetë argument relativizues, sepse ato më shumë ishin njësi administrative politike të mbretërve a bujarëve të kohës seç kishin bazë etnike. Por, a kishin ekzistuar malazezët apo ishin serbë, pastaj a ishin shuar malazezët si popull kur hynë në Mbretërinë Jugosllave…, kjo mbetet çështje debati në relacionet serbo malazeze, por e vërteta është se ata shpallën veten si komb i veçantë më 1 maj të vitit 1945.

 

Si u bënë boshnjakët komb?

 

Një histori tjetër është ajo e boshnjakëve myslimanë, të cilët në historinë e mëhershme të Perandorisë Osmane ishin veçuar tashmë nga “trungu”, duke krijuar identitet të fortë me bazë fetare, i cili nuk e gjente veten as te serbët, as te kroatët, dy popuj fqinj, të cilët pretendojnë se boshnjakët janë të njëjtë me ta. Sigurisht që ka argumente pro këtyre tezave, po a janë relevante më ato sa të mohosh sot qenësinë e tyre? Pikërisht boshnjakët, të cilët kanë histori të hidhur pikërisht me “vëllezërit” e tyre (janë të njohura masakrat çetnike gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe në fillim të ‘90-tave gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë). Të ishin një popull, nuk do t’ia bënte vëllai-vëllait këtë gjë, apo jo?! Në të vërtetë, këtu është një pjesë e shkak-pasojave se pse nga një identitet i përbashkët (origjina sllave, gjuha e njëjtë), mund të krijohen identitete të reja. Nëse gjatë Perandorisë Osmane islamizimi i një pjese të popullatës sllave mund të ketë krijuar parakushte për përçarje (sepse pjesa e myslimanizuar ka qenë në shërbim të administratës së Perandorisë, që kanë rënë ndesh me interesat e atyre që kishin mbetur të krishterë), të cilat në rrethana të caktuara e kanë bërë ndarjen përfundimtare, është interesant pikërisht krijimi i kombit boshnjak, si akt final, sepse për aq sa mbajmë mend ne të gjeneratave që i kemi kapur të dy sistemet, shohim se ata dy herë e kanë ndërruar emrin e tyre! Dhe, çka është më interesant: me krijimin e Jugosllavisë socialiste, atyre u qe njohur entiteti shtetëror brenda Federatës, duke krijuar Republikën Socialiste të Bosnjë e Hercegovinës që në vitin 1945, një gjë e rrallë, duke pasur parasysh se populli kryesor me përkatësi myslimane nuk kishte emër etnie!!! Praktikisht, mëvetësia kombëtare e tyre brenda Jugosllavisë ishte njohur në regjistrimin e vitit 1971. Por, jo aq lehtë për t’ia gjetur! Para këtij regjistrimi, gjithë viti 1970 kishte kaluar me një debat të Byrosë Ekzekutive të LKJ, për çudi, nën kryesimin e Fadil Hoxhës, që kishte zgjatur bukur shumë, në një konfuzion të përgjithshëm. Sepse, në njërën anë kishin një popull që nuk donte të jetë as pjesë e kroatëve e as e serbëve, që gjithsesi mund të kishte origjinë të përbashkët me ta? Çështja kryesore kishte qenë si ta quanin? Gjatë atyre debateve ishin nxjerrë shumë variacione: “myslimanë”, “myslimanë të Bosnjës”, “myslimanë me përkatësi etnike” etj. As udhëheqësia kroate e as ajo serbe nuk kishin ngulur këmbë në mohimin e tyre, por, nga ana tjetër, çështja e emrit të tyre kishte krijuar shumë telashe. Sepse, një variant që ata të quhen vetëm “myslimanë” ishte kundërshtuar edhe nga Kërste Cërvenkovski, sepse e kishte pasur gajlen e torbeshëve të Maqedonisë që të mos deklarohen si të tillë, por dhe nga Fadil Hoxha, sepse në Kosovë ka turq, që ndoshta do të deklaroheshin si myslimanë, madje se mos në atë grup do të regjistroheshin edhe ata shqiptarë që flisnin turqisht (ai e kishte përmendur shembullin e gabuar të Ali Shukrisë, i cili me sa dimë është me origjinë çerkeze!). Është interesant se vetë Titoja kishte ndenjur anësh këtyre debateve, edhe pse disa udhëheqës ishin thirrë edhe në emër të tij. Në fund, ishte vendosur që në regjistrimin e vitit 1971 të futet “grafa” e “myslimanëve si përkatësi nacionale”, edhe pse në përdorimin e përditshëm, ishte familjarizuar termi “myslimanë”… Por, ky nuk do të jetë emri përfundimtar, sepse pas shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos, myslimanët e Bosnjës e morën ekskluzivitetin e territorit dhe u riemëruan “boshnjakë”, duke u përpjekur që me teza të reja e të vjetra shkencore, të bëjnë edhe një hap (ngjashëm siç deshën në Maqedoni në kohën e qeverisjes së Gruevskit, me origjinën antike), që origjinën e tyre ta ndajnë “nga e përbashkëta” sllave me serbët dhe kroatët, me tezën se fillet e këtij kombi janë te lëvizja bogumile mesjetare, kurse si argument tjetër është se Kisha e Bosnjës ka ekzistuar që në kohën e mbretit Tvërtko dhe para kishës serbe.

Shpërbërja e Jugosllavisë, në të vërtetë, e pengoi lindjen edhe të një kombi të ri, sepse në regjistrimet e fundit ishte rritur dukshëm edhe numri i të deklaruarve si “jugosllovenë”, që ishte një sajesë ideologjike-politike e njerëzve adhurues të sistemit jugosllav, ku gjenin strehim qarqe ushtarake e fëmijë të lindur nga martesa të përziera. Po të kishte mbetur Jugosllavia gjer në ditët e sotme, këtij grupacioni do t’i jepeshin ndoshta prerogativa etnike dhe numri i tyre do të vinte duke u rritur, ndoshta duke iu afruar mjaft kroatëve. Është interesant se pas “pagëzimit” të kombit të ri, “myslimanët – në kuptimin nacional” në regjistrimin e vitit 1971 u bënë populli i tretë për nga numri – 1.729.932 (në regjistrimet e mëparshme, zinin vendin e pestë).

 

Lindja e kombit maqedonas

 

Në rrethana paksa më ndryshe, me specifikën e vet, duhet të ketë lindur edhe kombi maqedonas. Sigurisht se ka shumë argumente shkencore për “origjinën e përbashkët” me bullgarët, por nuk mund askush të lëshohet në debate për ta mohuar veçantinë e popullit maqedonas. Është e vërtetë se në lëvizjen çlirimtare maqedonase, ajo që lind si VMRO (apo më saktë si TMORO) nga fundi i shekullit 19-të, ka pasur zik-zake identitare, ku janë përzier terminologjitë gjeografike dhe etnike. Perandoria Osmane në atë shekull e ka njohur popullin bullgar (për shembull: jo edhe atë shqiptar gjer në fundin e saj!), por jo dhe popullin maqedonas. Ky fakt është shumë me rëndësi për të ardhmen e disa popujve, të cilët, duke mos qenë të pranuar nga Porta e Stambollit, do ta vazhdojnë agoninë e ardhmërisë së tyre. Në këtë grup, përveç shqiptarëve, bien edhe maqedonasit.

Autonomia që e fiton Bullgaria e, më vonë, edhe pavarësia si shtet, nuk i plotësoi krejtësisht ambiciet e Bullgarisë së Shën Stefanit, e cila për shkak të raportit të forcave atë kohë nuk ka mundur ta realizojë dhe shumëkush thotë se pikërisht VMRO-ja ka qenë ajo vegël e Sofjes, që duke luftuar për Maqedoni, të krijojë mundësinë e një bashkimi të mëvonshëm. Mirëpo, kjo lëvizje ka pasur në vete edhe rrymat, të cilat kanë luftuar mes vete, ndaj dhe është shquar për spastrime të shumta midis “autonomistëve”, që kanë luftuar për Maqedoni të veçantë, dhe “vërhovistëve”, që kanë dashur t’ia bashkojnë Maqedoninë Bullgarisë. Kjo kauzë bëhet edhe më e fortë pas humbjes së Bullgarisë në luftërat ballkanike, së cilës Fuqitë e Mëdha ia kishin ndaluar çdo pretendim të mëtutjeshëm territorial për Maqedoninë, andaj Sofja e ndërroi strategjinë për t’i nxitur popullsisë vendase për të luftuar për Maqedoni, që në mënyrë indirekte, në një të ardhme, të pretendonte bashkimin (analogjia midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ishte pa vend…). Nëse analizohet vetëm biografia e personaliteteve që u janë ngritur përmendore në kuadër të projektit “Shkupit 2014”, bëhet e qartë se sa ka qenë kontraverse lëvizja kombëtare me flamurin e Maqedonisë, sepse shumë prej veprimtarëve të VMRO-së janë vrarë mes vete, pasi jo gjithnjë kanë pasur një qëllim!

Historiografia maqedonase ka shumë mëkate shkencore dhe kjo ka të bëjë me përdorimin e burimeve, me ç’rast, në shumë raste, termi “bullgar” është zëvendësuar me “maqedonas”, duke dashur të dëshmojë se kauza maqedonase ka qenë e fortë prej para një shekulli. Kjo nuk e mohon të vërtetën sa ka pasur veprimtarë, të cilët e kanë thënë që atë kohë “ne nuk jemi as bullgarë, as serbë, as grekë”. Nuk mund të mohohet e vërteta se edhe një personalitet me zik-zake identitare, si Kërste Petkov-Misirkov, në një fazë të jetës së tij është bërë themelues i një gjuhe tjetër nga ajo bullgare, pra i gjuhës maqedonase.

 

Linguistika

 

Tek po e hap këtë kapitull të shkrimit, më kujtohet një vizitë e para shumë vitesh me disa kolegë nga “Flaka” dhe redaksia shqipe e TVM-së në një aktivitet kulturor të albanologëve në Sofje, ku na kishte ftuar Thoma Kacori. Në atë manifestim, përveçse shqip, flitej edhe bullgarisht dhe njëri nga kolegët gjithë kohën më pyeste “a kupton gjithë çka flasin, sepse unë nuk mundem”. Mund të them se gjendesha pak më mirë se kolegu, ndoshta dhe kisha pak më tepër përvojë komunikimi në gjuhët sllave, por të thoshe se e kupton krejtësisht bullgarishten duke ditur maqedonishten, do të ishte gabim i madh. E vërteta është se është fjala për dy gjuhë sa ta ngjashme, aq dhe të dallueshme, sidomos variantet e tyre që janë standarde. A kanë të drejtë linguistët bullgarë kur thonë se maqedonishtja është vetëm një dialekt i bullgarishtes? Mundet që origjina të çojë gjer atje, por ky argument edhe nuk është aq i qëndrueshëm. Kush i ka lexuar veprat e shkrimtarit të njohur serb, Borisav Stankoviq (“Koshtana”, “Gjaku i papastër”, ku ka personazhe shqiptare)…) në një dialekt të serbishtes së jugut, që i përket rrethit të Vranjës, shumëkush do të habitet se sa e afërt është me gjuhën maqedonase. Ai që i dëgjon të flasin maqedonasit e Kumanovës a serbët e Vranjës, nuk sheh dallim. Zaevi kishte përmendur se nuk kanë dallim kur flasin banorët e Strumicës me ata të Petriçit (“në çfarë gjuhe të themi se flasin?”, kishte pyetur ai). Sigurisht ohërlinjtë dhe struganët flasin ngjashëm me maqedonasit e Prespës së Vogël, kurse zhargoni i vjetër i maqedonasve të Shkupit (“stari skopjani”) është përplot serbizma. Jo kot themeluesi i gjuhës maqedonase, Krste Petkov Misirkov, e kishte gjetur formulën për ta marrë si bazë të folmen qendrore (ku kryqëzohen ose përafrohen dialektet) për gjuhë standarde maqedonase, në një kohë kur Maqedonia as kishte autonomi, e as ishte ndonjë farë njësie administrative e ndonjë shteti. Pra, edhe kjo gjuhë që e flasin maqedonasit, nuk është bash e rënë prej qiellit në kohën e Titos, ndonëse është e vërtetë se Bllazhe Konevski bëri çmos që, përmes gramatikës, alfabetit dhe leksikut, ta veçojë sa më shumë maqedonishten nga bullgarishtja. Nëse shikojmë dokumentet origjinale të mbetura nga lëvizja maqedonase ose edhe gazeta e revista ku kryefjalë ka qenë Maqedonia, do të vërejmë se është përdorur alfabeti bullgar dhe bullgarofilët e VMRO-DPMNE-së këtë ia konsiderojnë mëkatin më të madh Koneskit, që alfabetin maqedonas e ka privuar nga disa shkronja karakteristike të bullgarishtes. Por, ato janë variante që janë zgjedhur në një moment të caktuar. Edhe gjuha shqipe kushedi me ç’shkronja do të shkruhej po të mos kishte vendosur Kongresi i Manastirit. Historia përbëhet nga rrethanat dhe vendimet që marrin njerëzit. Kështu ka ndodhur edhe me maqedonishten.

Argumenti gjuhësor i afërsisë, në mënyrë më eklatante, dëshmohet te gjuhët e sllavëve të jugut, që po të ndiqej logjika e linguistëve bullgarë, sot serbët, kroatët, boshnjakët dhe malazezët do të duhej të ishin një popull, e jo katër, apo jo? Jorastësisht në ish-Jugosllavi gjuha zyrtare ishte quajtur serbo-kroate, që të mund të kënaqte ambiciet elitiste të të dy popujve, por që e njëjta gjuhë vlente edhe për boshnjakët dhe malazezët, gjuha e të cilëve dallohej për variacionin (e-kave dhe ije-kave), por që në thelb ishte e njëjta gjuhë. E kam thënë dhe po e përsëris, se po të merrej ky argument, cilido nga këta popuj të ishte brenda në BE, me logjikën e Sofjes zyrtare, mund t’i vinte kushte fqinjit të vet që së pari ta pranojë se e ka origjinë të përbashkët, e pastaj të shkojë tutje!

Kur e dëgjoja në TV një ligjëratë të prof. Ferid Muhiqit para sanxhaklinjve, para do vitesh, më bëri përshtypje kur tha se edhe Vuk Karaxhiqi, si baba i gjuhës serbe, në të vërtetë, ka zgjedhur të folmen boshnjake! Të njëjtën gjë mund ta thonë edhe malazezët, përskaj serbëve. Kjo vetëm e vërteton tezën se Bullgaria, aq sa ka argumente, aq edhe janë relative në kontekst të kohës historike, kur gjërat lindin në rrethana të caktuara dhe pastaj evoluojnë dhe krijohen identitete të veçanta nga një substrat etniko-kulturor.

 

Konfuziteti i pozicionit bullgar

 

Duke i pasur parasysh aspektet e sipërpërmendura, pengesa bullgare për Maqedoninë e Veriut ishte e pashembullt dhe dilte jashtë kritereve të cilat tashmë ishin plotësuar për hapjen e negociatave. Nëse dëgjohen argumentet, herë thuhet se nuk e mohojnë të drejtën e vetëpërcaktimit, e as e mohojnë gjuhën maqedonase, mohojnë madje edhe se kanë vënë veto për fqinjin, e nga ana tjetër arritën që ta pengojnë në këtë fazë, duke vënë disa kushte të cilat janë nga pak edhe qesharake, si për shembull: të hiqet dorë nga gjuha e urrejtjes (nëpër librat shkollorë, lidhur me okupimin bullgar), pastaj çështja për origjinën bullgare të veprimtarëve maqedonas, akuzat se Maqedonia nuk e respekton marrëveshjen e miqësisë (është e kundërta!) për pranimin e 86.000 qytetarëve që kanë marrë nënshtetësi bullgare që të pranohen si bullgarë (një pyetje: sa shqiptarë kanë pasaporta gjermane, zvicerane, italiane, austriake për shkak të nevojave jetësore, a duheshka ata të shpallen si të tjerë?…). Por, njësoj siç kërkesat e tyre nuk kaluan në BE, për shkak të vetos sllovake dhe çeke, njësoj edhe ata këtë veto e përdorën praktikisht ndaj Maqedonisë, duke shkelur marrëveshjen dypalëshe për fqinjësi, ku nuk ka kurrfarë kushtesh që Maqedonia e Veriut duhet plotësuar. Sepse, argumentet bullgare janë të karakterit historik e shkencor, kurse për inkuadrim në BE nuk janë kriteret historike, por ato të tjera, të sferës së të ndërtimit të kapaciteteve të shtetit për liritë dhe të drejtat e njeriut, ekonomia e lirë e tregut dhe funksionimi i shtetit juridik. Në asnjë pikë ndoshta nuk jemi të përkryer si shtet ose të konsoliduar si shoqëri, por në procesin e deritashëm Maqedonia e Veriut ka ecur bukur mirë. Dhe, në këto çështje, ajo tashmë i ka përmbushur kriteret. Këtë e dinë edhe zogjtë e malit.

E kam shkruar atë meselenë e ujkut dhe qengjit që kanë pirë ujë te përroi. E dini më, ujku që është më sipër rrjedhës së ujit, i thotë qengjit që është më poshtë: “Mos ma turbullo ujin”. Kuptohet, si pretekst për ta ngrënë. Kjo është zaten logjika e më të fortit. I forti, në rastin konkret Bullgaria, është anëtare e BE-së dhe ajo vendos që t’i thotë Maqedonisë “mos ma turbullo ujin”, edhe pse s’ka si mund t’ia turbullojë ai që është poshtë rrjedhës së ujit! Edhe pse kushtet që duhet t’i plotësojë Maqedonia për të filluar negociatat me BE-në i ka përmbushur, një i fortë që është brenda BE-së mund të bëjë çka të dojë. Dhe, pastaj, në këtë botë jo të përkryer, solidariteti i rrejshëm, që prapë shkon në dëm të të dobëtëve, bëhet kriter i BE-së… Është kapaku i farsës.